Kreu Ditar Fitimtarë në të gjitha aksionet

Fitimtarë në të gjitha aksionet

637
0

Çeta “Plakë” e Mallakastrës më 22 Shkurt 1943, në bashkepunim me çetën “Plakë” të Vlorës, sulmuan forcat fashiste në Selenicë të Vlorës duke e çliruar atë nga fashistët-

Mbas krijimit të Këshillave ANÇl Nëntor-Dhjetor 1942 në të gjitha fshatrat e trevës së Mallakastrës, paralelisht u krijuan edhe çetat partizane-vullnetare si në Hekal, Cakran, Greshicë, Aranitas, Gorishovë etj. të drejtuara nga njerëz të zgjedhur nga vetë partizanët. Çdo çetë përbëhej nga disa skuadra, ndërsa armatimi sigurohej nga vetë luftëtarët.

Mbi bazën e këtyre çetave, më 4 Shkurt 1943, në fshatin Klos, u krijua çeta “Plakë” e Mallakastrës me zv/komandant  Dervish Hekalin. Fill mbas formimit të saj, çeta filloi veprimtarinë luftarake. Kështu më 5 Shkurt 1943, një pjesë e kësaj çete u nis në drejtim të fshatrave Çorrush-Kutë për të bërë pajtimin er këtyre dy fshatrave, të cilët ishin në konflikt të armatosur me njeri-tjetrin, lidhur me problemin e një prone (kullotë për bagëti).

Po në këtë datë, në qafën e Sykuqit, u krye me sukses nga partizanët e kësaj çete si dhe çetat e fshatrave Hekal, Greshicë, Aranitas aksioni kundër një autokolone ushtarake italiane, ku mbetën të vrarë tre ushtarë italianë, u plagosën 13 të tjerë si dhe u kap një sasi e konsiderueshme material luftarak. Nga ana e partizanëve ran ë fushën e betejës Shahin Ormeni nga Atanitasi.

Më 10 Shkurt 1943, çeta “Plakë” e Mallakastrës në bashkëpunim me çetën “Plakë” të Vlorës, sulmuan forcat italiane në minierën e Patosit, ku mbas dy-tre orë luftimesh, qëndresa armike u shpartallua. U vranë 10 ushtarë italianë dhe 87 të tjerë u kapën robër, ku mbas një fjalimi në gjuhën italiane, ata u lanë të lirë të çarmatosur.

Duke u gdhirë 22 Shkurti 1943, çeta “plakë” e Mallakastrës në bashkëveprim me çetën “plakë” të Vlorës, sulmuan forcat fashistë në Selenicë të Vlorës dhe më pas një qëndrese të shkurtër, Selenica u çlirua, fashistët ua mbathën këmbëve në drejtim të Treblevës duke lënë në fushën e betejës disa të vrarë, të plagosur dhe robër. U kap një sasi e konsiderueshme materiali luftarak si dhe u shkatërrua miniera e bitumit.

Më 1 Prill 1943, çeta “plakë” e Mallakastrës dhe ajo e Vlorës, sulmuan forcat e karabinierisë që mbërritën nga Vlora në Selenicë. Pas një luftimi të ashpër, u vranë 50 karabinierë, u kapën 80 robër, midis të cilëve 4 oficerë, u kap një sasi e madhe materiali luftarak, 20 mitrolozë të rëndë dhe të lehtë, disa murtaja, 200 pushkë dhe pistoleta e municione të tjera luftarake.

Të katra këto aksione, u drejtuan nga Heroi Dervish Hekali me shokë. Pas këtyre aksioneve, çeta çdo ditë shumëfishohej me luftëtarë të tjerë, këta jo vetëm mallakastriotë por edhe nga qytete të tjera dhe fshatrat e Fierit, Tepelenës, Kurveleshit, Vlorës etj. Çeta “plakë” e Mallakastrës luftoi edhe kundra bashkëpunëtorëve të fashizmit siç ishin ato të bandave kriminale që ishin organizuar nga tradhëtarë e bashkëpunëtorë të armikut.

Në Korrik 1943, çeta u shumëfishua me vullnetarë nga Mallakatra dhe arriti numrin 1000 forca për të përballuar operacionin fashist Qershor-Korrik 1943, të ndërmarre kundër treves së Mallakastrës me rreth 20.000 forca pushtuese, plus 2000 kriminelë të bandës së armatosur më së miri deri artileri të rëndë, autoblinda dhe aviacioni. Ajo i shkaktoi dëme të konsiderueshme armikut në njerëz dhe material luftarak. Ruajti strukturën e saj duke çarë disa rrethime si dhe duke shpartalluar çetën balliste, e cila në pabesi, pas krahëve në fshatin Gjerbës, goditi forcat partizane duke i ardhur në ndihmë kështu pushtuesve italianë. Pra, me këtë rast vërtetohet plotësisht se vëllavrasja ndërmjet shqiptarëve të parët e krijuan organizata e Ballit Kombëtar dhe jo siç pretendojnë pinjollët e tyre sepse gjoja u krijua nga LANÇl.

Nga efektivi i kësaj çete, kanë rënë në fushën e betejës 5 Dëshmorë, Shahin Ormeni,  Dako Kapaj, Sabri Sulo, Feti Pelivani dhe Sherif Beluli.

Më 4 Gusht 1943, çeta u inkuadrua në batalionin partizan Ismail Klosi, ndërsa 100 partizanë të saj, u inkuadrua në brigadën e parë Sulmuese që u inagurua më 15 Gusht 1943. Këtu përfshihen disa partizanë të përzgjedhur si Idriz Seiti, Halim Zano, Sulo Shehu, Ibrahim Shehu (Dëshmor), Hekuran Qazimi , Novruz Sulaj, Mehmet Tato, Nishat Saliaj (Dëshmor) që u bënë tmerr për okupatorët fashistë dhe tradhëtarët e venti. Kjo çetë kishte njerëz guximtar të rrallë në luftimet që zhvillonte ky njesit ku qëndronte gjithmonë në ballë të partizanëve.

A.Saliaj

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.