Kreu Aktualitet Fleckenstein: Shqipëria e meriton hapjen e negociatave

Fleckenstein: Shqipëria e meriton hapjen e negociatave

441
0
Knut FLECKENSTEIN in plenary session week 50 2016 in Strasbourg

Duke folur në konferencën zyrtare për shtyp të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian në Tiranë, mision i planifikuar prej kohësh dhe i organizuar për të vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria përpara Këshillit të qershorit, Knut Fleckenstein, anëtar i Parlamentit Evropian (PE), zëdhënës i Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) për punët e jashtme, si dhe raportues i PE-së për Shqipërinë, deklaroi: “Të gjithë po presim vendimin e Këshillit Evropian të 19 qershorit nëse do të hapen negociatat me Shqipërinë. Parlamenti Evropian mori me një shumicë shumë të madhe ndërpartiake një qëndrim shumë të qartë në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë. Misioni ynë – për të parë nëse reformat e nevojshme, veçanërisht në fushën e gjyqësorit dhe procesit të vetingut, po vazhdojnë – është konfimuar dhe unë nuk kam dyshim se parlamenti dhe qeveria shqiptare do të vazhdojnë në rrugën e reformës. Ne nuk shohim ndonjë arsye për shtyrjen e mëtejshme të vendimit, pasi kushtet e vëna janë përmbushur”.

Duke komentuar braktisjen e mandateve së fundmi nga deputetët e opozitës në parlamentin shqiptar, Knut Fleckenstein shtoi: “Më vjen shumë keq për vendimin e opozitës për heqjen dorë nga mandatet e tyre parlamentare. Bojkotimi i Parlamentit nuk është aspak një rrugëdalje nga problemet politike dhe është kundër parimeve demokratike. Parlamenti është forumi ku duhet të trajtohen mosmarrëveshjet politike.

Unë bëj thirrje për përgjegjësi politike nga të gjithë parlamentarët për të përmbushur detyrat e tyre dhe për të rifilluar punën parlamentare në interes të vendit dhe perspektivës së integrimit të tij në BE, jo me zgjedhjet e ardhshme në mendje. Shqipëria duhet të përqendrohet te reformat, jo te grindjet politike. Demonstratat janë një tipar thelbësor i jetës demokratike. Megjithatë, unë i dënoj me forcë rastet e dhunës që kemi përjetuar këtë javë dhe u bëj thirrje udhëheqësve politikë të opozitës që të garantojnë protesta paqësore, në përputhje me shtetin e së drejtës”.

Misioni i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) po zhvillohet nga 27 shkurti deri më 1 mars. I përbërë nga shtatë anëtarë të PE-së nga grupe të ndryshme politike, ai po udhëton në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, me qëllim që të vlerësojë progresin e bërë nga të dy vendet përpara Këshillit Evropian të qershorit, që do të vendosë nëse atyre do t’u jepet statusi i vendit kandidatit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.