Kreu Politike Gati projekti për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës

Gati projekti për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës

171
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës:

Shumë faleminderit për praninë këtu, në këtë moment të rëndësishëm të ndryshimeve të zhvillimit të Vlorës. Më vjen shumë mirë që sot, ne kemi praktikisht në dorë projektin e aeroportit. Paraqitja e bërë këtu ishte një paraqitje e përmbledhur e imazhit të aeroportit, por projekti është një projekt shumë voluminoz, i cili faktikisht është i gatshëm për t’u marrë në dorë nga ndërtuesi dhe për të filluar ndërtimin.

Përpara se të them disa fjalë lidhur me këtë zhvillim dua të vë theksin tek një fakt që besoj se është i rëndësishëm. Deri përpara pak vitesh, ky aeroport ishte një ëndërr. Një ëndërr shumë e hershme dhe një premtim i përsëritur rëndom në fushata elektorale, por askush nuk e besonte vërtetë që mund të vinte dita që Vlora ta kishte aeroportin e vet ndërkombëtar. Konteksti ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe ajo që unë vetë e kam kaluar si eksperiencë ishte që nuk kishte asnjë interes. Nuk kishte investitorë të interesuar, nuk kishte kompani të interesuara dhe faktikisht, përpjeka e parë u bë si rezultat i një gatishmërie nga ana e qeverisë turke për të na ndihmuar jo për arsye komerciale, por thjesht e vetëm për të na dhënë një  dorë që ne ta ndërtonin këtë aeroport.

Ne u përpoqëm që të arrimë në një marrëveshje ndërkombëtare me konsorciumin që erdhi në Shqipëri, që bëri gjithë vizitat e nevojshme, hartoi një projekt financiar dhe pas një negociate shumë të gjatë arritëm në konkluzionin që nuk kishim pika afrimiteti për të nënshkruar një marrëveshje me interes të dyanshëm dhe kërkesat e konsorciumit për çfarë duhet të garantonte shteti, për çfarë duhet të kontribuonte shtetit ishin përtej mundësive tona. E gjitha kjo ndodhte në një kontekst kur Vlora ende nuk kishte marrë imazhin që ka sot dhe kur edhe Shqipëria ende nuk ishte vendi që sot duket qartësisht që është duke u bërë në aspektin e turizmit.

Ne 8 muajt e parë të këtij vitit, nga janari-gusht, në territorin e Shqipërisë kanë hyrë ekzaktësisht  4 milionë e 850 mijë të huaj, që është një shifër shumë më e lartë sesa shifra e 3-4 viteve më përpara. Vetëm në tre muajt e verës janë regjistruar 3.4 milionë, 400 mijë më shumë se vera rekord  e vitit të kaluar, apo 900 mijë më shumë se periudha e pikut të 2017-ës. Këtu flasim për shifra të nxjerra nga sistemi TIMS i hyrje dhe daljeve dhe jo për shifra të nxjerra nga kalkulime imagjinare. Janë absolutisht shumë domethënëse. Në 5 vite, ne  kemi më shumë sesa dyfishuar numrin e turistëve, vizitorëve të huaj në Shqipëri. Kjo ka krijuar një kontekst tjetër dhe një nivel tjetër interesi për ata që investojnë në turizëm dhe për ata që janë të interesuar të zhvillojnë infrastrukturë  të mikpritjes,  gjë që ne e shohim edhe nga kërkesat në rritje për investimet në hoteleri nga kompani të rëndësishme të huaja, ashtu sikundër edhe nga disa kërkesa goxha mbresëlënëse, me të cilat shpresojmë të arrijmë të prodhojmë marrëveshje për disa investime të mëdha në sektorin e turizmit.

Jo vetëm konteksti i përgjithshëm i Shqipërisë ka ndryshuar në raport me këtë sektor bazë të zhvillimit të ekonomisë, që do të jetë gjithmonë e më shumë një nga sektorët se ku Shqipëria do të  nxjerrë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të veta dhe do të krijojë një pjesë të konsiderueshme të vendeve të punës. Vlora nuk është më  ajo që ishte disa vite më parë, ku dhe për vetë ata që  banonin ishte e vështirë të hynin në qytet për të vajtur në shtëpi dhe jo më pastaj për të tërhequr investime të konsiderueshme, deri dhe një aeroport ndërkombëtar.

Ajo që ka ndodhur me Vlorën është tanimë një histori e  njohur dhe e pranuar nga të gjithë. Nuk është fundi, por është fillimi i një historie transformimi, sepse veprat që janë realizuar do të pasohen nga të tjerat. Ndërkohë është e domosdoshme që paralelisht me gjithë zhvillimin e akseve kryesore të sektorëve që transformojnë, që nga infrastruktura dhe deri te hoteleria, pranë infrastrukturës kryesore, ne të përpiqemi që të intensifikojmë punën dhe  brenda përbrenda qytetit.

Nuk diskohet që marr shumë mesazhe nga zona e padurimit vlonjat dhe të gjithë thonë pjesën e parë që “shumë mirë është bërë kjo, është bërë edhe kjo, por shiko se ku jetoj unë, thotë njëri, shikoje ku jetoj unë, tjetri” dhe sjellin fotografi nga lagje që sigurisht janë në gjende të vështirë.

Arsyeja që duhet të investojmë më shumë brenda qytetit është sepse gjithmonë e më shumë, qytetit i gjithi do të kthehet në një zonë të mikpritjes. Jo të gjithë shkojnë në hotele, por janë  shumë edhe këtu, siç ndodh kudo tjetër përgjatë bregdetit tonë, por dhe kudo tjetër në Europë dhe në botë, që preferojnë të shkojnë nëpër shtëpi. Sot për sot nuk është e mundur që shtëpitë në lagje të caktuara të shërbejnë për turistët, sepse janë shtëpi që gjenden ende në kontekste krejtësisht anti-turistike, për të thënë më të paktën. Natyrisht ne duhet t’i bëjmë të dyja. Natyrisht që unë kam këtë pjesën kryesore, pjesën mbrapa infrastrukturës kryesore e ka kryetari i bashkisë, është dhe pjesa më e vështirë, por nuk e ka detyruar njeri të bëhet kryetar bashkie. Kështu që meqë e ka zgjedhur vetë, meqë ia kemi dhënë dhe ne votën, duhet t’i bëjë ato punë.

Sidoqoftë, në të gjithë kompleksin e infrastrukturës, sepse së shpejti do fillojmë për pjesën e Lungomares që lidh atë pikë fundore ku është sot me tunelin, do vazhdojmë pastaj me pjesën matanë tunelit deri në Orikum, do fillojmë njëkohësisht me rrugën Orikum-Llogara. Fatmirësisht ministrja po punon për të finalizuar një projekt dhe mundësisht edhe një marrëveshje për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, që është i domosdoshëm e që do sjellë shumë më tepër fluks, për shkak se jo të gjithë e kanë atë kurajën dhe dëshirën që t’i hipin malit për të zbritur në det. Ashtu sikundër do vazhdojmë me pjesën e tjetër të Lungomares nga ana e Pyllit të Sodës, me transformimin e portit në një port turistik.

Sidoqoftë të gjitha këto janë të rëndësishme, por që qendra më e rëndësishme e gravitetit të zhvillimit, jo vetëm për Vlorën, por për gjithë Shqipërinë, është aeroporti ndërkombëtar. Ne sot e shikojmë që edhe për këtë ka jo pak shprehje interesi, aq sa tani kanë filluar në gazetat e huaja se kush do ta marrë dhe kush e paska marrë. Kjo është gjë e mirë. Imagjinoni disa vite më parë, sikur gazetat e huaja të shkruanin që po bëhet garë e fortë për aeroportin e Vlorës, do ta marrë ky, apo e ka marrë ai. E vërteta është që ne akoma jemi në një proces diskutimi të brendshëm, që do ta mbyllim brenda pak javësh, për mënyrën si do procedohet.

Tani që kemi projektin, kemi dhe opsionin e përfshirjes qysh në fillim të një kompanie serioze ndërkombëtare për ta ndërtuar dhe pastaj për ta operuar. Kemi dhe opsionin për ta filluar vetë ndërtimin, që të mos vonohemi përsëri, që të mos gjendemi përsëri përpara të papriturave që sjell çdo proces negocimesh dhe proces marrëveshjesh me palë të tjera.

Ne kemi përcaktuar në buxhet një shumë për të filluar ndërtimin vetë si shtet dhe pastaj për të kaluar në një garë ndërkombëtare për operimin, pasi shtete nuk operojnë në aeroporte. Aeroportet i operojnë kompanitë e specializuara. Ky është një vendim që do ta marrim së shpejti,  duke parë paraprakisht sesa shprehje interesi real do të kemi dhe sesa ato shprehje interesi do t’i përgjigjen ambicies tonë për të hapur një garë me një farë sigurie që nuk do jetë një garë ku nuk do të paraqitet askush, apo do paraqiten kompani që janë nën nivelin  e ambicies tonë e lërë më pastaj ambicies së vlonjatëve, sepse ajo nuk kapet, është shumë lart. Unë flas për ambicien time dhe të qeverisë.

Kjo është pjesa e vazhdimit të procesit. Unë e di shumë mirë që kur të mbarojmë takimin, kur të jemi duke hyrë në Tiranë, do vijë një mesazh “ku e ke aeroportin”. Me një fjalë që duhet të ishte ndërtuar në kohën që ne kthehemi në Tiranë. Do kërkojë kohën e vetë.

Është shumë me rëndësi ky aeroport, sepse nuk është aeroport turistik. Shumëkush ka qenë me idenë, qysh në fillim, që jetë një aeroport turistik, një pistë ku të ulen avionë në periudhën e verës. Unë kam qenë gjithmonë kundër kësaj, sepse unë mendoj që aeroporti i Vlorës duhet të jetë një aeroport më i madh se i Tiranës, me më shumë funksione se ai i Tiranës dhe me një standard më të lartë se ai i Tiranës në tërësi. Jo se Vlora është më e rëndësishme se Tirana, kjo nuk diskutohet. Vlora është më e rëndësishme edhe se Nju Yorku, edhe se Berlini, edhe se Parisi. Ajo që më ka shtyrë në këtë arsyetim është fakti që në aeroportin e Tiranës, ne e  dimë shumë mirë se çfarë vështirësish kemi. Kemi vështirësi të trashëguara nga një marrëveshje e bërë shumë vite më parë, që është shumë kufizuese dhe shumë kushtëzuese dhe që ka prodhuar gjithë ato historitë e vështira dhe jo të  këndshme me çmimet që janë çmimet shumë të larta, me mungesën e kapaciteteve, sepse faktikisht ka pasur një pozicion monopol dhe na është dashur të negociojmë dy , mos gabohem, në fillim që të hiqte këtë monopol, pasi në kontratën e nënshkruar kishte një kusht që asnjë aeroport nuk duhet të ndërtohet pa marrë lejen e koncesionarit  te aeroportit te  Tiranës dhe kjo pengonte ndërtimin e çdo aeroporti tjetër. Kështu që, për të çliruar veten nga litari i këtij kushtëzimi, kemi bërë dy vjet negociata me koncesionarin dhe më në fund ja kemi dalë.

Tani është e rëndësishme që kemi lirinë për të ndërtuar aeroporte. Kemi filluar të ndërtojmë aeroportin e Kukësit. Padyshim që nuk kemi arsye që të presim surpriza me aeroportin e Kukësit. Sipas gjithë planit të bërë dhe sipas ecurisë së punëve në kalendarin e miratuar, në pranverën e vitit 2021, aeroporti i Kukësit do të jetë i përfunduar dhe i disponueshëm.

Njëkohësisht po punojmë dhe ministrja ka filluar të çojë përpara edhe përgatitjet për aeroportin e Sarandës. Por si Kukësi, edhe Saranda do të jenë aeroporte sigurisht ndërkombëtare, por me një tjetër profil. Ndërsa aeroporti i Vlorës do të jetë aeroport me një pistë 3,2 kilometra, ndërkohë që Tirana e ka 2, 7 kilometra dhe do të mundësojë uljen e avionëve me kapacitet të madh, jo vetëm për pasagjerët, por edhe për mallrat. Nuk kemi në rajon një aeroport mallrash dhe është një ekonomi më vete, me shumë interes, që me potencialin që ka zona këtu dhe me potencialin që ka vetë sot Shqipëria dhe Vlora është plotësisht i mundur.

Ashtu sikundër do të ketë dhe një funksion tjetër, që do të jetë një funksion i tretë për riparimin dhe mirëmbajtjen e avionëve. Sigurisht këtë do ta bëjnë kompani të specializuara të huaja, por do të bëhet këtu.

Të tria këto komponentë, pasagjerët, mallrat dhe mirëmbajtja e riparimi e bëjnë aeroportin e Vlorës, një aeroport ndërkombëtar të kompletuar dhe mbi të gjitha e bëjnë një qendër ekonomike, sepse kontributi në ekonomi i këtij aeroporti do të jetë shumë i ndjeshëm.

Sipas të gjitha llogarive të bëra nga eksperienca, thuhet se çdo lek i investuar në një aeroport është i shumëfishueshëm me 27 nga aktiviteti dhe nëse 1000 vende pune i kërkon direkt aeroporti, atëherë vlerësohet se rritja e punësimit, në të gjithë aktivitetin ekonomik që aeroporti sjell, është deri në 27-fish. Llogaritë bëjini vetë, por mos harroni që na duhen specialistë.

Ajo që dua të shtoj këtu është se, edhe duke ndërtuar këtë aeroport të rëndësishëm, ne faktikisht përmbyllim një histori që ka një zanafillë këtu në Vlorë.

Vlora nga Lufta e Parë Botërore ka trashëguar një nga aerodromet e parë fushorë dhe madje ka pasur dhe një hangar për riparimin e  avionëve. Pastaj më tutje ka qenë një ligj i qeverisë së Fan Nolit, në 1924-ën, që i hapi rrugë zhvillimit të aviacionit, ligji i aviacionit civil. Për kuriozitetin e atyre që nuk e dinë, siç nuk e  dija edhe unë derisa fillova të merrem me historinë e aeroportit të Vlorës, në 1933-n, nga Vlora mund të fluturoje me 11 franga ari për në Gjirokastër, me 17 franga për në Tiranë dhe me 90 franga shkoje në Romë.

Tani, kuptohet në mungesë të aeroportit, vlonjatë fluturuan me skaf, por koha tregoi se skafi nuk ishte alternativë e qëndrueshme, kështu që tani është koha për të ndërtuar aeroportin.

Në Vlorë është çelur edhe shkolla e parë e Aviacionit në Shqipëri në vitin 1962.

Për të gjitha këto arsye dhe për shumë arsye të tjera që mund të numërojmë, jemi në vendin e  duhur, jemi dhe në kohën e duhur për t’i hapur rrugë këtij procesi.

Nuk dua që të flas për kohë, për datat dhe për afate, por ajo që dua të përsëris, është se objektivi ynë që kantierin për ndërtimin e aeroportit ta çelim në pranverën e ardhshme. Unë e di që në Vlorë, pranvera fillon në tetor, po e kam fjalën për pranverën e vitit 2020.

Në ndërkohë me kompaninë tonë ajrore, që dhe ajo mori kohën e saj për t’u vënë në vijë dhe për të filluar fluturimet, shikojmë një perspektivë shumë inkurajuese, të lidhur me aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, por në tërësi të lidhur me gjithë marrëdhënien e qytetarëve shqiptarë, por jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por të atyre që janë shqiptarë dhe janë qytetarë në shtete tjera, me botën  e fluturimeve, pasi përtej të gjitha ankesave dhe përtej të gjitha atyre që thuhen nëpër kafene, figurojmë nga popujt që fluturojmë më shumë dhe nga popujt që shpenzojnë më shumë për turizëm.

Nuk e di a e patë, por nga statistikat e vendit fqinjë, jo nga statistikat e qeverisë shqiptare, shqiptarët gjatë kësaj vere ishin në vendin e  parë si shumë turistësh në Greqi. Dhe jo në Greqi në tërësi, ku mos gabohem zinin e vendin e  tretë, por në zonën më të pasur dhe më të shtrenjtë të Greqisë. Po sipas statistikave, në Greqi janë numëruar 1 milionë turistë shqiptarë.

Kështu që koha do të shkojë duke e shtuar numrin e të huajve që do vijnë këtu dhe të shqiptarëve që do shkojnë jashtë për turizëm, gjë që flet vetë. Ashtu sikundër objektivi ynë është të krijojmë një treg konkurrues, ku tmerri i biletave të shtrenjtë të marrë fund njëherë  e mirë dhe siç e keni parë, efektet e para, kompania jonë ajrore i ka dhënë në treg, sepse të gjithë kanë filluar tani të bëjnë promovime me çmime më të ulëta. Por kjo dot jetë një rrugë që do të kërkojë pak durim dhe kohë, të paktën në planin afatmesëm. Ndërkohë që në planin afatgjatë nuk kam pikë dyshimi që gjithë sistemi i çmimeve të fluturimeve edhe për shqiptarët do të normalizohet plotësisht si për të gjithë të tjerët, sepse me rënien e monopolit të aeroportit të Rinasit, me ndërtimin e aeroportit të Kukësit dhe me ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës do të ketë shumë zgjedhje dhe do të ketë edhe shumë mundësi.

Duke ju falënderuar për vëmendjen dhe duke ju kërkuar brenda kufijve të padurimit tuaj pak durim, ju siguroj që jemi shumë më pranë sesa kurrë më parë çeljes së kantierit për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Në ndërkohë merruni me emrin, si mendoni se duhet ta quajmë. Unë e kam një ide, po më mirë po e ruaj për njëherë tjetër.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.