Kreu Sociale Gështenja e Rrafshit të Dukagjinit, trashëgimi natyrore dhe historike

Gështenja e Rrafshit të Dukagjinit, trashëgimi natyrore dhe historike

2030
0

Eksperti ISUF ZEKA
Në Kosovë, shtrirja aktuale e grumbujve pyjor te Gështenjës së butë në peizazhin pyjor është rezultat i ndikimit njerëzor që nga lashtësia. Rëndësia ekonomike e këtyre pyjeve është e pa kontestueshme si në të kaluarën ashtu edhe sot. Vetë shtrirja e këtyre pyjeve në afërsi të vendbanimeve tregon ndërlidhjen ndemjet komunitetit dhe pyjeve dhe dëshmon në masë të madhe ndikimin e faktorit njeri në to por edhe ndikimin e këtyre pyjeve tek njerëzit duke krijuar kështu një bashkëjetesë mijëravjeçare duke krijuar kështu një kultivar specifik të Gështenjës i adaptuar me kushtet ekologjike të rajonit me fruta specifik dhe të dallueshëm për nga: Shija, Pamja, Dimensionet etj duke i dhënë vulën e përkatësisë gjeografike.
Gështenja e butë është regjistruar në Listën e kuqe të IUCN si specie e rrezikuar në gjithë shtrirjen aktuale dhe të mundshme në territorin e Kosovës.
Duke filluar nga fshati Lëvoshë dhe zona Gubavc në Komunën e Pejës – ku formojnë grumbuj te izoluar pyjor – te pastër apo te përzier, me një ndërprerje deri ne fshatin Strall (Strellc) te Komunës së Deçanit, kurse nga aty formojnë një brez te pa ndërprere pyjor i cili përfshinë Komunat Deçan, Junik dhe vazhdon deri ne fshatin Devë të Komunës së Gjakovës gjendet brezi i Gështenjave, i cili mund te haset ne enklave te vogla edhe ne rrethet e Therandës e veçmas ne fshatin Mushitisht, kurse ne grupacione me te vogla haset edhe në rrethin e Ferizajt ne fshatinPleshinë, mbi qytezën e Shtimes Petrovë – Ferizaj, përreth Cvilenit në Prizren, Kaliçan – Burim, kurse ne forme Individuale edhe ne disa fshatra te Regjionit te Mitrovicës.
Gështenja shtrihet në sipërfaqe prej më shumë se 3700 hektarëshduke krijuar grumbuj të pastër apo të përzier me Dushqe, Ah dhe lloje të tjera fletorësh.
Për shkak të kapacitetit të lartë të rigjenerimit, cungishtat përfaqësojnëformën kryesore të menaxhimit të pyjeve të gështenjës, nuk është i preferuar nga komuniteti si dru zjarri, por është i preferuar për qymyr druri, dhe material për ndërtim, zdrukthëtari, gardhim (shtylla, thupra për gardh, etj.)
Gështënja karakterizohet me rritje të shpejtë, shpesh herë në Rrafshin e Dukagjinit në cungjet e Gështenjave hasen nga disa dhjetëra llastarë të cilët brenda vitit arrijnë lartësinë edhe deri në 2 m, por me rritjen e moshës vjen duke rënë edhe rritja e në lartësi.Nga hulumtime të fragmentarizuar të bëra në vitin 1970, 1971 dhe 1972 në disa sipërfaqe provë rritja në lartësi mesatarisht ishte 19,7 cm . Sipas Tabelave të prodhimit të autorit Patroneu shtimi vjetor te grumbujt pyjor të Gështenjës në tokat e Bonitetit të III-të ndërmjet moshës: 30-35 vjet arrin deri në 7,5 m3/ha. Kurse nga disa matje të bëra në vitin 2012 në periferi të Junikut rezulton që shtimi vjetor të jetë 5,22 m3 në cungishta të moshës 30 vjeçare të cilat ishin të atakuara nga kanceri lëvores.
Druri i Gështenjës është dru jetë gjatë me gjithë ballafaqimin me dëmtues të ndryshëm biotikë dhe abiotikë edhe sot e kësaj dite nëpër kashnjete hasen drurë me moshë qindravjeçare. Është i përshtatshëm për përdorim të jashtëm, në sajë të përmbajtjes së lartë të taninës që vepron si një mbrojtje kundër prishjes. Është përdorë dhe përdoret me të madhe si lëndë ndërtimi për konstruksione të mes kateve dhe kulmeve si dhe në zdrukthëtari posaçërisht janë të njohura dyert e portave të ndërtuara me dru Gështenje. Në fshatinLloqan të komunës së Deçanit deri në vitet e 70-ta të shekullit të XX-të ka ekzistuar një shtëpi druri që datonte nga shekulli i XIII e ndërtuar nga druri i Gështenjës, kurse edhe në vitet e 70- ta të këtij shekulli pothuajse të gjitha konstruksionet e kulmeve të shtëpive ndërtoheshin me dru Gështenje. Rrjeti elektrik pothuajse i tëri në Deçan me rrethinë ishte i ngritur me shtylla elektrike nga druri i Gështenjës.
Prodhimi i frutave është i ndikuar nga shumë faktorë. Grumbujt janë të degraduar në masë të madhe, shumica kanë origjinë vegjetative, janë të atakuar nga patogjenë të ndryshëm, i nënshtrohen prerjeve në mënyrë të pa planifikuar dhe në moshë të re gjë që e kufizon edhe prodhimtarinë e frutave nën optimumin e mundshëm. Periudhe e fruktifikimit fillon relativisht në moshë të vonë (nga 6 -8 vite), kurse një trung i moshës 12 vjeç prodhon rreth 25 kg fruta në vit. Kurse trungjet e lashta prodhojnë edhe mbi 100 kg për trung.

Foto e bërë në fshatin Morinë – Gjakovë në vitin 2016
Prezenca e Gështenjës në Rrafshin e Dukagjinit dokumentohet përmes burimeve të ndryshme: një e dhënë tejet e rëndësishme për prezencën e Gështenjës në këtë trevë është nga autorët: Nikoliq dhe Çernjavski të cilët gjatë përshkrimit të shtresave të Qymyrit në Kosovë – hulumtime të bëra buzë lumit Ereniku në Gjakovë në vitin 1948 janë hasur mbetje të fosilizuar të Gështenjës nga periudha terciare, kurse në dokumentet e shkruara nga ato që njohim deri me sot së pari përmendet në Krizobulat eDeçanit nga viti 1330 dhe Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, e më vonë prezenca e Gështenjave dokumentohet nga AmiBue 1889 dhe autorë të tjerë nga viti 1913 e këtej.
Praktikat historike të shfrytëzimit të këtyre të pyjeve për qëllime ekonomike datojnë që nga periudha e mesjetës.
Të dhënat e para të dokumentuara dhe për mendimin tonë mjaft të besueshme për potencialin ekonomik të pyjeve me Gështenja mund të nxjerrën nga Defteri i të Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485 ku jepet një përshkrim jo i plotë i vendbanimeve që posedojnë pyje Gështenje (sepse Gështenja nuk paraqitet në fshatrat të cilat posedojnë sipërfaqet më të mëdha dhe e kanë potencialin më të madh prodhues të Gështenjës si: Morinë, Molliq, Jasiq, Junik, Vokshetjku edhe sot paraqitet në formë të grumbujve të lashtë pyjor) kurse jepen të dhënat për disa vendbanime sot të identifikueshme si: Deçan, Isniq në dy raste varësisht nga Timarliu që e zotëronte, Lëbushë dhe për disa të pa identifikueshme si: Polja në vartësi në krahinën e krahinës së AlltunIlisë (rrethi i Junikut të sotëm), Shuma,DoliniBuqani, Nebonani, GornaBugjani.
Përshkrimi i obligimeve ndaj Timarliut të banorëve të fshatit Lëbushë (Lubishta në origjinal sipas transliteruesit) – shih: Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë – Instituti i Historisë – Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës – Tiranë 1974
Sipas të dhënave nga ky Regjistër fshatrat që kanë poseduar pyje më Gështenja kishin obligime për të dorëzuar timarlinjëve në emër të taksave në prodhim 96 barrë fruta Gështenje.
Taksat që komuniteti është obliguar ti paguaj Timarliut ishte së paku 10% (1/10) nga prodhimi i gjithmbarshëm për kulturën e caktuar. Në rastin konkret për Gështenja taksa ishte 96 barrë, kurse prodhimi i përllogaritur duhej të ishte 960 barrë. ( konvertuar në “okë” del grumbullim i ngarkuar me taksë ishte: 96 000 okë dhe këtë e konvertojmë në kg prodhimi i taksuar i frutave të gështenjës ishte: 144 000 kg )
Për periudhën e më vonshme duke përfshirë edhe periudhën e pas luftës së II-të botërore vështire të gjenden të dhëna të besueshme për nivelin e shfrytëzimit të frutave të Gështenjës në Kosovë sepse me gjithë dokumentacionin e bollshëm kontabël që e kanë mbajte ish kooperativat bujqësore, Qendrat kooperuese të fermerëve apo ndërmarrjet tregtare që e kanë bërë grumbullimin dhe tregtimin e Produkteve jo drunore pyjore, përfshirë edhe frutat e Gështenjës – këto dokumente janë shkatërruar dhe djegë gjatë luftës së fundit. Një gjë është e sigurte se me gjithë pengesat administrative – Kosova ishte shpallur Karantinë për shkak të prezencës së Kancerit të lëvores së Gështenjës (Cryphonectria parasitica) tregu ka funksionuar dhe Gështenjat nga Rrafshi i Dukagjinit ishin nder më të kërkuarat si në tregun e vendit dhe në tregun e jashtëm, fabrika të tëra konditorie programin prodhues e kishin të bazuar në potencialin prodhues të këtyre pyjeve.
Ndikuar nga shumë faktorë aktualisht Gështenja e Rrafshit të Dukagjinit potencialin prodhues të drurit dhe të frutave e ka të kufizuar. Pozitën në tregun e produkteve jodrunore dhe drunore e karuajtur edhepse tregu është i paorganizuar.
Tregtimi i drurit të gështenjes bëhet në tregun lokal kurse eksporti është simbolik dhe i kohëpaskohshëm, kurse frutat e Gështenjës në të shumtën e rasteve përmes kompanive që operojnë në tregun Shqiptar grumbullohen dhe tregtohen në tregun rajonal e pjesërisht edhe në atë vendor.
Sipërfaqet e mbuluara më Gështenja sherbejnë si kullotë për rreth 28 000shoqëri bletësh sa llogaritet të jenë në rrethet Pejë dhe Gjakovë.
Pikërisht shfrytëzimi i trungjeve të reja nga 10-20 vjet si material për gardhim, apo të trungjeve të lashtë për të prodhuar qymyr e kufizon edhe më tepër sasinë e prodhuar të frutave.
Edhe procesi i vjeljes së frutave për shkak të procesit të depopullimit të viseve rurale gjithënjë me shumë po has në vështirësi dhe vërehet një rënie e interesimit të komunitetit për këtë kulturë.
Pyjet e Gështenjës janë Trashëgimi natyrore dhe historike e Rrafshit të Dukagjinit. Ndërmarrja e masave silvikulturore për rimëkëmbje të këtyre pyjeve nuk mund të bëhet vetëm duke u mbështetë në vullnetin e pronarëve të pyjeve, por duhet angazhuar të gjithë akterët: nivelet e qeverisjes vendore dhe qendrore, Ministritë respektive përmes menaxhuesvete pyjeve: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencisë Pyjore e Kosovës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinorë përmes Agjencisë për mbrojtjen e Mjedisit respektivisht Drejtorisë së Parkut Kombëtarë “Bjeshkët e Nemura” që të Hartojnë dhe implementojnë një Strategji dhe Plan për rehabilitimin dhe mbrojtjen e pastërtisë gjenetike te këtyre grumbujve pyjor.
Rezoni ekonomik mund të ndikojë që Gështenja e Rrafshit të Dukagjinit të zhduket në një të ardhme të afërt sepse është atakuar nga një anë nga patogjenë të caktuar jo vetëm nga kanceri i lëvores të cilat sëmundje nuk po trajtohen për mungesë vullneti dhe fondesh, nga prerjet e pa kontrolluara në moshë të re duke e përdorë si material kryesisht për gardhim dhe nga paraqitja në treg ka e fidanëve të Gështenjes me origjinë dhe kultivarë nga vende të caktuara, të cilët mund të ndikojnë në negativisht tek kultivari vendorë.Ruajtja e kultivarit vendorë duhet të jetë detyrë jetike e pronarëve të pyjeve të Gështenjës dhe e strukturave shtetërore për pyjet. Shpallja e tij si trashëgimi natyrore do të ndihmonte në ruajtjen e kultivimin e tij.
ISUF ZEKA
Ekspert

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.