Kreu Aktualitet Gëzuar vitin e ri shkollor!

Gëzuar vitin e ri shkollor!

252
0

Përshëndetja e Kryeministri Rama në ditën e parë të çeljes së vitit të ri shkollor 2018-2019, nga ambientet e reja të shkollës “Kosova”:

Përshëndetje të gjithëve!

Është një ditë shumë e shënuar për fëmijët, nxënësit, fillimi i vitit të ri shkollor, por për mua personalisht është një ditë shumë e shënuar të jem këtu, sot, pas 15 e kusur vitesh luftë për këtë kënd të Tiranës, ku kund të shkruhet një libër.

Mund të shkruhet një libër për Shqipërinë që kishim, sepse këtu në këtë truall ku u ngatërruan të gjitha sëbashku, që nga babëzia deri tek korrupsioni i gjykatave, shkolla u dogj, trualli u kthye në mënyrë krejtësisht të paligjshme, pastaj u prenë pishat që ishin këtu më parë dhe territori u kthye në një parkim. Nga të katër anët u bë çmos për ta marrë më në fund lejen e pallatit që do kishte zënë përfundimisht këtë kënd historik të arsimit të Tiranës. Administrata e kaluar e bashkisë e vuri në plan të ndërtonte pallat dhe pastaj më në fund, ky makth mbaroi me ndryshimin në Bashkinë e Tiranës dhe me futjen në rrugë të projektit të ri, që sot nuk është më një projekt në 3D, por është një realitet përpara syve tanë.

Sigurisht, kur kthen kokën majtas, nuk kupton çfarë ndodh djathtas dhe besoj që është koha që sëbashku me Erionin, do ta çlirojmë edhe pjesën djathtas në mënyrë që të kemi një hapësirë të denjë midis shkollës “Kosova” dhe gjykatës dhe fëmijët e shkollës të përfitojnë më shumë mjedis publik.

Sami Frashëri thoshte: “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër dhe grurë. Nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim dhe kulturë”.

Përtej shumë gjërave që bëhen dhe duken menjëherë, ajo që ne po bëjmë çdo ditë për arsimin do të duket pak nga pak dhe rezultatet do të duken të plota kur të kalojnë jo pak vite. Ama një gjë është e sigurt, baza e një transformimi rrënjësor të arsimit pas aq shumë vitesh rrënim dhe kaos është vendosur. Fillimi i këtij viti, me librat falas për fëmijët nga klasa e parë në të katërtën dhe për të gjithë ata që janë në kategoritë e familjeve në nevojë, është një nga shenjat e një ndryshimi rrënjësor që nuk është thjesht tek muret, nuk është thjesht tek infrastruktura, por është tek tekstet, është tek mësuesit dhe tek gjithë mënyra se si ndërtohet programi i shkollës.

Më vjen shumë mirë që brenda pak javësh, sëbashku me Bashkinë e Tiranës, ne do të fillojmë projektin e madh të 17 shkollave të reja. Janë 17 shkolla që do të financohen nga programi “1 miliard për rindërtim” i qeverisë dhe janë 17 shkolla që tanimë janë në fazën finale të fillimit të zbatimit të kontratave, të projektuara nga arkitektë të mëdhenj, të huaj dhe që do të jenë në vazhdën e kësaj pamjeje dhe të kësaj cilësie të re për shkollat ku shkojnë fëmijët tanë.

Dua t’i uroj nga zemra mësueseve dhe mësuesve, prindërve që sot kanë çuar fëmijët në shkollë dhe të gjithë fëmijëve, nxënësve e nxënëseve, një vit sa më të mbarë e sa më të suksesshëm shkollor.

Jam i bindur që investimi i prindërve tek fëmijët po gjen gjithmonë e më shumë përputhje me investimin tonë për fëmijët. Në përpjekjen për të qenë sa më lart në shkallën që meritojnë prindërit, ne do të vazhdojmë të bëjmë ende shumë më tepër, sepse çka është bërë, është shumë në raport me ku ishim, por në raport me ku duam të shkojmë, shumë më tepër mbetet për t’u bërë

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here