Kreu Aktualitet Gjermania mbështetje maksimale Shqipërisë

Gjermania mbështetje maksimale Shqipërisë

290
0

Deklarata për mediat e Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas:

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje!

Është kënaqësi që sot, ne mikpresim ministrin Mass dhe është një rast i mirë për të shprehur edhe një herë të gjithë respektin dhe mirënjohjen për angazhimin dhe vëmendjen e qeverisë federale për Shqipërinë dhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, qoftë në funksion të integrimit të rajonit tonë në Bashkimin Europian, qoftë në funksion të fuqizimit të ndërveprimeve dhe të bashkëpunimit rajonal.

Ne i japim një rëndësi të posaçme marrëdhënies me Republikën Federale të Gjermanisë dhe nga ana tjetër e konsiderojmë me një rëndësi historike angazhimin e qeverisë federale dhe të vetë Kancelares, për të iniciuar atë që tanimë njihet nga të gjithë, botërisht, si Procesi i Berlinit. Por jo vetëm kaq, ne jemi shumë mirënjohës qeverisë federale, Kancelares për rolin e rëndësishëm, në funksion të mbështetjes së një prej reformave më themelore shtetbërëse të Shqipërisë europiane, reformës në drejtësi, si dhe padyshim të gjitha reformave të tjera që lidhen drejtpërdrejt me progresin në funksion të integrimit në Bashkimin Europian.

Më vjen mirë po ashtu të theksoj se ne kemi qenë dhe mbetemi të vendosur në ruajtjen e një linje koherente në politikën tonë të jashtme, çka nënvizohet qartësisht edhe nga vetë Komisioni Europian në raportet e progresit, por çka është afirmuar në vijimësi, përsa i takon qëndrimeve të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Me ministrin do të vazhdojmë të bisedojmë dhe unë do të përsëris një kërkesë që ne e kemi bërë, për të marrë mbështetjen e qeverisë federale për kandidaturën e Shqipërisë për të drejtuar OSBE-në. Jemi të bindur që kjo do të kontribuonte edhe në funksion të vetë dinamikave të rajonit tonë, të procesit integrues të rajonit dhe do të ishte një incentivë për Shqipërinë dhe për rajonin.

Edhe një herë shumë faleminderit për vizitën, edhe për faktin që midis Maqedonisë dhe Greqisë keni zgjedhur që drekën ta kaloni në Shqipëri.

Është një zgjedhje shumë e mençur. Faleminderit!

Ministri Heiko Mass: Faleminderit i dashur Edi Rama! Shumë faleminderit për pritjen e përzemërt!

Sot kemi udhëtuar përmes qytetit dhe kemi mundur kësisoj të shohim në Tiranë se cilat gjurmë keni lënë ju si kryetar bashkie. Është bërë shumëçka e para së gjithash, në Tiranë bashkëjetojnë në mënyrë të paqtë dhe në marrëdhënie respekti me njëri-tjetrin, si të krishterët, ashtu dhe myslimanët dhe këtu shihet se si prej shumëllojshmërisë, përmes tolerancës mund të garantohet bashkëjetesa e paqtë, çka i jep shpresë gjithë botës.

I dashur Edi Rama,

mënyra kurajoze për të bërë politikë është demonstruar tashmë e suksesshme. Fakti që janë nisur reforma të thella, sikurse është ajo e drejtësisë, e kudo njohur dhe gjithsekush këtu, në rajon, apo në Berlin, apo në BE, e dinë se sa e rëndësishme është kjo reformë për perspektivën europiane të Shqipërisë, ndaj është mjaft e rëndësishme që qeveria të mund të vijojë më tej, në rrugën e nisur tanimë.

Ne e kemi mbështetur këtë rrugë që prej fillesave të veta, por edhe ju sigurisht që jeni një partner mjaft i rëndësishëm për ne në kuadër të organizatave ndërkombëtare, para së gjithash në NATO. Ju jeni një vend që mund të konsideroheni si spirancë e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Në qershor, Bashkimi Europian vendosi që prej vitit 2019 mund të nisin bisedat për anëtarësimin me Bashkimin Europian, por për këtë duhet që të vijonin më tej edhe proceset e reformave. Sigurisht që ka kundërshti, apo të themi rezistencë në këto procese, të cilat do të duhet të kapërceheshin në mënyrë të tillë që të sigurohet perspektiva europiane dhe të gjithë do duhej të dinin të përballeshin me këto çështje.

Gjithsesi, Shqipëria mund të mbështetet gjithmonë në ndihmën e Gjermanisë. Perspektiva europiane e Shqipërisë nuk është vetëm fjalë nga ana jonë dhe nëse ju do të vijonit me rrugën tuaj, sikurse kemi parë vitet e fundit, do të përmbushnit kushtet e kërkuara tanimë, atëherë rruga drejt BE do të vijojë gjithashtu më tej e për këtë keni mbështetjen tonë të plotë.​

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here