Kreu Sociale Gjithnjë e më gjelbër me objektiva të qarta e konkrete

Gjithnjë e më gjelbër me objektiva të qarta e konkrete

334
0

Zona pyjore përreth Kalasë së Skënderbeut (Stelushit) në Mat përfshin zonat deri në kufi me Liqejtë e Lurës, Zallin e Gjoçajve, Dasnjanë dhe prehrin e Dejës, Pllajën kufi me Runjën…pyjet në brendësi të fshatit Vig. Këto janë pyje publike, në administrim të bashkisë Mat dhe kapin një sipërfaqe prej 2000 hektarë.

Zona ka ka veçori dhe rëndësi të madhe ekonomike e sociale, jo vetëm për banorët që jetojnë këtu, por edhe më gjërë, pasi siguron sherbime të rëndësishme mjedisore, prej të cilave përfitohet shumë. Ka potencial të rrallë për veprimtari eko-turistike që tërheq, shërben dhe rrit vlerat në shkallë kombëtare.

Përveç produkteve të pyjeve, pisha, ahu, rrobulli, bredhi, ekzemplarit të rrallë, siç është tisi (i shpallur monument natyre), kullotës së pasur, bimësisë së shumëllojshme me aftësi kurative, ka larmi të faunës së egër: përfshirë derrin e egër, kaprolli, dhitë e egra, ujkun, lepurin, thëllënxën e malit etj.

Ka një rrjet të dendur hidrik, burime uji, përrenj dhe proska që i japin jetë bimësisë dhe tokës si dhe klimës e furnizimit të zonës me ujë.

Ndërhyrjet me punime përmirësuese që kanë nisur, do të sigurojnë mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e mjedisit natyror e të biodiversitetit në shkallë lokale, i afrojnë mundësi komunitetit të ushtrojë e rrisë veprimtaritë në fushën e të ardhurave, veprimtaritë shoqërore edukative dhe argëtuese, rekreative e turistike.

Vemendja e kujdesi për të ardhmen mbetet mbrojtja nga zjarret dhe shmangia e lakmisë të individëve që ka çuar në dëmtime të thella të pyjeve për interesa përfitimi të çastit, në dëm të ekosistemit e përtëritjes së pyjeve.

Bashkëjetesa me bukuritë e natyrës, angazhimi për të vënë në dispozicion të saj çdo mundësi, janë kthim në vlera me pasuri të jashtëzakonëshme. Përtërijnë traditën dhe sigurojnë të ardhmen vizionare me krenari brezash në vazhdim.

Në sipërmarrjen e saj, Shoqata e Burimeve Natyrore, Bujqësisë dhe Turizmit, Vig-Varosh “VIVA”, ka si objektiv final përmirësimin e kushteve dhe zhvillimin e turizmit, duke nisur nga qendra e fshatit Vig dhe gjithë hapsirën me mundësi shfrytëzimi e bashkëpunimi, deri me liqejt e Lurës. Synimi është për ta rikthyer zonën e Mbas-Dejës në jetike, me gjallëri bimësie, florë e faunë të pasur, sipas traditës që ka ekzistuar dhe për të marrë prej saj, jo vetëm vlerat kurative prej klimës së rrallë dhe burimeve ujore të pasura, por dhe pasuri të çmuara që sjellin të ardhura e përmirësojnë kushtet dhe jetën e njerëzve tanë.

Njihet dhe më herët, ka qenë e frekuentuar, është folur e flitet shumë për këtë zonë. Nis nga fshati Vig 1000 m lartësi, kalaja e Stelushit, pllajat e Shalcës, Vanasit, Xires, gropat e malit të Runjës, Guri i Vashës me fushat e Kepit të Bizës nga ku nisin liqejtë e Lurës, pllajës për në Çidhën, të lidhura që në kohrat e herëshme me rrugë karvanesh dhe për më shumë se 60 vjet edhe me rrugë makine verore, por që asnjëherë nuk e pati fatin të shtrohet me asfalt. Në krahun e djathtë shtrihet fshati Shëlli, burimi i vrullshëm i Gurrës me emrin e fshatit, Gryka e Valit, Linosit dhe lidhjet me fshatin Macukull, që kulmon me malin e Dejës dhe Zall-Gjoçajn. Përveç vlerave natyrore, zona mbart vlera tradicionale-historike, përvojë të trashguar në breza, mundësi shfrytëzimi për të kthyer gjithçka në interes të njerëzve, shlodhjes e përmirësimit të jetës së tyre, duke mundësuar frekuentimin e vizitorëve vendas dhe të huaj, te të cilët shikohet një interesim i madh në këto vite. Të gjitha këto, siç e përmendëm, janë të lidhura me gjurmë të rrugëve të herëshme, ku kanë lëvizur karvanet për tregëti e bashkëpunime të tjera njerëzore, ashtu dhe në fushën e mbrojtjes.

Kullotat e kësaj zone janë mjaft të pasura me vlera ushqyese prej shumllojshmërisë bimore. Me rëndësi është bimësia e egër frutore, me mjaft vlera dhe tradicionale. Deri pas viteve ’90 kjo zonë ka qenë mjaft e populluar dhe mbart vlera të mëdha arkeologjike e kulturore. Rendimentet bujqësore janë tepër të larta dhe pemtaria tradicionale, sidomos kumbulla, qershia, molla, dardha, arra, lajthitë etj. Ujrat e ëmbla janë të bollshme dhe me mjaft vlera në përbërës. Në dalje të Fushës së Bizës, drejt liqejve të Lurës ndodhet kroi i Bardhë, i shfrytëzuar ndër kohëra si ujë kurativ, të rekomanduara edhe nga grup mjekësh, të cilët dhe vetë ngrenin çadrat e pushonin me familjet në kohë vere. Mjafton të kalosh edhe njëherë kësaj zone dhe ajo të josh e të bën për vehte. Është koha për ta prekur dhe për t’ua dëftuar brezave, po dhe për të dëshmuar krenarinë e brezave që na e trashguan…

Qemal Cenaj, Burrel, kryetar i Shoqatës së Burimeve Natyrore, Bujqësisë dhe Turizmit

“VIVA” (Vig-Varosh), Mat

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.