Kreu Aktualitet Gruaja Rurale, deri kur varfëria dhe pabarazia do të ketë emrin grua?

Gruaja Rurale, deri kur varfëria dhe pabarazia do të ketë emrin grua?

199
0

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, popullsia urbane e ka kaluar atë ruralen. Vetem 46.3% e popullsisë e kanë lidhur jetën me fshatin.Migracioni rural shpesh është i nxitur nga varfëria dhe papunësia. Bujqësia dhe zhvillimi rural mund të trajtojnë lëvizjet kryesore të migracionit, si varfëria rurale, siguria ushqimore, pabarazia, mungesa e mundësive për punësim ose mbrojtja sociale, si dhe zvogelimin e burimeve natyrore.

Nëpër fshatrat shqiptare pjesa më e madhe e familjeve mbahen nga puna e grave. Për shkak se burrat janë në emigracion apo kanë gjetur punë në ndonjë qytet tjetër.

Gruaja në fshat përballet me vështirësi nga më të ndryshmet, me mungesën e theksuar të infrastrukturës, me mungesën e teknikës së punimit të tokës, bimëve, pemëve, te vaditjes, mungojnë shkollat për shkollimin dhe edukimin e fëmijëve. Për shkak të rrallimit të fëmijëve shkollat janë bashkuar dhe ato janë larg banesave të tyre. Po edhe çmimi i imputeve bujqesore, plehut kimik është rritur shumë, po ashtu edhe çmimi i lëndës djegëse. Mos të flasim për qendrat shëndetësore ku doktori mungon.

Në fshatin shqiptar ka mbetur pjesa më e pambrojtur dhe më e dobët e popullsisë. Largohen njerëzit sepse në fshat jeta është bërë shumë e vështirë, aq shumë sa jo rrallë edhe Administratoret e Njesive Administrative qe punojnë në fshat, ndërsa jetën me familjet e tyre e bëjnë në qytet.

“Sipas studimit të bere nga UN Women mbi gratë ruale në Shqipëri zhvilluar vite më parë i financuar nga qeveria e Suedisë rezulton se54 përqind e forcës punëtore aktive të grave punojnë në bujqësi. Ato janë më të përfshira se burrat në aktivitetet e fermës por nga ana tjetër përfitojnë pesë herë më pak nga shërbimet mbështetëse. Grave rurale i mungon mbështetja financiare dhe kanë pak të drejta mbi pronën dhe mungesë informacioni për zhvillimin e bizneseve”.Pavarësisht se pjesa e fermave familjare në pronësi të grave është shumë e vogël, shumica e grave rurale janë “menaxhere” të fshehura të fermës.Të dhënat tregojnë se gratë janë më të angazhuara në aktivitetet e fermës (32% në krahasim me 22% të burrave), dhe kryejnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të rëndësishme bujqësore dhe blegtorale.

Gjithashtu gratë në zonat rurale kanë akses të ulët ndaj mbështetjes financiare të shtetit ose nga donatorët. Shifrat zyrtare tregojnë se numri i grave përfituese është 5 herë më i ulët se burrat. Sipas studimit mungesa e rrjeteve dhe advokimit të grupeve të grave dhe zotërimi i kanaleve të infromacionit nga burrat kanë ulur aksesin e grave ndaj mbështetjes financiare. Studimi rekomandon se nevojitet zgjerim i shërbimeve të posaçme si mbështetje financiare, këshillim ligjor dhe rritje kapacitetesh sipërmarrëse për të arritur fuqizim ekonomik të grave dhe lehtësim i pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje duke i përfshirë ato si fermere e jo si “gra të fermerëve”. Ndërsa proceset me pjesëmarrje janë të nevojshme për të krijuar antena sociale për të përçuar informacionin tek gratë dhe vajzat në nivel lokal.

Legjislacioni shqiptar nuk bën dallim midis grave në zonat urbane dhe fshatare, por në praktikë jeta e grave fshatare është më e vështirë. Gruaja fshatare ka vështirësi në aksesin për shërbimet shëndetësore, arsimore apo në drejtësi dhe pjesmarrja në jetën politike e publike, është tepër e ulët. Ekzistenca e një shkalle të lartë papunësie, kryerja e shumë punëve në bujqësi, mungesa e mundësive kualifikuese, por dhe niveli arsimor i ulët, i bën gratë fshatare shumë më të prekshme nga papunësia dhe varfëria. Kontributi i gruas në ekonominë e familjes bujqësore është i rëndësishëm, por as ky fakt nuk e favorizon atë për të pasur një vend kryesor në drejtimin e saj.

“Një objektiv specifik i OKB në kuadër të Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 5, parasheh qasjen e barabartë të grave në burimet ekonomike dhe pronësinë e tyre të plotë dhe kontrollin mbi tokën, duke përfshirë tokën bujqësore dhe ate pyjore”. Po keshtu edhe aktivitetet e FAO-s që mbështesin fuqizimin e grave ndjekin të njëjtin parim. Këto përfshijnë programe që ndihmojnë gratë nga zonat e largëta të sigurojnë një të ardhur më të qëndrueshme përmes përmirësimit të aftësive të tyre artizanale.

Per te gjitha keto, duhet qe shteti të planifikojë politika mbështetëse për fshatin, pasi deri kur prodhimet bujqësore dhe blegtorale do të hidhen në rrugë të madhe? Sepse as shiten dhe as grumbullohen? Mbështetja e grave rurale është një nga elementët kryesorë për eliminimin por më pas edhe për zhdukjen e varfërisë dhe urisë.

Megjithatë, për një zgjidhje afatgjatë, investimet duhet të bëhen në sigurinë ushqimore dhe në bujqësi, përmes politikave gjinore që mbështesin ndërmarrjet bujqësore në shkallë të vogël dhe të mesme.

XHELAL  SHUTI

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.