Kreu Sociale Gryka e Radeshit, hyrje per ne radeshet e gashit

Gryka e Radeshit, hyrje per ne radeshet e gashit

120
0

Sylë Gosturani

Kur jeton larg vendlindjes, sado i moshuar që të jesh e sa do në sefellyk që të jetosh, malli e dëshira për t’u rikthyer atje, nuk të hiqen asnjëherë. Të merr malli për shtegun, rrugë , pyllin, burimet, shkembejt, majat e maleve, luginat, qafat, shtigjet, grykat, sheshet në shpate, sheshet në gryka, sheshet sipër thepave, sepse të gjitha këto lidhen me bukurinë, që kanë  ç’donjëra prej tyre lidhet me një apo më shumë kujtime dhe kur i përfytyron, të vjen në kujtesë dhe përfytyrim jeta fëminore, jeta rinore e djaloshare. Fisi i Gashit në Tropojë ka bjeshkët, tokat, fushat, pyjet dhe shpatet e bjeshkëve dhe kurdo, që të shkosh je i mirëpritur dhe do të gjesh qetësinë e shpirtit. Jetoj në Tiranë por shpesh kthehem atje ku linda, u rrita, punova e pushova. Malli, etja e dëshira për t’i par, më detyrojnë të shkoj gjithandej nga kam qënë dhe në ato kthime përpiqem të gjejë ndonjë ndryshim që kanë pësuar ato gjatë kohës që unë kam munguar në ato anë.

19 shkurt 2020 u nisa nga Bajram Curri për në Gosturan. Poshtë Gosturanit gjëndet lagjia “Çelaj”. Aty zbrita nga makina i vetmuar, eca djathtas nëpërmjet gështejave te çelajve arrita në Arë të Çukës ku banojnë tre apo katër familje të veçuara . Këtu të çfaqet përpara një pjesë e vargmalit të Gashit, që thirret Kershi i Myhejanit . Atë ditë m’u duk më i bukur se asnjëherë  sepse dielli në perendim , gjithë fuqinë ndriçuese të rrezeve të tij e kishin drejtuar në faqen  e tij duke shkaktuar një reflektim të shëndritshëm të shpatit shkembor, livadheve të shpërndara dhe borës së laritur. Objektiv kisha të shkoja në Shkallë të “Ahmet Zenelit” dhe në kthim të pija ujë te kroi i bjeshkës . Duhej të ecja nëpërmjet disa rogave , që thirren “Rogat e Bli Sejdis”, të cilat përbëjnë një shpat mbi 30 gradë pjerrësi. Ndonëse i moshuar, nuk ndjeva lodhje dhe për një gjysem ore arrita te shkalla . Shkalla ka qënë një ngushticë nëpërmjet të cilës kalonin këmbësorët , karvanet me kuaj dhe gjëja e gjallë. Shkalla është një pikëvrojtimi  që të jep një hapsirë me përmasa shumë të mëdha vrojtimi . Shkalla na e kujton të kaluarën , njerëzit që nuk jetojnë më por që bashkë me ta kemi kaluar dhjetra e qindra herë atë shkallë apo kemi dalë për t’u çmallur apo argëtuar me pejsazhet që ajo natyrë, fillim bjeshke , na parashtronte . Sot shkalla nuk egziston më në origjnalitetin që ka patur. Thepi në krahun e djathtë të saj dhe lisi në rrëzë të tij, nuk gjënden më aty . Hamit Sahit Kortoçi nga vëllazëria Myhejan, ka rrafshuar atë thepinë duke e kthyer në një rrafsh. Ka ngritur një barake . Ka improvizuar disa tavalina e stola që ta përshtas sheshin sa më mirë për të pritur vizitorë e frekuentues të tjerë. Instalimi i barakës , i tavolinave dhe i stolave të mundëson të vrojtosh e të shijosh shumllojshmërinë e bukurive  të atij vendi. Shkalla shënon hyrjen për në grykë të Radeshës dhe prej aty soditë atë grykë , padeshin , malin e  Ujezës , Shipshanin me larminë e relievit , Lugun e zi , Viçidolin , Tropojën e vjetër dhe malet e ulta të Zymit , Pllumit , Majën  e dhimët , Dobrejnë dhe hapsira të tjera , që zgjërojnë vijën horizontale të shikimit.  Një vizitor, nga këtu mund të kënaq kureshtjen për të parë bukuri të rralla por edhe për t’i filmuar ato , që të argëtojë edhe të tjerë njerëz, që nuk mundësohen t’i shijojnë ato bukuri . Gryka e Radeshës, që është parahyrja për në Radeshet e Gashit, paraqet mori pejsazhesh me pyje ahu , shkurre të vogla , hundë gërxhesh , suka pak të ngritura , shpate me badiguc, tupec , e shevarë , rudina të shpërndara në të gjitha pjesët e saj e lugje me brigje të ngritura . Shumë admirues janë dy kurrizet malore  që veçojnë atë grykë. Kurrizi lindor  që fillon nga pjesa e poshtme me malin e ultë të Komit, vazhdon me qafën e Komit , rrasën e Leskut , kodrën e Mimiraçës , qafën e Mimiraçes dhe shpatin e ultë të Shkelzenit – Gërleshin. Kurrizi perendimor fillon poshtë shkallës me një hundë shkëmbore 250-300m gjatësi , që demostron një faqe të thiktë 90 gradësh, vazhdon sipër shkallës me lugun e helmit , kershin e qenit dhe shpatet pas kershit të qënit plot me barë . Sejcili nga këta përbërës , me distancë ajrore mesatare 100 apo më shumë metra, demostrojnë larmi pamjesh turistike që shikuesi nuk di cilën të shikojë më parë . Mali i Komit dhe kershi i qënit, paraqesin kureshtje e bukuri të rralla. Komi është një mal i ulët rreth 1300 m.lartësi dhe bashkë me pjesët e tjera të kurrizit ndajnë grykën e Radeshës nga Toçilla e Shkelzenit , që është një humnerë fantanstike , në mesin e së cilës gjendet një burim i ftohtë akull. Komi zë fill në pjesën fundore të grykës dhe pas një gjatësie shpatullore mbaron me një maje konike  që ulet dhjetë apo pesembëdhjetë metra, për të vazhduar drejt  veriut me nivel horizontal me shumë thepisje. Në mesin e këtij kurrizi,  gjëndet një dishenteri  që vazhdon gjer në rrëzë të atij kurrizi duke formuar një shpellë shumë të gjërë, që thirret “Shpella e Komit”. Në këtë kurriz figurë hijeshije përbën edhe “Kodra e Mimiraçës” në kohë behari , shpati dhe podi (pjesa e sipërme e sheshtë) mbulohen me shevarë dhe lloj-lloj lulesh. Faqja perendimore e kësaj kodre pingule , rrasë e gjallë siç thotë populli , ka rritur pisha të shumta gjigante e shekullor . Kërshi i qënit paraqet një pamje të rrallë. Faqja e tij e thikët 90 gradë me përmasa  nga poshtë gjerë në majë gjerë 300 m. e nga krahu i djathtë në atë të majtë gjer 200 apo më shumë metra është mahnitëse . Faqja e atij kershi vezullon gjithmonë bardhësi .Në krahun e mëngjër të strehës dallohen lugje të thellura , hundë shkëmbore të dala dhe shkrepa të shumtë . Në krahun e djathtë , për gjatë gjithë gjatësisë , që nga maja e gjerë në bazamentin fundor , streha  nderpritet nga një lugshtin e hollë dhe e gjelbëruar me lloj- lloj barërash e lulesh. Poshtë majës (15 apo 20m) gjënden dy apo tre pisha të veçuara nga njëra tjetra në drejtim djathtas. Pisha e poshtme është shekullore dhe nga aty fillojnë të duken shkrepa të vegjël dhe lugshtina me barë por e  pamundura për të rënë gjer aty, megjithatë egziston një gojdhënë , se një vajzë nga Gosturani (Shiqere Rama) ka mundur të bjerë gjer te pisha e poshtme e të kthehet në maja të strehës shëndosh e mirë.

Gryka e Radeshës paraqet vlera studimore historike, arkeologjike, turistike e alpinizmi. Në Pjesën e poshtme të grykës , që thirret “Lugu i Komit” gjenden ndertime ilire, ç’ka dëshmojnë për një qytezë ilire, prej të cilës ka marrë emrin një mulli aty afër “Mulliri i Gradit”. Në mes të Qafës së Komit dhe shkallës së Ahmet Zenelit gjendet një hundë kershi tjetër , pjesa e sipër e të cilët është e sheshtë . Ai shesh thirret Buzhunik dhe sipas pr. D. Xheladin Gosturanit ai toponim në shqipërim do të thotë “Vend me shtogje”. Sot e shumë e shumë vite më parë e këtej nuk mbahet mend të jenë rritur shtogje aty . Ky shesh i vogëtë kujton plakun e urtë e dashamirës me gjithë kënd Rrustem Xhuja nga vllaznia ”Memiaj të Myhejanit  kishte ngritur një stan dhe  muajt Maj-Tetor, Nëntor dhe gjysmën e Dhjetorit i kalonte aty për të kullotur tufen e deleve prej 100 krerësh.

Edhe ne Gosturan gjatë këtyre muajve shkonim për të kullotur lopët dhe Rustemi asnjëherë nuk na pati mërzi . Sipër Buzhunikut gryka vazhdon me lugun qëndror dhe dy shpatet të veshura prej drunjë ahu . Paralel me ahishtat për të dy anët e luginës qëndrore , në disa roga në mes ahishtave dhe atje  ku lugina zgjeron pak sa shtratin, rritet një shkurre medicionale që thirret Cemerlikë. Në shpatet e zbuluara , sidomos në pjesën e sipërme rritet një shkurre tjetër tjetër e ngjashme me dëllinjën, që thirret çetinë. Çetina ndryshon nga dëllinja sepse ngrihet më pak nga toka se dëllinja, gjethet i ka më të buta dhe me një erë shumë të këndëshme. Frutat i ka kokrra si të dëllinjës por me ngjyrë jeshile të errët. Njerëzit  që vuajnë nga azma e përdorin për të bërë çaj . Gryka e Radeshës një here për çdo vit (14 qershor) gumëzhinte nga blegërimat e qingjave , të kecërve, blegërima e deleve dhe e dhive, nga lopët dhe e viçat , fyjet e barinjëve , nga këmbonat, trokaçet e cjepve  dhe zërat e njerëzve , të cilët të shpërndarë grupe- grupe me kuaj ngarkuar , formonin karvajet dhe me zë të lartë i thërrisnin njëri- tjetrit, që  t’i uronin me fjalët “Për hajër ngjit e gjasë , u djergëshi shëndosh e mirë e me zëmër të bardhë” e të tjera urime nga më të ngrohtat .

14-të qershori ishte ditë e caktuar me razi (konsensus) të të gjitha vllaznive dhe askush nuk mund të dilte më parë , sepse shkelte sullen dhe me vendimin e përbashkët, denohej .Sot kjo dukuri festive e shprehur në manifestim është shuar. Njerëzit , që dalin në bjeshkë janë shumë të pakët , edhe kur vjen koha e ngjitjes në bjeshkë, dalin spontanisht . Blegtoria është thjeshtësuar. Tufa të mëdha si dikur i gjen rrallë. Rinia e fshatit është dagdisur nëpër botë . Zëri i tyre nuk dëgjohet si atëherë .Në shkallë të Ahmet Zenelit , në vitin 1916-të, nga forcat pushtuese austriake i bëhet pritë njërit prej djemëve më trima të fisit të Gashit , sepse ai kishte kundërshtuar me armë reprazaljet e pushtuesit . Në atë pritë Hazir Colin e marrin dy apo tre pluma , ndersa bashkudhëtari i tij nga breshëritë e plumbave mbetet i vdekur. Ashtu i plagosu,r Haziri këmba dorazi, mundi të largohej diku shumë larg nga shkalla, bashkfshatarët e tij e morën dhe e mjekuan në një luginë të mbuluar me ferra poshtë fshatit ndersa bashkudhëtarin e tij, familjarët e varrosën pak larg nga shkalla (te kroi i bjeshkës) , sepse frikësoheshin nga pasojat  që mund t’u vinin nga forcat pushtuese.

Sot , rruga me kthesa  të shkurtra, ka mbetur relikë për atë vend , mbasi ajo është zevendësuar me rrugë makine  që lidh majën e Shkelzenit me fshatrat e rretheve të Gashit. Për çdo njëri, që mund të shkojë atje , gryka e Radëshës i prezenton pejsazhe e panorama të ashpra , të buta e ajër të pastër . Vizitojeni atë vend do të mbeteni shumë të kënaqur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.