Kreu Ditar Heroi i vogël e shuajti me gjoks flakën e mitrolozit

Heroi i vogël e shuajti me gjoks flakën e mitrolozit

369
0

-Me rastin e 90 vjetorit të lindjes dhe75 vjetorit të rënies-

Met Hasa lindi më 1929 në Kërçukje të Ndroqit. Pionieri 14 vjeçar u rrit nën peshën e skamjes, të varfërisë, u rrit duke e nisur moshën e miturisë i detyruar t’u binte vërdallë rrugëve të qytetit poshtë e përpjetë për të shitur çfarë të mundte për të siguruar bukën e gojës dhe për të mbajtur familjen. Ai që në moshë fare të vogël, u përball me vështirësitë e jetës, ishte shumë i shkathët e i guximshëm, i zgjuar sidomos në kujtesën e tij shumë të fortë si dhe nga pasioni e etja për të mësuar, ditur e njohur gjeografinë, historinë, ngjarjet, datat, vendet, popujt me një pasion të tillë përmes ndonjë harte apo atllasi gjeografik që ia  huanin shokët, sepse vetë s’kishte para t’i blinte. Me ta arriti të mësonte dhe të mbante mend emrat e kryeqyteteve të të gjithë shteteve të Botës dhe të ishte në gjendje t’i tregonte në hartë. Në sy të qytetareve durrsakë, Meti u bë shumë simpatik për zgjuarsinë dhe shkathtësinë e vet për arsye se ai studjonte dhe dinte shumë gjëra në krahasim me bashkëmoshatarët e tij dhe kishte një vullnet të veçantë për dije.

Me krijimin e Organizatës së Pionierit, Ai në moshën 12 vjeçare ishte i pari që u radhit në të në vitin 1941, duke u ndihmuar nga vëllezërit dhe shokët që e drejtonin këtë organizatë si shokët Enver Velaj dhe Sul Gallaj. Kështu Meti mori përsipër barra që ndonjëherë ishin jashtë forcave të moshës së tij. Ai nuk priste që drejtuesit e Organizatës së Pionierit ta ngarkonin me detyra por ai i sygjeronte se çfarë aksionesh duheshin bërë dhe si të kryheshin. Meti mori pjesë në aksionet  si: “shpimin e gomave të automjeteve të armikut, shpërndarje traktesh, shkrimi i parrullave të armikut, transportimin e shtypit nëpër bazat e LANÇ-it dhe materiale të tjera me anën e karrocës së dorës,duke përfshirë në ta edhe armë e municione.

Meti duke shfrytëzuar moshën e tij të vogël, bie në kontakt me marinarë fashistë duke i kërkuar ndihmën e tyre për kuriozitetet për të mësuar përdorimin e një motoskafi, i cili e përvetësoi drejtimin e tij. Gjatë hyrjeve e daljeve në të, Meti mësoi se aty ndodheshin armë dhe municione. Me këto të dhëna, Ai i propozon shokëve të organizatës të Pionierit që të kryente një aksion në këtë motoskaf. Një ditë Meti ruan rojet kur ata po pinin kafe apo bënin banjo deti, me shpejtësi e trimëri, zgjidh dhe shkëput motoskafin nga skela dhe menjëherë e ndez atë dhe niset në drejtim të plazhit, atje ku e prisnin shokët me biçikleta dhe së bashku marrin armët dhe municionet duke i dërguar në bazat përkatëse dhe më vonë ato dërgohen në Pezë.

Met Hasa mori pjesë në shumë demostrata që zhvilloheshin në Durrës, të cilat për atë  u bënë një shkollë  për stërvitjen e kalitjen e tij luftarake.  Shtëpia e Hasajve ra në sy të spiunëve nazifashistë qoftë për shkak të veprimtarisë së Metit e të vëllezërve të tij si dhe për lëvizjet që bëheshin atu si bazë e LANÇ-it si vend ku ruheshin materialet luftarake etj.,  të cilat u dërgoheshin çetave partizane të Pezës. Metit iu bënë kërcënime, tortura dhe frikësime nga armiqtë, por Ai nuk nxorri asnjë fjalë nga goja e tij. Ata spikatën edhe karakteristika të tjera të tij si gjakftohtësia, qendrueshmëria, shpirti i sakrificës, kospiracioni i thellë sikur ishte një njeri i madh. Pasi nuk ia arritën qëllimit, ata vendosën t’a dërgojnë në burgun e Tiranës dhe më pas në kampet naziste në Gjermani. Gjatë rrugës për në Tiranë, kolonën naziste e godasin avionet e aleatëve tanë Anglo-Sovjeto-Amerikan. Këtu jepet alarmi dhe të gjithë ushtarët zbresin nga makinat dhe u  përhapën duke u shtrirë nëpër moçalet dhe hendeqet e urës së Dajlanit dhe Shkozetit. Meti e shfrytëzoi këtë moment, me gjakftohtësi e guxim u hodh nga makina, mori vrapin buzë moçaleve të kënetës së Durrësit, humbet gjurmët dhe merr drejtimin në fshatin Romanat për të mbrritur në fshatin e tij të lindjes në Kërçukje. Që nga kjo, Meti rreshtohet si Partizan në Batalionin e Tretë të Grupit Partizan të Pezës me Heroin e Popullit Kajo Karafili. Ai e donte shumë për zgjuarsinë dhe shkathtësinë e tij dhe kur e takonte i thërriste: “Ku je kaçatorri këmbëshpejte i Pezës”.

Meti më 18.9.1944. me krijimin e Brigadës 22 S. të Pezës u inkuadrua në Kompaninë e parë, batalioni 4-t me funksionin e korrierit të batalionit. Ai mori pjesë në shumë luftime si në Pezë edhe në Shqipërinë e Veriut, në çlirimin e Shënpalit duke kontribuar në përgatitjen e Çlirimit të Pukës. Meti pa komandant kompanie një ndër luftëtarët e çetës së pare patriotike të Pezës të vitit 1940, Hamdi Grorin, të cilit në operacionin fashist të 14.000 vetave në Qershor 1943 në Pezë, i kishin masakruar (pushkatuar) nënën Tane Grori, e cila e kish porositur të birin të luftonte nazifashizmin me ashpërsi deri në çlirimin e vendit dhe djali e mbajti fjalën e Nënës deri sa dha edhe jetën për Shqipërinë.

Më 4.11.1944, Brigada 22 S, ndodhej në zonën e Pukës, të cilës i ishte venë detyrë të kapej qafa e Pesheve dhe Rrapes e pastaj të sulmohej e të çlirohej Fushë-Arrësi dhe Puka. Luftimet ishin të ashpra dhe përpara printe komandanti Hamdi Grori dhe komisari Koço Çako. Ata duke e njohur Metin që nuk donte t’ia dinte për plumbat, shpesh krijonin versione të ndryshme për ta shmangur duke e dërguar në detyra të ndryshme si korier. Por Ai i kuptonte “hilet” e komandantit dhe të komisarit. Meti kthehej në kompani me një shpejtësi rrufe për të qenë prezent në luftime. Për këtë komanda e  kompanisë e qortonte shpesh duke i thënë: ”po ti pse erdhe sonte?

-Erdha të luftoj shoku Komandant dhe Komisar. Unë për këtë qëllim kam dal Partizan, i përgjigjet Meti.

Komandant Hamdiu e porositi të rrinte por të bënte kujdes në lëvizjet e tij. Do të vij edhe unë, i tha Hamdiu duke u larguar. Metin mezi e mbante vendi prej gëzimit që komanda e lejoi të merrte pjesë në atë sulm dhe do të sulmonte krahas komandant Hamdiut në radhe të parë. Pas disa minutash, partizanët iu afruan pozicioneve të armikut. Hamdiu ecte i përkulur, ngadalë e pa bërë zhurmë. Pas tij ecte edhe Meti i vogël , pak më tej ishte Komisari e në krah të tij Halil Tërbuni dhe partizanet e tjerë. Errësira ishte e madhe dhe qetësinë e natës e prishte fishkëllima e veriut të ftohtë. Zhurma e erës e mbulonte atë të hapave. Njëqind metrat e fundit, përpara se të hidheshin në sulm, partizanët i bënë me zvarritje barkas. Nazistët të strukur nga të ftohtit as që i ndjenë partizanët që u ishin afruar shumë. Vendi ishte i zhveshur, me gurishte dhe nuk mund të afrohej me zvarritje, prandaj Komandanti dha komandën: “Përpara në sulm! Partizanet si të kishin mbirë nga toka, vërshuan drejt llogoreve të armikut.

Nazistët hapën zjarr. Luftimi filloi i rreptë deri edhe trup më trup. Tani nuk dëgjohej me fishkëllima e erës, por vetëm krismat e pushkëve, mitrolozëve dhe shpërthimi i granatave të dorës. Hamdiu ishte duke sulmuar e komanduar në rreshtin e parë, pranë tij dallohej në errësirë edhe silueta e trupit të vogël të Metit që shtinin pa pushim “sharresat” e nazistëve me krismat e tyre papushim. Por as plumbat dhe zhurma e tyre e egër, nuk i ndalën. Partizanët trima, shkonin drejt llogoreve naziste. Një plumb rrëzoi për vdekje Halil Tushën, të tjerët vazhduan sulmin përpara. Në përleshje e sipër Komandanti bie menjëherë, Meti shkoi pranë tij, por Hamdiu ngre kokën e me ngadalë çohet me mundim duke u shtërnguar nga dhimbjet. Meti vazhdon të sulmojë në krah të komandantit. Pas pak sekondash plumbat seri të një mitrolozi nazist, vranë Komandantin e Kompanisë.

Meti e Hamdiu ecnin afër njeri-tjetrit dhe e zë një plumb i dytë dhe e rrëzon përsëri Komandantin. Meti shpejtoi pranë tij, i foli pak, por më kot. Komandanti i tij i dashur nuk jetonte më, por Ai i mbajti lotët dhe për disa çaste qëndroi ashtu si i ngrirë mbi trupin e ngrohtë të komandantit. Dora e djathtë e Hamdiut e zgjatur përpara, shtërngonte nagantin me mulli e dorezë të bardhë. Meti e pa atë dhe me sytë e tij të vrejtur i drejtoi tek një mitroloz armik që villte zjarr. Ai mitroloz i shkurtoi jetën Komandantit dhe pengonte përparimin e mëtejshëm të shokëve. Meti e shikoi pa ja ndarë sytë, shikoi flakën e pashuar që dilte nga gryka e tij. U përkul mbi trupin e Komandantit dhe me duart që i dridheshin nga dhembja i drejtoi kokën. Pastaj i mori nagantën dhe sikur ta kishte shtyrë ndonjë fuqi e madhe nga pas, u ngrit në këmbë dhe u hodh përpara.

-Para partizanë, vdekja e armikut, Liri e Popullit dhe u zhduk në errësirë. Partizanët e ndoqën sulmin e pionierit. Ai i ngriti peshë të gjithë ata dhe i hodhi përpara drejt llogoreve të armiqve.

Para partizanë! Mitrolozi nazist në thellësi vazhdonte të shtinte pa ndërprerje. Befas ai pushoi për një çast dhe nga gryka e tij u shua flaka. Me nagantën e Komandantit, Meti i vogël vrau dy nazistë ndihmës e shënjues të mitrolozit. Ky i tmerruar nga sulmi i pionierit trim, krrusi kokën përpara e vazhdoi të shtinte ashtu pa shikuar gjë. Një plumb shpoi tej përtej trupin e njomë të Metit. Po ai nuk e ndali sulmin.“Para partizanë! Dhe trupi i tij i vogël mbuloi tytën e mitrolozit duke shuajtur zjarrin dhe flakën e tij.

Nazisti e pa i tmerruar dhe uluriti, u mundua të ngrihej, por dora e pionierit në agoni, lëvizi e u zgjat dhe njëherë përpara, tyta e nagantës shënoi m’u në ballë të nazistit. Ai u kap dhe ra përtokë. Partizanet e kryen detyrën, Qafa e Pesheves u muar. Ata u përforcuan në pozicionet e para të armikut dhe vazhduan luftën me nazistët që ishin tërhequr në pozicionet dyta e të treta. Mendja e tyre ishte tek pionieri trim që ishte futur në thellësi në drejtim të mitrolozit te qëndres, krismat e të cilit kishin pushuar e s’ndiheshin më. Por dhe zemra e shokut të  tyre të vogël nuk rrihte me. Përveç të përmendurve në këtë betejë ranë Dëshmorë 6 veta.

Trupi i Metit u varros në mënyrë urgjente, jo fort i maskuar nga situata tepër e ashpër e luftimeve. Ata e gjetën dhe e rivarrosën  me ceremoni e batare pushkësh duke e mbuluar trupin e tij me flamurin e tyre. Pra, armiku para tij u përul me nderim dhe me krisma pushkësh. Meta Hasa, ky partizan i vogël shqiptar që mbuloi me gjoks dhe ndali flakën e përgjakshme të mitrolozit nazist, ngjalli entuziazëm të paparë te partizanët e Brigadës XXII Sulmuese. Ky ishte akti heroik i Pionierit Partizan të Pezës së martirizuar në Luften e Dytë Botërore, të edukuar e stërvitur në shumë luftime nga Komandanti Legjendar i LANÇ-it, Heroi i Popullit Myslim Peza.

Respekt të veçantë dhe përulje përpara këtyre figurave Heroike të Kombit e Atdheut tonë të dashur e të shtrenjtë dhe prindërve që i rritën dhe i edukuan me këto tradita patriotike.

SHERBET KARULI

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.