Kreu Aktualitet Investime të reja në Spitalin rajonal të Elbasanit

Investime të reja në Spitalin rajonal të Elbasanit

487
0

Qarku Elbasanit do të ketë brenda muajit qershor një qendër spitalore rajonale rrënjësisht të transformuar në infrastrukturë dhe teknologji. Ndërsa është drejt përfundimit Spitali i Urgjencës, po modernizohen shërbimet me aparatura të teknologjisë bashkëkohore. Rezonanca magnetike është investimi më i ri. Prej 10 ditësh pajisja e teknologjisë më bashkëkohore ka nisur funksionimin, duke u vënë në shërbim të qytetarëve të Elbasanit dhe jo vetëm.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në kantierin e këtij spitali, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shpjegoi se me rezonancën magnetike, me vlerë 770 mijë dollarë, kompletohet i gjithë shërbimi i imazherisë, tejet i rëndësishëm për diagnostikimin e një sërë sëmundjeve.

“Rezonanca e re magnetike të gjithë shërbimin e imazherisë dhe të gjitha aparaturat e tjera që janë investuar, grafinë e lëvizshme, e cila është përqendruar në një ambient të posaçëm. Grafia dixhitale ka ardhur në këtë spital në kuadër të programit të Bankës Botërore që kemi bërë për modernizmin e spitaleve, së bashku me një set aparaturash të tjera. Pjesë e këtij investimi është gjithashtu edhe rezonanca në vlerën e 770 mijë dollarë, e cila është instaluar dhe është në funksion të plotë. Nëse deri dje imazheria ishte e shpërndarë, skaneri, grafia, tashmë janë të gjitha të  përqendruara në një ambient.”

Një shërbim i munguar dhe i mirëpritur nga qytetarët, por edhe stafi, u vlerësua nga ekipi i mjekëve të këtij shërbimi. “Është rezonancë e vitit 2018 me imazh të kthjellët, të qartë. Do t’i shërbejë shumë mirë pacientëve të prefekturës sonë, duke pezulluar kalimin në Tiranë, apo në rrethe të tjera,” -u shpreh një nga mjekët imazheristë.

Duk qenë se rezonanca e re i shërben qytetarëve të të gjithë Qarkut të Elbasanit, Ministrja  Manastirliu tha se kjo do të shkurtojë deri në 4 javë listën e pritjes për të kryer këtë ekzaminim, një kohë optimale kjo edhe për vende të BE-së.  

* * *

Ndërtesa e vjetër e Spitalit të Kirurgjisë, ndërtim  i vitit 1976, në qytetin e Elbasanit, prej mëse 6 muajsh i është nënshtruar rikonstruksionit të thellë, për ta kthyer në Spital të Urgjencës dhe të Patologjisë, me dy shërbime kryesore, Neurologjinë dhe Kardiologjinë.

Spitali do të ofrojë një shërbim me rreth 76 shtretër, 25 për urgjencën, 35 për kardiologjinë, 23 për neurologjinë, sipas standardeve të një spitali rajonal. “Jemi duke përfunduar rehabilitimin për ta kthyer në një spital të Urgjencës dhe Patologjisë, me dy shërbime kryesore, Neurologjinë dhe Kardiologjinë, përveç sistemit të urgjencave që do të priten dhe do të jenë të organizuar në funksion të dhënies së një shërbimi të shpejt për qytetarët, duke qënë se do të ketë organizimin me laboratorin dhe imazherinë që e pamë tek ana tjetër. Përfundon rreth muajit qershor, ndoshta edhe më parë. E gjitha sipas standardeve të parashikuara për një spital rajonal,” – u shpreh ministrja Manastirliu,  ndërkohë theksoi se poliklinika e Vlorës përfundon brenda muajit mars-prill, Pediatria e Durrësit përfundon brenda vitit.

Kryeministri Rama theksoi se është shumë e rëndësishme të ndryshojë koncepti për spitalin, duke e trajtuar si një mjedis ku pacientët duhet të marrin shërbimin me qetësi dhe rregull.

“Gjithë sfida është të dalë populli nga spitali, në kuptimin që spitalet janë për pacientët, ku vijnë në qetësi, në rregull, të ketë orar vizitash për familjarët, por nuk mund të jetë spitali pikë grumbullimi e gjithë dynjasë. Patjetër duhet investuar në këtë pjesë, pasi spitali është një territor ku duhet të ketë rregull dhe qetësi të madhe. Këtu ka ndodhur një transformim i madh, për hir të së vërtetës. Ishte një llahtar. Tani ka marrë formë,” – u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se ky transformim duhet të shoqërohet me një rregull të brendshëm funksionimi, që spitali të mos  kthehet në një “vijë kalimi hyr e dil”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.