Kreu Aktualitet Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton bonusin e qirasë për 606 familje

Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton bonusin e qirasë për 606 familje

313
0

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi mbrëmjen e sotme listën e radhës për bonusin e qirasë për 606 familje të tjera, shtëpitë e të cilave janë bërë të pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Lista totale e familjeve përfituese të bonusit ka shkuar në 1794 gjithsej, ndërsa masa e bonusit të qirasë është përcaktuar në bazë të njësive të banimit.

“Më vjen mirë që deri sot kemi dhënë 1188 bonuse qiraje. Në disa prej tyre kemi qenë me kryeministrin dhe vetëm ideja që janë në një shtëpi më të mirë, duke lënë pallatin e shpallur të pabanueshëm, një pjese të madhe të tyre u ka tepëruar edhe qiraja sepse qiratë në Kinostudio ose Kombinat janë modeste, është zgjidhje afatshkurtër. Por, zgjidhja afatgjatë është ndërtimi i lagjeve të reja, dhe kur të vijmë këtu me propozimet finale të projekteve, do të kemi një situatë edhe më e mirë. Për ta mbyllur këtë projekt, që siç kemi premtuar, festat t’i gjejnë njerëzit e strehuar, sot kalojmë edhe 606 bonuse qirash të tjera, e në total shkojmë në 1794”, tha Veliaj.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se pjesë e listës së familjeve dhe personave që do të trajtohen me bonus qiraje janë edhe banorët e strehuar në 10 godinat e Universitetit Bujqësor të Kamzës.

“Kemi futur në trajtim edhe studentët e UB, edhe pse nuk janë rezidentë. Për sa kohë që kjo fatkeqësi i kapi në Tiranë, do të thotë se është primare për ta rikthimi në normalitet. Pra, nëse e bëmë këtë për çerdhet, kopshtet, shkollat, do ta bëjmë edhe për studentët. Në dallim nga QS dhe mjekësia, ku ne kishim godina me hapësirë dhe ku të mjekësisë i transferuam tek inxhinieria, në UB të 10-të godinat u rrafshuan, ndaj për këtë arsye kemi rekomanduar dy masa: së pari, sapo të kthehen në 6 janar, sepse këtë javë universiteti dhe shkollat mbyllen, të marrin mbrapsht pagesën e tyre mujore, ndërsa i rimbursojmë edhe me një shtesë tjetër për përballimin e qirasë”, tha Veliaj.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi edhe listën e dëmshpërblimit me 300 familjet e reja, të cilave u është dëmtuar pjesërisht banesa nga tërmeti i 21 shtatorit. Kryebashkiaku Veliaj tha se pas verifikimit të dosjeve, Drejtoria e Emergjencave Civile i ka përcjellë për vlerësim në Këshillin e Qarkut Tiranë.

“Sot kemi listën e fundit që na ka ardhur nga miku ynë, Aldrini. Në kohë rekord ka procesuar 300 dëmshpërblimet e fundit, pra kaluam herën e parë 500, pastaj 507, dhe sot jemi në 1307 dëmshpërblime gjithsej. Përveç dëmshpërblimeve, keni parë me kryeministrin se kemi hapur edhe disa nga shtëpitë e reja që u adoptuan pas atij tërmeti, ndaj teksa marrim pak frymë nga emergjenca e këtij tërmeti, likujdojmë edhe gjithë dëmet e tërmetit të parë”, u shpreh Veliaj.

Për shkak të konstruksionit mbajtës të tarracave, që lidhet drejtpërdrejtë me sigurinë e jetës dhe shëndetit të banorëve që jetojnë në këto objekte, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi edhe heqjen e të gjitha depozitave të ujit nga tarracat. Bashkia e Tiranës do të udhëzojë që depozitat e përbashkëta të ujit të vendosën në ambientet e bashkëpronësisë në katet e para, duke i hequr nga tarracat. Në fjalën e tij, para Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj tha se Tirana duhet të mësojë nga ajo që ka ndodhur pas tërmetit.

“Ju propozojmë një vendim të Këshillit Bashkiak, ku Bashkia emeton për të gjithë administratorët e pallateve dhe banorët e Tiranës një udhëzim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat. Mbi tarracat e pallateve ka një peshë të jashtëzakonshme që është në mënyrë konstante rrezik për jetën e qytetarëve. Kjo histori ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë; ne nuk duam të jemi ata që nuk mësojmë nga historia, por që mësojmë prej saj. Ndaj, lipset të bëjmë disa gjëra me këtë vendim të KB: Së pari, marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët, në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët për të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha Veliaj.

Sipas këtij vendimi, depozitat në tarracë do të lejohen vetëm në rastet kur pas raportit që do të përgatitet me inxhinierë konstruktorë të licencuar, do të ketë miratohet nga shumica e asamblesë së bashkëpronarëve. “Ne do të lejojmë depozita në tarracë vetëm nëse inxhinierët konstruktorë të liçencuar i japin aprovim administratorit të pallatit se tarraca e tyre është mjaftueshëm e fortë për të mbajtur atë peshë. Improvizime të tjera nuk do kemi. Kjo është arsyeja pse do i kërkojmë çdo asambleje të pallatit që me administratorin e tyre të bëjë këtë verifikim; do i japim leje të përshpejtuar kujtdo që do të bëjë depozitë të përbashkët të pallatit në katin përdhes, në lulishten apo brezin që ka pallati rreth e qark, por kurrsesi nuk do vazhdojmë me këto rreziqe”, tha Veliaj.

Një nga problematikat e hasura nga inxhinierët shqiptarë dhe të huaj në terren, ishte pikërisht vendosja e depozitave të ujit në tarracat e pallateve, duke sjellë jo vetëm amortizimin e këtyre objekteve, por edhe rrezikuar jetën e qytetarëve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.