Kreu Ditar Koli Myzeqari, zëvendëskomisari i Brigadës VII Sulmuese Partizane

Koli Myzeqari, zëvendëskomisari i Brigadës VII Sulmuese Partizane

93
0

-Me rastin e 74 vjetorit të rënies

Aleksandër Ndrio/Sokol Myzeqari

Në vigjilje të 74 – vjetorit të rënies së Dëshmorit Kol Myzeqari (xhaxhait dhe dajës sonë), duke shfletuar një album me foto të familjes, krejt papritur na pushtoi malli dhe dhimbja. Ja gjyshërit tanë; xha Kristua dhe nënë Hariklia, motrat dhe vëllezërit e Kolit: Filla, Vangjeli, Vlashi, Eleonora, Evrinomi dhe Ferdinanti. Vetem dy të fundit jetojnë. Na bëhet sikur këta na shikojnë me mirësi e dashuri, sikur të duan të na përcjellin ato vite lufte të lavdishme. Dhe sytë na mbushen me lot malli e në mëndje na mbijnë fragmente kujtimesh të paharruara. E teksa i mbajmë sytë mbi fotografitë e tyre, natyrshëm na lindin edhe tërë ato pyetje: A e dinë ata, vallë, se mbas kanë lënë një pasuri të paçmueshme; na kanë lënë ne, brezin e tretë. Plot dhjetë nipër e mbesa: Petraqi, Jeta, Aleksandri, Gjergji, Sokoli, Edmondi, Dhimitri, Antigoni, Stela dhe Kristaqi, që ecim në rrugën  tyre, në gjurmët e tyre?

Dhjetë nipër e mbesa që u rritëm me tregimet për Dëshmorin e familjes, që u edukuam me dashurinë e madhe për lirinë, për Atdheun, për Flamurin Kuq e zi.

Dhjetë nipër e mbesa që gjithmonë u ndjenë krenarë që ishin pasardhësit e partizanit heroik, Dëshmorit të Atdheut, Kol Myzeqari. U rritëm me tregimet e baballarëve e të nënave tona për vëllain e tyre të madh, që rininë e deri edhe jetën e vetë ia fali popullit shqiptar, ia dhuroi Shqipërisë.

U rritëm dhe u edukuam me idealin e tij për liri, me dashurinë e tij për popullin e Atdheun, me sinqeritetin e ndershmërinë e tij, me frymën e tij rinore, me sakrificat e tij, me dashurinë për artin, kulturën, për jetën, për njerëzit e mirë.

U rritëm me detyrimin për këtë vend e këtë popull, për familjet e njerëzit tanë; u rritëm me respektin dhe mirënjohjen për historinë e këtij vendi, me respektin për ata që luftuan pushtuesin në shekuj, për ata që ranë, për ata që fituan, për ata që ndërtuan, për ata që e ngritën lart Flamurin kuq e zi dhe që e çuan përpara Shqipërinë tonë.

U rritëm duke ecur në gjurmët e të parëve tanë u bëmë mjek, inxhinier, aktor, ushtarak, ekonomist e punëtor të mirë, sepse kështu na edukuan që sa më mirë t’i shërbejmë Atdheut. Ishte kjo një ëndërr dhe dëshirë e xhaxhait e dajës sonë, një ëndërr që ne e bëmë realitet edhe në saj të gjakut të tij. Jemi ne që me fanatizëm do të mbajmë dhe përciellim stafetën ne brezat që do të lëmë pas.

Dhe ja, i qeshur, shtatlart e me dashuri Ai na përciell nga fotografia amanetet, besimin e tij për atë që ne jemi sot. Dhe erdhën këto amanete tek ne, në keto 74 vite, nëpërmjet vëllezërve e motrave të tij, shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tij, që kaq fort e kanë dashur dhe respektuar, sepse e  tille ishte edhe dashuria e tij për ata.

Koli u lind e u rrit në një familje patriotike qytetare beratase, u edukua aty me virtytet e larta të ndershmërisë e të sakrificës, me ndjenja të larta patriotike dhe dashurinë për Atdheun, me kulturë e edukatë qytetare duke u bërë kështu ikona e familjes Myzeqari. Për Kolin familja ishte e shenjte; megjithëse iu perkushtua tërësisht LANÇ, gjithmonë e gjente kohën të komunikonte me prindërit, motrat e vëllezërit duke qënë idhull për ta. Ata jetonin me problemet dhe shqetësimet e Kolit. Të gjithë pjesëtaret e familjes mundoheshin që ta ndihmonin sa më shume Kolin dhe shoket e tij, të gjithe aktivizoheshin për lëvizjen dhe shtepia e tyre u kthye në nje bazë të rëndësishme të luftës. Motrat dhe vëllezërit më të vegjël shihnin te Koli heroin e tyre trim e gojëmjaltë, edukatorin që i fliste për çlirimin e vendit nga pushtuesi, për shkollimin e tyre, për një Shqipëri të re e moderne. Megjithëse në ilegalitet e më vonë partizan, asnjehere nuk e ndali komunikimin me familjen. Ditet më të bukura të kesaj familjeje ishin ditet pasi Birada VII-t Sulmuese çliroi Beratin më 13 shtator 1944 kur Koli për 2-3 dite gjente kohen për të ndenjur prane familjes i rrethuar nga motrat dhe vellezerit më të vegjel ne kulmin e gezimit per çlirimin e qytetit te lindjes duke u folur atyre per te ardhmen e afert kur e gjithe Shqiperia do te çlirohej.Familja e percolli e mallengjyer Kolin ne rrugen e gjate dhe te veshtire qe ai kishte perpara por asnjeri nga pjesetaret e saj nuk mendonte se Kolin e tyre te dashur ata po e shihnin per here te fundit.

Dhe ne i përcjellim sot këto kujtime në këtë 74-vjetor të rënies së tij, që asnjehere të mos harrohen, që me to të edukohen brezat.

Koli Myzeqari u lind më 14 korrik 1918 në qytetin e Beratit. I edukuar që i vogël me ndjenjat e larta të atdhedashurisë, me shpirt patriotik dhe edukatë të lartë qytetare Koli shquhej që i vogël për karakterin e tij të fortë. Pas mbarimit të shkollës fillore në Berat, familja e dërgoi për të vazhduar studimet në Liceun e Korçës, ku dhe përqafoi dhe bëri të tijat idetë më përparimtare të kohës. Mendimet revolucionare të Kolit dhe aktiviteti i tij politik ranë në sy të personelit drejtues të liceut dhe atë e përjashtuan me motivacionin “i padisiplinuar”, por shumë shpejt, me ndërhyrjen e familjes, u ripranua në shkollë, por më pas ai nuk mundi t’a mbaronte plotësisht liceun për arsye shëndetësore. Pas tre vite studimesh, në moshën 18 vjeçare, detyrohet të kthehej pranë familjes.

Ardhjen e fashizmit në Shqipëri, Koli e priti me indinjatë të thellë. Në mënyrë kategorike ai refuzoi thirrjen që i bënë për të shkuar në shkollën e oficerëve në Itali. Në këtë periudhë ai kishte rënë në kontakt dhe bashkëpunonte me patriotë dhe komunistë, organizatorë të Lëvizjes Nacionalclirimtare të Qarkut të Beratit, si Gjin Marku, Margarita e Kristaq Tutulani, Kristaq Capo, Kristo Isak, Ajet Xhindole, Myqerem Fuga, Nikollaq Sallabanda etj.

Në vitin 1941, Koli thirret nën armë për të kryer shërbimin ushtarak në një repart pranë Fushës së Aviacionit të Kuçovës. Aty ai zhvilloi një aktivitet të gjerë antifashist, sidomos për dezertimin e ushtarëve shqiptarë nga radhët e ushtrisë italiane dhe daljen e tyre në male. Në bashkëpunim me grupin e të rinjve të Kuçovës dhe të Beratit, organizoi e drejtoi aksionin për marrjen e një sasie të konsiderueshme armatimi nga ushtria italiane dhe dërgimin e tij në një bazë ilegale. Dyshimet e komandës italiane se organizator i këtij aksioni ishte Koli, sollën arrestimin e tij dhe dërgimin në burgun e Tiranës. Me gjithë torturat e përdorura ndaj tij, fashistët asnjëherë nuk e mësuan të vërtetën e këtij aksioni.

Në burg Koli qendroi për rreth një vit dhe, për mungesë provash, lirohet dhe kthehet pranë familjes ne Berat. Këtu menjeherë mori kontakt me lëvizjen Nacionalclirimtare dhe shokët e Qarkorit të Beratit vendosën që ai të kalonte në ilegalitet për të punuar për organizimin e LANÇ në zonën e Shpiragut dhe të Nahijes. Ai u bë një kuadër politik që shkonte fshat më fshat, duke i treguar rinisë rrugën për çlirimin e vendit. Në Maj të vitit 1943,u pranua anëtar i PKSH dhe në po këtë periudhë emërohet komisar batalioni në Grupin III Partizan të Qarkut të Beratit. Formcioni i drejtuar prej tij, mori pjesë në një sërë betejash kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermane.

Me formimin e Brigadës VII-t Sulmuese më 17 mars të vitit 1944, së bashku me 22 kuadro të tjerë të Qarkut të Beratit, Koli inkuadrohet në radhët e saj me detyrën e komisarit të kompanisë dhe, më pas, të zv.komisarit të batalionit. Ai ishte një drejtues dhe organizator i mirë. Punonte me përkushtim për edukimin e partizanëve, për sqarimin politik të tyre, për shtimin e radhëve të partizanëve, pasqyronte qartë platformën e LANÇ. Ai ishte trim, këmbëngulës dhe gjithnjë e gjeje atje ku rreziku ishte më i madh.

Në bilancin e luftimeve të Brigdës së 7-të Sulmuese, nga 120 luftime që ajo ka zhvilluar, në shumicën e tyre, Koli ka marrë pjesë direkt në vijën e parë të luftimit si drejtues i luftimeve. Ai është plagosur dy herë; në Operacionin e Qershorit të vitit 1944, në zonën e Skraparit dhe në luftimet për çlirimin e Mirditës. Ai  mori pjesë aktive në operacionet për çlirimin e Beratit, Kuçovës, Lushnjës, rrethinave të Elbasanit, Mirditës, Lezhës dhe për çlirimin e Shkodrës. Pas çlirimit të këtij qyteti dhe të të gjithë Shqipërisë, Brigada VII Sulmuese mori detyrën për çlirimin e viseve të Malit të Zi, Bosnjës dhe Kosovës.

Nisur nga meritat dhe, sidomos, nga cilësitë e tij të larta Koli emërohet zv.komisar i Brigadës VII Sulmuese. Ai ishte njeri i virtyteve më të larta njerëzore, me cilësi të shkëlqyera atdhetare, një kuadër shembullor në çdo pikëpamje. Ai i ngjiti shkallët e detyrëve në formacionet partizane me aftësitë e veta, me ndërgjegjen e tij te pastër, me guximin dhe heroizmin e vetë. Shokët dhe shoqet shikonin te ai njeriun e thjeshtë, serioz dhe tepër këmbëngulës për kryerjen e detyrave që i ngarkoheshin.

Koli do të kishte shumë shpejt portretin e vetë, portret që mbeti përjetë i lavdishëm. Ku nuk mund të marrësh fragmente heroizmi për të. Në betejat e përgjakshme të Paraspuarit e të Shlivës, të Kuçovës e të Mirditës, të Shkodrës dhe të vendeve kudo përtej kufirit shtetëror.Fragmente heroizmi mund të marrësh për të në betejat e ashpra të Malit të Zi; në Medunë, Kosorë, Zllaticë, buzë Lumit Drino, Vishegrad, Suhagorë etj…

Me trup të drobitur ng lufta dhe nga shëndeti, nga plagët e marra dhe nga sëmundja, Koli mbeti atje në Podujevë, duke falur gjithshka të shtrenjtë që kishte, për Atdheun. Ai mbeti atje, në Podujevë, në tokën shqiptare të vëllezërit kosovarë; e përcollën me lot në sy shokët e luftës, e përcolli me lot populli i Kosovës, sepse ai ishte edhe biri i tyre. Ai shkoi për ta çliruar Kosovën dhe ndjeu për pak kohë çlirimin e saj, por vetëm për pak kohë, sepse Kosova do të çlirohej me të vërtetë.

…Dhe sot në këtë ditë, ne e falenderojmë dhe i përulemi popullit të Podujevës që priti dhe përcolli me dashuri dhe dhimbje Dëshmorin Kol Myzeqari.

Kanë kaluar 74 vjet nga dita e 27 marsit 1945, kur mbylli sytë komisari Koli Myzeqari dhe çdo gjë mbetet ashtu siç thoshte dhe deshironte ai: Atdheu duhet ndërtuar e mbrojtur, liria duhet respektuar e mbrojtur, nderi dhe lavdia e luftës duhen mbrojtur e lartësuar më tej, se Atdheu as shitet dhe as blihet, se vlera e Shqipërisë ka vetëm një çmim; është e shtrenjtë sa vet gjaku i njeriut që e quan veten shqiptar.

Ne, pasardhesit e tij, brezi i tretë, sot në këtë ditë prkujtimore, të mbledhur së bashku nderojmë kujtimin e dëshmorit Koli Myzeqari dhe, njëkohsisht, premtojmë se edhe brezave të ardhshëm, do t’i perciellim traditat tona më të mira familjare e kombëtare. Në këtë përvjetor, ne, nipërit e mbesat e Kol Myzeqarit, nuk mund të rrimë pa shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë qytetarët e Beratit që kanë mbajtur gjallë kujtimin dhe veprën e tij.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.