Kreu Ditar Komisari i çetës së rinisë

Komisari i çetës së rinisë

359
0

Kastriot Muço lindi në fshatin Tragjas të Vlorës më 4 Korrik të vitit 1923. Shkollën fillore e nisi në qytetin e lindjes dhe e mbaroi në Fier, ku kish shkuar i ati për të punuar. Në Shtator të vitit 1936 u regjistrua në shkollën e mesme tregtare të Vlorës, ku, ndonëse në moshë shumë të re, përqafoi dhe i bëri të tijat idetë më përparimtare të kohës. Me intuitën e tij prej atdhetari qysh në ditët e para të Prillit të vitit 1939, ai, nëpërmjet ligjeratave e bisedave, vuri në dijeni rininë dhe masat e gjëra të popullit për përgatitjen e pushtimit fashist. Në ato ditë të zeza për popullin shqiptar, Kastrioti dhe shokët e tij të grupit të të rinjve, demaskuan përpara popullit veprimet tradhëtare të “parisë” dhe të sahanlëpirësve të konsullatës italiane në Vlorë, të cilët, qëllimet e fashistëve italiane ndaj vëndit tonë, i paraqitën si “miqësore”, “paqësore” etj. Kastrioti u muar me përkthimin e literaturës revolucionare dhe me përhapjen e saj në radhët e rinisë e në masat e gjëra, duke ndihmuar shumë në shtimin e radhëve të antifashistëve.

Kastrioti ishte një nga organizatirët kryesorë të demostratës që shpërtheu në kinemanë e qytetit të Vlorës, në Mars të vitit 1940, kundër ministrit fashist, i cili po i mbante popullit një fjalim mbi fashizmin Italian dhe politikën e tij “paqësore: ndaj vëndit tonë. U zgjodh sekretar organizativ i komitetit Qarkor të Rinisë.

Kastrioti qe një nga organizatorët kryesorë të demostratës antifashiste të 28 Nëntorit të vitit 1941, në Vlorë. Në kohën kur dolën në ballkon zyrtarët hierarkë dhe filluan të flasin për të “mirat” që kishte sjellë fashizmi, kastrioti, që ishte në radhët e para të nxënësve të rreshtuar, hodhi parrulla antifashiste.

Kur kaluan pranë shtëpisë së Pashallarëve, Kastrioti, i ndihmuar nga shokët, shkëput flamurin Italian, e gris dhe e hedh në këmbët e demostruesve, kurse flamurin shqiptar e merr dhe me të në dorë, del përsëri në krye të demostratës. Ky veprim kaq i guximshëm bëri përshtypje të madhe, ngriti peshë popullin e Vlorës dhe shqetësoi pushtuesit e qeverinë kuislinge. Disa nga organizatorët e demostratës midis të cilëve edhe Kastrioti, u arrestuan. Por demostruesit shtruan me këmbëngulje lirimin aty për aty të shokëve të arrestuar. Fashistët nga frika, i liruan.

Në Marsin e vitit 1942, zgjidhet sekretar organizativ dhe organizohet me fshatarët dhe masat e gjëra të qytetit një demostratë e fuqishme, e cila mori emrin “Demostrata e bukës”. Edhe më tronditëse demonstrate e dytë. Hovi i luftës përherë ishte në ngjitje. Vlora u thoshte pushtuesve: “Deti ju nxori, deti ju pret!”

Kastrioti sypatrembur u dallua në punën për grumbullimin e masave përpara prefekturës. Pas kësaj ngjarjeje, Ai dhe disa të tjerë u arrestuan, por u liruan dy javë më vonë nga presioni i popullit, sidomos nga demostrata e madhe që bënë gratë e qytetit.

Në Maj të vitit 1942, Kastrio Muço u arrestua përsëri në qytetin e Fierit dhe u dërgua në burgun politik të Tiranës. Atje e mbajtën rreth tre muaj, por e liruan në bazë të një dokumenti të rremë. Nga fundi i vitit 1942, ai u hodh në ilegalitet, në krahinën e Dukatit. Në muajin Maj 1943, caktohet komisar i çetës së rinisë të qarkut të Vlorës. Në Tetor të vitit 1943, Kastrioti u nda me çetën e rinisë, sepse e priste një detyrë tjetë, më e rëndësishme. Ai, si zëvëndëskomisar i batalionit “Halim Xhelo”, me heroizëm të rrallë, i zprapsi disa herë me radhë sulmet e armikut.

Gjermanët bënin sulm pas sulmi dhe kërkonin me çdo kush të hapnin rrugën për në Këlcyrë. Përveç tankeve e autoblindave, ata vunë në përdorim të gjithë llojet e armëve dhe artilerinë. S’mbeti pëllëmbë toke pa u rrahur me predha. Të forta goditjet, po ishte e patundur qëndresa. Kastrioti qëndronte në krye. Nga pozicioni më i afërt me armikun, ai luftonte e drejtonte sikur të ishte diku, në prapavijë. Dashuria për partizanët, dëshira për të ndihmuar secilin prej tyre, e shtynin që të shkonte nga një pozicion në tjetrin për të folur e për të luftuar krah për krah me ta, për t’u dhënë atyre zemër. Kështu, në një çast të tillë, ndërsa po kalonte nga një pozicion në tjetrin, në Dhjetor 1943, duke luftuar me batalionin e tij në Qafën e Kiçokut, e kap një predhë mortaje e cila i prêt këmbën dhe dorën e majtë ku dhe mbetet i vrarë në luftime.

Kastriot Muço ra heroikisht duke mbetur frymëzim për partizanët e popullin e Vlorës. Shokët të pikëlluar, kur u vra Kastrioti, I thuren keto vargje:

“Ku të gjet ajo mortajë/Të preu këmbën e krahnë…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.