Kreu Aktualitet Komiteti Shtetëror i Rindërtimit me donatorët

Komiteti Shtetëror i Rindërtimit me donatorët

254
0

*Fjala e Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Komitetit Shtetëror të Rindërtimit, ku anëtarë të qeverisë, të agjencive kombëtare dhe përfaqësia e donatorëve ndërkombëtarë diskutuan për hapat e Rindërtimit:

Ju falënderoj që jeni bashkuar me ne, në këtë takim të Komitetit Shtetëror për Rindërtimin. Kjo është absolutisht inkurajuese dhe një takim, i cili do të thotë shumë, pasi Komitetit i janë bashkuar përfaqësuesit më të mëdhenj të komunitetit të donatorëve. Duke bërë këtë gjë, sëbashku, ne përcjellim një mesazh mjaft të qartë për komunitetin e donatorëve dhe për vetë popullin shqiptar. E këtë e bëjmë, duke theksuar objektivin tonë të përbashkët, për të bërë më të mirën me atë fillim fantastik që patëm më 17 shkurt në Bruksel.

Prisnim me padurim të siguroheshim që donatorët do të vinin. E dinim që kjo nuk është një mënyrë aq e zakontë, për t’u marrë me një çështje të tillë dhe natyrisht e dinim që ju së pari, ju është dashur që të zhvilloni diskutimet tuaja të brendshme. Por më lini t’u them që ju jam mjaft mirënjohës që dolët në përfundimin se kjo është gjëja e duhur për t’u bërë dhe se  ne duhet të jemi bashkë.

Për ne, programi i rindërtimit nuk është thjeshtë një program, i cili duhet të trajtojë dëmet, por një mundësi e jashtëzakonshme për të ndërtuar në të njëjtën kohë një program që duhet të jetë një model transparence, efikasiteti dhe rezultatesh të shkëlqyera për njerëzit, së pari dhe mbi të gjithë, edhe për Shqipërinë në vetvete.

E dimë shumë mirë që ka rezultate të ndryshme në përballimin e katastrofave, si dhe në përballimin e nevojave dhe situatave të pas katastrofave  në vende të ndryshme e po kështu, edhe brenda të njëjtit vend. Ka përvoja suksesesh të mëdha, siç ka dhe përvoja të hidhura dështimi.

Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë, i kemi kaluar të gjitha ato, jemi përpjekur të kuptojmë sesi është ndërtuar suksesi, apo të kuptojmë se përse ka ndodhur dështimi dhe pse është materializuar ai. Mbështetur në të gjitha këto, por edhe duke qenë mjaft të vetëdijshëm se për ne kjo është përvoja e parë, sepse na duhet të merremi me diçka me të cilën  Shqipëria nuk është marrë kurrë më parë, për këtë arsye menduam se gjëja më e mirë për të bërë, do të ishte të kërkonim me mjaft përulje ndihmën tuaj, jo thjesht sepse ju në të njëjtën kohë do të duhet të garantoni palët tuaja, por edhe pse mund të sillnit mjaft njohuri falë ekspertizës së jashtëzakonshme që keni ndërtuar përgjatë shumë viteve në vendet, apo në organizatat tuaja.

Në ambicione tonë, rindërtimi nuk është thjesht një politikë strehimi që duhet zbatuar, apo një politikë e zhvillimit urban, e cila duhet ndjekur në zonat e dëmtuara, por është një mundësi e re për vendin, që të ecë me një shpejtësi të re drejt një situatë më të mirë ekonomike, drejt një situate më të mirë urbane dhe sociale. Kjo është arsyeja pse programi është një kombinim i nevojës të njerëzve për t’u kthyer nën një çati, sëbashku me nevojën për t’ju dhënë atyre një jetë më të mirë në komunitetet e tyre, jo thjeshtë duke rindërtuar shtëpitë. Kjo nënkupton jo vetëm shtëpi, por edhe shkolla, kopshte, shërbime, infrastrukturë. E po kështu, kjo nënkupton një ndërlidhje  më të mirë me qendrën e bashkive të tyre.

Ndërkohë që flasim, sfida me të cilën përballemi  është ende e pranishme. Jemi përgatitur që të fillojmë dhe e kemi bërë këtë përpara Konferencës së Donatorëve, sepse donim të siguroheshim se cilado do të ishte përfundimi i Konferencës së Donatorëve, qeveria do të mund të mund të kujdesej për strehimin dhe do të mund të kujdesej për ata fëmijë që duhet të shkonin në shkollë, po kështu për të moshuarit dhe për personat në nevojë për kujdes shëndetësor.

Dua të theksoj  një pikë mjaft të rëndësishme. Përvoja ka treguar që donatorët janë njerëz të vështirë dhe të punosh me donatorët të ndërlikon jetën, që në fakt shndërrohet në ferr kur donatorët duhet të flasin dhe të koordinohen me njëri-tjetrin dhe pastaj të  bashkërendohen edhe me qeverinë. Kjo është arsyeja perse e vlerësoj shumë këtë Komitet dhe kjo është arsyeja, pse nuk ishte formale dhe nuk ishte thjeshtë diçka e këndshme për t’u thënë, por një falënderim nga zemra për të gjithë ju, sepse shpresoj fort që duke bërë këtë, ju jeni të përgatitur të bëni një bashkërendim shumë më të mirë mes jush dhe me ne.

Më lini t’jua ilustroj me një shembull shumë të thjeshtë. Të gjithë ju erdhët në Bruksel me zemrën plot dhe premtuat shumë gjëra të mira. Por përpara premtimit të këtyre kontributeve, asnjëri nuk kishte folur me tjetrin dhe të gjithë e kishin konceptuar këtë lloj premtimi kontributesh me diçka konkrete, si, p.sh., shkolla apo ujësjellësi, apo të tilla gjëra. Sfida është që të gjitha të gjitha këto kontribute të bëhen bashkë, sepse, në qoftë se do të llogaritnim kontributet që janë premtuar për shkollat, janë më shumë sesa ne kemi nevojë dhe në të njëjtën kohë, ne duhet të sigurohemi që kemi atë që na duhet dhe pjesa tjetër të shkojë diku tjetër. Por kjo diku tjetër është shumë e rëndësishme që të vendoset bashkërisht. Nëse qeveria do të thoshte le t’i çojmë këto fonde diku tjetër dhe ju nuk do të ishin në këtë tryezë, atëherë reagimi i menjëhershëm do të ishte dyshimi. Por jo vetëm kur vendoset se çfarë do të bëhet, por gjithashtu edhe kur vendoset për mënyrën sesi do të bëhet kjo, ne duhet të jemi bashkë. Nuk dua thjesht që ju të siguroheni që paratë e tatimpaguesve tuaj, apo e kontribuuesve tuaj, kur bëhet fjalë për organizatat, të shpenzohen në mënyrën e duhur, por dua po kështu, përmes këtij Komiteti, përmes pranisë tuaj të garantoj që edhe paratë e tatimpaguesve shqiptarë të shpenzohen në mënyrën e duhur.

Për këtë arsye do të përgëzoja edhe njëherë qeverinë e SHBA-ve, që ka paraqitur një propozim, apo, më mirë, që ka pranuar të marrë parasysh propozimin që unë kam bërë, për të ngritur Akademinë e Transparencës, por kjo duhet të jetë vetëm një pjesë e mozaikut. Do të doja shumë të shihja BE-në të bënte të njëjtën gjë, për të shtuar ekspertizën, pra, për t’i shtuar sy e monitorim procesit të ekzekutimit të shpenzimeve, qysh nga procesi i tenderimit, deri te procesi i mbikëqyrjes dhe i marrjes së produktit. Kemi shembullin, që është tashmë në lëvizje, me qeverinë turke. Procesi është zhvilluar pak më tepër sesa me të tjerët, duke qenë se ata erdhën pak më herët. E meqë ra fjala, është kombinimi i përkryer, sepse ata do të jenë në terren, do të kenë personat e tyre që do të mbikëqyrin dhe ne do kemi edhe njerëzit tanë që do të mbikëqyrin. Do të kemi katër palë sy, po themi, të cilët do të bëhen bashkë për t’u siguruar që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur.

Mbështetur në këtë përvojë, zhvilluam diskutime për planifikimin, diskutime për tipologjitë dhe për mënyrën sesi do bëjmë përpara. Kemi arritur tashmë në një ide të përbashkët dhe nuk është e lehtë, duket e lehtë, por nuk është kaq e lehtë të flasësh me … [e pakuptueshme] turq, më besoni. E në fakt duhet të jetë kështu, sepse prej kësaj morëm rezultatin më të mirë.

Kemi një ekip të tërë që është gati, ka një përvojë mjaft të madhe dhe ka njohuri mjaft të mëdha për planifikimin. Kemi një rrjet të tërë njerëzish dhe institucionesh nëpër të cilat duhet të kalojmë, në mënyrë që zbatimi të jetë në rregull. Tashmë, duke pasur këtë palë të tretë që bashkohet me ne dhe që bëhet pjesë e kësaj tryeze, ndjej se duhet të synojmë vetëm drejt një gjëje, suksesit. Dështimi është diçka që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin e rindërtimit. Suksesi duhet të jetë kryefjala. Kësisoj jam i sigurt që do ta bëjmë realitet, duke presupozuar që BE-ja do të jetë më e shpejtë se zakonisht, në kuptimin e nevojës për të dhënë rezultate më shpejt, sepse është një program ku koha është thelbësore. Njerëzit nuk mund të presin gjatë. Procedurat duhet të respektohen absolutisht, por ndonjëherë janë kaq të gjata që natyrisht mund të përballohen kur bëhet fjalë për projekte të tjera, por jo kur bëhet fjalë për shtëpitë dhe shkollat.

Synimi është që t’i kthejmë nën çati ata persona që kanë humbur shtëpitë individuale dhe të festojnë Vitin e Ri në shtëpitë e tyre. Duam që fëmijët të shkojnë në shkolla në fillim të vitit shkollor. E di që është shumë ambicioze. Do të bëjmë gjithçka që ta bëjmë realitet, por jo më vonë sesa ky vit. Po kështu të fillojmë hap pas hapi me zonat më të ndërlikuara me ndërtesa banimi me shumë apartamente në komunitetet urbane.

Do të doja që t’ia jepja fjalën miqve që janë anëtarë të këtij Komiteti dhe janë pjesë e kësaj përpjekjeje. Është një tjetër moment ekzemplar i gjithë kësaj përpjekjeje. Keni qenë me ne, kur na u desh të shpëtonim jetë. Keni qenë me ne, kur kishim nevojë për kontributet dhe premtimet tuaja. Ju jeni me ne tashmë që duam të nisim rindërtimin dhe të siguroheni që gjithçka bëhet në mënyrën e duhur dhe të sigurohemi që në fund, Programi i Rindërtimit i Shqipërisë të shndërrohet në një rast studimor e model për BE-në, që t’ua propozojë vendeve të tjera, sesi gjërat mund të zhvillohen më mirë e më shpejt, duke marrë shembullin e Shqipërisë.

Faleminderit shumë!

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca: Faleminderit Zoti Kryeministër! Faleminderit pikë së pari, që mblodhët Komisionin e Rindërtimit dhe që e shtritë atë me pjesëmarrjen e ambasadorëve. Së dyti, faleminderit që na kërkuat që të festojmë bashkë me ju, që të mos harrojmë datën 17 shkurt. Në fakt, slogani është i njëjtë: Sëbashku për Shqipërinë, edhe sot, edhe atëherë, pra, më datë 17 shkurt. Siç u tha edhe nga Presidentja Von der Leyen dhe siç u tregua në konferencën për shtyp të përbashkët me ju, është dëshmuar një kujdes i jashtëzakonshëm dhe një dashuri e jashtëzakonshme ndaj këtij vendi ku ne shërbejmë. Siç thatë edhe ju me të drejtë, ne duhet të ecim përpara tani. Sa na takon ne, më lejoni të them që jemi krenarë që e kemi marrë përsipër detyrën për organizmin e një Konference të tillë kaq të madhe. Nuk është detyrë kaq e thjeshtë, siç mund ta imagjinoni. Na janë dashur shumë përpjekje, si këtu edhe në Bruksel. Megjithatë, pritshmëritë tona u tejkaluan nga rezultatet, përfshirë këtu, njerëzit e përfshirë, rezultatet e Konferencës në përgjithësi.

Pas disa ditësh, pra, organizimesh të gjërave, mendoj se jemi të gjithë të gatshëm që të vijojmë me fazën pasardhëse. Kemi diskutuar me ministrin e Rindërtimit gjatë gjithë kohës, gjatë këtyre 3 javëve, për të kuptuar si donatori më i madh, për t’u siguruar që jo vetëm të jemi të shpejtë në prodhimin e rezultateve, por nga ana tjetër të jemi dhe efektivë. Siç e përmendët ju, kjo është një mundësi e re për Shqipërinë, pra, fakti që prezantohet një kombinim i elementëve të rindërtimit, por nga ana tjetër shkohet edhe përtej rindërtimit në vetvete. Kjo e bën rolin e BE edhe më të pranishëm, edhe më të rëndësishëm, për shkak të faktit që ju jeni në procesin e integrimit drejt BE-së dhe ka fusha që do të ceken prej procesit të rindërtimit. Ne e ndjejmë që kemi një detyrë dhe jo vetëm kaq, por kemi dhe detyrim për të ndihmuar dhe për të këshilluar. Për ta bërë këtë gjë, ne duhet të jemi pjesëmarrës në këtë proces dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme të jemi këtu me një platformë. Pra, të ulemi sëbashku me gjithë kolegët tanë, por gjithashtu me skuadrën që do ta drejtojë këtë program, duke filluar me ministrin, në mënyrë që të sigurohemi që të gjitha përpjekjet e bëra do të shpaguhen dhe do të jenë të materializuara, të prekshme nga shqiptarët dhe të gjitha proceset do të realizohen në mënyrë llogaridhënëse dhe transparente.

Ne në fakt e kemi filluar procesin, siç e dini. Ju keni nënshkruar më datë 17 tranzhin e parë prej 15 milionësh. Ne aktualisht jemi tek pika që, falë bashkëpunimit shumë efektiv me PNUD-in, këto 15 milionë të mund të përdoren shumë shpejt dhe në fakt, ne presim fundin e kësaj jave që të japim rezultatet e para, pra, le të themi, pjesën e parë të këtij 15 milionëshi.

Kemi diskutuar gjithashtu me ministrin si të përqendrohemi dhe si të organizohemi sa i takon kontributit tonë për rindërtimin e ndërtesave. Përmendët koordinimin e koordinatorëve, është absolutisht shumë e rëndësishme për ne që të jemi të gjithë sëbashku. Kemi diskutuar me partnerët ndërkombëtarë gjatë përgatitjes së Raportit të Vlerësimit, që në vetvete ishte një sukses dhe ne duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë. D.m.th., është absolutisht e rëndësishme që të koordinohemi me ju, por është gjithashtu e rëndësishme që të koordinohemi ndërmjet nesh. Nuk është e nevojshme që të krijohet një platformë e re, por ne kemi një format, që është formati i partnerëve të bashkëpunimit dhe zhvillimit dhe kjo platformë duhet që të funksionojë për të siguruar që të mos ketë mbivendosje, ose mos kemi mospërkime ndërmjet premtimeve, kontributeve dhe asaj çfarë bëhet në praktikë.

Sa i takon sfidave të tjera, ju po na sfidoni si BE dhe ne na pëlqen kjo gjë. Ne na pëlqen dhe oferta e ministrit Ahmetaj për pjesëmarrje në strukturën e rindërtimit dhe ne do mobilizojmë ekspertizë që do vendoset në dispozicion të Komitetit Shtetëror. Do të flasim me ministrin sa i takon teknikaliteteve të atashimit të personelit përkatës të specializuar tek ky Komision dhe tek zyra e ministrit. Por ka afate kohore që duhen realizuar, që ne i dimë mirë, megjithatë kini parasysh që ne punojmë gjatë gjithë kohës, ditë e natë, për t’u siguruar që gjërat të zhvillohet. P.sh., do shkoj në Bruksel sonte dhe nuk do shkoj vetëm për këtë, por do organizohet një mbledhje e madhe pas 3 javësh dhe duhet që të bëhen organizimet përkatëse për këtë. Por këto diskutime do jenë pjesë e diskutimeve të mia në Bruksel, ku do takohem me persona që janë përgjegjës për disbursimin dhe do të mundohemi të bëjmë të pamundurën që procesi i disbursimit në vetvete të shpejtohet sa më shpejt të jetë e mundur, pra, një mbështetje të plotë, një mbështetje ndihme të plotë, kontribut konkret, jo vetëm sa i takon shifrave financiare, por edhe kontribut në terren.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim: Zoti Kryeministër, faleminderit që e mblodhët këtë takim. E mirëpritëm mundësinë që të dëgjojmë planet tuaja sesi do të bëni rindërtimin pas tragjedisë, pas tërmetit të nëntorit të vitit të shkuar.

Ne jemi shumë të lumtur. SHBA janë shumë të lumtura në fakt që kanë qenë pjesë e Konferencës së Donatorëve, të organizuar nga BE-ja. Rezultatet e jashtëzakonshme të kësaj Konference përbëjnë jo vetëm një shprehje të solidaritetit me popullin shqiptar, por edhe një investim simbolik dhe real për Shqipërinë. Kështu që është kënaqësi për ne që po shikojë që ju po organizoheni brenda vetes, për të realizuar atë që ju thatë, që duhet të jetë një proces transparent, llogaridhënës dhe të jetë rezultativ. Për ne si SHBA, është hera e parë për neve që ju kemi qëndruar pranë në një moment të vështirë, por nuk do jetë rasti i fundit. Do vazhdojmë të jemi përkrah jush. Do të ofrojmë ndihmën teknike që mund t’ju nevojitet, për t’u siguruar që donacionet nga vende të ndryshme nga e gjithë bota, përfshirë edhe donacionet tona, do të shpenzohen në mënyrë të duhur, në përfitim të qytetarëve shqiptarë. Faleminderit!

Ambasadori i Republikës së Turqisë, Murat Ahmet Yörük: Faleminderit shumë Zoti Kryeministër! Të dashur ministra dhe kolegë të nderuar!

Edhe unë do doja t’ju falënderoj Zoti Kryeministër për organizimin e këtij takimi dhe faleminderit që na dhatë mundësinë që të ndajmë me ju zhvillimet e fundit nga ana jonë. Siç besoj e dini, nga dita e parë, Turqia ka mobilizuar të gjitha burimet e veta në mënyrë që t’i qëndrojë pranë, që të ndihmojë motrat e vëllezërit tanë shqiptarë, në mënyrë që të mund të trajtojnë pasojat tragjike të tërmetit të fundvitit të shkuar. Siç e dini, Presidenti ynë, Zoti Erdogan ka marrë përsipër një angazhim dhe ka premtuar ndërtimin e 500 banesave për vëllezërit tanë shqiptarë. Ju keni qenë i pranishëm edhe vetë në një prej takimeve në Stamboll, ku patë dy prej platformave të tjera ndërkombëtare që pritet të mobilizojnë edhe fonde me pjesë të tjera të botës, që të bëjnë të mundur që edhe pjesë të tjera të botës të mund të japin kontributin e tyre për të ndihmuar Shqipërinë. Do doja të thoja që si vende të tjera, ne e kemi bërë të ditur kontributin tonë në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, Konferencë që u organizua nga BE-ja, pra, administrata e BE-së në Bruksel. Përpara se të vija në këtë takim, Zoti Kryeministër, unë në fakt kam bërë disa biseda me autoritetet tona në Ankara dhe do doja të ndaja me ju disa lajme të kohëve të fundit, lajme të mira nga ana jonë.

Siç e dini besoj, në janar, ne kemi patur disa tërmete tragjike, njëri pas tjetrit në Turqi dhe shumë njerëz kanë humbur jetën. Kemi edhe dëmtime të mëdha materiale si pasojë e tyre dhe si rezultat i zhvillimeve të fundit, zhvillime të pakëndshme, nëse do të mund të shprehesha kështu, në Siri, sulmet e regjimit, vrasja e njerëzve dhe detyrimi i civilëve drejt kufirit turk. Pra, të gjitha këto janë lëvizje të padëshiruara dhe ndoshta kanë pasur ndikimin e tyre për të na vonuar paska, specifikisht përsa i takon realizimit të kontributit të angazhimit tonë. Megjithatë ne jemi informuar nga autoritetet tona se Memorandumi i Mirëkuptimit për fillimin e projektit të ndërtimit është i gatshëm nga ana jonë, është gati për nënshkrim e ne do të informojmë qeverinë tuaj përmes kanaleve zyrtare për nënshkrimin e tij.

Sa i takon përfundimit të masterplanit të projektit, do të vijohet me një konferencë përmes videos ndërmjet të dyja palëve që sot. Ndërkohë që vendimi për financimin e projektit do të nënshkruhet shumë shpejt nga presidenti ynë, brenda 1 jave mbase dhe më pas do vijohet me procedurën e tenderimit. Do të përfundohet me atë procedurë. Si procedurë do të zgjasë 1 deri në 2 javë dhe autoritetet tona shpresojnë që të mund të vijnë në Shqipëri drejt fundit të këtij muaji dhe të përfundojnë të gjitha procedurat e ndryshme burokratike dhe të fillojnë pjesën e ndërtimit nga fundi i marsit.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit të gjithë juve, për fjalët jo vetëm të mirësjellja, por edhe shumë të rëndësishme!

Dua të ndaj me ju diçka që ta merrni me vete dhe shpresoj që të bini dakord me të, që mbështetur në përvojën shumë të suksesshme që kemi patur me Bankën Botërore, me Kombet e Bashkuara, me PNUD-in, por gjithashtu dhe me ekspertë të Bashkimit Europian në shkrimin e raporteve të vlerësimit të dëmeve pas fatkeqësisë, raporte që vlerësohen shumë dhe praktikisht duhet ta them që më kanë bërë krenarë që t’i kalonim bashkë këto raporte në një audiencë të tillë, sepse ishin raporte shumë bindëse për audiencën. Por megjithatë mendoj që mund të ishte shumë mirë e duhet ta bëjmë realitet, pra, ky Komision të prezantojë një raport dhe do të ishte shumë mirë nëse ekspertët tuaj do të ishin pjesë e këtij procesi, sëbashku me ministrin e Rindërtimit, për ta paraqitur raportin që do të garantojë informim të plotë dhe transparencë të plotë për çdokënd që përfaqësoni ju. Një raport, i cili të bëhej ndoshta një herë në 2 – 3 javë, apo një herë në muaj, diçka që do duhet që të përpilohet nga ekspertët dhe të bëhet një analizë e shpenzimeve në momentin kur të fillohen e të bëhen shpenzimet.

Ky raport do të jetë në dy versione, në anglisht për ju dhe në shqip për shqiptarët e të ndahet në faqen e internetit të rindërtimit, ku duam të sigurojmë që të gjithë ata, të cilat janë të përfshirë për shkak të humbjes së shtëpisë, apo për shkak të dëmtimeve të tjera që duhet të trajtohen, apo faktit që fëmijët duhet të shkojnë në shkollë, të mund të ndjekin online se në çfarë pike është procesi dhe sesi raportohen ato, si e gjejnë ato veten në raport me këtë proces dhe si është situata për zonën, përshembull, cila është procedura, cili është plani e të kenë mundësi ta shohin planin vetë me sytë e tyre, të shikojnë tipologjitë e shtëpive që do të ndërtohet, të shkojnë me sytë e tyre shkollat që do të ndërtohen dhe po ashtu të kenë mundësinë të shohin zhvillimin përmes videove, përmes figurave. Si edhe gjithë të tjerët që do të jenë të interesuar që të ndjekin zhvillimet, që mund të jenë gazetarë, qytetarë, akademikë dhe opozita padyshim, të kenë mundësinë që të përditësohen në kohë reale.

Kjo është ideja dhe ne duam që të kemi një diskutim të brendshëm të ekspertëve për të përcaktuar formatin e raportit dhe për të përcaktuar gjithashtu edhe afatet kohore. Mendoj se do të ishte mirë për të gjithë nga ju, nga pala e donatorëve, jo vetëm nga Komisioni Europian, por dhe shtetet individuale të Bashkimit Europian që kanë bërë kontribute në emër të tyre, për gjithë të tjerët që të merrnin raporte të vazhdueshme për rindërtimin, sepse ata po rindërtojnë dhe është e rëndësishme që të kenë sytë e tyre për të parë realisht vetë se cili është kontributi i tyre. Jam i sigurt që do të ishin të lumtur të shikonin që ne jemi të gatshëm të jemi transparentë deri në fund me ta, pra, jemi të gatshëm të ndajmë me ta çdo gjë.

Shpresoj po ashtu që të kemi mundësi që koordinimi të bëhet në mënyrë konsistente e të vazhdojë me shpejtësinë e nevojshme, sepse shpejtësia këtu është absolutisht shumë e rëndësishme. Nuk mund t’u themi dot njerëzve që nuk mund ta bëjmë dot ende këtë “x” gjë, sepse ky miku apo ai miku tjetër ka procedurën e vet për t’u ndjekur. Ne e dimë që procedurat e BE-së janë tipikisht shumë të gjata, marrin kohë, por nuk mund t’u themi dot njerëzve që “ju e dini si shkon puna në Bashkimin Europian”. Për këtë arsye e them që ajo çfarë ju thatë, një ditë e madhe pas tre javësh, por çështja është që ne kemi qenë të përgatitur për ditë të tjera të mëdha dhe në të shkuarën. Jemi veshur, jemi krekosur dhe pa diskutim që kemi qenë edhe në tryezë, duke treguar më të mirën tonë, por ju nuk erdhët, na keni lënë t’ju presim. Nëse nuk ndodh kështu, kësaj here mendoj që dasma do thirret nga ju, le të themi, jo nga ne, por ne jemi të përgatitur të vijmë. Thjeshtë duhet të veshim ato rroba që i kemi përgatitur, që kushedi sa kohë kanë që presin në dollap për t’u veshur në mënyrë që të mund të përdoren më në fund. E thashë publikisht, por nuk e bëja dot ndryshe.

Është mundësia për të ndarë publikisht ngushëllimet tona më të ndjera dhe më të thella lidhur me tërmetet e njëpasnjëshme dhe ju shpreh ngushëllimet tona për humbjen e jetëve të ushtarëve dhe ju e dini që ne jemi shumë të sinqertë për të gjitha këto dhe uroj më të mirën e mundshme për popullin tuaj.

Meqë ra fjala, faleminderit se pavarësish të gjithave, patët një vonesë, imagjinoni, juve një jave e quani vonesë. Kështu që unë me kaq po e mbyll.

Pa dashur të abuzoj asnjë sekondë nga koha juaj e çmuar, do t’ju kërkoja miqve nga Kombet e Bashkuara dhe PNUD-i që të thonë diçka, por së pari, do të doja t’ju falenderoja shumë për ndihmën, sepse jeni thelbësore në përgatitjen e raportit e jo vetëm. E po kështu është mjaft e rëndësishme që ne të ndërtojmë mbi këtë punë që siç e theksova unë, e theksoi ministri dhe siç është theksuar edhe nga ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, transparenca është mjaft e rëndësishme, si dhe informacioni, pra, jo vetëm transparencë për t’u siguruar që procedurat janë të duhura, por dhe informimi. Njerëzit në këto situata kanë të drejtën absolute për të marrë vesh ditë për ditë se çfarë ndodh dhe se kur do të hynë në shtëpitë e tyre, ndaj ju lutem, zgjidhni ju se kush duhet të fillojë i pari.

Përfaqësues i donatorëve: Faleminderit Kryeministër për hapjen e këtij takimi për të gjithë ne. Do doja të thoja diçka në raport me dokumentin e nevojave pas tërmetit, i cili ishte shumë cilësor dhe kontribuoi në suksesin e 17 shkurtit. Ishte një model i bashkëpunimit midis partnerëve ndërkombëtarë me qeverinë dhe një bravo e madhe për udhëheqjen nga ana e qeverisë, për ministrin Çuçi, Milva Ikonomin dhe të gjithë të tjerët që punuan shumë fort për prodhimin e këtij dokumenti. Sa i takon frontit të transparencës, nuk dua ta përsëris se e thanë të gjithë. I vetmi koment që mund të bëj është se mund të jetë me interes që të merret në konsideratë sesi të përfshihen disa njësi të shoqërisë civile në procesin e monitorimit dhe të ndërtohen disa kapacitete brenda Shqipërisë për këtë lloj monitorimi, për t’u siguruar që ka transparencë, sepse, siç e thatë, nuk është thjesht çështja që të kemi një pamje të qartë se çfarë ndodh, por gjithashtu dhe për prodhimin e informacionit real, në kohë reale, që njerëzit mund ta marrin.

Përfaqësues i PNUD-it: Faleminderit! Do doja që të shtoja dhe unë përgëzimin tim për procesin e Konferencës së Donatorëve, por gjithashtu dhe për bashkëpunimin që çoi deri në këtë Konferencë Donatorësh me partnerët tanë e specifikash me ministrin Çuçi dhe Milvën. Ka qenë bashkëpunimi i jashtëzakonshëm bashkë me ekipin e të gjitha ministrive që kam punuar. Më lini të përmend tri pika ku është përmendur PNUD-i. Presim me padurim që të bashkëpunojmë me BE-në për transhin e parë të ndërtimit të shkollave, por gjithashtu edhe me ministrin Ahmetaj, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Infrastrukturës, kur bëhet fjalë për përcaktimin e hapave të mëtejshëm e për ta bërë këtë sa më shpejtë të jetë e mundur.

Kur bëhet fjalë për transparencën, ambasadori Soreca tha se ne do ta marrim përsipër sfidën, do të shohim dhe propozimin e platformave lokale, që jemi të kënaqur që t’i zgjerojmë, për të përshirë këto çështje të transparencës që diskutuam e do të punojmë sëbashku me ju, si dhe me pushtetin vendor, agjencitë, shoqatat, për të parë se si mund të zbatohet një gjë e tillë.

Nga ana tjetër, PNUD-i ka pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë përsa i përket mbrojtjes civile, mjedisorë, me projektin për vlerësimin e risqeve të përmbytjeve dhe risqeve të tjera natyrore dhe jemi mjaft të prirur të vijojmë më tej në këto fusha që kemi nisur projektet tona pilote e presim me padurim të shohim si mund t’i çojmë këto projekte pilot në ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve. Natyrisht, këto projekte pilot duhet të kenë dhe pjesëmarrjen e komunitetit, që komunitetet të jenë të gatshme për t’u përfshirë në përgjigjen apo vlerësimin e rreziqeve që dalin nga emergjencat. Faleminderit shumë dhe ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit!

Përfaqësuese e Bankës Botërore: Faleminderit Zoti Kryeministër! i bashkohem përgëzimeve të kolegëve të mi për qeverinë shqiptare për përballimin e rrethanave pas tërmetit, por gjithashtu dhe për punën që kemi bërë sëbashku për përgatitjen e dokumentit të vlerësimit të nevojave që çuan në rezultatin e 17 shkurtit. Sa i takon përshpejtimit të procedurave, duam të bashkëpunojmë me ministrinë e Shëndetësisë dhe duam të kontribuojmë për rikonstruksionin e spitaleve. Puna ka nisur tashmë në dhjetor dhe po kryet ndërkohë që presupozojmë që do të kemi një letër të mëtejshme për instrumentet e financimit të projekteve aktuale të zhvillimit të shëndetësisë. Natyrisht kemi folur dhe me ministren e Kulturës, për të identifikuar monumente e kulturës që do të përfitojnë. Gjithashtu jemi përpjekur të ofrojmë mbështetje për përshpejtimin e këtyre proceseve. Javën e kaluar patëm një mision, diskutime mjaft intensive, sidomos me ministrin për Rindërtimin, por po ashtu dhe me partnerët këtu, BE-në dhe Kombet e Bashkuara, sa u takon gjetjeve tona të misionit të parë pas tërmetit dhe se si kemi ecur përpara. Megjithatë jam shumë e kënaqur të them që një prej gjetjeve të misionit që e kemi ndarë me ju është ajo çfarë kemi bërë tashmë që janë standardet që kemi miratuar, zonat ku do të ndodhë rindërtimi dhe ky është një shembull e duam ta ndajmë dhe me vendet e tjera. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Kjo është arsyeja pse BE-ja nuk shpejton kaq shumë, sepse jeni shpërndarë në mbarë botën. Faleminderit shumë për këtë pjesëmarrje mjaft bujare dhe për kohën tuaj. Faleminderit paraprakisht që do të ktheheni sërish, sa herë të jetë nevoja, ndaj ju uroj një javë mjaft të mirë, ju uroj gjithë të mirat e kjo na ka ndihmuar shumë për t’u përcjellë një mesazh tjetër shqiptarëve që ne realisht po punojmë sëbashku e po punojmë fort për të nxjerrë më të mirën.

*Përkthim simultan

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.