Kreu Aktualitet Konferenca e Donatorëve për Rindërtimin, 1.15 miliardë euro

Konferenca e Donatorëve për Rindërtimin, 1.15 miliardë euro

266
0

Konferenca për median e Kryeministrit Edi Rama me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas Konferencës së Donatorëve:

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen: Përshëndetje të gjithëve!

Jam shumë e lumtur që jam këtu me Kryeministrin, Zotin Edi Rama!

Jam shumë e lumtur të njoftoj që komuniteti ndërkombëtar i ka mbështetur fuqishëm përpjekjet e rindërtimit në Shqipëri dhe dua të falënderoj donatorët për kontributet e tyre bujare.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për aftësinë ripërtëritëse që populli shqiptar ka shprehur gjatë këtyre kohëve. Dua t’ju kujtoj 51 persona që humbën jetën, më shumë që u plagosën, mijëra njerëz që humbën shtëpitë, shtëpi të shkatërruara, qendra shëndetësore. Më shumë se 200 mijë veta janë prekur nga tërmeti dhe për më tepër 17 mijë njerëz janë zhvendosur për shkak të humbjes së shtëpive të tyre. Kjo mund t’i kishte ndodhur gjithkujt prej nesh dhe ne iu detyrohemi mbijetuesve që kanë humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre, për t’i ndihmuar që të rindërtojnë të ardhmen.

Jam shumë krenare që BE-ja mori iniciativën për të organizuar këtë Konferencë Donatorësh në Bruksel. Sot, komuniteti ndërkombëtar premtoi ta ndihmojë Shqipërinë në rindërtimin dhe në rimëkëmbjen e saj. Shqipëria nuk është vetëm. Ne do ta shoqërojmë Shqipërinë gjatë gjithë fazës së rimëkëmbjes. Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe mik i Bashkimit Europian dhe Bashkimi Europian është në favor të solidaritetit dhe përgjegjshmërisë.

Jam shumë e kënaqur që njoftoj se BE-ja, që do të thotë Komisioni, BEI, shtetet anëtare, kanë angazhuar 400 milionë euro, por shifra bëhet edhe më e mirë akoma. Sot i tejkaluam të gjitha pritshmëritë.

Komuniteti ndërkombëtar ka angazhuar 1.15 miliardë euro për Shqipërinë, që është një shifër fenomenale, që do të plotësojë nevojat dhe unë jam shumë e emocionuar nga solidariteti i treguar nga komuniteti ndërkombëtar për Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama: Do më duhet të gris fjalimin, sepse ishte përgatitur përpara evenimentit dhe në fakt jo, sepse më duhet të mbaj, të ruaj diçka që mbetet mjaft e rëndësishme ende dhe edhe më shumë se kaq, që është pjesë e fjalimit të mëparshëm e që ka të bëjë me mirënjohjen e jashtëzakonshme e të papërshkrueshme për Presidenten e Komisionit, e cila është kyç për atë çka dëshmuam sot dhe asaj çka praktikisht tejkaloi edhe imagjinatën time më të shfrenuar, pritshmërinë time më të madhe.

Ndaj, Ursula faleminderit shumë!

Nuk do ta harroj kurrë telefonatën tënde ndërsa kthehesha nga zonat e dëmtuara rëndë, për të shkuar e për të ndenjur bashkë me ato familje, të cilat humbën praktikisht më shumë sesa 2/3 e pjesëtarëve të tyre. Më kujtohet shumë mirë ajo që më the, që, përtej fjalëve mjaft të sjellshme të ngushëllimit, ju premtuat që do të ishit bashkë me mua në këtë përpjekje e më thatë se nuk do të ishim vetëm. Vërtetë, do të këndoja edhe himnin e Liverpool-it për ty sot, sepse është tejet e jashtëzakonshme e më mbush zemrën ajo çfarë dëshmuat.

Nga ana tjetër do të thoja që nga të gjitha gjuhët në të cilat përshëndeta të pranishmit që vinin nga të gjitha vendet, ne kishim edhe donatorë të mëdhenj. Është e jashtëzakonshme se si solidariteti u përhap e u shpërfaq një nga një prej zemrës së Europës këtu në Bruksel, në një kontribut të jashtëzakonshëm të Bashkimit Europian e më pas të Italisë, të Emirateve të Bashkuara Arabe, të miqve, Turqisë, Gjermanisë e të gjithë të tjerëve.

Pa asnjë dyshim nuk matet me vlerën e asaj që gjithkush dha, por matet me atë solidaritet të pamatshëm dhe nevojën prej zemre për të treguar përmes pranisë e përmes çdo vlere të kontributit, për të qenë pjesë e kësaj përpjekjeje kaq të përbashkët dhe është një nga ato momente ku dikush mund të bëhet mistik e të nisë të mendojë që diçka magjike ka ndodhur. Sepse, siç e thashë edhe në falënderimet e mia, ne po mendonim që me 40% të të gjithë shumës do ktheheshim pa pasur ankth në shtëpi, me 50% do ta quanim sukses. Kur po ngacmonim njëri-tjetrin në diçka që shkonte përtej 50%-it thamë se do të ishte mrekulli.

Është magjike dhe do doja t’ju thoja që është kaq ngushëlluese që përtej kësaj mrekullie ka njerëz, është pikë së pari e mbi të gjitha Presidentja e Komisionit, ekipi fantastik. Do doja t’i falënderoja me zemër, sepse e di sa fort kanë punuar me ekipin tim e sa në mënyrë konstante kanë bashkërenduar ditë e natë. E po kështu edhe pjesëmarrja e shumë të tjerëve, p.sh., e di që Presidenti Macron, qysh prej momentit të parë e ka pritur me padurim këtë eveniment. Sot më përcolli urimet më të mira dhe natyrisht, edhe ndjesën që nuk ishte dot i pranishëm këtu. Gjithashtu edhe nga Italia. Kryeministri i Italisë solli në fakt, këtu, ministrin e Jashtëm. Italia humbi Murinjon përgjithmonë, por e zëvendësoi me Di Miao dhe kjo është një gjë shumë e mirë. E më pas, natyrisht Kancelares, dua t’i them shumë faleminderit, sepse e di se a fort ka punuar në mënyrën e saj të heshtur, për të bërë bashkë aq shumë forca për të mirë. Pa harruar natyrisht, Presidentin Erdogan. Me një mirënjohje mjaft të madhe do doja të përmendej Mohammed bin Zayed, i cili është angazhuar në moment të fundit, por me zemër plot. Përmendja e këtyre njerëzve nuk nënkupton që të tjerët kanë një vend më pak të vlefshëm në zemrën time, apo në zemrat e shqiptarëve, në të kundërt, shpresoj fort që do të jem në gjendje që ta shpaguaj këtë me mikpritjen shqiptare, që është arma më e mirë e shpagimit, kur duam të tregojmë dashuri e mirënjohje.

Ursula, faleminderit shumë!

Është një moment fantastik për të gjithë, që të kuptojmë se BE-ja natyrisht mund të na ngrejë nervat, por është unik e është projekti më vizionar e i mrekullueshëm që njerëzimi ka përfytyruar, për të bërë njerëzit bashkë e për ta shndërruar politikën në një forcë për mirë.

Viti i kaluar pati dy tërmete, të tetorit në Bruksel dhe të nëntorit, tërmetit fizik në Shqipëri, ndërkohë që sot kemi një lajm shumë të mirë për atë që është bërë dhe kontributin për tërmetin. A mendoni që do kemi një lajm të mirë edhe në mars, duke ditur që Kryeministri po bën gjithçka për reformat dhe ju Presidente e Komisionit po e mbështesni Shqipërinë për çeljen e negociatave?

Pyetja e dytë, për Presidenten e Komisionit, ju e keni ndihmuar Shqipërinë në realizimin e kësaj Konference. A do ta ndiqni edhe ku do të shkojnë paratë, si do të shpenzohen e gjithçka tjetër?

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen: Ne kemi një marrëveshje me qeverinë e Shqipërisë, folëm ndërkohë për këtë gjë, për t’u siguruar që parimet bazë të rindërtimit të respektohen. Sigurisht që ne jemi të interesuar për progresin e vendit dhe unë kam ofruar dhe do të ofroj të gjithë mbështetjen time që të kalojmë këtë proces rindërtimi sëbashku. Është në interesin tonë, në fakt të përbashkët, që Shqipërinë ta mbajmë sa më pranë BE-së.

Dhe duke iu kthyer pyetjes tuaj të parë, ne kemi punuar shumë për të shtruar rrugën që këtë vit të arrijmë suksesin që dëshirojmë. Ju e dini se ne porsa kemi rishikuar metodologjinë, e cila ka krijuar besim në të gjitha palët për këtë përpjekje të përbashkët dhe që përshpejton procesin dhe ofron perspektiva më të besueshme për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut, që ne të mund të ecim përpara drejt qëllimit tonë të përbashkët për hapjen e negociatave. Po punojmë fort dhe unë kam shumë besim, por ka rëndësi gjithashtu që ne do të botojmë një raport të ri për vendin në fillim të marsit, me qëllim që të krijojmë besim në të gjitha palët. Kemi numra, kemi provat që progresi është bërë, që ka konsekuencë në përpjekje drejt Bashkimit Europian.

Kryeministri Edi Rama: Natyrisht jemi ende duke përbrendësuar këtë tronditje mjaft të këndshme të ditës së sotme, kështu që nuk do guxoja të kërkoja më shumë, në mars, në maj apo kurdo, përpara sesa të gjej një hudhër dhe ta vendos në mur, sepse kemi këtë traditë të vjetër në Shqipëri kundër syrit të keq, sepse, kur merr një lajm kaq të mirë, ke frikë se ndoshta ndodh një gjë e keqe. Kështu që më lini të gjej hudhër një herë e pastaj të mendoj për hapjen apo mos hapjen e negociatave të anëtarësimit, sepse nuk dua që të kemi një tjetër mallkim të historisë që vjen.

Për bisedime apo jo bisedime, zyrtarisht e shihni që ne po flasim e po bëjmë gjëra të shkëlqyera dhe nëpërmjet komunikimit si kjo konferencë e si rrjedhojë na duhet që të nisim këtë rindërtim shumë sfidues, sepse kam dëgjuar me shumë kujdes atë çfarë tha Presidentja Von Der Leyen, duke përmendur disa prej dëshirave që janë dhe dëshirat e mia, dëshirat tona. Pra, që ajo çfarë rindërtohet të jetë më e mirë se ajo çka humbi e mundësisht me standarde të reja antisizmike, ekologjike e kështu me radhë. Për këtë, ne duhet të vazhdojmë të punojmë sëbashku me miqtë tanë europianë. Siç e patë, miqtë tanë amerikanë nuk erdhën si zakonisht me shumë para, por erdhën me disa argumente të mira për mënyrën si të sigurohemi që këto para, kaq shumë para të përdoren në mënyrë transparente. Ata nuk janë kaq bujarë kur bëhet fjalë për para, por janë bujarë kur bëhet fjalë për të eksportuar standarde. Unë kur isha në SHBA u kërkova që paratë e kontributit të tyre të mundshëm, që meqë ra fjala ishte shumë herë më bujar nga sa e prisja unë, t’i vendosin për atë çka do të ishte një akademi transparence. Akademi transparencë, e cila do të nisë me rindërtimin e do të zhvillohet si strukturë që do të monitorojë standardet e do të vlerësojë kriteret e tenderave publikë e po kështu të procedurave publike.

Jemi në shoqëri mjaft të mirë, siç të gjithë e shihni e jam kaq i lumtur e jam kaq i përulur nga gjithçka. Ne nuk duam, si të thuash, t’i lëmë në baltë miqtë e ta bëjmë rindërtimin e Shqipërisë në një shembull të jashtëzakonshëm. Kështu që ambicia ime është që Ursula dhe Komisioni ta përdorin këtë si një histori suksesi, si një model për situata të tjera.

Më lini ta përmbyll duke thënë që jam shumë krenar për ekipin tonë. Jam shumë krenar për prezantimet, qoftë nga ministri për Rindërtimin, gjithashtu nga Koordinatorja e Përgjithshme e procesit të hartimit të vlerësimit të nevojave të pas katastrofës. U ndjeva kaq mirë dhe po mendoja pse nuk jemi pjesë e Bashkimit Europian, kemi këta njerëz, kemi kaq aftësi. Megjithatë dhe një herë, nuk e kërkoj tani, e di që duhet të punojmë fort e natyrisht, duke qenë në shoqëri mjaft të mirë, jemi të gjithë të ngushëlluar.

E para pyetje për Presidenten. Përtej shprehjes së solidaritetit të pabesueshëm e të fjalimeve kaq prekëse si juaji, institucionet financiare i kanë kërkuar qeverisë shqiptare që të bëjë transparencë të plotë të fondeve të dhëna për programin e rindërtimit. A do t’i kërkoni dhe ju të njëjtën gjë Kryeministrit?

Për Kryeministrin, ju përmendët akademinë e transparencës. Kjo akademi do të jetë e disponueshme për publikun, pra, që të gjithë të shohin si po shpenzohen këto para?

Presidentja e KE Ursula von der Leyen: Po, unë sapo e thashë, ne kemi rënë dakord që të kemi një marrëveshje ku do të përcaktojmë parimet kyçe të transparencës, llogaridhënie. Siç tha Kryeministri, kjo është në interesin tonë të përbashkët, sepse të dy duam që kjo shenjë e jashtëzakonshme solidariteti me popullin shqiptar, në fakt të investohet në mënyrën e duhur, transparente, llogaridhënëse e për këtë gjë jemi të gatshëm, sigurisht të dërgojmë ekspertët tanë për ta zbatuar në mënyrën e duhur e për këtë, këtë marrëveshje do ta nënshkruajmë sëbashku e do të jetë e dobishme e do të na ndihmojë të kalojmë këtë proces që është në interesin tonë.

Kryeministri Edi Rama: Në fakt, bixhozi është i ndaluar në Shqipëri, por pashë shumë njerëz sot që vinin baste në ekranet televizive, shumë njerëz që vinin baste në lajmet online, që do të ishte gjithçka katastrofë, sepse natyrisht janë në kërkim të lajmit të keq, është ushqimi i tyre i përditshëm. Megjithatë e humbën bastin, kështu që mos vini bast kur bëhet fjalë për mua, qeverinë time dhe marrëdhëniet tona me botën.

Së dyti, pasi thanë se kjo do të ishte një katastrofë, kur kontributet po rriteshin, filluan të thonin që “eh, po nuk mund t’i menaxhojnë”. Mundemi e do t’i menaxhojmë sepse, siç tha edhe Ursula, po punojmë jo vetëm me miqtë amerikanë, por po kështu edhe me këto institucione dhe e dimë shumë mirë që, nëse do të gjesh njerëz që të ta bëjnë jetën shumë të vështirë kur shpenzon para, i ke këtu në këtë ndërtesë. Jemi kësisoj të sigurtë që Ursula do të na japë më të mirët prej tyre dhe ne do të kalojmë nëpër dhimbjet e nevojshme, në mënyrë që të shpenzojmë si duhet, mirë, çdo para, jo vetëm të taksapaguesve europianë, por edhe të atyre shqiptarë, sepse është një program që duhet bashkëpunuar. Duke qenë se ka shumë detaje, tashmë përballë kësaj shume të madhe, është një shumë e madhe për ne e natyrisht është dhe një shumë e madhe për ta, na duhet të bëjmë më të mirën. Ndaj po ju them mos u shqetësoni, gëzojeni ditën sot. Ka një të nesërme për lajme të këqija.

Pamë sot se Shqipëria nuk është vetëm në tërmetin e dytë që e goditi në nëntor. Do ta lini Shqipërinë vetëm në tërmetin e parë të 18 tetorit? Do ta zëvendësoni flamurin anglez me flamurin shqiptar, duke hapur negociatat për anëtarësim?

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen: Ne kemi punuar shumë për këtë konferencë ndërkombëtare financimi pas tërmetit të tmerrshëm me të njëjtin përkushtim, me të njëjtin intensitet. Kemi punuar për të shtruar rrugën që Shqipëria të shkojë drejt arritjes së qëllimit të hapjes së negociatave. Siç thashë në fillim, ka disa hapa ku ne mund të ndihmojmë mjaft. Siç thashë, e kemi rishikuar metodologjinë që është pranuar nga të gjitha anët, që është një shenjë shumë e mirë, është më e modernizuar, më e besueshme dhe ishte e nevojshme për t’u bërë, për të treguar se ku po shkojmë sëbashku. Po punojmë për raportet për vendet e këto janë përpjekje për t’i bindur të gjithë, që për mendimin tim ka ardhur koha që ne të fillojmë të hapim bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Ne u kemi kërkuar shumë gjëra të bëjnë. Ata i kanë mbajtur premtimet e tyre. I bënë të tëra gjërat që ne u kemi kërkuar të bëjnë, që është një rrugë e gjatë, kështu që na takon ne të jemi një partner i besueshëm e të punojmë për qëllimin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.