Kreu Ditar Konferenca e dytë Nacionalçlirimtare

Konferenca e dytë Nacionalçlirimtare

273
0

-4-9 Shtator 1943-

Mbas luftës së Vithkuqit, midis forcave partizane të vendit e të Brigadës I-rë, me forca të shumta italiane, ballistë e milicë, në Gusht 1943 një pjesë e shokëve të  Shtabit të Përgjithshëm, ishin nisur nga Vithkuqi duke kaluar afër Voskopojës, në Lozhan mandej nëpër male, përrenj e lugina, kishin dalë tek Guri i Kamjes në Mokër, Podgozhan e më pas në Shpat të Elbasanit, nëpërmjet urës së Mirakës dhe më në fund kishin mbërritur në Labinotin e Partisë. Sigurimin e shoqërimin e Shtabit të Përgjithshëm  gjatë udhëtimit e  kishin bërë partizanë të caktuar nga komanda e Qarkut Korçë. Partizanët më të vjetër të këtij shërbimi ishin N. Dulaku dhe E. Vinçani, kjo sepse të tjerët ishin caktuar me detyra në batalionet dhe brigadën e I-rë. Kudo gjatë këtij udhëtimi ndihmonin dhe çetat e zonave, në të shumtën e udhës, udhëheqësit ecnin edhe vetë me shokët e tyre, sepse shoqëruesit i kishin përdorur edhe si korrierë ndërlidhës për të marrë situatën që ishte krijuar në ato kohë.

Ushtria fashiste, megjithëse ishte duke dhënë shpirt si varka e fashizmit, e cila po mbytej, bënte përpjekje për të zgjatur jetën dhe kudo kishte shpërthyer në ofensivë si në Vithkuq, në Mallakastër e gjetkë, por nga të gjitha anët kishte ngrënë grushte të rënda e pësonte ulje në njerëz e material. Fundi i saj, me rënien e Musolinit, ishte i padiskutueshëm, prandaj dhe Shtabi i Përgjithshëm kish dhënë orientim që forcat e Brigadës I-rë, batalionet partizane dhe çetat, të hidheshin në sulm për t’a coptuar armikun e për t’i marrë atij armë e municione.

Pushtuesit italiane kishin pushtuar vetëm qytetet dhe vijat e tjera të komunikacionit. Ushtria Nacionalçlirimtare ndodhej në mësymje në çdo kënd të Atdheut. Fshati, pothuajse i tëri ishte i çliruar. Kryengritja popullore ndodhej në kulmin e zhvillimit të saj. Këshillat NAÇl ushtronin pushtetin popullore gati në pjesën më të madhe të territorit të çliruar. Kjo situatë shtronte në rend të ditës të forcohej e rritej Lufta NAÇl, sidomos të forcohej nga çdo pikpamje pushteti i Këshillave NAÇl si i vetmi pushtet i ligjshëm i popullit në Shqipëri dhe të demaskohej çdo manovër “anti italiane” e reaksionit dhe çdo përpjekje e tij për të rrëmbyer pushtetin pa hedhur asnjë pushkë kundër pushtuesit.

Për këto arsye, Këshilli i Përgjithshëm NAÇl kish vendosur të thërriste Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare në Labinot më 4 Shtator 1943. Në këtë konferencë kishin marrë pjesë më shumë përfaqësues se në Konferencën e Pezës. Merrnin pjesë 55 delegatë nga të gjithë qarqet, nga organizata antifashiste, nga Këshilli i përgjithshëm Nacionalçlirimtar e Shtabit të Përgjithshëm.

Konferenca e II-të NAÇl kapi si hallkë kryesore çështjen e forcimit të pushtetit demokratik popullor. Aprovoi statutin dhe rregulloren e Këshillave dhe hodhi parrullën: “Të njihen Këshillat Nacionalçlirimtare, si i vetmi pushtet i popullit në Shqipëri”. Ajo dënoi botërisht marrëveshjen e Mukjes si një akt kundër parimeve të Konferencës së Pezës dhe vendosi të demaskohej deri në fund veprimtaria armiqësore e “Ballit Kombëtar”. Në Konferencë u mbajt raporti: “Mbi qëndrimin kundrejt rrymave të ndryshme jashtë Lëvizjes NAÇl, e tjera”. Në fund Konferenca  zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm NAÇl prej 62 vetash dhe kryesinë prej 17 vetash.

Aty nga mesi i natës të 8 Shtatorit, kur Konferenca ishte në shqyrtimin e projekt-rezolucionit, kish ardhur lajmi në Labinot i kapitullimit pa kushte të Italisë fashiste. Të gjithë mendonin se kjo ngjarje do të sillte ndryshime në gjendjen në Shqipëri. Prandaj delegatët duheshin të shpërndaheshin e të ishin në krye të detyrave në qarqet e veta për të drejtuar Ushtrinë NAÇl e pushtetin lokal. Konferenca ish mbyllur natën duke gdhirë 9 Shtatori. Lajmi mbi kapitullimin pa kushte të Italisë fashiste, ishte përhapur si rrufe anembanë Shqipërisë. Njerëzit putheshin e përqafoheshin nga gëzimi, zbraznin armët për nder të fitores. Për të zhdukur çdo keqkuptim rreth kësaj ngjarjeje, KQ i PKSH, Këshilli i Përgjithshëm dhe Shtabi i Përgjithshëm i drejtuan popullit një thirrje: “Popull shqiptar! Italia kapitulloi pa kondita…është në urdhër të ditës kryengritja e përgjithshme për të çliruar gjithë Shqipërinë, për të marrë fuqinë në dorë e për të ngritur një Shqipëri demokratike popullore…”.

Për sigurimin e Konferencës II-të NAÇl në Labinot në këtë situatë, ishin caktuar një grup partizan i mbledhur nga disa çeta e batalione partizane të vëndit e të tjerë, detyra e të cilëve ishte të bënin shërbimin e rojes si ditën dhe natën, në afërsi të godinës dhe në territorin e saj ku mund të diktohej ardhja e armikut. Rreth territorit, veç rojeve të afërta, kishte 5 vëndroje: një vendroje ish tek qafa kur shkon për në Shmil, një në afërsi të Sericës, një në krye të Labinotit, një në katundin Grishaj dhe një tek Guri i Zi.

Brenda për brenda godinës kish një grup tjetër që shërbente si Nikolla Shurbani, Gaqo Progri (Pecani), Niko Dulaku, Enver Vinçani, Musa Kura, Rafail Rafaili e të tjerë, midis partizanëve kishte edhe tre shokë të tjerë. Në periferinë më të largët, rreth Labinotit, ishin dislokuar forcat e vëndit si Batalioni Çermenikës, Martaneshit dhe njësitet e fshatrave. Mbas kapitullimit të Italisë fashiste, divizione të tëra rezistonin me armë e nuk donin të dorëzoheshin në shtabet partizane, por me ardhjen e ushtrisë gjermane në Shqipëri, kundër tyre kish filluar një terror i madh, oficerët italianë sa i zinin, i pushkatonin. Duke parë këtë gjendje, si oficerët dhe ushtarët italianë, morën malin nga sytë këmbët. Një pjesë e mirë e tyre u bashkuan me Ushtrinë Nacionalçlirimtare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.