Kreu Aktualitet Konferenca tradicionale e fundvitit

Konferenca tradicionale e fundvitit

723
0

Kryeministri Edi Rama në konferencën tradicionale të fundvitit, me gazetarë dhe miqtë e rrjetit në FB & Twitter & Instagram: 

Faleminderit që keni ardhur! Gëzuar të gjithëve!

Në radhë të parë, ju që jeni këtu, në krye të detyrës, ju uroj çdo të mirë, shëndet, mbarësi në familjet tuaja dhe rritje të mëtejshme profesionale gjatë vitit që po hyn!

Dua po ashtu, t’u uroj përzemërsisht të gjithë miqtë e rrjeteve sociale, duke  i falënderuar për mbështetjen, për kritikat, për debatet që kemi patur hera-herës. Paçi vetëm të mira dhe shëndet në familjet  tuaja, pavarësisht bindjeve që mund të na ndajnë edhe papajtueshmërisht!

Do të bëj një paraqitje relativisht të përmbledhur, për t’i lënë sa më shumë hapësirë edhe pyetjeve tuaja. Por ju besoj jeni mirëkuptues që, duke qenë konferenca e fundvitit, është e pashmangshme që të preken me shpejtësi të gjitha aspektet, sipas meje, karakterizuese të procesit qeverisës gjatë këtij viti.

Së pari, dy lajme pozitive për ekonominë tonë, që i  shpëtuan vëmendjes tuaj në atmosferën e ndezur nga protesta studentore.

Rritja ekonomike  e tremujorit të tretë që u publikua në 4,5 %, më e larta e një tremujori që prej viti 2011.

Po ashtu, konsumi final i popullatës që është rritur me afro 4 %, krahasuar me një vit më  parë. Është e rëndësishme të theksohet që në 5 vitet e fundit kemi një rritje të vazhdueshme të konsumit final, i cili që prej vitit 2013 ka një rritje mesatare prej 3.7 %.

Është një fakt që, pavarësisht sesi tërësia e fakteve në kohën që jetojmë, janë gjithmonë në sfond, ndërkohë që rolin kyç në komunikimin me publikun dhe informimin e publikut e zënë lajmet e rreme, – është një fakt kokëfortë që flet për fuqinë blerëse të rritur dhe për të vërtetën që shqiptarët jetojnë sot më mirë se dje.  Pa diskutim që nuk jetojnë sot aq mirë, sa me të drejtë duan dhe për sa ne me të gjithë fuqinë tonë përpiqemi. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se është një rritje ekonomike cilësore, pasi ka ardhur si pasojë e një rritje të balancuar të konsumit dhe të investimeve. Është një rritje strukturale e shëndetshme.

Ekonomia shqiptare sot është shumë më konkurruese sesa 5 vjet më parë, gjë që e faktojnë një mori shifrash, por mjafton të marrim shifrën e eksporteve, e cila këtë vit kapi vlerën e pothuaj 30% më shumë se 5 vite më parë. E ndryshe nga e shkuara jo fort e largët, kur ajo rritje e vështirë ekonomike dhe në një kontekst më të gjerë, të lidhur edhe me mungesën e kapaciteteve për të përballuar goditjen e krizës financiare, përkthehej në humbje të vendeve të punës, sot kemi 262 mijë të punësuar të regjistruar më shumë.

Nuk flasim për statistika të dala nga anketat e punësimit, apo të papunësisë, por flasim për 262 mijë të punësuar më shumë në regjistrat e shtetit, që paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore dhe plus taksa kur janë mbi rrogën 300 mijë leke të vjetra. Vetëm nga zyrat e punës, këtë vit janë punësuar 34.604.

Të dyja këto shifra i kam edhe për ata që thonë ku janë ato 300 mijë vendet e punës.

Sigurisht që 262 mijë nuk janë 300 mijë, por janë shifra lehtësisht të verifikueshme, duke parë regjistrin e sigurimeve shoqërore të Republikës së Shqipërisë dhe kontributet në të ardhurat e përbashkëta nga puna dhe nga fitimi.

Statistikisht, papunësia është ulur nga 18,2 % në 12,4 %. Është shifra më e ulët historike e papunësisë. Fakt!

Pjesëmarrja të tregun  e punës është rritur nga 50,8 % në 53,9 %.

E për herë të parë kemi punësimin në sektorin jobujqësor më të lartë se atë në bujqësor. Nuk i referohem burimeve tona. I referohen Bankës Botërore, e cila nënvizon se punësimi ka qenë instrumenti kryesor i uljes së varfërisë në vend.

Në Shqipëri pa diskutim, varfëria mbetet problem dhe sfidë. Por, padiskutim, sot varfëria është më e ulët se 5 vjet më parë. Në raportin e saj për rajonin, BB konfirmon rritjen ekonomike të Shqipërisë si më të lartën në rajon.

Thënë kjo, nuk pretendoj dhe nuk dua aspak të përcjell mesazhin që jam i kënaqur dhe ka ndodhur një mrekulli. Aspak. Por janë disa të vërteta të realitetit tonë, të përpjekjes sonë dhe të gjithë sakrificave dhe përpjekjeve të të gjithë njerëzve të këtij vendi, që mbeten vazhdimisht të neglizhuara, të nënçmuara, të nëpërkëmbura dhe të deformuara në pasqyrat e përditshme të informacionit dhe për shkak të mbiprodhimit të një politike që i qëndron larg problemeve reale të qytetarëve dhe që është e kapur nga ankthet e luftërave për pushtet.

Banka Botërore konfirmon se turizmi dhe energjia janë dy sektorët që kanë kontribuar më shumë në rritjen ekonomike. Përveç punësimit dhe rritjes ekonomike, Shqipëria veçohet nga BB, përsa i përket investimeve të huaja direkte, duke qenë një vend që arrin të përthithë mesatarisht investime të huaja 9% në nivelin e përgjithshëm të prodhimit të brendshëm kombëtar. Ndërkohë që vendet e tjera e kanë këtë më të ulët. Flas gjithmonë për rajonin, për vendet e Ballkanit Perëndimor.  Sepse nuk do të doja kurrë, larg qoftë që, kur them “vendet e tjera”, të mendohej se po bëj ndonjë krahasim me vende që janë sot në familjen e BE.

Përsa i përket borxhit publik, BB   vlerëson se Shqipëria po i përmbush detyrimet e saj. Borxhi është vendosur në kontroll të plotë. Trajektorja e borxhit është rënëse prej disa vitesh, pikërisht ashtu siç e kemi targetuar.

Reformat e thella që i rregulluan bilancet dhe e shmangën kolapsin e plotë ekonomik që kërcënonte vendin në 2013, janë duke dhënë hap pas hapi, frytet e tyre.

Sipas Bankës së Shqipërisë,  – një tjetër burim të dhënash, deri më sot i pakontestuar nga asnjë palë,  – të ardhurat nga vizitorët e huaj në Shqipëri, në 9 muajt e parë të këtij viti janë rritur me afro 160 milion euro, krahasuar me një vit më parë. Sikundër në këto 5 vite të ardhurat nga vizitorët e huaj në ekonominë tonë janë rritur me 55 %.

Shqiptarët që udhëtojnë çdo ditë e më shumë  jashtë shtetit, – flasim për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, nuk flasim për ata që vijnë dhe kthehen, –  kanë shpenzuar në 9 mujorin e parë të këtij viti 136 milionë euro më shumë se vitin paraardhës, që do të thotë se mundësitë janë shtuar dhe faktikisht shpenzimet për udhëtime, janë një nga pikat e referimit për të parë në tërësinë e vet, gjendjen e fuqisë konsumatore të një vendi.

Sot, të dhënat, shifrat, faktet, thonë se depozitat e depozituesve të vegjël, atyre që kanë një vlerë depozite deri në 25 milionë të vjetra, kanë peshën më të madhe në totalin  e depozitave, që do të thotë, asnjëherë më parë kjo nuk është verifikuar siç verifikohet sot.

Dy fjalë për “të mëdhenjtë”, sepse propaganda dhe tam-tamet e përditshme që kanë synuar dhe synojnë ta pikturojnë qeverinë tonë si qeveria e të mëdhenjve e më të pasurve  e oligarkëve, bënë punën e vet.

Tam-tamet kanë arritur të përçojnë një mesazh krejtësisht të gënjeshtërt, ndërkohë që faktet flasin ndryshe. Faktet thonë që kompanitë që paguajnë tatim-fitimin me qarkullim vjetor mbi 8 milion lekë, pra 80 mijë dollarë në vit, janë rritur 10 %, në 5 vite. Sot kemi 22 mijë kompani të tilla dhe pesha që zë fitimi i tyre i përbashkët është e konsiderueshme. Nëse analizojmë “të mëdhenjtë” rezulton se pesha e fitimit të 10 kompanive me fitimin më të madh të “oligarkëve”, kundrejt fitimit të të gjithë kompanive së bashku, është në rënie me 30 % të fitimeve, në krahasim me vitin 2013 dhe 20 % në krahasim me vitin 2017.

Kjo do të thotë se po të shkojmë pak më tutje tek 100 kompanitë më të mëdha, kundrejt fitimit të të gjithë kompanive sëbashku janë në rënie, nga 55 në 45 %.

E ajo që është më e rëndësishme, është që janë shifra dhe fakte të verifikueshme. Ju takon ju të verifikoni për  të vërtetuar që ato që po ju them janë reale apo janë me injeksion politik. Por janë tërësisht reale. 100 të mëdhenjtë paguajnë sot më shumë taksa, sesa paguanin 5 vjet më parë dhe pesha  e tyre në buxhetin e shtetit është më e madhe sesa 5 vjet më parë. Ndërkohë që fitimi i tyre është më i ulët sesa 5 vjet më parë, në tërësinë e vet, në të gjithë fushën e sipërmarrjes shqiptare.

Atëherë, ku janë këta “të mëdhenjtë” që e kanë mbledhur në duar të gjithë pasurinë dhe që po bëjnë hata me mbështetjen e qeverisë?! Faktet janë këto që po ju them dhe janë lehtësisht të verifikueshme. Janë referenca zyrtare në librat e llogarive të hapura të shtetit.

Sot, puna në Shqipëri, edhe puna juaj, taksohet më pak . Taksohet mesatarisht 5.5 % dhe ky është fakt. Deri dje,  puna juaj që jeni këtu dhe puna në Shqipëri taksohej 10%. Në rajon kemi taksimin më të ulët të punës 5,5 %. Ndërkohë të gjithë vendet e tjera të rajonit janë me 9 ose 10%, me taksen e famshme të sheshtë.

Vitin që vjen, janë 16 mijë të tjerë që do të paguajnë afro 3 milionë dollarë taksa më pak, në vazhdën e lehtësimit të barrës së taksimit mbi punën, ata që fitojnë nga 1.3 në 1,5 milionë nga rroga e tyre. Ndërkohë që të tjerët më poshtë, nuk ka ku shkon më poshtë, në rast se duam të jemi realistë.

Të gjithë ata që marrin një rrogë në shtet apo në privat deri në 1,5 milionë paguajnë shumë më pak se deri dje. Ata mbi një 1,5 paguajnë më shumë patjetër.

Dje, nga 300 mijë lekë të vjetra deri në 30 mijë dollarë, të gjithë paguanin 10%, që do të thotë që ata që fitonin më pak, paguanin më shumë.

Sot, deri në 1,5 janë nën 10% dhe mesatarja është 5,5% e taksimit mbi punën.

Nga ana tjetër, nga 80 mijë deri në 140 mijë dollarë xhiro gjendet njëra nga fashat më aktive të ekonomisë sonë, në drejtim të punësimit dhe të vetëpunësimit. Ajo pjesë e biznesit që deri tani konsiderohej i mesëm dhe i madh, që nga 1 janari do të zbresë trefish në taksa. Pra nëse deri më sot ka paguar 15 % , nga 1 janari do të paguajë 5 %. Që do të thotë 91 % e atyre qe merren me biznes në Republikën e Shqipërisë, paguajnë vetëm 5 % taksa. Kjo është një taksë që nuk e ka asnjë vend i rajonit tonë.

Rajoni varion 9 dhe 10 %. Ndërsa ne kemi 5 % për 91 % të sipërmarrjes dhe 15% për pjesën tjetër, pra për ata më të mëdhenjtë. Janë fakte.

Nga 1 janari nuk do të ketë mbi taksë për Vlerën e Shtuar mbi të gjithë inputet  bujqësore.

Për herë të parë pas 28 vjetësh bëhet realitet një zotim që për 28 vjet në fushatat elektorale e kanë marrë të gjitha partitë politike. Që do të thotë që të gjithë ata që ata që punojnë tokën në Republikën e Shqipërisë, në 28 mijë kilometra katrorë, do të lehtësohen ndjeshëm nga barra e taksës mbi vlerën e shtuar për inputet dhe të gjitha inputet bujqësore do të jenë me zero TVSH. Një ndihme  direkte kjo për qindra mijëra njerëz dhe për ekonominë e tyre familjare. Një element tjetër i rëndësishëm është rritja e konsiderueshme e sektorit të peshkimit, ne kuadrin e përgjithshëm të rritjes në sektorin e bujqësisë.

Një tjetër element i rëndësishëm për t’u nënvizuar është që 65 mijë të punësuar do të kenë rritje pagash menjëherë në vitin e ardhshëm, duke filluar në prill; Shëndetësia 7 deri në 10%. Arsimi 7%. Ushtarakët shkojnë në një rritje progresive më të lartë. Policët  e burgjeve 7%. Diplomatët 20%.

Pjesa që në këndvështrimin tim është pjesa më e bukur e kësaj përpjekje është fakti që ne krijuam mundësinë për të paguar drejtpërdrejte me një bonus mirëseardhjeje, të gjitha bebet që do të lindin në Republikën e Shqipërisë, duke kaluar nga bonusi 50 mijë lekë të vjetra, bonusi i vendosur qysh kur unë isha kryetar bashkie dhe i mbetur në po atë nivel , tek 400 dollarë për fëmijën e parë, 800 dollarë për fëmijët e dytë dhe 1200 dollarë për fëmijën e tretë. Kur janë 2 që vijnë menjëherë marrin të dy nga 800. Kur janë 3 që vijnë menjëherë marrin të tre nga 1200.

Nga ana tjetër kemi vendosur të rrisim pagën minimale nga 240 në 260 mijë në muaj.

Mbyllim me këtë vit, edhe epokën e zymtë të lojërave të fatit. Ndalohen  të gjithë lojërat e fatit nga nesër dhe qindra, miliona euro që kanë shkuar në lumin dhe në llumin e kumarit dhe të basteve do të mbeten për konsum familjar, të të gjithë atyre që kanë fatin të kenë lojtar fati në familje.

Nuk hy sektor më sektor, për t’i lënë më shumë hapësirë pyetjeve tuaja.

-Zoti kryeministër referuar ndryshimeve në qeveri që prezantuat vetëm pak ditë më parë, pyetja ime është që përse zgjodhët përsëri një profil teknik për ministrat e rinj, ndërkohë që ditët e fundit keni patur edhe mjaft këshilla publike që t’u riktheheshit profilit të ministrave politikë, njerëz që ndoshta janë më të ndjeshëm ndaj votës që kërkohet në zgjedhje. Referuar gjithmonë ndryshimeve ne qeveri. Herën e fundit kur ndryshuat ministrin e brendshëm patët deklaruar në parlament  se do ti drejtoheshit Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar ngërçin e krijuar, gjë të cilën nuk e bëtë. A  mund t’ju pyes përse nuk ju drejtuat gjykatës kushtetuese dhe a i druheni faktit se presidenti meta mund të krijojë përsëri mosbindjen për ndonjë nga ministrat e rinj?

Kryeministri Edi Rama: Së pari unë e konsideroj tërësisht humbje kohe debatin teknik, joteknik. Ndërkohë që më kujtohet fare mirë që edhe kur krijuam qeverinë e parë pas fitores së zgjedhjeve në 2013 u kritikova ekzaktësisht për të njëjtën gjë dhe për disa vite ministrat që u larguan së fundmi, konsideroheshin si teknikë. Unë nuk e di këtë dallim se çfarë do të thotë. Unë di që PS është më shumë sesa anëtarësia e saj. Unë di që PS ka përgjegjësinë dhe detyrimin t’i japë mundësinë më të mirë të përfaqësimit të interesave të tyre, shqiptarëve, pa e konceptuar qeverinë dhe qeverisjen si monopol.

Unë di që të gjithë ministrat e rinj janë më me eksperiencë sesa ministrat që u larguan, ishin në ditën e parë të qeverisë në 2013 sepse askush prej tyre nuk vjen thjesht nga bankat e opozitës apo të politikës, por vjen nga eksperienca të mirëfillta pune. Unë di që kjo është një nga dallimet ose një nga ato që e bëjnë Partinë Socialiste,  Partia Socialiste. Unë vetë që më shikoni këtu, jam fryt i kësaj mënyre të të qenit të PS dhe i këtij raporti të PS me të gjithë shoqërinë dhe me atë pjesë të shoqërisë që ndihet pranë PS, por që nuk është e anëtarësuar në PS.

Ju kujtohet fare mirë që kur unë jam bërë ministër i kulturës, nuk isha anëtar i familjes socialiste, por isha një i “marrë nga rruga” që besoj që ka plot shembuj të tjerë dhe kjo është një traditë shumë pozitive që unë jam shumë krenar që e kam thelluar dhe sa jam në këtë detyre do ta vazhdoj ta thelloj, duke ju bërë apel kapaciteteve të mundshme në kontekste të caktuara për të adresuar qëllimin dhe objektiva të caktuara. Kam shumë besim që puna do të tregojë dobinë e gjithë këtyre zgjedhjeve.

Në çdo rast,  ata “këshilltarët publikë” do të bënin detyrën e tyre dhe po të ishin të gjithë “ministra politikë”, do të thonin ku janë ata njerëzit e ndryshimit, njerëzit e shoqërisë, njerëzit pa parti. Ndërkohë ju siguroj se ata që janë zgjedhur për qeverinë e re, janë njerëz që jo vetëm kanë kapacitet e tyre të padiskutueshme, por kanë një sens përkatësie ndaj vizionit, programit dhe mënyrës së të qenit në PS, pavarësisht se kanë apo nuk kanë kartë anëtarësie, gjë që edhe mund të mos ishte dhe prapë nuk do ishte aspak mëkat. E rëndësishme është që gjithmonë jam prirur të zgjedh shqiptarë të mirë.

Përsa i përket pyetjes tjetër, nuk shoh arsye për të dyshuar në faktin që Presidenti i Republikës do të marrë kohën e tij  dhe do të dekretojë ministrat, sikundër e kërkon Kushtetuta. Ndërkohë që po, ky ngërçi i kaluar do të adresohet patjetër në rrugën e duhur, për të patur një qartësi të plotë, jo për të djeshmen, as për marrëdhënien e sotme me Presidentin, por për gjithmonë në raport me këtë institucion garant të Kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Keni premtuar në vitin 2018, përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Do të përfundojë rruga sot në orën 24 ku8r të ndërrohen vitet? Së dyti sa i përket Erjon Braçes i emëruar në postin e zëvendëskryeministrit. Do të jetë figura më e rëndësishme pas jush, por ai ka kundërshtuar një pjesë të madh të të neneve që lidhen me paketën fiskale të buxhetit për vitin 2019, dhe amendamentet që ai ka propozuar, ju i keni kundërshtuar. Përse keni zgjedhur një person me të cilin keni ndasi për sa i përket programit tuaj ekonomik.

Viti 2018 është cilësuar si viti i protestave, duke nisur me atë të Kukësit dhe përfunduar me protestën e shqiptarëve të diasporës. Këto ndryshime në qeveri, a i përgjigjen protestave, sepse keni hequr ministren e Arsimit, por keni lënë ligjin e Arsimit të Lartë dhe një situate në universitete për të cilën ju keni shprehur shqetësime; keni hequr ministrin Gjiknuri, por keni lënë një situatë në të cilën ka akuza për korrupsion sa i përket projektit të Unazës së Re, keni hequr ministren Kumbaro, por keni lënë ligjin e posaçëm për Teatrin. A ndjeni se keni dështuar kur shikoni gjithë këtë valë pakënaqësish e revolte nga njerëzit?

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit. Besoj se pyetja e parë është retorike, nuk ka nevojë për përgjigje.

Përsa i përket Erjon Braçes, besoj që gjithë sa thatë ju tregon të kundërtën e asaj ë pretendohet e propagandohet nga shumëkush, që unë jam një person që dëshiroj të punoj e të rrethohem vetëm nga njerëz që janë dakord me mua në gjithçka. Kjo është e pavërtetë dhe gjithçka që ju përshkruat për Erjon Barces është një provë fantastike që rrëzon gjithë këtë propagandë non stop prej vitesh, lidhur me mënyrën si i shikoj unë marrëdhëniet me bashkëpunëtorët. Me këtë rast dua t’ju them që ajo që ajo që ju shikoni nëpërmjet televizorit, kur ka debate si dhe debati që ju iu referuat, është një e njëqinda e asaj që ndodh jashtë kamerave në debatet tona të brendshme; në debatet tona të brendshme  në qeveri, në Kryeministri, në grupin parlamentar dhe mes grupit parlamentar e qeverisë. Sepse ne jemi një familje që diskuton dhe një familje që kundërshtohemi me njëri-tjetri dhe që e bëjmë shumë mirë dallimin midis qëllimit të përbashkët dhe nevojës për të gjetur rrugën më të mirë. Do t’ju korrigjoj duke thënë se me Erjon Braçen nuk na ndan programi, përkundrazi, na bashkon programi, na bashkon qëllimi, na bashkon vizioni, por në momente të caktuara ka debate për mënyrën më të mirë të realizimit të programit. Me këtë rast dua t’i them të gjithë atyre që kanë kërkuar arsye dhe argumente për ta goditur zgjedhjen e Erjon Braçes se Erjon Braçes i merrni të keqen që të gjithë, pa diskutim. Për ju, Erjon Braçe rron dymijë vjet, jo njëmijë, se unë rroj njëmijë.

Përsa i përket protestave, është shumë interesante dhe është e mirëkuptueshme që ju të jeni në pamundësinë të ambientoheni me idenë që protestat janë pjesë e natyrshme dhe për mua e mirëpritur e një shoqërie demokratike normale. Ju nuk keni asnjë faj, sepse jeni rritur në një vend ku protestat ishin ekskluzivitet e opozitës politike dhe ku opozita politike vritej, plagosej e rrihej edhe në mes të bulevardit kur protestonte, kurse të tjerët e harruan të drejtën e protestës nga frika. Pasi jeni rritur në atë vend, ky vend  mund t’ju duket i çuditshëm, ose protestat mund t’ju duken fundi i botës. Ndërkohë që jo, protestat janë një mënyrë për të kërkuar të dëgjohesh kur për një arsye apo tjetër ke ndjesinë që nuk po dëgjohesh, apo realisht nuk je dëgjuar. Mos harroni që unë kam që ditën e parë, që kam kërkuar mandatin nga shqiptarët për të qeverisur pa të tjerë në prehër, që kam folur e flas për bashkëqeverisje me njerëzit. E protestat janë një aspekt shumë i dobishëm për të kuptuar pulsin e një segmenti të shoqërisë në një moment të caktuar. Me këtë teori i bie që çdo fëmijë që ankohet apo revoltohet ndaj prindit është një arsye madhore për prindin që të heqë dorë nga të qenit prind. Më vjen shumë mirë që protestat kanë ndikuar pozitivisht tek qeveria, edhe tek unë personalisht e më vjen shumë mirë për këtë. Natyrisht ka protesta e protesta. Se kur thoni protesta e diasporës pastaj, shkojmë tek ai i papërmbajturi gaz i Faik Konicës. Nëse ajo është diaspora, Shqipëria do të kishte vdekur e do ishte harruar kohë më parë, ndërkohë që ky vend pa diasporën, pa emigrantët nuk do të ishte gjallë sot.

Kështu që ka protesta e protesta, por të gjitha janë legjitime dhe është absolutisht i mirëseardhur çdo përfaqësues i diasporës së Teatrit Kombëtar, apo i diasporës së ligjit të Arsimit, apo i diasporës së çdo fushe apo veprimtarie ku ka ngelur në minorancë që të protestojë, nuk ka as më të voglin diskutim kjo. Ndërkohë që ne kemi detyrimin t’i dëgjojmë të gjithë, por kemi përgjegjësinë të udhëheqim.

Përsa i përket atyre që rreshtuat për ministrat më vjen shumë keq, por asnjë ministër nuk është shkarkuar. Ministrat janë zëvendësuar dhe ministrat që janë zëvendësuar kanë kontribute themelore në të gjitha transformimet që kanë ndodhur. I shikoni, apo nuk i shikoni, është e drejta juaj t’i mbyllni sytë. Janë të mjaftueshme apo jo, jam unë i pari që them jo, nuk janë të mjaftueshme, por Shqipëria sot nuk ka asnjë mundësi të krahasohet me Shqipërinë e para 5 viteve, në asnjë sektor.

Meqenëse folët për Lindita Nikollën, unë  dua t’ju them dhe nuk është diçka që e them për formalizëm, por diçka që e kam thënë dhe e përsëris me kënaqësinë e krenarinë më të madhe, Lindita Nikolla është ministrja që ka bërë atë që asnjë burrë në detyrë në atë ministri për 20 e kusur vite nuk e bëri dot. Është fakt, nuk është opinion. Është fakt nëse sot, ne kemi një sistem në Shqipëri, ku për të qenë mësues dhe për të qëndruar mësues, del e vepron vetëm merita jote dhe politika nuk ka më shans që ta marrë mësuesin prej zverku e ta trajtojë si të ishte leckë e ta nxjerrë jashtë për arsye të mosarsyes partike, kjo është meritë e Lindita Nikollës që ka udhëhequr një reformë të jashtëzakonshme që i ka kthyer mësuesit autoritetin e shkatërruar e sigurinë e munguar për vite të tërë.

Kush nga ju – sinqerisht se pastaj është tjetër gjë, kur tjetër mendon e tjetër thua, – e ka menduar se do të vinte dita në Shqipëri, që për të hyrë në universitet nuk ka pikë rëndësi si e ke mbiemrin, çfarë pune të bëjnë prindërit, je a s’je me kartë partie, sa lekë ka shtëpia, por do të mjaftonte merita.

Kush nga ju do ta kishte menduar që në këtë vend, ku sigurisht duke qenë edhe vend i vogël, ku jemi të gjithë kushërinj, ka gjithmonë interferenca që duket deri të pakapërcyeshme organikisht,  do të arrinte dita që fëmija i një të pushtetshmi nuk ka shans t’i zërë vendin fëmijës së një bariu, në rast se fëmija ie bariut ka rezultatin më të mirë në platformën dixhitale të hyrjes në universitet?

Kush nga ju e kishte menduar më parë që gjithë fuqia e politikës dhe e drejtuesve të universiteteve, për të marrë njerëzit në fakultet, do të zerohen nga merita.

E pra, askush nga ju s’e kishte menduar dhe këtë e bëri Lindita Nikolla!

Ligji i Arsimit të Lartë është një nga ligjet më të mira që ka bërë Parlamenti i Shqipërisë. Është një nga ligjet më të konsultuara, më gjithëpërfshirëse në procesin e ligjbërjes dhe jo vetëm që nuk është arsye për të larguar Lindita Nikollën, por është arsye për ta respektuar, sepse udhëhoqi një proces konsultimesh si për asnjë ligj tjetër. Ligjin për Arsimin e Lartë nuk e ka bërë politika. Ne kemi pasur e kemi vizion të caktuar për arsimin e lartë, por ligji është produkt i një grupi njerëzish që janë mbledhur në një komision të hartimit të ligjit, nga të gjitha rrugët e jetës dhe nga të gjitha rrugët e bindjeve politike. Kush e bëri këtë?

Ashtu sikundër, nëse do t’i referohemi teksteve të shkollës, kush nga ju e mendonte se do të merrte fund historia e tmerrshme e qindra, mijëra teksteve  pa asnjë vlerë, që ju shiteshin me detyrim fëmijëve tanë dhe do të zëvendësohen nga tekstet e Oxford, Cambridge, Pearson dhe fëmijët tanë në sistemin parauniversitar do të mësonin njësoj, nga të njëjtat burime, si fëmijët e familjes së madhe europiane. Sepse nuk është thjesht çështja të heqësh libra, por të  godasësh rrjete të tëra korrupsioni e interesash që i prodhojnë ato libra. E bëri Lindita Nikolla!

Ndërkohë që ju flisni për akuzat për korrupsion, por akuzat për korrupsion dhe korrupsioni janë dy gjëra që jo domosdoshmërisht përputhem me njëra tjetrën. Përsa i përkjet Damian Gjiknurit, nuk është shkarkuar, por është zëvendësuar në kuadrin e atyre nevojave dhe atyre qëllimeve që unë i kam bërë publike. Por, padiskutim, ka bërë një punë transformuese, që kushdo mund ta mohojë sot, por që do të jetë e padiskutueshme kur të shihet ecuria, qoftë në sektorin e energjisë, qoftë në sektorin e infrastrukturës, për kaq pak kohë sa pati.

Nuk vishen më dritat në Shqipëri, ju ka mbërritur ky lajm?

Ju ka mbërritur ky lajm, që sot, ne kemi një transformim rrënjësor në sistemin elektroenergjetik shqiptar?

E këtë e bëri ai që drejtonte sektorin, pavarësisht vullnetit politik, pavarësisht mbështetjes.

E dini që gjatë këtij vit janë përfunduar 21 akse rrugore, janë rehabilituar 250 kilometra rrugë, ose 14 akse që ishin të degraduara komplet dhe 7 të tjera janë në përmbyllje procesi.  Janë bërë këtë vit, nën drejtimin e Damian Gjiknurit.

E dini që së shpejti nis puna për aeroportin e Kukësit dhe aeroportin e Vlorës. Janë procese të vështira, që nga e thëna në të bërë është realisht një det i tërë, se ka negociata, ka kontrata, ka probleme. Kush i bëri këto?

Aeroporti i Kukësit është premtuar që do hapej sa herë kishte fushatë në Kukës. Aeroporti i Vlorës është premtuar që do bëhej qëkur ka filluar lëvizja e lirë e qytetarëve.

Po hekurudhën Tiranë-Durrës, e dini që është gati nënshkrimi i kontratës dhe fillimi i punës? Ishte menduar ndonjëherë që do të fillonte rindërtimi i hekurudhave në Shqipëri! Po hekurudhën Fier-Vlorë të mallrave që ka filluar punën, e  keni marrë vesh? Kush i bëri të gjitha këto?

Sa për atë akuzën, më falni, po kompani që hyjnë me letra të falsifikuara nëpër tendera ka në të gjithë botën. Një qeveri, një ministri, një ministër nuk gjykohen nga fakti nëse hyn apo nuk hyn një kompani me letra të falsifikuara. Gjykohen nga mënyra sesi reagojnë në momentin kur fakti konstatohet. E dini që në Shqipëri është shitur një nga asetet më të mëdha strategjike të vendit me letra të falsifikuara dhe askush, sot e gjithë ditën nuk ka dhënë llogari për këtë.  Ndërkohë që, përsa i përket rastit në fjalë, ku është korrupsioni që ka ndodhur, që të jem unë i qartë? Si?

Ndërkohë që garancia e vendosur nga kompania në fjalë do të sekuestrohet dhe do të kthehet në një fond banesash për ata të varfër që preken në shtëpinë e tyre nga ndërtimet publike. Patjetër që është një rast ku prokuroria duhet ta bëjë deri në fund detyrën e vet dhe jam i bindur do ta bëjë, se heton prokuroria shqiptare, heton dhe prokuroria në Amerikë. Kështu që çdo gjë është OK nga pikëpamja e potencialit të ndëshkueshmërisë për këtë.

Së pari kam një kërkesë. Ju lutem, a mund të më vini në dispozicion CV-në e ministrit të Jashtëm, Genti Cakaj, sepse kam kërkuar gjithë këtë kohë në internet, madje as në faqen e Ministrisë së Jashtme nuk është CV-ja e tij dhe ju lutem, certifikatën e sigurisë nëse e disponon dhe nëse nuk e disponon, pse nuk e ka se zëvendësministri duhet ta ketë. Duke qëndruar tek diplomacia, a ishte arsyeja pse ministri Ditmir Bushati u zëvendësua nga mosdakordësia lidhur me çështjen e Kosovës? A do ishte më e drejtë dhe më fear që ju merrnit vetë drejtimin e Ministrisë së Jashtme, siç bëri homologu juaj Cipras, kur shkarkoi Kotzias, për të vijuar marrëveshjen me Greqinë, e cila nuk dimë në çfarë faze është deri më tani?

Kryeministri Rama: Më falni për krahasimin, por e kam të detyruar krahasimin, Gent Caka ka lexuar libra, më shumë se ju të gjithë keni thënë fjalë në jetën tuaj. Është fakt, nuk është opinion. CV-në e tij do ta keni në dispozicion kur ai të bëhet ministër dhe nëse nuk është në website e Ministrisë së Jashtme, është gjëja më e thjeshtë në botë. Por të jeni të sigurt se zgjedhja e tij është zgjedhja e një shqiptari si unë, si ti e si të gjithë ju. Unë e neveris çdokënd që nënvizon kosovarin si arsye për të kontestuar zgjedhjen. E neveris çdokënd që e nënvizon kosovarin si arsye për të kontestuar këtë zgjedhje. Nuk e the ti, por e kanë thënë të tjerë.

Përsa i përket pastaj insinuatës në fjalë, të përsëris fjalën? Nuk po e përsëris se e di që ti pyetjen e ke bërë pa tendencë negative dhe jam i bindur që është një pyetje e pafajshme. Nuk ka lidhje fare. Gent Caka është vendosur ministër për Europën dhe Punët e Jashtme për atë që ai përfaqëson, si një ndër njerëzit më të ditur që unë kam takuar në jetën time, si një njeri i përkushtuar ndaj një pune shumë të vështirë, si puna që ka bërë duke mbuluar të gjithë procesin e integrimit, ku kam mundur të vlerësojë kapacitetin e tij edhe si drejtues i një procesi shumë të vështirë dhe patjetër, edhe si një djalë që është shumë pranë vizonit, programit, mënyrës së të parit të gjërave të familjes sonë politike. Historia e tij nuk është shumë e gjatë, sepse ai është djalë i ri, por i tregon të gjitha këto.

Kështu që çfarë mbetet për të diskutuar? Mosha? Unë nuk mendoj që ky është një moment ku duhet të paragjykojmë, sepse s’dua të bëj krahasime, por ka pasur raste të tjera ministrash të Jashtëm, apo ministrash në fusha të tjera, në vende me shumë më tepër pesha dhe kanë pasur sukses, ose s’kanë pasur sukses, por jo sepse kanë qenë të rinj. Kështu që të jeni të bindur që zgjedhja është bërë për meritë dhe për aftësi.

Nuk ka lidhje me asnjë teori konspiracioni. Ditmir Bushati është ministri më jetëgjatë në punët e jashtme në historinë e tranzicionit. Është ministri, në këndvështrimin tim, më i mirë që kemi pasur në drejtimin e punëve të jashtme në historinë e tranzicionit, por, sigurisht, këtu mund të jem subjektiv. Dhe ju lutem, ky vend ka pasur ministër të Jashtëm, Aldo Bumcin dhe nuk ka bërë asnjë debat. Ky vend ka pasur barrën të mbajë Aldo Bumcin si ministër të Jashtëm dhe politika shqiptare i ka njohur vetes luksin që të emërojë Aldo Bumcin si ministër të Jashtëm dhe askush nuk ka marrë mundimin të marrë penën dhe të shkruajë një fjalë për këtë. Përkundrazi, është konsideruar krejt normale. Pikërisht ata që kanë konsideruar normal emërimin e Aldo Bumcit si ministër i Jashtëm, sot kontestojnë një nga djemtë më të ditur që ka gjenerata e re e shqiptarëve. Është të vësh duart në kokë, por unë nuk i vë, sepse ua lë kokave që t’i diskutojnë këto gjëra.

Gjithkush është në provë, por arsyet e zgjedhjes janë ato që kam thënë dhe ministrat që ishin në detyrë dhe janë akoma për disa ditë në detyrë prej 5 vitesh e gjysmë, mos harroni që kanë edhe të tjera detyra. Për mua nuk diskutohet që qeveria është shumë e rëndësishme, por ka një sërë elementësh të tjerë që janë realisht të paneglizhueshëm, që kanë të bëjnë me territorin, me qeverisjen në nivelin qendror në territor, me përgjegjësitë e disa prej tyre për të udhëhequr procesin e fuqizimit të bashkëqeverisjes në territor e kështu me radhë. Janë detyra nuk mbahen dot të gjitha bashkë me të njëjtën cilësi dhe në një moment të caktuar, gjërat peshojnë në një mënyrë tjetër. Por qeveria e re është dhe reflektim lidhur me nevojën për të zgjeruar kapacitetet tona komunikatave me shoqërinë, për t’u bërë pasqyrë më e gjerë e ambicieve dhe e nevojave të shoqërisë dhe për të pasur ne vetë më shumë kapacitete në veprim, qoftë në qeveri, qoftë në parti, qoftë në grupin parlamentar. Kështu që patjetër është dhe një reflektim, nëse e doni të vërtetën deri në fund. Të reflektosh është gjëja e parë që duhet të bësh kur ke përgjegjësinë të drejtosh.

Kryeministri Rama: A do votojnë emigrantët? – thotë dikush në një pyetje që vjen nga rrjetet sociale.

Është një pyetje që duhet t’ia bëni doktores së shkencave Monika Kryemadhi dhe bashkëvuajtësit të saj, Lulzim Basha, sepse vota e emigrantëve është “A”-ja në procesin e reformës zgjedhore për ne. Ne u përgatitëm shumë fort, për të pasur një reformë zgjedhore që të adresonte edhe kërkesat, pretendimet, ankesat e opozitës, duke arritur deri në një propozim për të testuar votimin dhe numërimin elektronik dhe opozita ngrohte vezë jashtë Parlamentit dhe erdhi në Parlament, jo për votën e emigrantëve, por për të plasur vezët e ngrohura, që rezultuan të papërdorshme, pa produkt. Kështu që ne mbetemi të vendosur për votën e emigrantëve, por na duhet patjetër që dhe opozita të jetë dakord dhe të punojë me ne që ne vitin 2021 ta kemi vitin kur të gjithë shqiptarët, brenda ose jashtë, të japin votën e tyre. Duke qenë se opozita i organizon dhe i përshëndet protestat e diasporës me 100 vetë dhe me bindjen që miliona të tjerë do donin të ishin në këto protesta për të rrëzuar qeverinë, le ta vendosim sëbashku, t’u japim emigrantëve të drejtën e votës dhe pastaj të fitojë më i miri.

Meqë jemi te Kodi Zgjedhor, Zoti Kryeministër, në ndryshimet që i janë bërë Kodit pas reformës territoriale parashikohet që mos të ketë më kandidim, të ketë pengesë për kryetarët e bashkive që i kanë konsumuar 3 mandate. A do të jetë ky kriter që do zbatohet nëpër zgjedhjet që ju do bëni për kandidatët për kryetarë bashkie për zgjedhjet e 2019-ës? Ka dy bashki, siç është Bashkia e Durrësit dhe Bashkia e Elbasanit, që ka kryetarë bashkie që i kanë konsumuar këto 3 mandate. Pyetja tjetër lidhet me protestën e studentëve të cilët kanë paralajmëruar se do të rikthehen në 7 janar në protestë, ju miratuat në qeveri javën e kaluar një Pakt që iu ofrohej studentëve. A jeni gati të ofroni më shumë se kaq? Ju iu referuat edhe në parashtresën që bëtë në fillim të kësaj konference për shtyp kolapsit financiar që gjetët kur erdhët në qeveri. Me sa kam mundur të ndjek, në këto 5 vite për të gjitha reformat që nuk kanë mundur të bëhen ju keni fajësuar pikërisht këtë kolaps këtë krizë të madhe që gjetët në buxhetin e shtetit, por unë besoj se pavarësisht se vendimet janë kolegjiale në një qeveri në 8 vitet e qeverisës së PD ka pasur një emër konkret që merrej me politikat ekonomike, financiare dhe ishte ministri i financave Ritvan Bode, të cilin ju e propozuat anëtar të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Kush ishte arseja? PD e mohoi që ishte propozim i tyre. Pse propozuat zotin Bode si anëtar të Këshillit Mbikëqyrës?

Kryeministri Rama: Së pari, që të vendosim disa pika mbi “i”, se ishte parashtesa shumë impenjative, ne e kemi shmangur kolapsin financiar në 2013-ën. Po t’i referoheni të gjitha bisedimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar, kur ne erdhëm në qeveri, aty do të lexoni qartësisht se çfarë kërcënimi kishim përballë, rrezikonim të mos jepnim dot pensionet në fund të nëntorit, të plota dhe rrogat. FMN na kërkoi uljen e rrogave dhe të pensioneve. Nëse ju kujtohet 2011-ta, 2012-ta, 2013-ta, kanë qenë vite ku përgjithësisht shumë vende nën goditjen e krizës financiare ulën rrogat dhe pensionet, edhe në rajon. Sigurisht që ne, jo vetëm nuk ulëm rrogat dhe pensionet, por bëmë ndryshimin e sistemit të taksave. Ulëm taksat e ishte gjëja e parë që kemi bërë në buxhetin e 2014-ës. Pra, ne e shmangëm kolapsin financiar dhe këtë gjë e thonë qartësisht të gjithë dokumentet dhe çdokush që përfaqëson FMN dhe BB.

Së dyti, unë s’kam fajësuar kënd, sepse nuk ka pasur reforma që nuk kanë ecur. Ka pasur reforma që kanë ecur më shpejt, më ngadalë, por të gjitha reformat tona kanë pasur ecurinë e tyre. Unë kam thënë diçka tjetër, sikur të mos kishim një mal me borxhe për të shlyer, patjetër do kishim më shumë mundësi. Bonusin e bebes sot, afro 20 milionë dollarë që ne ua vëmë në dispozicion çdo bebeje që do të lindë nga nesër, do ta kishim vënë më parë, por nuk i kishim mundësitë. Zerimin e taksës mbi Vlerën e Shtuar për inputet bujqësore do e kishim bërë më parë, por nuk i kishim mundësitë.

Përsa i përket Ritvan Bodes, është propozuar nga unë, në funksion të vizionit dhe të qasjes që besoj unë na ka takuar të kemi në raport me Bankën e Shqipërisë. Është propozuar si një personalitet që vinte dhe vjen nga radhët e opozitës dhe jo tonat, nga radhët e kundërshtarëve, – se këtu është çudi e madhe, kur propozon nga radhët e tua është problem, kur propozon nga radhët e kundërshtarëve është problem, kur propozon nga radhët e shoqërisë është problem. Por zgjedhja e Ritvan Bodes është bërë me këtë filozofi. Shumë e thjeshtë. Pastaj, nëse do hyjmë të diskutojmë se kujt i dedikohen çmenduritë e bëra në periudhën e qeverisjes së asaj kohe, gjithmonë e më të largët dhe pa kthim, do kishim mendime të ndryshme, por nuk ia vlen, se nuk është kjo tema.

Përsa i përket studentëve, unë nuk i kam ofruar studentëve ende Paktin. Pakti është duke u shkruar nga një grup i gjerë pune, që drejtohet nga zëvendëskryeministri i ri, qyshkur ishte ditën e parë në krye të grupit për të koordinuar të gjithë punën dhe çfarë kam bërë, çfarë do të bëjmë, nuk është si rezultat i presionit, por si rezultat i bindjes në ato kërkesa, që janë në këndvështrimin tim dhe tonë të drejta. Por, nëse studentët do të kishin protestuar para 3 vitesh, ose 2 vjetësh, nuk do ta bënim dot përgjysmimin e tarifave, se nuk kishim mundësi financiare. Sot e bëjmë se kemi mundësi financiare. Pra, kemi nevojë të rrisim shumë më tepër mundësitë, për të adresuar shumë gjëra që ende janë të pa adresuara, por kemi më shumë mundësi financiare.

Studentët nuk do të paguajnë gjysmën e tarifës në fillim të vitit, se do e paguajë qeveria për të gjithë, me ato diferenca që kemi bërë dhe do paguajmë edhe për ato me 4-ra e me 5-sa, të cilëve do t’u japim mundësinë që në një start të barabartë të kalojnë mbi 4-ën dhe 5-ën, sepse, përndryshe, në vitin e ardhshëm akademik nuk do kenë asnjë qindarkë. Dhe jo me protesta, por në asnjë mënyrë tjetër nuk do mund dot ta bëjmë këtë gjë, sepse është e padrejtë, e pandershme që t’iu kërkojmë të gjithë kontribuuesve të këtij vendi që me taksat e tyre të financojnë ata që nuk mësojnë. Kaq e thjeshtë. Por të gjithëve do t’u japim një start të barabartë, do t’ua paguajmë tarifën 100% atyre me 9-ta dhe me 10-ta dhe do t’u japim 1200 dollarë në vit bursë, ose 100 mijë lekë çdo muaj, që s’ishte fare në kërkesat e tyre. Ashtu sikundër do bëjmë të njëjtën gjë për ata që janë nga familjet me ndihmë ekonomike. E kanë pasur në letër, por shumë herë janë penguar nga këshillat bashkiakë. Do ta bëjmë në mënyrë direkte për të gjithë, edhe për para e tetraplegjikë, të verbër e kështu me radhë. Plus disa kërkesa të tjera, plus çfarë do bëjmë vetë.

Ne po punojmë për diçka që studentët nuk e kanë kërkuar, por që na kanë dhënë mundësinë sot ta bëjmë. Do kisha dashur ta bëja më parë, por do kishte qenë një gjë e pamundur për t’u kapërcyer, sidomos me Komisionin Europian, që të gjitha vendet e punës në të gjitha dikasteret qendrore, në të gjitha agjencitë që janë në kornizën e Shërbimit Civil e që kërkojnë konkurs, ku penalizohen për shkak të ligjit, jo sepse ligji është i keq, – është ligji i Bashkimit Europian, – por penalizohen ata që janë më të mirët dhe s’kanë eksperiencë pune, do të jenë në dispozicion të më të mirëve. Ka filluar puna për Platformën. Do të shpallen të gjitha në një Platformë ku kush është me 9-ta e me 10-ta, duke filluar nga ata që kanë mbaruar jashtë, të cilët do kenë preferencën e parë, ata që kanë mbaruar universitetin publik, që do kenë preferencën e dytë dhe ata që kanë mbarur universitetet private që do kenë preferencën e tretë, – kuptohet flasim për universitete të certifikuara dhe jo për ato që s’janë më, – do të zgjedhin sipas meritës. Ai që ka rezultatet më të mira, p.sh, në ekonomik është i pari dhe do ketë mundësitë të thotë nëse do të shkojë të punojë në Ministrinë e Financave, d.m.th. ta zgjedhë vendin vet  të thotë “në këtë vend”, sipas profilit. Nëse nuk do, vjen i dyti  e me radhë. Nuk janë pak, por janë afro 1000 vende pune, plus pak më shumë se 1000 të tjera në pjesën tjetër që nuk është administratë civile, p.sh., në hipotekat e Shqipërisë, në zyrat e ALUIZNI-t, në zyrat e Sigurimeve Shoqërore. Çdo vend pune i lirë do të jetë në dispozicion të tyre.

Me këtë rast, unë do t’i jem mirënjohës të gjithë jetën kësaj proteste, sepse më kanë hequr më në fund barrën e tmerrshme të inercisë së tepsisë që është një inerci që e ka trashëguar edhe organizmi i Partisë Socialiste, për hir të të vërtetës. Pastaj, duan të protestojnë, si do protestojnë, është puna e tyre, s’kam asnjë problem. Por, nga ana tjetër, ne do t’iu qëndrojmë të gjitha atyre gjërave që ne kemi detyrimin dhe përgjegjësinë t’iu qëndrojmë. Mandati i popullit e obligon këtë gjë. Kush do të mbysë ligjin e Arsimit të Lartë, të bëjë një parti politike, të bashkohet me partitë politike, por nuk mund ta përmbysë dot ligjin e Arsimit të Lartë me protesta, – s’bën vaki, – sepse është shprehje e vullnetit popullor të mishëruar me shumicë qeverisë. Ne ligjin e Arsimit të Lartë e konsiderojmë bazë absolutisht të sigurt të zhvillimit të arsimit të lartë në Shqipëri. Këtë e them unë sot, por këtë na e kanë thënë shprehimisht të gjithë ekspertët e huaj që e kanë parë ligjin dhe vetë Departamenti i Edukimit në KE. S’është ligji problem.

Protesta i është adresuar qeverisë dhe mua personalisht dhe mua kjo më ka frymëzuar dhe energjizuar jashtëzakonisht, për të zgjidhur diçka që faktikisht e ka zgjidhjen në universitet dhe problemi i universitetit nuk është ligji i Arsimit të Lartë. Problemi i universitetit është brenda në universitet dhe lidhet me mënyrën si funksionojnë punët në universitet. Megjithatë kjo është fazë tjetër. Unë jam me protestën për të përmirësuar universitetin. Fakti që po shkojmë përtej 8 pikave do të thotë që ne do ta udhëheqim protestën në kuptimin e udhëheqjes së një procesi që duhet të çojë në një transformim real, duke e zbatuar ligjin e Arsimit të Lartë dhe duke i dhënë më shumë fuqi forcave progresive në universitet. Ka një rrezik që e shoh dhe që duhet shmangur patjetër, që të anatemohen pedagogët të gjithë njësoj në universitet. Në Shqipëri ka pedagogë që janë heronj, por ka dhe pedagogë që s’duhet të jenë aty. Është shumë e thjeshtë. Kërkesa e studentëve për transparencën e titujve është një nga gjërat që do të ndodhin. Në rekordet e mbledhjeve të qeverisë mund të gjenden në të ardhmen disa mbledhje ku unë e kam kërkuar këtë gjë me forcë. Por e kam mirëkuptuar plotësisht Lindita Nikollën, që do të ishte e pamundur që ta çanim atë guaskë koorpotarivizmi mes atyre që kanë shitur e kanë blerë tituj. Sot e kërkojnë studentët dhe ne, bashkë me studentët do ta bëjmë. Ky është Pakti, që ne bashkë të bëjmë shumë gjëra, që përndryshe rrezikojnë  të mos bëhen përsëri.

E rëndësishme që ne do fitojmë bashkitë që kemi dhe Bashkinë e Kukësit, pastaj të tjera çfarë do vijnë më shumë janë të mirëseardhura. Por bashkitë që kemi dhe Bashkinë e Kukësit, ne do t’i fitojmë. Pastaj emrat janë çështje e brendshme e PS-së. Nëse doni më shumë për emrat, kartën e anëtarësimit, ose sot në ditën e fundit të vitit, ose nesër në 1 janar, pas bonusit të bebes, edhe mirëseardhja për ju dhe pastaj flasim për emrat.

Zoti Rama, a mendoni se keni marrë kosto politike me zëvendësimin e gati 3/4-at e kabinetit tuaj qeveritar brenda 1 viti? Pse ky vendim pak muaj përpara ngritjes së SPAK? Dhe nëse më lejoni, kam një pyetje të mbartur nga Konferenca e fundvitit 2016 dhe 2017-ës për çështjen e Klement Balilit, për të cilin ambasadori amerikan ka thënë se është peshk i madh. Çfarë po ndodh me të?

Kryeministri Rama: Nuk e kuptova lidhjen midis ndryshimeve në qeveri, SPAK-ut, viti. Janë të thella si lidhje dhe unë nuk i kap dot. Por ajo që unë mund të them është se nuk kam ndërruar një qeveri pas një viti, por kam ndërruar një grup ministrash pas 5 vitesh e gjysmë punë dhe kontribut. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Plus, edhe disa ndryshime të tjera për të krijuar një skuadër të re, një qeveri të re. Kjo është qeveri e re, në kushte kur kemi disa sfida njëkohësisht. Unë e konsideroj pjesë të patjetërsueshme të sfidës qeverisjen e territoreve nga institucionet qendrore dhe fuqizimin e mëtejshëm të PS-së. Këto dy gjëra do t’i ndjekin shumë më mirë dhe shumë më nga afër, ata, të cilët kishin detyrë t’i ndiqnin dhe bënin dhe ministrin në një mbingarkesë të plotë. Këto lidhjet e tjera, jo SPAK-u, janë po aq fantazi sa heqja e ministrit të Jashtëm për llogari të Beogradit, gjëra që nuk meritojnë humbje kohe. Kështu që po ju them që ndryshimin e qeverisë e kam menduar që në shtator, pak nga pak, për këto arsye që po ju them. Sigurisht që protesta e studentëve ka qenë një shtysë e fortë për të finalizuar një proces që kishte filluar ndërkohë të elaborohej në drejtim të ripërtëritjes. Kjo është e vërteta. Të tjerat janë interpretime që ua lë juve dhe atyre që i bëjnë, se normalisht është puna juaj kjo.

[Për pyetjen mbi Balilin] S’kam asgjë të re për të thënë për këtë çështje. Janë ato që kanë qenë dhe është ajo që dihet.

Kryeministri Rama: Përsa i përket lojërave të fatit – një pyetje nga ndjekësit në rrjet.

Dua të theksoj që kemi konstatuar disa përpjekje për të krijuar skema lojërash ilegale, për të transformuar lokalet ekzistuese në klube ku pronarët të përdorin skema të mbyllura. Po ju them të gjithë atyre që i kanë hyrë kësaj fantazie, që do përfundojnë aty ku kanë përfunduar bosët e tyre. Kaq po ju them. Ndërkohë që e gjithë Policia e Shtetit është në këmbë nga nesër, për të mos lejuar që asnjë njësi e lojërave të fatit të vazhdojë të operojë. I lutem të gjithë qytetarëve në çdo pjesë të territorit të njoftojnë në rast kur një gjë e tillë ndodh. Plani Kombëtar që çoi në zhdukjen e fenomenit të kanabisit, duke i konsideruar parcelat e fotografuara si vende krimi dhe duke iu thënë të gjithë komisariateve të policisë, që ky është një vend ku ka ndodhur një krim dhe nëse krimi përsëritet në këtë vend, përgjegjësia është e juaja, ka qenë një eksperiencë shumë pozitive, që është replikuar me njësitë e lojërave të fatit. Njësitë e lojërave të fatit në çdo komisariat janë të identifikuara dhe nëse një njësi do të punojë haptazi, – që shpresoj që jo, ata kanë shumë mëkate, por budallenj nuk janë, – ose mbylltasi  dhe do të konstatohet kjo gjë nga qytetarët, shërbimet, apo rrugë të tera, mediat, përgjegjësia do të bjerë direkt mbi drejtuesit e policisë dhe do të largohen nga Policia e Shtetit. Ky ka qenë mesazhi që ka dhënë dje, ministri i Brendshëm. Ky është mesazhi që unë përsëris sot, duke ritheksuar atë që tha ministri i Brendshëm: Boll më me paratë e prindërve, që mezi i nxjerrin, të derdhura në lumin dhe në llumin e kumarit! Boll! Ato para duhet të mbeten për konsumin familjar.

Ndërkohë që pyetjes tjetër, po ata që mbeten pa punë? – i përgjigjem shumë thjeshtë, për vitin e ardhshëm kemi një rritje të numrit të të gjithë kurseve të trajnimit profesional. Nga ana tjetër, zyrat e punës kanë realizuar ndërmjetësime për 34 mijë e disa qindra të tjerë të punësuar janë në dispozicion. Së treti, në ekonominë e tregut, shumë nga ato agjenci do të transformohen në biznese të tjera e aty përsëri do të ketë vende pune. Kështu që besoj se përtej dhimbjes që krijon kjo përkohësisht, benefitet janë të pallogaritshme në raport me dhimbjen.

Vazhdon pyetje për aeroportin e Kukësit, na e premtove. E vërtetë është dhe siç e  thashë edhe më parë për imputet bujqësore, i kemi premtuar që në vitin 2013 dhe i kemi realizuar sot, sepse sot kemi arritur t’i krijojmë mundësitë. Aeroportin e Kukësit e kemi premtuar e do të fillojmë ta ndërtojmë në pranverën e vitit të ardhshëm, sepse procesi është goxha i avancuar tanimë. Ndërkohë që duhet ta kujtosh se ta kanë premtuar aeroportin e Kukësit që kur ke qenë i vogël dhe për vitin e ri vitin e ardhshëm, nga Londra do vish direkt në Kukës dhe Kukësi do ketë një aeroport me fluturime low cost kryesisht. Nuk do presësh sa ke pritur.

Për shëndetësinë janë bërë investime, – thotë një tjetër, – por njerëzit ankohen. Kurrë nuk do të jetë mjaft për shëndetësinë. Gjithmonë do ketë njerëz që do ankohen. E rëndësishme është që ne të vazhdojmë të bëjmë më shumë. Kemi rindërtuar 80 qendra shëndetësore këtë vit dhe 100 janë në planin e vitit të ardhshëm. Po ashtu disa maternitete të reja, disa spitale të reja do të ndërtohen. Ne do të vazhdojmë punën.

Zoti Kryeministër, kush e financon rindërtimin e banesave të familjeve të varfra që ju i vizitoni e më pas i publikoni? Nëse bëhet me kompani private, a mund ta dimë se kush janë këto biznese që paguajnë e japin paratë e tyre për një iniciativë të Kryeministrit? Faleminderit!

Kryeministri Rama: Është e njëjta gjë që bëjnë edhe ata të tjerët që më kanë frymëzuar dhe mua të jap kontributin tim, duke iu kërkuar kompanive që të rindërtojnë, apo ndërtojnë shtëpi të familjeve të varfra. Nuk ka asnjë ndryshim nga ajo që bëhet nga të tjerët. Nuk janë para të buxhetit. Është thjeshtë kërkesa ime e drejtpërdrejtë. Kur nuk merr lekë për vete, mund të kërkosh lekë për të tjerët. Ky ka qenë parimi im që në Bashkinë e Tiranës, pavarësisht se çfarë thonë e çfarë do vazhdojnë të thonë. Me këtë skemë bëhet kjo gjë.

Unë dua të bëj diferencën me ata që bëjnë bamirësi, që nuk janë Kryeministra. Ajo që dua të kuptoj, pse kërkova emrat, është për të bërë një krahasim, nëse këto kompani që ju ndihmojnë juve për të fituar kapital politik, përfitojnë diçka më pas?

Kryeministri Rama: Për të fituar unë kapital politik më ndihmojnë këto kompani? Dakord, është këndvështrimi ekstravagant i juaji, kurse këndvështrimi im është që shumë familje do ta festojnë vitin e ri në shtëpi dinjitoze dhe gjëja më e rëndësishme është që nuk do ndaloj së përsërituri që në ato familje, unë kam takuar fëmijë që mësonin me çadër në kuzhinë, sepse çatia… mund të quhej çati thjesht për eufemizëm dhe janë me të gjitha dhjeta. Sigurisht që kompanitë janë kompani shqiptare, nuk janë fantazma, të cilave unë u kërkoj që të bëjnë këtë gjë. Kaq e thjeshtë është kjo. Nuk ka asgjë këtu për të diskutuar më shumë dhe kam mundësinë t’ua kërkoj sepse nuk u kërkoj gjë tjetër e do vazhdoj t’jua kërkoj. Mbase edhe ju mund ta bëni këtë gjë e mund të bashkohemi bashkë, për të pasur gjithmonë e më shumë.

Unë jam Kryeministër, faleminderit që ma kujtove, nuk e kam harruar, por, përderisa kam mundësinë ta bëj edhe këtë, pse mos ta bëj e pse nuk duhet bërë? Sigurisht që këto shtëpi nuk zgjidhin të gjithë problemin, sigurisht që, duke bërë këto shtëpi, unë nuk mendoj fare që bëj pjesën tjetër të punës që janë reformat, që janë programet e ndihmës, të trajnimit e të tjera. Janë disa mijëra njerëz të dalë nga ndihma ekonomike që janë punësuar, por, përderisa e kam këtë mundësi, do ta bëj dhe  nëse do kemi mundësi, do e bëj edhe më mbrapa. Isha në 3 vjetorin e Fundjavës Ndryshe dhe e përsëris sot, nuk kam pasur ndonjëherë drejtor në jetë se kështu më ka ardhur jeta. Mbasi të mbaroj këtë detyrë, nëse do kem drejtor ndonjëherë, do jetë Arbër Hajdari. Pra, do jem një vullnetar i Fundjavës Ndryshe. Ju do vazhdoni të jepni lajme e për fatin tim të mirë, ndoshta nuk do merreni më me mua, kurse unë do vazhdoj të merrem me familjet në nevojë, jo për të përfituar kapital politik, por duke e vendosur kapitalin tim politik në dispozicion të tyre. Është ndryshim shumë i madh.

Në një konferencë të ngjashme 3 vite më parë, reforma në drejtësi që ju prezantuat dukej si një projekt ambicioz. Sot, pas gati tre vitesh kur ka nisur të jepen edhe efektet e para të kësaj reforme, si e vlerësoni atë?

Një pyetje tjetër, pavarësisht se ju folët me superlaiva për Zotin Cakaj, propozimin tuaj për ministër të Jashtëm, a ka patur reagime nga diplomacitë ndërkombëtare dhe doja të dija, a kanë reaguar ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën për propozimin tuaj? Faleminderit!

Kryeministri Rama: Faleminderit për pyetjen, sepse nuk e preka këtë aspekt. Besoj se ajo që ka ndodhur këtë vit me drejtësinë është monumentale. Është nga ato gjëra që, nëse më thoni që disa vite më parë e imagjinonit, do gënjeni, patjetër, prandaj më mirë mos e thoni. Se do vinte dita që në Shqipëri do të zhbëhej e gjithë kasta e sistemit të drejtësisë dhe do të largoheshin nga sistemi ata, të cilët janë jo peshq të mëdhenj, por peshkaqenë, kjo është diçka që po ndodh jo se dikush erdhi nga hëna ta bëjë, por sepse e dëshiruam ne, sepse luftuam ne, sepse ishim ne që ishim gati të vinim në diskutim edhe pushtetin për të kaluar reformën. E ja ku jemi sot, me një numër të konsiderueshëm peshkaqenësh që janë në rërë.

Atyre që thonë se kur do futet në burg ky, nuk fute në burg këtë e atë, ju kujtoj që unë nuk jam as prokurori i përgjithshëm, as gjykatës, as hetues e as e kam pasur, as e kam e as nuk kam ndërmend të imagjinoj se mund ta marr rolin e atij që fut në burg njerëz. Në burg, të korruptuarit, të inkriminuarit i fut drejtësia. Sigurisht që e kuptoj padurimin, e kuptoj lodhjen, e kuptoj mërzinë, i kuptoj të gjitha, por nuk di një rrugë tjetër. Rruga është të krijojmë një sistem drejtësie funksional, ku ata që kalojnë vetting-un nuk i kanë borxh askujt, përveç vetes së tyre, meritës së tyre, integritetit të tyre dhe nesër nuk i kap dot njeri nga xhaketa, siç i ka kapur gjithë jetën politika gjykatësit, për të nxjerrë të pafajshëm me procedura, apo me raport mjekësor, një të korruptuar.

Do kohën e vetë, patjetër. Flasim për shtetbërje, nuk flasim për të bërë një reportazh, as për të bërë një lajm. Është proces. Vendet që ne i shohim me admirim e kanë ndërtuar shtetin prej qindra vjetësh. Ne jemi fare të rinj në këtë përpjekje dhe nga ana tjetër, kush thotë pse vetëm për t’i hequr nga puna, duhet ta kuptojë që çdokush, edhe këta që largohen nga sistemi i drejtësisë, nëse kanë për të dhënë llogari, do ta japin para një drejtësie të re. Kështu që unë personalisht jam shumë i vetëdijshëm për faktin që çfarëdo të bëjmë ne, jo ne, por kushdo që të ishte në qeverie, çfarëdo që të bënte, nuk do arrinte dot t’i plotësonte të gjitha ato që duan ata që sot janë prindër, apo gjyshër e gjyshe. Por ama ajo që po bëjmë ne është ajo që nuk e ka bërë asnjë qeveri më parë. Po punojmë çdo ditë që të plotësojmë atë që duhet dhe do duan nesër fëmijët e sotëm të këtij vendi.

Nëse ju i vutë re të gjithë studentët dhe patë ndërmjet shumë gjërave të asaj proteste dhe një dimension shokues të nivelit të komunikimit, kjo vjen jo si rezultat i fajit të tyre, por si rezultat i një sistemi gjërash dhe i një politike që mendoi gjithmonë vezët sot e jo pulën mot, gjithmonë mendoi pushtetin sot dhe jo gjeneratën tjetër, jo shtetin nesër, që nuk i bëri kurrë reformat që duheshin bërë. Nëse reformat që ne kemi bërë, apo që kemi nisur të bëjmë, do ishin bërë 20 vjet përpara, sot do kishim një Shqipëri tjetër. E pra, unë dua që Shqipëria pas 20 vjetësh, e fëmijëve që lindin e rriten sot në Shqipëri të mos i ngjajë kësaj dhe do t’i ngjante kësaj, në rast se ne do vazhdonim të njëjtin avaz, në rast se ne nuk do bënim këto reforma e në rast se ne nuk do guxonim të shkonim më thellë sesa guxuan të tjerët të shkojnë. Në këtë pikë jam shumë i vetëdijshëm, jam shumë mirëkuptues për të gjithë ata që janë të paduruar dhe të lodhur e të bezdisur nga vonesat, por janë vonesa historike këto, sepse asnjë vend tjetër nuk e ka bërë një reformë drejtësie, siç e kemi bërë ne dhe këtë e thonë të gjithë. Asnjë vend tjetër! Është kohë shumë e shkurtër për të bërë një reformë kaq radikale, ndryshimin e plotë të Kushtetutës, ndryshimin e plotë të arkitekturës së sistemit, vetting-un, nxjerrjen jashtë të kaq shumë figurave kyç në sistemin e drejtësisë nga procesi i pastrimit dhe nuk e ka bërë askush në kaq pak kohë.

Përsa i përket ministrit të Jashtëm, ju siguroj është së pari, një zgjedhje për meritë, së dyti, është zgjedhja e një shqiptari të barabartë me të gjithë shqiptarët e tjerë. Fakti që ka lindur në Prishtinë nuk është një arsye për ta parë shtrembër, as një arsye për ta parë si diversant. Fakti që ka lindur në Prishtinë është vetë një arsye që unë vetë të jem krenar. Mbas Hasan Prishitnës, ministri i parë me origjinë nga Kosova, i lindur në Kosovë, janë dy të tjerë që nga Kosova hyjnë në qeverinë e Shqipërisë. Çfarë problemi ka? Përkundrazi. Edhe nëse ka të tjerë që shqetësohen, unë nuk nisem nga kush do shqetësohet në rajon, kush do shqetësohet në planet nga zgjedhja e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë. Unë nisem kush është ministri i Jashtëm më i mirë që mund të kemi sot, pas një ministri që padiskutim për mua mbetet më i miri i gjithë historisë së tranzicionit, Ditmir Bushati. Ky është mendimi im, mund të jem subjektiv e thashë.

Mbi këtë bazë jam nisur unë. Fakti që është edhe nga Prishtina, për mua është plus. Se si doni ta lexoni ju këtë e çfarë do shihni ju pas kësaj, është puna juaj. Unë them që ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha burimet tona njerëzore që kemi në dispozicion, të gjithë zonën shqipfolëse, edhe për ministra, edhe për ambasadorë, edhe për deputetë po të doni. Kështu do ishte mirë të ndodhi dhe ndodh. Kosova ka qenë shumë më e hapur, shumë më mikpritëse, shumë më e angazhuar për shqiptarët e Shqipërisë e këtu shoh një gjë që nuk më pëlqen. Më mban një erë të keqe, por do mësoheni dhe ju me ministra nga Kosova e me ministra nga diaspora, pak nga pak.

Zoti Rama, a ishin ndryshimet në qeveri një lëvizje e detyruar për të qetësuar përplasjet mes klaneve në Partinë Socialiste? A kishte në 2018-n një pakt midis ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të goditur elementë të partisë socialiste nëpërmjet Policisë së Shtetit dhe operacionit Forca e Ligjit, siç ka qenë rasti i Zotit Ndokaj, drejtorit të Burgjeve dhe kryetarit të Bashkisë së Durrësit?

Në 19 janar mbyllet hetimi për ish ministrin e Brendshëm, Zotin Saimir Tahiri. Nëse pas vendimit të gjykatës së Katanias, Zoti tahiri do shpallet sërish i pafajshëm, a i ka rrugët e hapur në Partinë Socialiste ?

Pyetja e fundit në lidhje me Unazën e Re. PD ka denoncuar zhvendosjen e lumit të Lanës për interesa të një biznesmeni për ndërtimin e një kompleksi rezidencial. A do të vijojë projekti i Unazës së Madhe, apo të do rrëzohet për të bërë një projekt të ri, duke qenë se rreth 200 banesa preken vetëm nga zhvendosja e lumit të Lanës?

Kryeministri Rama: Partia Demokratike thotë që është spostuar lumi, po ju çfarë thoni? E keni parë faktin? Është spostuar, apo nuk është spostuar lumi? Nuk e kam për debat, është pyetje retorike. Merrni hartën dhe shikojeni.

Plani i madh rregullues i Tiranës është indikativ dhe projekti i detajuar inxhinierik është diçka krejt tjetër, që do të thotë që çfarë prishet e çfarë nuk prishet, i mbetet kohës kur bëhet projekti. Aty nuk ka asnjë projekt e asnjë lloj procesi të nisur. Ka vetëm një indikacion të Planit të Përgjithshëm Rregullues. Kjo historia që “Partia Demokratike thotë”, apo “Partia Socialiste thotë”, është shumë e vjetër dhe shumë e lodhshme se ndërkohë jeni ju në mes që duhet të thoni edhe ju atë që shikoni dhe atë që vlerësoni se çfarë do them unë. Unë do them të kundërtën, por të vërtetën, njerëzit duhet t’i  ndihmoni ta gjejnë, duke bërë punën. “Këta thonë kështu”, “ata thonë ashtu”, ndërkohë që faktet thonë kështu, kjo nuk bëhet. Përkundrazi, por është temë tjetër.

Përsa i përket konspiracionit është e vërtetë, ka një komplot në Partinë Socialiste dhe unë jam shumë i shqetësuar për këtë komplot. Është një lëvizje konspirative që synon jo vetëm ato që thatë ju, por gjëra shumë më të rënda, që unë nuk mund t’i ndaj dot me ju dhe jemi duke menduar për një gjyq, për një gjyq popullor, edhe për dënime të rënda, për dënime shumë të rënda, internime, punë të detyruar. Dhe nuk diskutohet që koka e këtij komploti është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Është e qartë tanimë për mua, që ai është në krye të këtij komploti, i mbështetur fuqimisht nga ish ministri i Brendshëm dhe ka dhe të tjerë, por nuk mund t’jua them dot se cilët janë për momentin, se ne po hetojmë për këto lidhje. Dyshohet shumë edhe për përfshirjen e institucioneve të tjera në këtë konspiracion. Ka të dhëna që ka edhe një studim shkencor të Monika Kryemadhit për realizimin me sukses të një goditjeje fatale ndaj qeverisë dhe më vjen shumë keq që më kapët gafil, por jam i detyruar ta pranoj, por ju siguroj që ky grup armiqësor nuk e ka të gjatë. Erion Veliaj mund të dalë në televizor sa të dojë, mund të mbjellë pemë sa të dojë, por një ditë, në ndonjë nga ato pemë do të varet si shembull që në këtë parti grupet armiqësore do vazhdojnë të marrin goditjen e duhur. Kjo do të pasqyrohet dhe në veprën time numër 21 dhe një kopje të veprës do t’jua dedikoj juve të News24.

Përsa i përket çështjes së një tjetër njeriu të dyshimtë, një tjetër ministri të Brendshëm të Partisë Socialiste, kam vetëm një përgjigje për ju: Kërkojini falje si fillim për çfarë i bëtë bazuar tek thashethemet e dy përfaqësuesve të llumit, që jua dhanë juve si fakte dhe juve mbushët dynjanë, sikur ishin të vërtetat finale. Madje arritët në pikën që akuzuat mua dhe na akuzuat ne, pse nuk e çuam në burg, duke i hequr imunitetin. Kërkojini falje njëherë, pastaj shohim të tjerat. Kërkojini falje, jo se e them unë, por sepse pikërisht antimafia italiane dhe pikërisht prokuroria e Katanias i shkoi deri në fund atij hetimi dhe faktikisht nxori që gjithë ato muhabete që u pasqyruan si të ishin kapja në flagrancë e ish ministrit të Brendshëm, ishin kazan total. E tha prokuroria e Katanias, jo unë dhe për atë kazan, ju kërkuat llogari, pse ne nuk i hoqëm imunitetin që mbron deputetin nga burgu dhe pse nuk e çuam në burg. Të tjerat ia lëmë procesit, sepse ka një proces që vazhdon këtu dhe të mos flasim me “nëse”. Por, si fillim, mbylleni këtë vit me një kërkesë ndjese për Saimir Tahirin për atë pjesë. Për pjesën tjetër mos u ngatërroni as ju, ne nuk ngatërrohemi jo e jo, prokuroria ta çojë deri në fund çështjen dhe ta zbardhë deri në fund çdo akuzë ndaj tij. Deri kur? Deri në fund. Drejtësia nuk ka thënë fjalën e fundit.

Saimir Tahiri nuk është pjesë e familjes sonë politike e nuk ka asnjë lloj diskutimi çfarë do ndodhi sikur kështu, sikur ashtu. Ndërkohë nuk e kam mendjen atje, e kam mendjen tek ajo pjesë tjetër që është më e rëndë akoma, grupit armiqësor.

Zoti Kryeministër, ashtu siç thatë edhe ju përditshmëritë për Reformën në Drejtësi janë të mëdha, si nga shqiptarët, ashtu dhe nga ndërkombëtarët, si dhe një nga kushtet për hapjen e negociatave. Sot, pas shumë mundimeve është ngritur KLP dhe KLGJ, por KLP është e pastrehë, sepse ende nuk ka një zyrë ku të nisë punimet. Pse nuk është menduar më parë dhe a ka një zgjidhje për këtë?

Kryeministri Rama: Kjo është konferenca e fundvitit me mua, nuk është me entin e banesave. Kështu që, nëse ka ndonjë pyetje për vitin dhe për temat e mëdha, jam në dispozicion.

Por është pjesë e Reformës në Drejtësi, Zoti kryeministër

Kryeministri Rama: Meqë je me Juventusin,Të siguroj që shumë shpejt do zgjidhet ky problem, edhe falë faktit që u ngrit në konferencën e fundit të vitit. Por sido që të shkojë puna me godinën, ne do dalim kampionë prapë dhe i kemi shanset më të mëdha që të fitojmë dhe Chanmpions League këtë vit, megjithatë të presim deri në fund.

Doja të kthehesha pak tek ministrat që të gjithë tani po i quajnë teknikë. Çfarë prisni në terma praktikë nga këta ministra, të vijojnë politikat e ministrave që zëvendësuan, t’i ndryshojnë, t’i korrigjojnë dhe veçanërisht, meqë jemi televizion i orientuar nga ekonomia, për financat, do doja nëse keni një përgjigje, cilat janë detyrat e reja të ministres së Financave dhe shkurtimisht, dy fjali nëse mundem, për një shqetësim shqiptar, që ka të bëjë me pozicionin e euros ndaj lekut. Kemi një forcim të vazhdueshëm të lekut, po e monitoron qeveria gjë?  

Kryeministri Rama: Së pari, besoj që jo vetëm në Shqipëri, por askund nuk ka një ministër Financash simpatik. Edhe i joni nuk është simpatik, Arben Ahmetaj, sepse duke qenë ministër Financash është i detyruar të mbajë pozicione që nuk e bëjnë simpatik, por, siç thashë dhe për ministrat e tjerë, edhe për ministrin e Financave mund të them vetëm që ka bërë një punë shumë domethënëse dhe patjetër që rezultatet e arritura në këtë fushë janë në radhë të parë meritë e tij. Në tërësi, ajo që qeveria e re do të bëjë, do të jetë të përshpejtojë, të sjelli një ritëm më të lartë dhe të jetë shumë më me këmbë në tokë në marrëdhëniet me njerëzit. Nëse ka një gjë që unë e konsideroj arsye për të qenë kritik ndaj ministrave që largohen është një shkëputje nga njerëzit për 1001 arsye dhe se dyti, më shumë punë në ekip. Ju flisni e jo pa të drejtë, për ministri të mëdha, për super ministri, por koncepti i strukturës nuk lëviz. Mos harroni që ka vende shumë më të madh, ka vende që administrojnë triliarda, që kanë qeveri dhe më të vogla dhe ministri që janë shumë më të mëdha, por që ky koncept të jetësohet ashtu siç duhet dhe të funksionojë, duhet që skuadra të prevalojë. Pra, jo vetëm ministrat, por dhe zëvendësministrat. Nuk është e rastit që dy zëvendësministra sot bëhen ministra e ju siguroj që një pjesë e madhe e zëvendësministrave janë në kapacitete reale që mund të drejtojnë sektorë. Në këtë aspekt kemi pasur vështirësi e këtu, unë do të synoj shumë fort, që ministrat e rinj të jenë shumë më tepër drejtues strategjikë dhe shumë më pak mikromenaxherë që të merren me çdo detaj dhe zëvendësministrat të marrin shumë më tepër përgjegjësi. Kështu të ndahet barra në më shumë supe. Këto të dyja janë gjërat që besoj janë të rëndësishme për t’i dhënë më shumë rëndësi mandatit të dytë. E fundit, të jeni të sigurt që me qeverinë e re, ne kemi hedhur një hap të rëndësishëm për mandatin e tretë dhe këtë do ta provojë koha.

Doja t’ju pyesja në lidhje me marrëdhënien me Kosovën. Çfarë pritet të ndodhë në vitin 2019?

Kryeministri Rama: Faleminderit shumë për pyetjen, se u morëm me ministrin e Jashtëm nga Kosova, por jo me Kosovën. E faktikisht ishte një nga pikat që unë e kisha në fjalën përmbyllëse, mbasi të ezauroheshin pyetjet tuaja. Besoj se kemi hedhur një hap shumë të rëndësishëm me marrëveshjen e bërë pardje mes dy ministrave të Brendshëm, por është vetëm gjysma e hapit. Ndërkohë kemi punuar intensivisht, – ministri i Brendshëm Sandër Lleshi e ka nisur këtë punë që ditën e dytë të hyrjes në zyrë – për një marrëveshje Shengen me Kosovën. Marrëveshje Shengen në kuptimin e kufirit. Është analizuar gjithë marrëveshja Shengen, funksionimi i kufirit në zonën Shengen dhe të gjithë elementët që e bëjnë funksionale këtë marrëveshje. Qëllimi është që brenda pranverës, kufiri të jetë Shengen, si natyrë kufiri. Por kini parasysh që kjo kërkon që perimetri i sigurisë të jetë perimetri i të dy shteteve. Që do të thotë që çdokush që hyn në Shqipëri të jetë njëkohësisht i regjistruar në databazën e Kosovës dhe çdokush që hyn në Kosovë të jetë i regjistruar në databazën e Shqipërisë. Të njëjtën marrëveshje, ne do t’i propozojmë Maqedonisë, të njëjtën marrëveshje do t’i propozojmë edhe Malit të Zi, të njëjtën marrëveshje uroj dhe shpresoj më herët se vonë, ta kemi edhe me Serbinë, kuptohet nga ana e Kosovës. Ne nuk mund të vazhdojmë me historinë e një kufiri kaq viskoz mes Shqipërisë dhe Kosovës, është e pamundur.

Këtu, përtej gjithë interpretimeve që natyrisht do të rrjedhin nga fjala ime sot, përtej gjithë konspiracioneve, qëndron nevoja njerëzore dhe shumë e thjeshtë për të pasur një kufi fluid, për të pasur liri qarkullimi të njerëzve, të mallrave. Po punojmë intensivisht dhe për pjesën e shkëmbimit të mallrave. Ajo është pjesa më e vështirë. Patjetër që do garantojmë maksimalisht sigurinë dhe shkëmbimin e informacioneve, sepse përndryshe do të ishte e nxituar. Kështu që ne e kemi bërë detyrën tonë të shtëpisë. Ia kemi paraqitur palës kosovare dhe jam besimplotë që në pranverë nuk do kemi më kufirin që kemi, por do të kemi një kufi Shengen. Kjo është ideja. Një kufi europian d.m.th., që mos na thonë jo kështu, jo ashtu, po jua them që sot, që është një kufi europian, kopje e kufirit Shengen, me të gjitha lehtësirat e me të gjitha detyrimet. Duam dhe vizioni im është që këtë kufi ta kemi në të gjithë Ballkanin, por ne do ta fillojmë me Kosovën, sepse është më e thjeshtë.

Për ta mbyllur me mediat, projektligji antishpifie, në dijeninë tonë ju ka mbërritur një letër nga disa organizata të gazetarëve që ju kërkojnë ta tërhiqni këtë. Çfarë do bëni me këtë projektligj antikazan, antishpifje?

Kryeministri Rama: Ndërkohë dikush na pyet a ndryshojnë prioritetet në bujqësi me ndryshimin e ministrit. Absolutisht, prioritetet nuk ndryshojnë, ndryshon ministri e do të ndryshojnë disa aspekte të punës dhe mbi të gjitha do t’i hapet një perspektivë komplet e re studentëve më të mirë të Universitetit Bujqësor. Atyre që kanë mbaruar, ose ata që janë duke mbaruar, për t’u angazhuar në sistem, përtej kornizës së Departamentit të Administratës Publike, përtej vështirësive të konstatuara deri më tani.

Përsa i përket ligjit antishpifje, nuk kemi bërë asnjë shpikje. Jemi referuar modeleve perëndimore, modeleve të Bashkimit Europian e mbi të gjitha i jemi referuar ligjit kroat. Kroacia më rezulton që është një anëtare e BE-së dhe nuk kemi asnjë lloj fjale në ligj që të jetë një sajesë alla shqiptare. Është model funksional kundër kazanit. Është model funksional që plotëson një kuadër ligjor ekzistues në ligjin për mediat elektronike që është në fuqi, ku nuk do të ketë asnjë ndryshim. Janë të parashikuara edhe normat antikazan për televizionet, për radiot. Tani na ka dalë kjo bota e portaleve që është e parregulluar me ligj. Thjesht do të përfshihet dhe kjo dhe siç janë normat për mediat elektronike, do jenë edhe për portalet. Nuk ka asnjë gjë më shumë se kaq. Portalet, kuptohet, janë fundi i kazanit, kështu që do shkojmë deri në fund të kazanit për të normuar. Kush do shpifë, do paguajë, shumë e thjeshtë. Do paguajë e do paguajë konsiderueshëm dhe mund të vazhdojë të shpifë për sa kohë ia mban kurrizi. Kaq, nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar, për t’u alarmuar, liria e fjalës, liria e informacionit, liria e akuzave të mbështetura në fakte është 100% e garantuar. Ndërsa liria e shtypjes së të vërtetës përmes shpifjeve do të kufizohet, kjo është gjëja që do ndodhë, duke marrë për bazë ligjin ekzistues. Pra, tek pjesa e mediave elektronike nuk ka asnjë ndryshim, siç është. Do futen edhe këta në këtë kuadër e pastaj do përgjigjen sipas ligjit.

Duke ju falënderuar dhe duke parë që, për hir të vërtetës, sot keni qenë në sintoni me pyetjet përgjithësisht të miqve të rrjetit, ju falenderoj edhe për këtë, sepse kemi ezauruar një pjesë të madhe të kurioziteteve dhe të interesimit, dua ta mbyll me dy fjalë për sigurinë dhe dua t’ju jap shifra të vitit.

Në vitin që jemi, kemi 50 vrasje me dashje, ndërkohë që numri i vrasjeve vazhdon të jetë i përgjysmuar në raport me të shkuarën. Ja një shifër, në vitin 2013 kemi pasur 107 vrasje. Janar – nëntor, numri ka rënë në 50. Tani presim edhe dhjetorin, duke pasur parasysh edhe çfarë ndodhi para pak ditësh. Por, sidoqoftë, është i përgjysmuar numri.

Këtë vit kemi pasur një rritje të mëtejshme të sekuestrimit të aseteve kriminale. Ne që jemi “qeveria e krimit”, i kemi marrë krimit nga duart disafish më shumë para dhe asete  sesa qeveria e këtyre të antikrimit në 8 vjet. Vetëm në vitin 2018, vetëm forca e ligjit ka sekuestruar më shumë asete financiare kriminale, sesa 4 vjet Policia e Shtetit në të shkuarën, në vitet 2009-2013.

Jua them këto shifra, jo sepse jam i kënaqur, përkundrazi, ne do të bëjmë disa gjëra të reja dhe ministri i ri po i shtyn me shpejtësi përpara dhe jam i bindur që viti i ardhshëm do të jetë më i sigurt e më i qetë akoma se ky vit. Ndërkohë që një punë e konsiderueshme do të bëhet për uljen e aksidenteve. E kemi ulur me thuajse 30% numrin e aksidenteve fatale, por kemi prapë shumë aksidente.

Përfundimisht, së shpejti, do të ketë shumë pak policë në rrugë – kemi filluar, por ndoshta nuk ju ka  rënë në sy, – shumë pak në rrugët kombëtare, shumë pak nga ata që nxjerrin atë tabelën e të ndalojnë në mes të rrugëve dhe afrohen e flasin në mënyrë të paqartë.

Do të dixhitalizojmë gjobat. Nuk do shikoni më së shpejti, ato letrat e bakallit që me 17 të dhëna që shkruhen me laps kopjativ me pështymë. Do të reformojmë komplet Komisionin e Apelit të Gjobave.

Do të fillojmë aplikimin e sistemit të kamerave në rrugë dhe një sërë gjërash të tjera që do ta rrisin shumë nivelin e sigurisë dhe do ta lehtësojnë shumë marrëdhënien mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit.

Ndërkohë është hapur procesi për të marrë një numër të konsiderueshëm studentësh, ndër më të mirët, në studimet e thelluara në Akademinë e Policisë, për të pasur financierë, ekonomistë, inxhinierë me diploma të tjera në radhët e strukturave të inteligjencës së Policisë së Shtetit.

Shumë faleminderit! Sinqerisht, çdo të mirë për ju, për familjet tuaja, për jetën tuaj profesionale në vitin 2019, që, ju siguroj, sa kohë të jem unë këtu, do jetë gjithmonë interesante.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.