Kreu Aktualitet Kongresi i Lushnjes, ngjarje madhore në historinë e popullit shqiptar

Kongresi i Lushnjes, ngjarje madhore në historinë e popullit shqiptar

191
0

Më 21 Janar mbushen 100 vjet nga dita e fillimit të punimeve të Kongresit të Lushnjes. Për situatat e brendshme dhe të jashtme në të cilat u mblodh, për përfaqësimin mbarëkombëtar dhe për vendimet që mori Kongresi i Lushnjes, përbën një ngjarje madhore në historinë e popullit shqiptar, në vargun e shumë ngjarjeve të tjera.

Situata në të cilën u mblodh Kongresi

Shqipëria, për shkak të pozitës së saj gjeografike-strategjike dhe të pasurive natyrore, vazhdimisht është bërë objekt synimesh dhe sulmesh nga shtetet fqinj dhe fuqitë e mëdha të kohës. Kështu me Traktatin e Shën Stefanit më 1878, Shqipërisë iu bënë shumë padrejtësi. Këto u pasuan me traktatin e fshehtë të Londrës më 1913 që ju shkëputën territore të gjera në Veri dhe në Jug, Kosova dhe Çamëria. Edhe pas shpalljes së Pavarësisë më 1912, Shqipëria u shkel nga ushtritë e shteteve fqinje, grekët në jug dhe serbët në veri, të cilët pretendonin të zgjeronin kufijtë e tyre në kurriz të trojeve shqiptare. Me largimin e ushtrive greke, pas shumë luftrash e masakrash në trojet shqiptare në Vlorë-Gjirokastër-Përmet-Leskovik etj. shkelën ushtritë italiane, kurse në Korçë e Pogradec ushtritë franceze.

Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, trojet shqiptare u bënë arene luftimesh ndermjet forcave ndërluftuese, nga të cilat populli shqiptar pësoi dëme të mëdha. Sikur të mos mjaftonin këto edhe pas përfundimit të luftës ushtritë e shteteve fqinje u shtruan këmbëkryq në trojet shqiptare. Kështu deri në Janar të vitit 1920 ushtritë italiane mbanin të pushtuar zonën nga Konispoli deri në dyert e Shkodrës. Krahinën e Korçës dhe të Pogradecit vazhdonin ta mbanin ushtritë franceze, në krahinat e Peshkopisë dhe të Kukësit ishin shtrirë forcat serbe, kurse Qyteti i Shkodrës ndodhej nën administratën ushtarake të një garnizoni ndër-aleat. Jo më pak e disfavorshme ishte pozita e jashtme e Shqipërisë. Nga Konferenca e Paqes e mbledhur në Paris në Janar 1919 për të vendosur kushtet e paqes botërore, vinin lajme shqetësuese. Kërkesat e drejta të përfaqësuesve shqiptarë në këtë Konferencë për të respektuar pavarësinë dhe tërësinë tokësore si dhe për të rishikuar në favor të Shqipërisë kufijtë e vitit 1913 nuk po përfilleshin. Por në kundërshtim me këto kërkesa të drejta dhe të së drejtës ndërkombëtare për të kënaqur pretendimet ekspansioniste të shteteve fqinj, përfaqësuesit e tri fuqive kryesore fituese SHBA-Francë-Angli me memorandumin e 19 Dhjetorit 1919 i njohën Italisë sovranitetin mbi krahinën e Vlorës dhe mandatin mbi shtetin shqiptar. Greqisë i jepej qarku i Gjirokastrës, ndërsa Jugosllavisë i jepej e drejta për një dalje në bregdetin shqiptar. Ndërsa për të ardhmen politike të Korçës dhe Pogradecit do të bisedohej më pas. Kurse në mesin e Janarit 1920, këto plane u çuan edhe më tej. Jugosllavia do të aneksonte Shqipërinëë e Veriut, Greqia atë të Jugut dhe Italia krahinën e Vlorës. Shteti Shqiptar katandisej në kufijtë e ngushtë të Shqipërisë së Mesme dhe do të vihej nën mandatin Italian. Qeveritarët e Durrësit mbanin qëndrim kapitullues e nënshtrues. Kjo gjendje e rëndë që vinte në rrezik ekzistencën e shtetit shqiptar dhe pavarësinë e Shqipërisë, shtroi përpara forcave patriotike të vendit domosdoshmërinë e thirrjes së një Kongresi për t’i dalë përpara së keqes së madhe që i kanosej kombit shqiptar.

Kongresi i Lushnjes, ishte Kongres gjithpërfshirës. Forcat atdhetare e patriotike që u dhimbsej për fatin dhe të ardhmen e Shqipërisë vendosën të thërrisnin një Kongres ku të merrnin pjesë nga të gjithë krahinat e Shqiperisë, nga të gjitha shtresat shoqërore si dhe nga të tre besimet kryesore. Pra, një kongres gjithpërfshirës. Thirrja u bë qysh në fillim të Janarit për t’u dhënë mundësi gjithë përfaqësuesve për t’u mbledhur në Lushnje. Me gjithë kushtet e vështira në Kongres morën pjesë 50 delegatë që përfaqësonin gjithë krahinat brenda kufijve të vitit 1913. Kongresi u hap më 21 Janar 1920 dhe zhvilloi punimet nga data 28 deri më 31 Janar. Hapat që ndërmorën qeveritarët e Durrësit  së bashku me pushtuesit italianë, për të penguar mbledhjen e Kongresit, dështuan. Diskreditimi politik i kishte lënë ata pa mbështetje shoqërore. Megjithë këtë ata nuk hoqën dorë nga përpjekjet për të penguar realizimin e vendimeve të tij.

Kongresi i Lushnjes diskutoi me ndjenjën e një përgjegjësie dhe atdhedashurie të lartë për fatet dhe të ardhmen e kombit shqiptar. Ai kundërshtoi me guxim dhe vendosmëri planet antishqiptare të Konferencës së Paqes së Parisit dhe shprehu njëzëri vendosmërinë dhe këmbënguljen e popullit shqiptar për të ruajtur me çdo kusht e mjet tërësinë territoriale, pavarësinë dhe sovranitetin e popullit shqiptar. Kongresi miratoi një sërë vendimesh e dokumentash me rëndësi historike.

Vendime historike që japnin mesazhe aktuale

Kongresi miratoi protesta energjike dhe ua dërgoi Qeverive të fuqive të mëdha kundër konferencës së Paqes si dhe Parlamentit dhe Senatit Italian, ku i kërkohej të hiqte dorë nga planet aneksioniste dhe të largonte forcat nga Vlora. Midis të tjerash në këtë protestë thuhej: “Shqiptarët dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë tek tjetra si tufë delesh e të bëhen plaçkë e atyre që drejtojnë sot diplomacinë e Evropës”. Me këto protesta u jepej një grusht të fortë edhe disa forcave politike shqiptare të përfaqësuara nga Qeveria e Durrësit. U jepej grusht edhe mendimeve se shqiptarët nuk janë në gjendje të vetqeverisen, por kanë nevojë për dorën drejtuese të ndonjë fuqie të “Qytetëruar”. Kongresi miratoi një akt kushtetues ku përcaktohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar, i shprehur nga organet e zgjedhura të Kongresit. Në këtë kuadër, Kongresi zgjodhi Këshillin e Lartë të Shtetit Shqiptar.

Kongresi ngriti edhe Këshillin e Lartë Kombëtar (Parlamentin) me 37 anëtarë, që do të kryente detyrat e pushtetit legjislativ. Në këtë këshill u zgjodhën përfaqësues edhe nga krahinat e lëna jashtë kufijve. Pra, hidheshin bazat e shtetit të pavarur shqiptar dhe përmbysej idea e Komisionit të Kontrollit Ndërkombëtar. Kongresi zgjodhi edhe Qeverinë, të kryesuar nga Sulejman Delvina dhe shpalli të rrëzuar Qeverinë e Durrësit dhe kritikoi rëndë politikën e saj kapitulluese ndaj Italisë. Gjithëpërfaqësimi që realizoi Kongresi si në përbërjen e vet, të Këshillit të Lartë dhe të Qeverisë, të miratimit të njëzëshëm të detyrave dhe vendimeve, të qëndrimeve unike ndaj interesave të kombit, vendosmëria me të cilën u kundërshtuan synimet antishqiptare, duke mos lëshuar asnjë fije floku nga interesat kombëtare, japin mesazhe aktuale edhe për politikanët e sotëm, për zgjidhjen e problemeve dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, të cilat janë cënuar dhe po cenohen. Kongresi i Lushnjës dhe Qeveria e dalë prej tij shënuan krijimin e shtetit shqiptar, caktoi Tiranën Kryeqytet, detyruan tërheqjen e forcave të huaja nga trojet shqiptare, realizuan bashkimin administrative të krahinve të vendit dhe u imponuan fuqive të mëdha të njihnin dhe respektonin pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë, përfshi edhe Italinë, e cila pas Luftës së Vlorës në Qershor të vitit 1920, u detyrua të largonte forcat dhe të njihte tërësinë territoriale dhe sovranitetin e plotë të Shqipërisë. Pra themelet e shtetit shqiptar nuk i hodhi Ahmet Zogu, siç përflitet nga ndonjë historian apo politikan i sotëm, por Kongresi i Lushnjes.

APOSTOL KOTANI

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.