Kreu Aktualitet Konsolidim luftës kundër korrupsionit

Konsolidim luftës kundër korrupsionit

188
0

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, deklaratë për shtyp mbi rezultatet e luftës kundër korrupsionit:

Konsolidimi i luftës kundër korrupsionit, përmes forcimit të strukturave antikorrupsion dhe marrjes së masave konkrete për kontrollin dhe evidentimin e çdo shkelje të ligjit apo abuzimit me detyrën, përbën prioritetin kryesor të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare.

Rezultatet e arritura deri tani nga Strukturat antikorrupsion në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera ligjzbatuese janë mjaft të mira dhe premtuese për ecurinë e mëtejshme të këtij prioriteti qeverisës.

Perceptimi i publikut lidhur me nivelin e korrupsionit në vend është sigurisht një nga objektivat e punës sonë, të cilit i kemi kushtuar në një vëmendje të veçantë, jo me retorikë politike por me reforma rrënjësore.

Ndryshimi i këtij perceptimi është një sfidë jo e lehtë, e lidhur ngushtë me trashëgiminë ndër vite të një sistemi që më së shumti e ka stimuluar korrupsionin, se sa e ka luftuar atë por edhe më tej akoma me ngërçin politik që krijohet në mënyrë artificiale për të penguar rrugën e reformëve të thella që kemi ndërmarrë tashmë.

Sidoqoftë, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, Këshillit i Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit i ka hapur rrugë ngritjes së SPAK, e cila do të ketë të gjithë fuqinë ligjore për të hetuar dhe çuar përpara drejtësisë korrupsionin në nivelet më të larta të administratës dhe politikës, duke i dhënë kështu një stimul të ri edhe perceptimit të publikut lidhur me luftën dhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit.

Në Indeksin e Perceptimit të korrupsionit (CPI) 2018 i botuar para dy ditësh nga Transparency International i cili mat nivelet e perceptimit për korrupsionin në sektorin publik në të gjithë botën, Shqipëria paraqitet me një një rënie prej 2 pikësh.

Por trendi për të gjithë rajonin është në rënie lidhur me perceptimin e publikut përsa i përket luftës kundër korrupsionit për vitin 2018.

Disa nga rekomandimet kryesore për rajonin që janë dhënë në raport janë tashmë në zbatim si pjesë e politikave parandaluese të qeverisjes sonë si një parakusht për suksesin në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e perceptimit të publikut.

Në këtë raport i jepet meritë Shqipërisë lidhur me ndërmarrjen e një sërë reformash nga qeveria të cilat ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit por që për shkak të bllokimeve herë pas here të politikës, zbatimi i tyre është vonuar.

Në raportin e Indeksit të perceptimit të korrupsionit për vitin 2018 shprehet qartë se “me procesin e ri të vetimit të sistemit gjyqësor dhe tashmë me një kuadër institucional kundër korrupsionit gati të plotësuar, mbetet për të pare nëse Shqipëria do të përmirësojë pikësimin në të ardhmen”. 

Ndërkohë Qeveria Shqiptare vijon të zbatojë Strategjinë Ndërsektoriale Antikorrupsion 2015-2020, dhe planin e veprimit të cilat përmbajnë masat parandaluese nga të gjitha institucionet për rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit.

Reforma shumë të rëndësishme që janë në zbatim, si Reforma në drejtësi, reforma e deregullimit, reforma për qeverisjen elektronike, reforma e shërbimeve, po bëhen të prekshme tashmë për qytetarët.

Zbatimi i reformës së drejtësisë dhe pastrimi nga rradhët e drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar ka dhënë rezultatet e saj pozitive dhe vlen për t’u përmendur se është dhe shembull për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllimin e vetëm për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efektiv.

Parakusht ky i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Në mbështetje të kësaj reforme, e cila përputhet me standardet e BE-së, ngritja e sturkturave të posaçme, pikërisht SPAK-u, si struktura përgjegjëse për luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, do të japin gjithashtu garanci për luftën kundër korrupsionit dhe rezultatet konkrete të arritura do të ndikojnë pozitivisht dhe në rritjen e perceptimit të publikut.

Ngritja dhe funksionimi i strukturave të posacme për hetimin dhe inspektimin administrativ siç është Task forca antikorrupsion në bashkëpunim me të gjitha organet ligjzbatuese kanë shënuar rezultate të larta lidhur me luftën kundër korrupsionit ku vetëm për periudhën 8 mujore ka rekomanduar 327 masa administrative, 468 masa disiplinore (prej të cilave 108 prejt tyre janë largime nga shërbimi civil/largime nga puna për punonjës të administrates publike që kanë shkelur ligjin) si dhe 36 punonjës të kallzuar penalisht pranë organeve të Prokurorisë, për korrupsion dhe  shpërdorim detyre.

Vlerësime positive lidhur me rezultatet e arritura deri tani, Shqipëria i ka marrë edhe në një sërë raportesh ndërkombëtare në të cilat vlerësohet më së shumti zbatimi i reformës në drejtësi dhe masat e marra kundër korrupsionit.

Por ka ende shumë për të bërë!

Dhe ne do të vazhdojmë jo vetëm zbatimin e reformave por njëkohësisht dhe përmirësimin e shërbimit dhe rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të punonjësve të administratës publike dhe kryesisht në ata sektorë që ofrohen shërbime ndaj qytetarëve.

Duke u rikthyer te raportimi i veprimtarisë së Task Forca Antikorrupsion,

më lejoni të theksoj se ka vijuar puna me kontrolle dhe inspektime në institucionet e administratës publike dhe zyrat që ofrojnë shërbime për qytetarët.

Pas një denoncimi të kryer të platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al Task Forca Antikorrupsion ka kryer një kontroll të detajuar në Drejtorinë Rajonale Tatimore, Vlorë, lidhur me verifikimin e procedurave për faturat tatimore të deklaruara me vonesë, të administruara në periudhën Janar – Tetor 2018 si dhe procedurat e rimbursimit.

Nga kontrolli janë evidentuar shkelje në praktikat e rimbursimit, siç janë:

  • Shkelja e afateve ligjore për kryerjen e rimbursimit;
  • Tejkalimi i afateve për dërgimin e raporteve përfundimtare të Kontrollit të subjektet e kontrolluara;
  • Mosrespektim i procedurës së miratimit dhe nënshkrimit të raporteve përfundimtare:
  • Abuzim me plotësimin e process – verbaleve me objekt “Kontroll për verifikimin e punonjësve në ambjentet e veprimtarisë ekonomike;
  • Si dhe shkelje të procedurave për faturat tatimore të deklaruara të një subjekti.

Bazuar në shkeljet e konstatuara Task Forca Antikorrupsion janë rekomanduar 10 masa disiplinore prej të cilave:

  • Largimi nga shërbimi civil i Drejtorit të Drejtorisë rajonale tatimore vlorë
  • Largimi nga shërbimi civil i 3 inspektorëve kontrolli të po kësaj drejtorie.
  • Marrja e masave disiplinore për 6 punonjës, Drejtorin e Kontrollit, përgjegjësin e kontrollit dhe 4 inspektorë kontrolli.

Po ashtu gjetjet e këtij raporti, Task Forca Antikorrupsion do ti referojë në prokurorinë e rrethit gjyqësor Vlorë, si material shtesë në vijim të kallzimit të bërë në muajin korrik të vitit 2018 nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bazuar në rekomandimet e TFA.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka vijuar angazhimin e saj institucional në identifikimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit dhe abzuimit me detyrën.

Gjatë javës së kaluar nga Policia e Shtetit janë evidentuar dhe referuar në Prokurori materialet për 18 raste të veprave penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, duke proceduar penalisht 27 autorë.

Dua të ritheksoj edhe një herë angazhimin dhe vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare për të vijuar me masat e forta në drejtim të krijimit të një klime sa më mbytëse për çdo tentativë për korrupsion nga ana e drejtuesve dhe punonjësve të administratës publike dhe nga ana tjetër të inkurajimit të çdo qytetari për të denoncuar korrupsionin në të gjitha nivelet ku ai shfaqet.

Faleminderit

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.