Kreu Ditar Kontributi i grave të Tërbaçit në luftërat për liri e çlirim

Kontributi i grave të Tërbaçit në luftërat për liri e çlirim

391
0

-Në kuadrin e fitores mbi nazifashizmti gjate LANÇl dhe 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave-

Në luftrat për liri e pavarësi, kundër zaptuesve të huaja dhe bashkëpunëtoreve të tyre, krahas burrave tërbaçiotë, kanë marrë pjesë edhe gratë. Për nga vetitë e cilësitë luftarake, ato nuk qëndronin aspak më prapa burrave, nuk kanë qenë më pak të afta e të përkushtuara, prandaj në çdo luftë, pranë burrave kanë luftuar edhe gratë – trashëgimi kjo që nga gruaja ilire, që siç thotë historiografia jonë, ajo “shkonte me burrin jo vetëm në punë e në gosti, por edhe në luftë, ku tregonte heroizma të pashembullta”. Këtë e vërtetojnë dhe vargjet e rapsodëvë: “Tërbaçi në gurë të thatë,/trima burrat, shqipe gratë,/e kanë zakon të lashtë”…

Trimëreshat tërbaçiote, ashtu si gjithë gratë e krahinës e të Shqipërisë, në çdo kohë e në çdo rrezik, kanë bërë sakrifica deri edhe me gjakun e tyre përkrah burrave në frontin e luftës dhe janë treguar po aq trime e guximtare sa edhe burrat, kur e kanë kërkuar interesat e fshatit e të Atdheut.

Miro Kostë Strati, e mbiquajtura “Miro Tërbaçi”, ka qenë frymëzuese e të gjithë brezit të grave. Ajo në dekadën e dytë të shekullit të 19-të, kreu një akt trimërie të padëgjuar. Në shenjë hakmarrje për vrasjen e babait e vëllait, se kishin kundërshtuar pagimin e taksave, si dhe për të ruajtur nderin e familjes dhe të fshatit, preu flokët, u vesh si djalë, u armatos dhe pa iu trëmbur syri vrau në Berat pashain xhelat turk të Vlorës.

Gego Bobja, ka rënë duke luftuar përkrah burrave kordhëtarë për mbrojtjen e tokës e të nderit të Tërbaçit nga bashibozukët e spahijve turkoshakë, që donin të rrëmbenin e përvetësonin pronat e të tjerëve. Në ndihmë të luftëtarëve që edhe ulërima e Xhiko Alies në Buzujk, që grumbulloi menjherë bashkëfshatarët, të cilët i kthyen forcat turke nga rrethues të një pjesë të çetës patriotike të Sali Vranishtit, ku bënin pjesë edhe shumë tërbaçiotë, në të rrethuar e të asgjësuar.

Gratë stanore të Tërbaçit në Shashicë, gjatë Luftës së Vlorës më 1920, nëpër plumba e gjyle, furnizonin çetën e fshatit me ushqime, municione, ngrinin në krahë të plagosurit dhe i mjekonin në stanet e tyre. Siç na e pasqyron kënga: “Eni shoqe t’i ndihmojmë,/të dalim breg më breg,/t’u shpiem buk’ e fishekë,/të hapim ndonjë hendek…”.

Fshatarët u përgjigjen: “armë s’kemi, të arratisurit i gjeni vetë”. Të indinjuar nga ky qëndrim, xhandarët fyen rëndë, rrahën e torturuan gati për vdekje disa fshatarë, arrestuan, futën me forcë në shtëpinë e Jahue një pjesë të burrave përfshi dhe kryetrimin e Luftës së 1920-ës, Selman Hysenin. Në këtë situatë dramatike, gratë e fshatit, për të çoroditur e bërë presion mbi xhandarët, vunë britmat e ulërimat, sa u tund vendi e jehuan malet, çanë përmes bajonetave dhe me sfurqe, gurë, sëpata e kasatura në duar, u përleshën me ta duke kërkuar lirimin e djemve, vëllezërve dhe burrave të tyre. Në krye të grave ishin: Dikël Alikaj, Sado Kajtazja, Haxhire Goxhaj, Kaleme Hysenija, Haxhikë Labja, Sadihanë Rrapja etj. Si rezultat i rezistencës e presionit të bërë, xhandarët u detgyruan t’i lëshonin ata që kishin arrestuar e mbyllur, hoqen dorë nga ndëshkimet e kërkesat e tyre dhe ikën të turpëruar me bish ndër shalë.

Populli i Tërbaçit, mbështetur në tabanin e lavdishën të LANÇ, mori pjesë i tëri që në fillim. Krahas e bashkë me burrat, në këtë luftë morën pjesë masivisht edhe gratë e fshatit. Ato u bënë mbështetje e fuqishme e Frontit NÇl. Nënat e gratë Tërbaçiote, si të  gjitha nënat e gratë e Vlorës, Labërisë e gjithë Shqipërisë, gjatë LANÇl luajtën një rol të rëndësishëm dhe dhanë një kontribut të madh. Ato treguan vendosmëri, trimëri, zemërmadhësi e patriotizëm të fuqishëm në luftën kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogistë.

Nënat e motrat tonë të asaj periudhe, u bënë bazë e sigurt e formacioneve partizane. Ato pritën me bujari luftëtarët e lirisë, i ndihmuan me ato që kishin, i mbajtën ata në shtëpitë e tyre, si bijtë e vet, ndqnë me ta kafshatën e fundit të bukës, u bënin e jepnin veshmbathje si triko, fanella, çorape etj, i ndërronin e lanin, u shërbenin me shpirt e zemër të gjithë partizanëve. Kujdeseshin për të sëmurët e të plagosurit duke i mjekuar në shtëpi e në shpellat e maleve, duke i kuruar me mjete rrethanore, duke u lidhur plagët në vend të fashos me rrobat e tyre. Ato i shëronin të sëmurët kryesisht me melhemin e dhëmbshurisë, dashurisë e respektit që kishin për ta. Në këtë drejtim u dalluan më shumë: Pesare Gjikaj, Xhixho Haxhiabazi, Shero Lushaj, Harzikë Gjikaj etj. Në shtëpinë e kësaj të fundit, më 10 Nëntor 1942, u formua celula e partisë, ndaj ajo u bë një nga bazat e para të LANÇ-it. Nënë Harzika, një grua Labe e vendosur, priste e përcillte me ngrohtësi luftëtarët e lirisë. Ajo i fali luftës dy djemtë e saj. Një aktiviste e paloshur ishte dhe Sabo Gjikaj (Muça), nusja e djelit të Harzikës, Selmanit, që u vra nga gjermanët. Ajo punonte me shpirt, me guxim e vendosmëri duke pritur e shërbyer partizanëve, duke gatuar e larë teshat e tyre. Sabua transportonte e kujdesej për ruajtjen e depos së armatimit dhe të pjesëve të këmbimit të shtypshkronjës që ishte vendosur në një vend sekret, në afërsi të shtëpisë së tyre.

Një rol të madh në organizimin, bashkimin dhe mobilizimin për luftë të grave, luajti krijimi i organizatës së Gruas Antifashiste në Prill 1943. Në këshillin e gruas u zgjodhën: Sose Lushaj – Kryetare, Hava Lame – Sekretare dhe anëtare: Bele Hoxhaj, Haxhikë Goxhaj, Halime Gaçaj, Pesare Gjikaj, Sulltanë Nanaj, Shezate Sinaj, Zilo Balilaj, Zonjë Rrokaj, Zilo Çelaj, Bedrie Hodaj e Hava Merkaj. Organizata e Gruas e fshatit bëri një punë të vazhdueshme me gratë për të ndihmuar në çdo drejtim LANÇ, si në prapavijë dhe në paravijë. Gratë kanë marrë pjesë aktive në shumë aksione. Në Shtator 1943, në kushte të vështira, mbi 100 gra e vajza trimëresha shkuan në Qafën e Llogarasë dhe u ngarkuan me armë e municion, gjatë çarmatimit të ushtrisë fashiste italiane të kapitulluar. Ato kanë çuar ushqime e municione në luftën e Gjormit, në Qafën e Shëngjergjit etj. Gjatë operacioneve armike, sidomos atyre të Dimrit 1943-44 dhe të Qershorit 1944, gjermanët e bashkëpunëtorët e tyre erdhën me zjarr e urë në dorë.

Në këto operacione, fshati pësoi humbje të shumta: u masakruan e vranë 8 viktima, nga të cilët 3 gra, u dogjën 397 shtëpi e konakë, u grabitën e dëmtuan 1300 kokë bagëti, 200 gjedhë e kafshë pune, me qindra koshere bletësh, morën e vodhën çdo gjë që gjetën…Por vuajtjet, humbjet e masakrat, i kalitën edhe më tepër njerëzit, sidomos gratë. Të gjitha gratë e nënat e Tërbaçit, papërjashtim, kanë ndihmuar e përkrahur me gjithçka LANÇ. Por gratë që kishin shtëpitë dhe konakët të vendosura rrëzë maleve të Çikës, Paliskës e Tranajoit, kishin më tepër aktivitet dhe një ngarkesë më të madhe. Ato të kapura dorë për dore dhe shtëpitë të lidhura si në valle, u bënë strehë e ngrohte, pritën në vatrat e tyre si të afërmit e bashkëfshatarët kur ata shpërnguleshin nga shtëpitë në fshat ashtu dhe partizanët. Gratë me shtëpi në Shëngjergj, shërbyen vazhdimisht si mbështetje e prapavijë e sigurt, si për forcat partizane, ashtu dhe për çetën territoriale të fshatit, të cilët bënin roje në Qafën e Shëngjergjit, si pikë strategjike.

Në shtëpitë rrëzë Shkëmbit të Kuq, te Xhixho e Salibe Haxhiabazi, Farfuri e Bejkë Haxhiabazi, ka qëndruar për një kohë të gjatë Zonja Çurre, Heroinë e Popullit dhe partizanë të tjerë. Ato u kanë shërbyer atyre me gjithçka, kanë mbajtur e mjekuar të plagosurit si: Petro Konomi, Istref Mustafaraj etj. Kështu kanë vepruar e ndihmuar të gjitha gratë e rrëzës si: Salihe e Sulltanë Shirokaj, Shaniko Hoxhaj, Selvi e Ervehe Barjamaj, Velide Salataj, memedi Barjamaj, Rabihanë Skëndaj, Hato Abazaj, Harzikë Lushaj, Begzo Demiraj, Haxhikë Thimaj, Mejo Xhaka, Bele Habilaj, Bejko Goxhaj, meme e Zeliha Selamaj (Gjondedaj), Hatixhe e Tefo Hoxhaj, Velide Zenelli, Ruki Berdaj etj.

Në Somitkë, shtëpia e Selvi e Haki Abazajt shërbeu dhe si pikë shëndetësore, ku mjekoheshin partizanët e plagosur.

Në Okolës, në shtepinë e Minë e Nuredin Salatit, gjatë luftës punoi shtypshkronja e Qarkut të Vlorës dhe zonës së Parë Operative. Nënë Mina, një grua e vendosur, u shërbeu me vullnet partizanëve që punonin aty, duke qenë vigjilentë e ruajtur sekretin. Për këto merita u dekoruan të gjithë pjestarët e familjes. Një ndihmë të madhe në ushqime, veshmbathje dhe në çdo drejtim, kanë dhënë gratë stanore tërbaçiote, me banim jashtë fshatit, sidomos në Shashicë, në fshatrat rreth Vlorës dhe në malet ku kishin stanet. Ato kanë qenë baza të rëndësishme të LANÇ. Të tilla ishin: Sose e Bele Malaj, Begzo Gjondedaj, Xhemo Memishai, Zilo Skëndaj, Sose e Xhikë Gjikaj, Shero Gaçaj, Sebedi e Zifli Xhakaj, Esma Gjikaj, Mahmudi Haxhiaj, Farfuri Memushaj, Hatixhe Gjikaj, Merjeme e Mamo Gjikaj, Sabihe Metaj etj.

Në luftën për çlirimin e Kosovës, nga 74 tërbaçiotë, 8 ishin vajza: Fato Xhakaj, Hajdine Nikaj, Myrvete Kapo, Nino Skëndaj, Rahime Abazaj, Rexho Kapo, Shyqyrete Hoxhaj dhe Shanë Çelaj, e cila në emër të çlirimtarëve, vendosi flamurin e Brigadës së V-të S., partizane në Mitrovicë të Kosovës më 1945. Ç’krenari! Një vajzë nga Tërbaçi, përsërit në kohë të reja, bëmat dhe heroizmat e Miro Tërbaçes e të Shote Galicës.

Për Çlirimin e Atdheut, ranë në fushën e betejës 61 Dëshmore, tri prej tyre vajza: Anife Kiça, Taze Çelaj dhe Fari Bufaj, që shkëlqejnë si Yje të Pashuar dhe u plagosën 53 të tjerë përfshi edhe vajza.

I kemi të gjalla në kujtesën tonë, të gjitha ato gra, nëna e motra labe të vërteta, të kohës së luftës, të zonjës e trimëresha, zëmërbardha, fjalëmbla e xhymerte, të dhëmbshura, si njëra-tjetra, që kontribuan  dhe përballuan pengesa e vështirësi të mëdha, që sakrifikuan aq shumë për çlirimin e Atdheut, që nuk luftuan e punuan për emër, po bënë emër. Ato kanë ngulitur dhe edukuar në qënien tonë dhe na lanë trashëgim e amanet: Dashurinë për Atdheun, për vendlindjen, për njeri-tjetrin, unitetin e solidaritetin, besën, ndershmërinë, shpirtgjerësinë, mirëdashjen dhe cilësi e virtyte të tjera me vlera. Shumica e këtyre nënave janë ndarë nga jeta, por rron akti i tyre si patriote, rron gjesti i tyre i madh e i përjetshëm. Qofshin të paharruar të gjitha gratë e nënat e fshatit tonë,që lindën, rritën dhe edukuan ata djem e vajza, të cilët luftuan me trimëri e heroizëm për lirinë e çlirimin e Atdheut dhe me luftën, punën e sakrificat e tyre e ngritën edhe më lart lavdinë e Tërbaçit. Ato nëna do të udhëtojnë nëpër breza dhe do të shërbejnë si forcë e pashtershme shpirtërore dhe burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.

Kështu e përjetuan LANÇ kundër okupatoreve tërbaçiotët, burra e gra, si gjithë të tjerët, me pushkë, gjak, sakrifica, lot dhe me fitore. Për këtë luftë, një nga oficerët e misionit anglez shprehej: “Një ringjallje e çuditshme…Kjo ringjallje shpjegohet me fleksibilitetin dhe elasticitetin e brigadave të Luftës NÇl. Forca partizane duket që qëndron në disiplinën e tyre, në energjine dhe qartësinë e qëllimeve, cilësi këto që iu mungojnë në mënyrë të habitshme kundërshtareve të tyre nacionalistë”.

Kontributin e fshatit në luftë e ka pasqyruar edhe folklori. Midis të tjerëve, vjershëtori Sinan Gjondeda thotë: “O Tërbaç, o fshati ynë,/Vet e shkrove historinë,/U ngritën trimat e mirë,/edhe gratë si vetëtimë…”. Tërbaçi për merita luftarake e patriotike, për kontributin e tij modest në LANÇ mban: Urdhërin e Trimërisë, Medaljen e Kujtimit, Trimërisë dhe Çlirimit.

Ka dhe mjaft gra, që për aktivitet të shquar dhe ndihmën e dhënë gjatë kësaj lufte, janë nderuar me dekorata e medalje të Çlirimit, Kujtimit dhe të Trimërisë si: Meze Abazi, Harzikë Gjikaj, Fari Xhakaj, Sose Lushaj, Zonjë Rrokaj, Robihanë Skëndaj, Pesare Gjikaj, Zonjë Goxhaj etj. Eshtë kënaqësi e krenari që rrugën, traditat, bëmat e cilësitë e mira të grave, nënave e gjysheve të shquara e patriote të luftës, po ruhen, ndiqen e pasurohen në kushte të reja nga pasardhëset e denja të tyre, nga gratë e vajzat tërbaçiote, sepse ku ka rrjedhë do pikojë. Ato shfaqin aftësi të shkëlqyera në të gjitha fushat: në drejtim, art e letërsi, në lëmin pedagogjik e studimor. S’ka dyshim se ato me punën, talentin dhe përvojën e fituar, do të jenë vazhdimisht pasqyrë e nënave dhe gjysheve të tyre. Ato do të ndriçojnë, mbrojnë dhe  çojnë më tej, trashëgimine e brezave të kaluar, amanetin e tyre.

H. BERDAJ

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.