Kreu Aktualitet Kryeministri Rama dialog me studentët e Universitetit Politeknik

Kryeministri Rama dialog me studentët e Universitetit Politeknik

770
0

Universiteti Politeknik, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës – Dialogu për 8 pikat e protestës studentore dhe Paktin për Universitetin mes qeverisë e studentëve:

– Këtu tek ne është bërë një investim që s’ka qenë fare i nevojshëm një investim i tillë, duke ditur që ne kemi probleme tepër të mëdha. Gjithashtu edhe për monitorët janë jofunksionalë dhe nga departamentet thuhet që s’ka pas nevojë për këto monitorë. Klasat na mbyllen me çelës. U bë investimi i tarracës, por ne s’kemi qenë ndonjëherë aty brenda. Ne s’kemi asnjë laborator, salla, lëre më karriget e kushtet e tjera. Vetëm si shkollë arkitekture s’më duket. Përsa i përket administrimit të shkollës është zero. Ne nuk marrim vesh fare se çfarë bëhet. Vonë e kam marrë vesh që shkolla ka dhe një administrator. Nuk dimë se ku shkojnë lekët tona, shkurtimisht.

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit për këtë mundësi. Besoj se nga të gjitha këto që sapo u thanë, është e qartë pse duhet kjo bisedë. Asnjë nga këto nuk figuron gjëkundi te ato 8 pikat. Transparenca sigurisht që është tek 8 pikat, por shqetësimet konkrete të këtij universiteti nuk janë tek 8 pikat dhe të asnjë universiteti. Prandaj është e rëndësishme që në këtë moment të shfrytëzojmë këtë potencial komunikimi që ka krijuar protesta juaj, për të marrë përsipër bashkërisht angazhime konkrete për 8 pikat dhe përtej 8 pikave. Mbi të gjitha kjo nuk është një gjëegjëzë. Natyrisht që kur shkruhen kërkesa  bazike, nuk shkruhen të gjitha detajet, por ama detajet as nuk diskutohen. Për këtë arsye duhet dialogu. Vendos për “se”, “si” e “qysh” bëhet buxheti transparent.

Buxhetet në bazë të ligjit, për të cilin kam dëgjuar që shumëkush e kundërshton pa e lexuar, fillojnë diskutohen nga departamentet, pastaj vazhdojnë me fakultetet, pastaj shkohet tek rektorati dhe pastaj te Senati. Po të shikoni ligin, ka një Senat ku studentët janë të përfaqësuar dhe ku diskutohen në detaje të gjitha aspektet e adresimit të prioriteteve dhe të shpenzimit të buxheteve. Të bëjmë marrëveshjen e fjalës, në këtë histori unë nuk jam me ariun, jam me ju, sepse mendoj që kërkesat burojnë nga shqetësime të drejta. Nuk kam ardhur këtu dhe nuk kam pasur asnjë moment idenë që ju e keni gabim dhe duhet t’ju mbushim mendjen pse e keni gabim. Jo, shqetësimet janë të drejta. Dialogun e kërkoj sepse janë të drejta, që do të thotë që Senati ligjërisht duhet të funksiononte dhe t’i adresonte të gjitha këto që them unë. Nuk ka funksionuar si i tillë.

Çdo student si çdo qytetar ka të drejtën të dijë sa paguan, sa duhet të paguajë, kur do t’i paguajë detyrimet dhe çfarë do marrë në këmbim dhe nëse ka një tarifë të re, siç ishte ajo për provimet e mbartura, thuhet që është një tarifë e re. VKM-ja e famshme ishte vendosur që në maj e ju s’dinit gjë fare. Por të gjitha këto kalojnë nga struktura organizative dhe drejtuese e universitetit.

Nuk kam problem as me faktin që ju doni të rrini në protestë, as me faktin që ju vini te ministria, apo te Kryeministria, por ju duhet ta dini që i gjithë ky shqetësim lidhet me universitetin. Universiteti ka autonomia dhe autonomia për fat të keq është kuptuar si liri pa përgjegjësi. Nuk mund të thuash që unë autonominë e dua për pjesën që unë mund të bëj çfarë të dua dhe mos i jap llogari njeriu. Në këtë sistem që kemi zgjedhur të gjithë, në një konkurrencë dhe një betejë, aq më tepër në fushën tuaj që është fushë kreativiteti me shumë konkurrencë, secili ka luftën e vet për të bërë. Nuk mund të çojë kërkesa si në amazon.com, por duke i thënë, kam këto kërkesa, pse i kam dhe t’i argumentojmë dhe të jetë i gatshëm të dëgjojë dhe të kuptojë se çfarë bëhet, çfarë s’bëhet në rastin konkret.

Kam qenë student dhe protestues në ’96-n, ’97-n, ’98-n, atëherë kur kërciste dajaku. Sot, protesta ka një siguri më të madhe se atëherë, por do t’u lutesha që t’i mirëkuptoni këta studentë se edhe janë të lodhur. Bie dakord me ju që një pjesë të madhe të fajit e ka dhe universiteti. Ai Senat aty që na përfaqëson ne është një celulë malinjë. Problemi këtu nuk është vetëm te ligji i Arsimit të Lartë, për të cilin ne kemi rezervat tona. Problemi këtu është se ligjin nuk e pyet më njeri. Këtu ka rënë ligji. Këtu ka rënë Kodi Penal. Këtu punësohen pedagogë të rinj, që janë në kundërshtim të hapur me statutin e universitetit. Këtu merren vendime pa pyetur. Kur t’i i tregon rektorit ligjit, ose dikujt tjetër nga drejtuesit tanë, e marrin me sportivitet, me shaka. Unë kam një korrespondencë të gjatë me rektoratin tim, me Ministrinë edhe me Kryeministrinë dhe kur nuk kam gjetur përgjigje në këto 3 shkallë, i jam drejtuar dhe gjykatës administrative për një problem në dukje të vogël dhe u gjetën lloj-lloj marifetesh për ta mbyllur me procedurë ankimimin. Këtu ka pedagogë me mesatare qesharake. Këtu ka plagjiatura të denoncuara dhe për atë rektorati, jo që nuk i dënon, por i promovon këta njerëz. Nuk kemi gjetur një pedagog që të pranojë e të thotë le të fillojë vetting-u nga unë. D.m.th. këtu është bërë malinje. Llumi është kthyer në zullum.

Kryeministri Rama: Më thuaj një pikë të ligjit të Arsimit të Lartë që është problem këtu.

– Ligji i Arsimit të Lartë nuk është zbatuar njëherë.

Kryeministri Rama: Kjo nuk ka të bëjë me ligjin. Ligjshmëria është tjetër gjë dhe ligji është tjetër gjë.

– Për këtë Fakultet është dita e 16-të e protestës. Unë personalisht jam ndjerë i ofenduar se na quajtët ngelësa, kështu që këtë faj duhet ta pranoni Në lidhje me pikat, se po flasim për problematika, jemi mbledhur për 8 pikat, pika e parë është rritja e buxhetit 5%, me qëllim mundësinë e përgjysmimit të tarifave për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës universitet-konvikte. Ju thatë do përmirësohet Bachelor-i. Masteri ka tarifa 4 herë më të larta. Masteri im e ka 2.1 milionë lekë të vjetra. Është goxha e lartë. Pjesa tjetër, Bachelor-i do përgjysmohet, kur do përgjysmohet? Gjithashtu, 5%-shi nuk është se ne, kushdo që i shkruajti kërkesat i krijoi në çast, ishte premtim elektoral dhe ashtu si çdokush duhet të mbajë përgjegjësi për gabimet, përgjegjësitë për premtimet elektorale i takojnë atij që e ka hartua,r. Momentalisht është 3.2% dhe 0.8% i shkojnë arsimit të lartë, ku sipas informacioneve nga media, se nuk ka as transparencë, i njëjti buxhet shkon dhe për arsimin publik dhe për atë privat, por që privati është biznes. Si mund të marrë privati të njëjtin buxhet GDP-je si në publik? Kur do ndodhin këto përgjysmime dhe rikonstruksione, përmirësime kushtesh? Vërtet u ul tarifa e Bachelor-it, thatë do ulet se nuk është ulur ende, po e Masterit kur do ulet?

Kryeministri Rama: E para, ku ju kam thënë të gjithëve se jeni ngelësa? Unë i dal për zot çdo fjale që them. Unë nuk kam thënë që ju të gjithë jeni ngelës. Unë kam bërë një koment nga shumë komente që bëj në Facebook-un tim, që është shprehje respekti dhe i kam bërë një pyetje dikujt dhe i kam thënë ti je i gatshëm të paguash taksë për ngelësat? Unë kam folur për taksë për ngelësat, sepse universiteti financohet në masën më të madhe nga tarifat tuaja. Ato që paguani ju janë mesatarisht 25% e asaj që kushton ju. Problemi i parë që ka me tarifat është se ju dini pjesën që paguani ju, nuk dini pjesën që paguan shteti për ju. Kjo tani do bëhet publike, që ju ta dini sa kushton secili prej jush, që kur të flisni për shtetin e për qeverinë të keni pak më shumë respekt, sepse ju kontribuoni për tarifën tuaj 25% të asaj që ju kushtoni. 75% kontribuon shteti, mesatarisht. Tarifat as nuk përgjysmohen as nuk zërohen. Tarifat vetëm mund të subvencionohen, sepse janë kosto. Pra, sot, ju me tarifën tuaj mbuloi 25% të kostos tuaj me këto kushte që janë këtu, me këto probleme që ka këtu, kaq i kushton këtij universiteti një student. 75% më shumë se ajo që ju paguani.

E dyta, ndërkohë që në shumë vende të botës, pjesa e Bachelor-it subvencionohet, Masteri është një nivel ekselence në studime dhe ne, sidoqoftë, edhe për Masterin do t’u kërkojmë taksapaguesve shqiptarë të financojnë ekselencën dhe ata me ndihmë ekonomike, jo të gjithë, sepse nuk është e mundur dhe sepse nuk është e drejtë, mbi të gjitha.

Kini parasysh diçka tjetër. Rrogat është e vërtetë janë të ulëta, por taksat janë edhe më të ulëta. Që të keni një ide të kësaj që po them, ky vend e takson punën, pra, të ardhurat personale të atyre që kanë një rrogë 5.5%, mesatare. Gjermania, 48%-52%. Në momentin kur një vend ka kapacitetin të taksojë gjysmën, të të japë rrogën dhe të marrë gjysmën, ka kapacitetin të financojë patjetër shumë më tepër, edhe arsimin, edhe shëndetësinë e të gjitha. Për dijeninë tuaj, se e kam dëgjuar shumë këtë pjesën, “janë rritur taksat”, këtu nuk janë rritur taksat, këtu ka ndodhur një gjë tjetër. Përgjysmimi i tarifave, ju thoni, duam të na përgjysmohen tarifat, do të thotë që ju doni të paguani gjysmën e asaj që paguani, po pjesën tjetër kush do e paguajë? Duhet të kuptoni që Masteri nuk mund të paguhet nga taksapaguesit. Është e pamundur dhe e padrejtë. Në një vend që takson punën 5.5% nuk mund të pretendojmë që të kemi një financim më masiv të shërbimeve, sesa sot e kemi mundësinë. Patjetër, nesër do kemi më shumë mundësi, do bëjmë më shumë. Arsimin e lartë qeveria e financonte 50 e diçka milionë, sot e financon 81 milionë. Patjetër nuk mjafton.

Nuk e financon ligji për Arsimin e Lartë arsimin privat. Është gënjeshtër. E para, nuk ka dalë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për të financuar arsimin privat, zero. Dhe kjo është e verifikueshme, se janë shifrat.

E dyta, ligji thotë që për kërkimin shkencor nuk ka kufizim midis arsimit të lartë publik, të financuar nga shteti dhe arsimit të financuar nga privati. Por edhe këtu, asnjë qindarkë nga shteti nuk është dhënë.

E treta, arsimi i financuar nga shteti, apo i financuar nga privati është një e mirë publike. Edhe ata që shkojnë në universitete private janë si ju, vajza dhe djem prindërish që paguajnë taksa dhe mbi të gjitha duhet ta mësoni që ne, jo vetëm i kemi mbyllur universitetet private që ishin ndërmarrje që vetëm jepnin diploma pa shkuar në shkollë, por universitetet private sot kanë detyrimin ligjor si në të gjithë vendet normale që çfarë fitojnë, ta investojnë në universitet, pra, nuk janë ndërmarrje fitimprurëse, siç ishin më parë.

E fundit, 5%-shi i buxhetit ka qenë një angazhim i yni i vitit 2013, një ambicie e vitit 2013. Nuk e kemi realizuar dot për 1001 arsye. Në vitin 2017 nuk e kemi më këtë si program afatshkurtër, sepse është i pabëshëm. Në vitin 2017 nuk e kemi në program, sepse është një objektiv shumë afatgjatë. Ndërkohë për shkak se kemi bërë një politikë shumë agresive të uljes së taksave për ata që fitojnë më pak dhe të shtrëngimit për ata që ishin mësuar të mos paguanin më fatura dhe arsyeja pse një shumicë e madhe njerëzish thonë janë rritur taksat, nuk ka lidhje me taksat, ka lidhje me faktin që paguajnë drita e ujë dhe iu duken taksa, por këto s’janë taksa, prandaj kjo nuk bëhet. Kaq e thjeshtë.

– Vij nga Fakulteti i Arkitekturës, dega Arkitekturë. Jam në vitin e tretë të studimeve. Si të gjithë studentët do ju them një problem konkret që e ka Fakulteti dhe ju të na jepni zgjidhje konkrete. Fakulteti ka një mungesë të theksuar hapësire pune. Nga të dhënat, ne kemi  1590 studentë dhe mesatarja na bie nga 2 metër katror për çdo student, kur nga standardet e vendosura, sipërfaqja është minimalisht nga 4 deri në 8 metër katror për çdo student arkitekture, ndërsa BE arrin nga 8 deri në 12. Qeveria juaj ka 5 vjet në pushtet, çfarë masash ka marrë? Pse nuk investon qeveria që të ndërtojë ambiente, salla pune? Kompjuterët nuk punojnë, është skandal. Kush arkitekt shqiptar mund të konkurrojë me një të huaj, kur ne nuk kemi kushte minimale? Çfarë do bëni ju për të shtuar metrat katrorë? Studentë në 2018-ën të mos kenë wireless. Pse të mos bëjmë një korpus universitar  që të kemi ambient të punojmë? E dini ju që profesorët tanë punojnë me 200% të normës që paguhen? Pedagogu të paguhet për 10 orë punë dhe të bëjë 20 orë punë. Nuk ka staf akademik.

Kryeministri Rama: Nëse shkoni te adresa shqiperiaqeduam.al, keni aty draftin e punës për 8 pikat. Ne kemi qysh prej ditës kur u shfaqën këto pikat, grupet e punës në qeveri që merren për çdo pikë. Drafti që kemi të publikuar është drafti i punës aktualisht, jo i përfunduar. Do update-het në vijim. Këto që ju thoni tani nuk do i kisha dëgjuar nëse nuk do ishim takuar. Aty do shikoni që mund të jepni mendim për 8 pikat. Aty keni dy dritare që janë për universitetin në tërësi, jetën akademike, ato që tha profesori në lidhje me ligjshmërinë dhe keni edhe për universitetin tuaj në veçanti.

Ajo që unë e kam quajtur Pakti për Universitetin nuk është negociata me ju. Nuk kemi çfarë negociojmë. Kemi një qëllim, pavarësisht si mund t’u dukëm unë juve. Pakti për Universitetin do të jetë një dokument angazhimesh konkrete dhe me afate, jo vetëm për universitet në tërësi, por dhe për universitet në veçanti. Fjala vjen, do të bëhet një inventar i nevojave për çdo universitet, ato do të shkruhen, do të jenë aty, do të kenë një faqe të veçantë, p.sh. arkitektura, gjeologjia, etj.. Krahas inventarit të nevojave do të projektohet një kalendar pune për t’i adresuar këto nevoja, çfarë bëhet shpejt, çfarë bëhet më vonë, çfarë nuk bëhet, sepse ka edhe gjëra që nuk bëhen. Konkretisht, një nga punët që po bëjmë tani, edhe përpara se të hynim në këtë mbledhje, është që ministritë që mbulojnë fusha të  caktuara do të marrin edhe një kujdestari të veçantë për universitet që janë në fushën e tyre. P.sh., Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të mbulojë fakultetet që kanë lidhje me fushën. Po të shikojmë pjesën e kërkimit shkencor apo duke qenë se Masteri në të gjithë botën, edhe në ligjin tonë, financohet nga puna, ne do të vendosim disa buxhete modeste të ministrisë për universitetin. Kështu, ministritë porosisin studimet, porosisin konsulencat, porosisin supervizione të caktuara.

Nga ana tjetër, ku ka vullnet, ka gjithmonë zgjidhje. Sot, ju jeni në  të drejtën tuaj që të jeni kështu. Por, shumë shpejt, ne do të takohemi bashkë, por jo më për dialog dhe për të qenë Tomi përballë 200 Xherrave, por për të bërë gjëra konkretisht. Më tha dikush para se të vija në këtë takim dhe që e njeh universitetin, ki parasysh se ata kanë një hangar aty mbrapa. Ka qenë një debat i gjatë që ta marrë apo jo universiteti. Ju do ta harroni protestën, unë nuk do ta harroj, por do të vij prapë këtu dhe do të merremi konkretisht edhe për gjëra që janë të nevojshme për punën, si kompjuter, hapësira dhe të gjitha. Por një gjë mos e harroni asnjëherë. Ju jeni inxhinierë dhe arkitektë dhe nga ideja tek grataciela, është një rrugë pak e gjatë.

– Të gjitha kërkesat tona, Fakulteti jonë i Arkitekturës dhe Urbanistikës i ka adresuar në dekanat. Mund t’ua dorëzojmë edhe personalisht.

Kryeministri Rama: Patjetër që po, por unë ju sugjeroj që të hyni në atë platformë dhe të shkarkoni aty çfarë kemi në formë dixhitale dhe njëkohësisht do  të ishte shumë mirë që një grup i juaji personash ta marri përsipër ndjekjen në proces të kësaj historie.

Përsa i përket pikave, të gjitha këto kërkojnë afate. Fjala vjen, për tarifat teorikisht ju duhet të paguani në janar. Tani nuk do të paguani në janar. Ne po diskutojmë atë shkallëzimin meritokratik. Aty ka një debat lidhur me diferencën. Në qoftë se 8 deri në 9 është më shumë se 6 deri në 8, mund të ndodhi që për të kaluar nga 7 tek 8, atë 8-tën mund ta japin me hatër, pra, ka disa diskutime që ne jemi duke i bërë. E këto janë gjëra që duhen diskutuar. Por sidoqoftë një gjë është e sigurt, ne e kemi bërë llogarinë e kemi përcaktuar buxhetin përkatës nga buxheti i arsimit, menjëherë dhe paratë që ju do të jepnit në janar, do t’i japë qeveria dhe ju nuk do të paguani në janar. Kjo është një gjë që unë e kam thënë dhe e kam stërthënë. Ju mund të rrini në rrugë prapë. Unë nuk kam thënë asnjëherë dialog për të ndaluar protestën. Është e drejta juaj. Mua më është dukur absurde që të bësh kërkesat, të bërtasësh, të të dëgjojnë, të thonë “hajde të flasësh” dhe të mos flasësh. Kjo është absurdë.  Ndërsa në janar kjo pikë do të plotësohet.

Karta e Studentit është një fjalë goje, por ka një sërë aspektesh që duhen marrë parasysh, nuk është vetëm aspekti i prodhimit. Është dhe aspekti i shërbimeve që do japi Karta. Është aspekti i mbulimit me përgjegjësi të Kartës. Është aspekti tjetër që ne kemi bërë që në shkurt të këtij viti, një marrëveshje me Qendrën e Shërbimeve Arsimore franceze, d.m.th, kemi nisur një diskutim dhe marrëveshja është firmosur në nëntor, për t’i futur studentët shqiptarë në kartën e BE-së. Pra, është një projekt i BE-së.

– Kisha një sugjerim rreth tarifës që ju keni hequr për studentët e ekselencës. Unë personalisht jam student i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe mesa di unë, në Inxhinierinë e Ndërtimit nuk ka asnjë në bachelor që ta ketë mesataren më lart se 9. Duhet gjetur një zgjidhje ku të gjithë ne të jemi të përfshirë. Si i bëhet, se kjo do të thotë që është një shkollë më e fortë se të tjerat që nuk merret kollaj 9 dhe 10.

Kryeministri Edi Rama: Nëse do të ishte kollaj, do të ishin të gjithë njësoj në këtë botë. Ka që vrapojnë shpejt, ka që vrapojnë ngadalë. Ka që marrin 10 , ka që nuk marrin. Për fat të mirë ne nuk jemi në vitin 1, para erës së re, jemi në vitin 2018. Nuk jemi të detyruar të shpikim se i kanë bërë të tjerët para nesh. Dhe në atë dhjetorin e parë, – se nuk ka të dytë ai, – kemi kërkuar të ndryshojmë sistem. Ky sistemi ku të gjithë janë njësoj, ne e kishim. Nëse ju doni ta ktheni, organizohuni, bëni një parti, luftoni dhe mbase i bindni shqiptarët të  ktheheni në komunizëm. Këtu jeni në sistemin e meritës dhe të konkurrencës. Konkurrenca nuk e njeh këtë që thua ti. Madje, për këtë vit akademik do t’ua përgjysmojmë edhe atyre që janë me katra, që të kenë kohë 6 muaj që të përmirësohen. Por vitin tjetër ta harrojë kush ka katra dhe pesa, se mund të paguajnë taksa ata që punojnë në këtë vend që të financojnë ata që nuk duan të mësojnë. Kush nuk do të mësojë është në të drejtën e tij të abuzojë me prindërit që i japin paratë për të ardhur në shkollë, por nuk është në të drejtën e tij që t’ia kërkojë shoqërisë këtë gjë. Ndërkohë që shoqëria në këtë sistem është e gatshme që të nderojë dhe të respektojë më të mirët.  Koncepti i ekselencës këtu dhe në të gjithë planetin është 10.00. E nëse ti kërkon që të njohësh një 10.00, hajde me mua, do të shkojmë në Postribë të Shkodrës në një familje ku fëmijët mësojnë me çadër në dhomë, sepse hyn shiu dhe janë 10.00.

– Jam pedagoge që i jap mësim Arkitekturës. Ajo që u tha pak më parë në lidhje me hapësirat për një fakultet të ri do të ishte ëndërr dhe për mua, sepse qëkur kam qënë studente, na i kanë premtuar. Unë tani jam 55 vjeç dhe ende nuk është realizuar. Do të kërkoja nga ju, sikur vërtet të na jepni një mundësi, një shesh, projektin do ta bëjnë vetë studentët. Dua të vazhdoj dhe me një pikë tjetër, që ka të bëjë me kurrikulën e shkollës së mesme. Është hequr nga shkolla e mesme lënda e vizatimit teknik. E shikoj të pavend këtë gjë, sepse shpesh studentët janë të papërgatitur në lëndët e inxhinierisë. Kisha dhe një çështje lidhur me ligjin për Arsimin e Lartë. Është shumë e vërtetë që ka ardhur një draft nga Ministria e Arsimit. Ne kemi pasur vërejtjet tona, por nuk e di ku shkuan rrugës. Një pjese të saj, p.sh neni 49, që ka lidhje me Kodin Administrativ, është mirë që t’i riktheheni. Duhet përmirësuar.

Kryeministri Rama: Unë kam pyetur në mënyrë të vazhdueshme dhe deri tani nuk kam dëgjuar asnjë çështje që të jetë ligji pengesë. Por zbatimi i ligjit është një problem i madh. Në të gjithë botën demokratike, Bordin e Administrimit e kontrollon financuesi më i madh dhe financuesi më i madh në sistemet ku subvencioni i qeverisë është masa më e madhe e financimit është qeveria. Franca që ka një këshill administrativ me shumë kompetenca, Bordin e Administrimit e ka në ministri. Nuk ka fare bord administrimi kështu siç kemi ne. Ajo që do të bëjmë ne, por që do ta bëjmë kur ta kemi gati të gjithën, besoj në janar, është që ne do t’i shkarkojmë të gjithë përfaqësuesit e qeverisë që janë aktualisht, nga Bordi i Administrimit dhe do të vendosim në të persona me profil publik, apo me disa kritere profesionale, që të jenë aty si rojtarë të interesit publik të  universitetit.

Ju keni kërkuar që të keni një përfaqësues në bordin e administrimit. Këtë nuk e ka asnjë vend, por ajo që ne po diskutojmë është që në katërshen e qeverisë, studentët të propozojnë 2 ose tre figura publike, ose ekspertë të fushës dhe qeveria të vendosi njërin prej tyre.Ndërsa në pjesën që ka universiteti, janë tre, i zgjedh Senati. Studentët janë në senat. Mund të bëhet marrëveshja me universitetin që një nga të tre të jetë student. A jua pranon, apo s’jua pranon  universiteti, kjo është pastaj çështja e asaj që ju nuk e dëgjoni dot, që janë negociatat.

Përsa i përket godinave ka shumë nevoja Shqipëria sot dhe patjetër që ju jeni në të drejtën tuaj të thoni çfarë më intereson sesi ka qënë, mua më intereson si janë sot. Por, nëse krahasojmë universitetin sot me si ka qenë 5 vjet më parë, nuk ka krahasim në të gjitha aspektet. Nëse e krahasojmë me çfarë duhet të jetë universiteti, atëherë ka shumë për të bërë.

 – Desha të sqaroj pak atë që thashë më parë. Edhe unë kam ardhur nga shkolla e mesme me mesatare 10.00. Por ekselenca në fakultete të ndryshme është e ndryshme. Taksapaguesit janë prindërit tanë. Pse duhet të paguajë  prindi im për një  ekselent që është në degën e historisë, që e ka më të lehtë se unë ta marri 10.

Kryeministri Edi Rama: Shoqëria për ju do të paguajë gjysmën. 100% do të paguajë për ekselentët dhe ata që janë në ndihmë ekonomike.

– Desha të sqaroja diçka lidhur me projektet. Problemi qëndron tek fakti që çdo projekt kursi që ne realizojmë është thjesht si kusht për t’u futur në provim. Ne shpenzojmë shumë punë dhe mund para se të vijë sezoni i provimeve vetëm për projektet dhe kur vjen fundi, këto projekte janë vetëm kusht për t’u futur. Pra, ajo që mua më vilet njëherë në projekt dhe detyrë kursi, mua më kërkohet për së dyti. Ka shumë volum si nga ana teorike dhe nga ana e ushtrimeve.

Kryeministri Edi Rama: Nuk mund të të jap një përgjigje, sepse kjo është shumë teknike, por mendoj që në këtë pikë duhet parë sesi janë eksperiencat më të mira të shkollave të inxhinierisë apo të arkitekturës, sa peshë zë projekti, sa peshë zë pjesa tjetër. Këto janë çështje të organizimit të brendshëm.

– Sipas meje, çdo ligj ka vend për një përmirësim pas një periudhe të caktuar. Le të themi që ky ligj është më i mirë se ai i kaluari. Po zbatimi i ligjit sa i rëndësishëm është? Ashtu si të gjithë, mendojmë se problemi është tek zbatimi i ligjit. Ndoshta nuk është mundur të kuptohet mirë. Nuk është plotësuar me akte nënligjore. Nuk është shoqëruar me rifreskimin e statuteve dhe rregulloreve të brendshme. Kush duhet të kontrollojë zbatimin e ligjeve? Në radhë të parë, ata që i hartojnë e duke vazhduar me radhë nga lart, poshtë. Nëse kjo s’ndodh, rrezikon që të dështojë. Kudo duket se përgjegjësia është kolektive. Po përgjegjësi personale pse nuk ka? Kjo ndodh sepse mungon ndërgjegjja dhe frika nga ligji.

Transparenca e titujve dhe gradave, edhe kjo është e mirëshkruar në ligj, por përsëri mungon zbatimi i ligjit. Rastet e rekrutimeve të stafeve, rastet e pedagogëve të paaftë, kush do të ketë kurajën t’i ndalojë të bëjnë dëme?  Ecuria në vite e kualifikimeve bëhet shpesh në fushata. Për 15 vite, nga 1990-2005 në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit nuk kanë funksionuar kualifikimet pasuniversitare.

Kryeministri Rama: Çështja e rekrutimit është problem më vete. Një nga gjërat që ne do të bëjmë, është të bëjmë transparencën e rekrutimeve. Deri në 2013, titujt dhe gradat shkencore i jepte ministria,  këshilltari i ministrit. Ne ia kaluam si atribut universiteteve. Pra,  e ka universiteti atributet, që mund ta kishte bërë transparencën e titujve dhe nuk e ka bërë. Përpara disa kohësh në Vlorë, dy pedagogë jepnin juridik dhe nuk kishin mbaruar të mesmen akoma. E kishin të mesmen me letra false dhe kishin marrë diplomën pastaj.

Ne kemi vendosur një kuotë 33% i punonjësve jo staf pedagogjik, që mund të rekrutojë një universitet. Sot që flasim kemi mbi 1000 punonjës mbi normën.

– Ju keni nxjerrë një draft ku thuhet që sipas mesatares përkatëse do të jetë edhe tarifa përkatëse. Po nxënësit që i kanë të gjitha nota të mira, por kanë një lëndë të mbartur tek cila kategori futen?

Kryeministri Rama: Kjo është një temë që besoj u diskutua edhe në rastin e pikës së VKM-së. Përderisa sistemi ynë e ka mbartjen të mundur, ne po shikojmë një formulë që të ketë një mbartje të arsyeshme. Pra, mbartje për shkak se s’do të futesh tani, sepse do të marrësh një notë më të mirë, por jo mbartje që shkon në vit të pestë dhe s’ke mbaruar akoma provimet e vitit të parë. Po diskutohet një gjë e tillë, që të mos hynë tek kategoria e 4-ës dhe 5-ës për shkak se kanë provime të mbartura.

– Logjika ime nuk e kupton dot që Masteri nuk mund të subvencionohet nga taksapaguesit, përderisa për tregun e punës, Masteri është jetik. Në këtë rast, edhe subvencioni bëhet jetik. Unë me diplomën time të Bachelor nuk mund të filloj në një vend pune të mirëfilltë në profesion. Këtë hajde e mendojmë si do e bëjmë. Masteri ka edhe peshën me të madhe të pagesës. Për kushtet dhe programin që bën, nuk e kuptoj këtë pagesë, por e kuptoj që është një titull shkencor që do të doja shumë që të kishte institucione përkatëse, që të gjithë studentët të shkonim e të bënim studimet, apo të zbulonim diçka. Ata që duan të bëjnë studime dhe ide të veçanta të kenë një institut këtu dhe të mos shkojnë t’i bëjnë studimet nëpër universitetet e Holandës, apo të tjerat jashtë.

Një kërkesë tjetër është për Kartën e Studentit. Ju në draft keni vënë një afat që është shtatori  2019. Dua t’ju sugjeroj që të merren parasysh kërkesat që studentët realisht kanë, një zbritje në kërkesat e jetës së studentëve.

Një pikë tjetër, nëse qeveria lidh marrëveshje me universitete të ndryshme, sugjeroj që këto marrëveshje të kalojnë edhe nëpërmjet universiteteve.

Kryeministri Rama: Së pari, ne do të bëjmë disa korrektime lidhur me Masterin profesional, sepse aty ka disa probleme që i pengojnë studentët të hyjnë në karrierën e tyre. Së dyti, ke qenë jashtë shtetit dhe besoj që e ke parë që ata që fillojnë direkt punë, nuk fillojnë direkt në atë pozicion që kanë ëndërruar, por i bien nga shumë gjatë. Së treti, Masteri është për nga natyra një eksperiencë e lidhur me punën, nuk është si arsimi i detyrueshëm apo Bachelor, por një stad i privilegjuar. Ne kemi nivelin më të ulët në Europë, jo në rajon, të studentëve që punojnë për të mbuluar shpenzimet. Nëse flasim për tarifat në të shumtën e herës janë sa ose më pak se një kafe në ditë. Flasim për 30-40-50 mijë lekë në muaj.

Një gjë tjetër për ta pasur parasysh për 5% të GDP. Në 100 lekë të PPB vende si Gjermani, Franca e Anglia marrin nga qytetarët 50 lekë ndërkohë që në Shqipëri merren 28 lekë. Brenda 50-tës, 10-ta që është pjesëmarrja e shtetit në buxhetit për arsim është 5%. Por e dini ju që në Shqipëri buxhet për arsim kemi 10.1%? Janë 2 gjëra, një është pjesa e GDP-së dhe një është në buxhetin që ke ti e vendos për arsimin. Njësoj si familjet tuaja, një pjesë të madhe e zë shpenzimi për arsimin. Po të shikoni atë që e nxjerrin që Shqipëria 3.1% shpenzime të familjeve janë për arsimin, nuk është ngaqë arsimi është i shtrenjtë, por është ngaqë familjet shqiptare historikisht shpenzojnë për arsimn më shumë se sa të gjithë të tjerët. Kini parasysh që janë më shumë se 5000 që vit për vit shkojnë jashtë shtetit direkt nga gjimnazi. Patjetër që familja juaj sforcohet. Është e njëjta gjë për familjen e madhe. Ju thoni godinat, konviktet, laboratorët, të gjitha janë të duhura, por, nëse më thua se duhet të spostosh 20 milionë euro nga buxheti për tarifat, si bëhen përnjëherë? Duhen marrë nga diku. Konviktet është e vërtet që janë skandaloze, por ama ne kemi filluar të investojmë. Ju te ndërtimi e keni parë, besoj. Si mund të bëhen në kaq pak kohë të gjitha? Kështu që edhe tek Masteri do të ndjekim të njëjtën logjikë, ata që janë ekselentë dhe ata që janë me ndihmë ekonomike.

Ndërkohë që një pjesë tjetër e gjësë është që ne do të krijojmë një hapësirë në administratë me vende pune të lira direkte për më të mirët.

Ne do të financojmë në mënyrë direkte nga ministritë një numër të caktuar studimesh konsulencash. Dhe këto para do të jenë për universitetin dhe ata që do të përfshihen.

– Realisht, ajo që unë mendoj, është që ata që janë më të mirët nuk do të fillojnë të punojnë në këto vendet e punës. Duhet një tjetër motivim. Ndërsa për financimet do t’ju sugjeroja t’i shkonin departamentit dhe jo universitetit, nëse doni realisht të shfrytëzohen siç duhet. Ne kemi edhe praktikat tona si senat e si universitet, për konferencat tona gjejmë sponsorë.

Kryeministri Rama: Ata do të jenë specifike. Në Shqipëri harxhohen para pafund për studime mjedisore. Edhe në këtë pikë ne mund të lidhim marrëveshje me universitetin që të stimulojnë vajtjen drejt universitetit të subjekteve private. Nëse shteti e njeh të drejtën e universitetit për të bërë një studim të impaktit mjedisor, atëherë universiteti futet në treg me çmim konkurrues. Të gjitha këto gjëra i ka ligji, duhet të kishin filluar të bëheshin nga universiteti. Ju na futet të gjithë në këtë vorbull dhe kjo vorbull duhet të prodhojë rezultate afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjatë.

Aprovimi i ligjit për Arsimin e Lartë i jepte mundësinë universiteteve për të punuar për të tretë. Në të gjithë diskutimet që kemi bërë në rektorat e në senat ka qenë mospërputhja me ligjin e prokurimeve. Ky është një problem, i cili është adresuar edhe në ministri nëpërmjet administratorit dhe bordit të administrimit. Përqindja më e madhe e institucioneve që i takojnë shtetit ne na quan institucione shtetërore. Ne kemi kërkuar vazhdimisht. Kemi ndërmarrë disa projekte me Bashkinë e Tiranës, apo edhe me Ministrinë e Bujqësisë dhe një nga problemet ishte pamundësia e pagesës për punën e bërë. Një problem tjetër janë oponencat. Një padrejtësi që ne na u bë është një IAL nuk mund të prodhojë oponenca në fushën e urbanistikës ku ne kemi ekspertizë mjaft ë mirë dhe në fushën e arkitekturës. Në dhamë një zgjidhje, p.sh, bëhen oponenca të objekteve që kushtojnë 1 miliardë lekë. Një shkollë që kushton 900 milionë lekë nuk paska nevojë të ketë oponencë apo kontroll?! Kështu zgjerohet edhe baza ku Instituti i Ndërtimit ka një pjesë të bërjes, por krijon edhe mundësinë për universitetin të shohë cilësinë, por edhe kjo oponencë do të ishte e nevojshme. Pra, puna për të tretë do të na jepte në mundësinë të zhvillonim universitetin dhe madje të jepnim edhe bursa për studentët.

Kryeministri Rama: Këto të gjitha janë të vlefshme. Kjo është arsyeja pse më ra goja që ditën e parë që duhet të flasim. Rëndësi ka që po flasim. Për të qenë konkretë është mirë që këto që thuhen edhe të shkruhen. Janë dy veta e mua që mbajnë shënime dhe regjistrojmë çdo gjë dhe i fusim në shënimet e këtij Dialogu. Por është mirë që edhe nga ju të shkruhen dhe t’i analizojmë dhe t’i japim zgjidhje atyre që mundemi.

Më vjen shumë keq që po ju drejtohem juve, sepse realisht duhet t’i drejtohem profesor Haskos, sepse unë jam në Master dhe gjithë këtë kohë, unë nuk kam bërë një udhëtim për të parë si shtrohet një zhavorr një bitum etj.. Profesorët janë të njëjtë si në Bachelor, si në Master, paguhen njëlloj si në Bachelor, ashtu edhe në Master. Nëse nuk po rregullojmë dot tarifat e Masterit, ju lutem shumë, a mundet të paktën të rregullojmë cilësinë arsimore? Unë vij nga tre breza mësues dhe cilësia e arsimit është katastrofë. E gjitha po bëhet për tarifat, por këto tarifa nuk e justifikojnë cilësinë e arsimimit. Ajo tarifa 2milionë e 100 mijë nuk është fare e justifikuar në Shqipëri.

Kryeministri Rama: Arsim cilësor është një fjalë që thuhet shpejt, por kërkon reforma, luftë, durim dhe disiplinë të madhe. Nuk mund të më kërkosh mua atë që nuk është bërë për 30 vite. Si mundem unë të të jap përgjigje për 30 vjet çmenduri që janë bërë këtu. Unë po ndaj me ty hallin tim. Ti po ndan me mua hallin tënd e po të them që mos harro atë që ndodhi në 2009 sepse ne sot, gjenerata juaj sot, edhe ata që ishin këtu, edhe ajo vajza që nuk kupton se çfarë është edukata është viktimë e asaj që është mbjellë 20 vjet më përpara. Në një sistem arsimor që ka qenë për së mbrapshti që në klasën e parë, e deri këtu ku keni ardhur. Nuk është kjo një histori, që është thjeshtë çështje muresh, çështje kaldajash e bibliotekash. Është shume komplekse e ju keni shume të drejtë, por dhe profesorati nuk krijohet se, u mblodhën sot në protestë e nesër duam të kemi një profesorat që të jetë siç duam. Mos harroni dhe një gjë që, ne deri dje kemi pasur 25 mijë studentë part – time.

-Unë dua vetëm të di, a do bëjmë disa praktika mësimore? Po ju lutem, nuk po jua kërkoj me ultimatum.

Kryeministri Edi Rama: E kuptova shumë mirë se çfarë do të dish, unë u përpoqa që të të jap mundësinë të kuptosh se nga nisemi për të kuptuar se ku mund të shkojmë. Nuk ka popull, nuk ka individ që mund të ketë sensin e të ardhmes, nëse nuk ka sensin e historisë, që mund të ketë sensin e të nesërmes, nëse nuk di ku ishte dje. Nuk ekziston kjo. Ju nuk doni ta dini ku ishit dje. Jeni në të drejtën tuaj, por unë po ju them që deri dje, nuk bëhej asnjë akreditim në universitete. E dini ju që ne kemi marrë akreditimin e cilësisë më të lartë europiane që është akreditimi i kompanisë angleze dhe për çudinë time, në të gjithë dokumentet e akreditimit nuk ka dalë kaq katastrofë kjo puna e universitetit. Kanë dalë universitete ne gjendje shumë problematike, kanë dalë universitete në gjendje jo katastrofike. Tani, mos harroni asnjëherë se nga kemi nisur.

-Do doja që asnjë nga shokët e shoqet studentë të mos më ndërpriste. Kam disa çështje, do përmend edhe referenca në ligjin e arsimit të lartë me nen dhe me pika. Para se të filloj dua të them diçka të shkurtër, nuk e kuptoj se si gjejnë zgjidhej shqetësimet e mia tek ju që jeni kryeministër, se normalisht logjika më thotë që zgjidhjet gjenden në dekanat ose maksimumi tek ministria e arsimit, por megjithatë po i shtroj.

Pika e parë që më shqetëson është kopjimi në provime. Në bazë të të drejtave dhe detyrave të studentit, të cilët gjenden lehtësisht tek faqja e UPT, paragrafi i të drejtave e detyrave të studentit, në kreun “Shkelja e rregullave”, pika 1, unë e kam lexuar dhe shkurtimisht po them se cili është ndëshkimi për këtë akt. Është në mënyrë të përshkallëzuar. E fillon që nga vërejtje me shkrim për studentin që kopjon, kalohet pastaj në përjashtim 1 vit nga universiteti dhe e fundit, përjashtim përgjithmonë nga universiteti. Sigurisht që nuk e vë në dyshim që ka studentë që nuk kopjojnë dhe sigurisht ka dhe studentë që kopjojnë. Jam i shqetësuar për pjesën e dytë. Rregullorja flet vetë, ajo që më shqetëson mua është pse nuk zbatohet rregullorja për studentët që kopjojnë. Do doja mendimin tuaj pastaj do kaloj tek pika e dytë.

Kryeministri Edi Rama: Tani, edhe për të kapur me kopje, mua do më angazhoni?

E parashtrova që fillim, nuk e kuptoj si mund ta zgjidhni ju problemin tim, por meqë keni ardhur.

Kryeministri Edi Rama: Ta shpjegoj unë, kanë qeshur disa, disa të tjerë kanë përqeshur, disa të tjerë nuk kanë kuptuar fare kur unë kam thënë që pse në këtë moment, duhet një pakt mes qeverisë dhe studentëve, sepse studentët maksimumi që mund të bëjnë është të bëjnë këtë që po bëjnë, të protestojnë, por më shume se kaq nuk bëjnë dot. Qeveria, maksimumi që mund të bëjë është të hajë shpullën që hëngri, të bëj ato ndërhyrjet e veta me buxhetin dhe përmirësimin e konvikteve, karta e ku di unë, por nuk hyn do t në universitet, nuk futet dot. Këtu, më shumë se treçereku i çështjeve janë çështje të organizimit të brendshëm të universitetit. Nëse ne bashkërisht biem dakord që kjo protestë nuk fiket si flakë kashte dhe nuk mbetet thjeshtë plotëso 8 pikat, por shkon më thellë dhe adreson të gjitha këto, atëherë ai pakti për universitetin, duhet të jetë një pakt angazhimesh. E prandaj thashë që studentët, në çdo universitet duhet të zgjedhin një përfaqësi të tyren për ta ndjekur në mënyrë periodike. Unë jam gati ta bëj këtë gjë dhe t’ju them të drejtën, shumë sinqerisht, sa do kisha dashur të isha në protestë dhe ta udhëhiqja vetë këtë protestë, ju nuk e keni idenë. Por më ra mua tani të bëj këtë pjesën që t’ju them hajde flasim. Mua kështu po më shkon kjo pjesë e jetës politike, duke iu lutur atyre që nuk duan të flasin, “hajde flasim”. Edhe në Vlorë, njëri thoshte nuk flasim me ty se na mbush mendjen. Tjetri thoshte jo se e pësojmë siç e pësoi Luli. Që mos e pësoni si Luli duhet të flasim e duhet të jemi serioz në angazhimet që marrim. Unë jam shumë serioz në këtë gjë dhe do e shikoni.

Edhe ky element që the, kërkon një angazhim të përbashkët. Ti e the me butësi, por unë e di që kjo është një katastrofë, por kjo kërkon angazhim të përbashkët të universitetit dhe të qeverisë me disa pika konkrete se si do adresohet ky problem se unë jam kurioz të di, është përjashtuar ndonjë për kopje në Republikën e Shqipërisë? Dhe pastaj rrinë kopjojnë në telefon ato që duhet të thoni në takimin me kryeministrin.

Në ligjin e arsimit të lartë, në nenin, 33 pika 3, shkurtimisht thuhet që çdo IAL ka rregulloren e vetë të brendshme dhe është e përmendur në ligj. Në një vend tjetër ligji thotë që të gjitha masat disiplinore për moszbatimin  e rregullores së brendshme merren nga fakulteti. E para është vizatimi i këtyre skicave në muret e klasave. Vizatime të lloj-lloji. Ka simbole të nazizmit të vizatuara në muret e klasave dhe kjo më shqetëson. Më duket jo normale. Një pikë tjetër që unë do e përfshija tek aktet e rrugaçërisë është dëmtimi i bankave, shkarravitja.

Kryeministri Rama: Në një kohë tjetër, unë do thotë që ju që jeni mbledhur dhe bërtisni çdo ju japë atdheu, pyeteni veten çfarë mund t’i jepni ju atdheut, e thoshte një burrë shumë më i madh se unë këtë dhe do ju thosha që atdheut nuk ju kërkohet për fat të mirë t’i jepni jetën, as që t’i jepni djersën e ballit nëpër ara e kantiere, por ju kërkohet të jepni edukatën dhe respektin për mjedisin ku jetoni dhe këto që ngriti djali, për shumicën ju duken si shtesë kati pa leje në bisedë, sepse duket gjëja më normale që të vandalizohen bankat e të shkarravitet.

Sipas rregullores për sesionet e provimeve, pika 9, thuhet që kur ballafaqohet provimi, rezultati i marrë prej provimi, bëhet me tezën e zgjidhur nga pedagogu. Unë jam viti i pestë e në asnjë prej këtyre 5 viteve nuk ka ndodhur kjo. Kjo lë vend për vlerësim subjektiv. Në momentin që është teza e zgjidhur, ajo flet vetë.

Po kaloj tek shqetësimi tjetër. Cenimi i orës së mësimit, në bazë të statutit të UPT, neni 57, pika 1, thotë që ora e mësimit është e pacënueshme. Një shqetësim që unë kam është që në departamentin tim, pedagogu nuk vjen në mësim. Nga data e fillimit të shkollës deri në datën që filloi protesta janë diku 5 javë mësim. Realisht ka bërë pedagogu 0 orë seminar gjatë këtyre 5 javëve dhe 3 orë leksion dhe kjo është shkelje e hapur. Pse nuk zbatohet? Dua të merret masë disiplinimi në bazë të statutit për personelin akademik në lidhej me këtë pjesë.

Kryeministri Rama: Unë jam absolutisht dakord me të gjitha këto që thua, vetëm një gjë do komentoja. Që në këto pikat, bëj aleatë, se je vetëm. Bëj aleat të tjerë dhe refuzojeni pedagogun që nuk vjen në orët e mësimit, se kjo është më e rëndësishme se të gjitha pikat bashkë. Bëj aleat se je vetëm.

Ju këtu keni sjellë Kryeministrin. E kuptoni forcën tuaj? Sikur ju të jenë bashkë kundër këtyre padrejtësive në universitet, do të ndryshojë situata vetëm nga solidariteti për të drejta, jo solidaritet për të bërë… se ka dhe raste që ju turren pedagogëve se nuk marrin dot 5 dhe thonë më kërkoi lekë. Kam parë historira të tmerrshme me sulme e me gjueti shtrigash ndaj pedagogëve nga katranjosë. Kur vjen puna tek pedagogët që shkelin të drejtat tuaja, ju me një dalje në rrugë atje dhe ngritët gjithë dynjanë në këmbë. Po sikur të ngrihet gjithë klasa e të thotë ose të vijë këtu pedagogu, ose ne zëmë derën e universitetit Por ama me të drejtën. Kush arrin të bëj aleatë për të drejtën nuk ka gjë që e ndal. Ti ke vetëm një problem, je vetëm.

Në lidhje me Kartën e Studentit, ligji thotë qartë që studenti duhet të pajiset me kartën e arsimit. Kjo nuk është kërkesë, sepse kur ligji garanton, nuk ka më vend. Dua disiplinim ndaj personave përgjegjës për këtë çështje. Edhe diçka tjetër në lidhje me kontrollin e cilësisë së brendshme, i cili sipas Ligjit të Arsimit të lartë kryhet nga brenda për brenda fakultetit dhe në lidhej me kontrollet e jashtë që duhet ti vijnë fakultetit që bëhen nga instancat e Ministrisë së arsimit. Ligji thotë që në fund të çdo semestri, vjen kontrolli i cilësisë së brendshme dhe bën anketime. Unë jam semestri i tretë. I kam kaluar 2 dhe është bërë në qershor vjet një pyetësor, nuk e di a përfshihet, por, edhe nëse përfshihet, jemi një semestër mangët. Qartësisht, pjesa që flet ligji në lidhje me këtë çështje nuk zbatohet. Pse nuk është marrë masa e disiplinimit?

Kryeministri Rama: Kjo histori që po zhvillohet ka shumë aspekte pozitive, ka aspektet e veta shumë negative, por që janë aspektet negative që ndihmojnë për të kuptuar dhe më mirë sëmundjen e universitetit dhe edhe më mirë, edhe një lloj krize të këtij brezi, por një nga gjërat shumë pozitive është që unë e kam thënë dhe e përsëris, ka qenë një shuplakë për qeverinë e ky është një virtyt i demokracisë, sepse qeveritë, sado të mira, sado të përpiqen, asnjëherë nuk janë në gjendje të jetë të pagabueshme. Përsa më përket mua, unë e kam thënë dhe e besoj shumë fort që ky vend mund të shkojë përpara me më shumë shpejtësi, nëse ata që qeverisin e bëjnë këtë gjë bashkë me njerëzit. Eshtë dukur si slogan, është dukur si muhabet, por unë e besoj shumë këtë gjë. Kjo që po ndodh për mua është një potencial shumë i madh dhe unë ju jap fjalën që do vij prap këtu dhe kur të kalojë kjo histori, do t’i shikojmë gjërat në detaje. Do shikojmë hapësirat, do diskutojmë dhe jam i bindur që edhe ata që ikën dhe që nuk janë ngelësa do jenë të interesuar për këtë gjë.

Të gjitha këto gjëra që i ngrini në këtë valë nuk do t’i harroni nesër, por duhet t’i keni disa prioritete tuajat. Të jenë të sigurt që disa gjëra do ndryshojnë. Do të shikoni në vijim që ne do t’i përgjigjeni pikave. Jua thashë, efekti i parë i pikave është tarifa, që do e shikoni që në janar që nuk do jeni të detyruar ta paguani. Pikat e tjera janë të gjitha duke u punuar, por do të shikoni që ne do të bëjmë shumë më tepër se kaq. Të thashë që të gjitha këto duhet të shihen me seriozitet dhe në çdo detaj dhe përgjegjësitë tona, të gjitha do të dalin në çdo detaj.

Kur doli njoftimi që duhet ta paguanim tarifën e shkollës, ne të Fakultetit të Arkitekturës para datës 15 dhjetor se ndryshe nuk hynim në sezon, unë konkretisht dhe shumë studentë të tjerë e kanë paguar atë tarifë. Sido procedohet me ne që e kemi paguar?

Kryeministri Rama: Këtë e keni me universitetin, por unë besoj që kush e ka paguar do ta marri mbrapsht dhe besoj që nuk ka arsye që mos kthehet mbrapsht, përderisa edhe si masë që lidhet me çfarë po diskutojmë do hyjë në fuqi në janar. Kështu që do t’jua kthejnë mbrapsht. Ju keni paguar atë që duhet të paguanit në janar, kështu që në janar duhet t’jua kthejnë mbrapsht.

Përveç problemit të tarifës që për ne është e papërballueshme se cilësia këtu është e njëjtë, të njëjtat orë mësimi, të njëjtat gjëra, thjesht në Master paguajmë më shumë. Për pjesën e praktikave mësimore, ne të Inxhinierisë së Ndërtimit mbarojmë mësimin dhe praktikën mësimore duhet t’i gjejmë vetë.

Kryeministri Rama: Problemin e praktikave e kam dëgjuar në çdo vend ku kam vajtur dhe është shumë e drejtë. Kemi bërë disa diskutime të brendshëm për si mund ta adresojmë e ndërkohë do punojmë me fakultetet, do punojmë me pedagogët për të parë si do adresohet. Për ta adresuar do ta adresojmë, por si e sa, mos ma kërko sot se do të them gjëra që nuk janë të kthjelluara plotësisht.

Në lidhje me oponencën, unë mendoj që është një aset i shtetit, kërkon të certifikojë një produkt. Nëse oponenca lihet në dorë të disa institucioneve e nuk është monopol, i duhet disa institucioneve. Unë them që kjo duhet zgjidhur.

Kryeministri Rama: Unë them që do ishte ndihmë e çmuar që jo vetëm ta propozoni, por ta hidhini në letër opinionin tuja. Me disa aspekte më të detajuara në mënyrë që ne ta shikojmë sepse gjëja që mua më ka rënë goja gjithë kohës, ne diskutojmë financimin e universiteteve, por nuk mundet dot universiteti të financohet në kushtet tona, sidomos thjesht nga tarifat dhe nga shteti. Universiteti duhet të financohet nga burime të tjera, nga tregu. Universitetet tona duhet të dalin në treg dhe dalja në treg nuk është thjesht ajo pjesë që mund të bëjë shteti. Ne jemi faqja e zezë si universitete në raport me çfarë mund të marrim nga fondet e BE. Po të shohësh gjithë universitetet e rajonit, ne jemi faqja e zezë si universitet në raport me mundësitë që janë për të marrë nga fondet komunitare. Kemi negociuar me KFW në mënyrë shumë të shpejtë, të pazakonshme e kemi pasur mirëkuptim. KFW është Banka Gjermane për Zhvillim dhe kemi pasur mirëkuptim për të shtuar financimin me një interes shumë të ulët dhe plus një grant në fondin për konviktet. Pra, jam i bindur që, nëse ka një organizim të brendshëm që për problemet që kemi të kapim ato që janë më tërheqëse dhe më goditëse për partnerët, për Komisionin Europian, jam i sigurt që kur vjen puna tek studentët, tek edukimi, ka gjithmonë mundësi për të marrë para. Historia që rrimë këtu dhe themi shteti, dakord, shteti duhet të bëjë edhe më shumë, por nga pikëpamja kulturore, nga pikëpamja e mentalitetit nuk na çon asgjëkund, se nesër do dalësh atje e do thuash dua punë shteti se nuk shkoj tek privati.

Në lidhje me Bordin e Administrimit, unë mendoj se sot, universiteti është institucion që funksionon me dy koka. Një bën punën, tjetri menaxhon fondet. Unë nuk e di të them të drejtën se si mund të funksionojë qeveria me dy koka, kur ju të bëni punën e dikush tjetër të menaxhonte lekët, pse e them këtë, sepse për çështjet e administrimit, ligji i Arsimit të Lartë…

Rama: Bordi i Administrimit nuk menaxhon. Bordi i Administrimit përcakton rregullat për shpërndarjen e të ardhurave dhe pastaj merret me mbikëqyrjen, ndërsa historia që rektorët, dekanët bëjnë tendera, ka mbaruar, nuk kthehemi më mbrapa. Lufta ime është që të bëhemi si Europa. Është e vështirë, gjëja më e kollajshme është të bërtasësh e duam Shqipërinë si gjithë Europa, por nuk dua dialog, gjëja më e vështirë është të bësh dialog e të gjesh zgjidhje.

Doja të rikthej në vëmendje dhe një herë çështjen e tavanit. Unë nuk gjej dot një arsye, pse duhet të kushtojë një tavan 85 000 euro. E marrim të mirëqenë që ky fond ka shkuar për tavanin. Nuk gjej dot një arsye, pse duhet të bëhet një tavan 85 000 euro, kur ne nuk bëjmë dot një vijë të drejtë në klasa se na dridhen duart.

Kryeministri Rama: Mblidhuni bashke, bëjini një letër Senatit dhe thojini Senatit që si shpjegohet që juve keni vendosur që paratë t’i çoni për tavan dhe Senati duhet të mblidhet t’ju japë përgjigje. Nuk është fare puna ime dhe nuk ka lidhje fare qeveria se çfarë e se si përcaktohet buxheti dhe si ndahen buxhetet. Janë përgjegjësi të vetë universitet. Autonomia është përgjegjësi, nuk është vetëm liri.

Kam një koment në lidhje me Senatin e UPT. Personat e cituar që nuk janë prezent, janë profesorë të nderuar e të zgjedhur nga gjithë stafet akademike. Drurët e shtrembër në një shtëpi nuk mund të hedhin baltë mbi gjithë punën e profesoratit. Këtë ta kemi parasysh. Ju lutem, është e paprecedent. Ne patëm disa takime me studentët dhe janë individë të caktuar, të cilët hedhin jo vetëm baltë, por edhe llaç mbi gjithë sistemin.

Kryeministri Rama: Janë të qarta këto. Unë profesorëve nuk mundem veçse t’u shpreh solidaritetin kur nuk i meritojnë e t’ju them shikoni shokun tuaj këtu, që ha dynjanë me lloj-lloj sharjesh, por çfarë nuk të vret, të forcon, mos u mërzit.

Dua të prek një pikë që marr shkas nga ajo që thatë më parë që as nuk e kam dëgjuar e as nuk është tek tetë pikat. Përmende pak më parë që studentët shqiptarë kanë përqindjen më të vogël të studentëve që punojnë, nuk e di me çfarë e krahasuar. Arsyen ta them unë, këtu në Shqipëri nuk ekziston si term apo një program për punë studentore. Se nuk ka student që nuk do të punojë. Nuk ka, ta them unë që kam kërkuar. Duam të punojmë dhe po të ekzistonte puna studentore në Shqipëri, ndoshta nuk do ishim ngritur. Punë 20 orë në javë nuk ka.

Kryeministri Rama: E ke gabim sepse unë thashë që kemi numrin më të vogël të studentëve që punojnë dhe nuk thashë që asnjë student nuk punon dhe përderisa ka studentë që punojnë, domethënë, që kush do të punojë, punon. Të jesh i sigurt që kush punon për shkollën, është në shkollë edhe më i mirë se ata që nuk punojnë për shkollën. Ju jeni të vetmit studentë që nuk e mendoni fare punën si opsion. Në janar më keni këtu.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.