Kreu Aktualitet Kryesia e PS thërret Asamblenë Kombëtare

Kryesia e PS thërret Asamblenë Kombëtare

274
0

Deklarata për mediat e Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama:

Kemi bërë një diskutim për të gjithë pasqyrën e 30 qershorit. Kemi parë me kujdes çdo qark, çdo bashki. Kemi diskutuar për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku sigurisht do të flasim për çka është bërë dhe çka do të bëjmë në vijim pas pushimeve. Gjëja më e rëndësishme, besoj, është që kemi hapur një diskutim për ta çuar në një nivel tjetër organizimin tërësor të Partisë Socialiste, në funksion të marrëdhënieve më të afërta, më të hapura dhe më efektive me çdo komunitet, në funksion të harmonizimit të linjës tonë politike me mirëfunksionimin e bashkive dhe padiskutim në funksion të një qëndrimi të qartë që kemi mbajtur dhe gjatë fushatës në çdo bashki që deri dje është qeverisur nga e djathta, për të ndërtuar një proces solid në raport me administratën, për të mos shfaqur asnjë tendencë tradicionale prej “pushtuesish” në këto bashki, për të respektuar të gjithë ata që sot punojnë në këto bashki, për të mos prekur asnjë grua, apo vajzë, në radhë të parë, që figuron në administratën bashkiake dhe për të pasur transparencë maksimale për të gjitha lëvizjet që natyrisht mund të jenë të nevojshme, jo në funksion të diskriminimit politik, apo të ndonjë spastrimi, largqoftë, politik, por në funksion të meritës për çdo pozicion në këto administrata.

-A do ketë ndryshime në qeveri?

Kryeministri Rama: Nuk ka ndryshime në qeveri. Janë fantazi që burojnë edhe nga temperaturat e larta.

-E keni deklaruar edhe vetë zoti Kryeministër!

Kryeministri Rama: Nuk kam deklaruar që do të ketë ndryshime. Kam thënë që janë një sërë detyrash për tu bërë dhe nëse detyrat janë bërë, nuk ka nevojë për ndryshime.

-Zoti Rama, po për opozitën që pretendon se ka 85% të shqiptareve pas vetes, ata që nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale, a keni diskutuar? A do të negociohet?

Kryeministri Rama: E kamë thënë gjatë fushatës, që, ata do të ndëshkohen nga vetëpërjashtimi dhe në procesin e vetëvrasjes do të bërtasin: Fitore! Siç e shikoni, po bërtasin “fitore”. “Fitore” tilla paçin gjithmonë! Unë sinqerisht ua uroj, por, ajo që mbetet është rezultati i vullnetit sovran, i popullit shqiptar.

-Zoti President ka thënë që ju keni pasur një plan që në shkurt për të eliminuar LSI dhe PD?

Kryeministri Rama: Kush e ka thënë këtë?

-Në një mesazh që ju i keni dërguar Presidentit të Republikës në shkurt, kur PD dhe LSI dogjën mandatet. Mesazhi është lexuar në një konferencë për shtyp. A ka qenë ky një plan i hershëm i juaji për të eliminuar opozitën?

Kryeministri Rama: Për fat të keq të atyre që ende e besojnë këtë opozitë, nuk ka nevojë për plane për të eliminuar opozitën, sepse opozita është në kapacitete të plota për tu veteliminuar dhe siç po e shikoni, procesi i degradimit vazhdon në një rrugë që e kanë zgjedhur vetë, qorrazi dhe ku çdo ditë hedhin qorrazi nga një hap. Ajo që është e rëndësishme për ne është që t’iu qëndrojmë besnik të gjithëve, edhe atyre që na votuan, edhe atyre që nuk na votuan. Pastaj, këto historitë me, “7×7 bëjnë 42” ia kemi lënë opozitës. Partia Socialiste dhe kandidatët tanë kanë marrë një mbështetje përtej çdo pritshmërie në kushtet ku janë zhvilluar këto zgjedhje. Mbi këtë bazë ne kemi filluar punën për të ndërtuar rrugën e fitores së radhës, në qershor të vitit 2021.

-Zoti Rama, a pritet të ketë zgjedhje brenda Partisë Socialiste në shtator?

Kryeministri Rama: Po patjetër! Ne do të hyjmë në proces zgjedhor sepse është viti. Do të flasim më tutje për këtë, duke filluar nga Asambleja Kombëtare. Të gjitha organizatat e partisë, forumet e partisë, Asambleja Kombëtare, kryesia e partisë do të rizgjidhen nga kongresi i ri zgjedhor i Partisë Socialiste.

-A keni menduar për një emër tjetër konsensual për President tani që po shkarkoni Ilir Metën?

Kryeministri Rama: Nuk është kjo në rendin e ditës. Ju e dini që unë jam gjithmonë 3 lëvizje përpara, por po fokusohem tek lëvizja e radhës. Lëvizja e radhës është procesi që ka filluar në Parlament. Kkur të përfundojë ai proces do të kemi kohë të flasim për lëvizjen tjetër.

-Çfarë do të ndodhë zoti Rama me drejtuesit politikë që nuk kanë arritur rezultatin e pritshëm në zgjedhjet e 30 qershorit?

Kryeministri Rama: Nuk kemi pasur në zgjedhjet e qershorit prioritet rezultatin, kemi pasur procesin. Besoj që ia kemi dalë të ndërtojmë një proces që i ka mbijetuar të gjithë lëvizjes së dhunshme antishtet dhe antizgjedhje. Tani kemi të dhëna të bollshme për të vijuar më tutje, si gjithmonë, duke parë nga vetja. Ne e dimë shumë mirë çfarë potencialesh kemi. Jemi të vetëdijshëm që kemi ende shumë rezerva. Jemi po ashtu të vetëdijshëm që kemi shumë gjëra për të përmirësuar në të gjitha nivelet, në nivelin e organizimit dhe funksionimit të partisë, në nivelin e funksionimit të qeverisjes vendore, në nivelin e funksionimit të qeverisjes kombëtare. Kështu që, ky është procesi ynë.

-Kryeministër, një pyetje për Reformën në Drejtësi. 11 gjyqtarë dhe prokurorë të cilët nuk kanë kaluar vetingun e kanë çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut. Sa ju shqetëson ky zhvillim?

Kryeministri Rama: Është e drejta e tyre. Nuk kam asnjë shqetësim. Reforma në Drejtësi është kali i betejës së kësaj shumice qeverisëse dhe për sa kohë ajo vazhdon të zbatohet në harmoni të plotë me objektivat e bashkëvendosura me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, të tjerat pastaj janë aspekte dytësore të një procesi që ecën dhe që nuk ndalet më, siç e patë edhe në 30 Qershor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.