Kreu Ditar Ku kerkoheshin sakrifica, aty ishte ai…

Ku kerkoheshin sakrifica, aty ishte ai…

296
0

Me rastin e 75 vjetorit të rënies

Myslym Shyri lindi në Tiranë në vitin 1916. Merr pjesë në lëvizjen antizogiste dhe më vonë antifashiste. Punoi si punëtor krahu në një shoqëri italiane, një kohë shitës ambulant etj. Ai ishte një nga pjesëmarrësit e guximshëm të njesiteve guerrile të Tiranës që kreu detyra të veçanta e të rëndësishme. Në vitin 1942, u inkuadrua partizan në çetën e Pezës dhe më 3 Mars 1943, komisar në çetën partizane të Dumresë.

Myslym Shyri ose Lymi, siç e thërrisnin të afërmit dhe moshatarët i nisi në Tiranë, në rrugët e jetës, mes halleve e njerëzve  që i mbartnin ato. Aty për herë të parë u ndesh me jetën e vërtetë dhe njohu fytyrën e egër të regjimit satrap të A. Zogut.

Zbarkimi fashist e gjen Lymin në një radhë me Hamdi Mëzezin e Hamid Shijakun, në rreshtat e demostruesve që kërkonin me këmbëngulje armë. Ai fliste për rrezikun që i kërcënohej vendit tonë dhe nxiste të rinjtë për të rrëmbyer me forcë armët dhe për të pritur me plumb okupatorin. Me okupimin e vendit, Lymi filloi të punojë edhe më me vrull. Ai u thoshte shokëve: “S’kemi ç’të presim ma, shokë. Fashizmi ash shtrue kambëkryq në vatrat tona, por rranjë s’do ta lamë me lshue”!

Në vitet 1939-40 dhe 1941, punonte punëtor krahu në shoqërinë italiane “Marinucci” dhe “Xhenjo militare”. Puna ishte shumë e rëndë. Këtu Lymi me shokë organizoi dy greva që ndihmuan në mënyrë të ndjeshme në çelikosjen e radhëve antifashiste të punëtorëve, në shtimin e guximit dhe forcës së tyre revolucionare për të rezistuar e për të luftuar fashizmin. Vetitë më të mira të Lymit si dashuria për shokët, qëndrueshmëria e trimëria, këmbëngulja revolucionare shkëlqyen qysh në demostratat e para në Tiranë.

Si gjithnjë çiraku, punëtori i krahut dhe shitësi ambulant në pazarin e vjetër të Tiranës, që bashkë me perimet e pemët u ndante njerëzve edhe dritën, gjendet mes halleve, zërit dhe zemërimit të popullit, në mbledhje ilegale e të hapura, në demostrata ku komunisti i patundur shihej kurdoherë në rreshtin e parë. Në një demostratë, pas përleshjes me karabinierët, turma e armiqve izoloi grumbullin ku valëvitej krenar flamuri i kuq, simboli i fitores mbi fashizmin, i gjakut të derdhur e që do të derdhej lumë, i së ardhmes. Por Lymi me Ferit Xhajkon nuk e lëshuan nga duart, pastaj pasi e fshehën në gji, me ndihmën dhe forcën e shokëve, çanë rrethimin dhe shpëtuan flamurin pa rënë në duart e karabinierëve. Pas tradhëtisë dhe deponimeve në hetuesi të Ludovik e Zef Ndojes në Prill-Maj 1942, grupi ku militonte Lymi u shpërnda. Disa u arrestuan, të tjerë ngelën nën vëzhgimin e rreptë të kuesturës. Lymi ishte i detyruar të zhvillonte aktivitetin e tij revolucionar si gjysëm ilegal, se atë e njihnin prej kohësh dhe e gjurmonin. Një herë në lagjen “Fortuzi” e rrethuan por ai e çau kurthin e armiqve me revolver në dorë.

Me vendim shokët që kishin rënë më tepër në sy të agjentëve të fashizmit u dërguan: Hamdi Mëzezi dhe Ferit Xhajko në Vlorë, ndërsa Lymi në Çetën e Pezës. Hamdiu dhe Feriti nuk arritën dot në Vlorë se i zunë në të hyrë të Fierit, i arrestuan dhe më vonë, për qëndrimin e tyre të vendosur, i dënuan me varje.

Në çetë, Lymi ishte përkrahës i flaktë i aksioneve. Ai thirret nga Peza për të ekzekutuar një spiun të regjur e shumë të rrezikshëm, me biografi të gjatë shërbimesh qysh në kohën e pushtimit austriak, i cili njihte në fytyrë shumë kuadro e simpatizantë dhe baza ilegale të lëvizjes. Zhdukja e kësaj vegle qorre e të rrezikshme ishte e domosdoshme.

…Ishte ditë e diel. Njesiti që do të qëllonte spiunin kish informata se ai ndodhej në një dasëm. Dhe ata e pritën derisa ai doli nga shtëpia, ku kryente zanatin e tij të poshtër, duke tradhëtuar bijtë më të mirë të popullit. Lymi, gjakftohtë, i afrohet nja dy metro si për të ndezur cigaren dhe e qëlloi spiunin disa herë me nagant. Më 28 Shkurt 1943, Myslym Shyri dërgohet nga çeta e Pezës në atë të Dumresë. Pas ca ditësh, pikërisht me 2 Mars, dërguan dhe 9 shokë të tjerë, që u pritën nga Lymi dhe njesiti, nja 30 luftëtarë në fshatin Gjinar të Shpatit në Elbasan. Dhe të nesermen, kur u zhvillua ceremonia e inaugurimit të çetës, Lymi u zgjodh komisar. Në gjithë veprimtarinë e çetës u ndje dora e fortë, puna këmbëngulëse dhe e vrullshme e Lymit, i cili shqetësohej si për aksionet ashtu dhe për mbarëvajtjen e partizanit më të moshuar që kish filluar të mësonte shkrim e këndim.

Aksioni i parë ku Lymi udhëhoqi çetën ishte shpartallimi i postës së xhandarmërisë në katundin Gjinar. Ndërtesa e postës ishte e rrethuar me kujdes nga partizanët, por xhandarët nguronin për të dhënë fjalën e dorëzimit. Lymi, pa përfillur rrezikun, me armë në dorë u vërsul brënda dhe ata donin s’donin u detyruan t’i ngrejnë duart përpjetë. Kur çeta u kthye në bazë, u bë mbledhja. Lymit i tërhoqën vrejtjen për iniciativën e tepruar, e cila mund të kishte pasoja të rrezikshme për të. Por ai mbeti deri në fund të jetës  të shkurtër e plot energji, i pari në sulm të avancuar dhe gjithnjë i fundit në tërheqje e pretendime të çdo lloji.

Më 11 Gusht 1943 nga Elbasani, sipas direktivës së Shtabit të Përgjithshëm, u nisën partizanët që do të merrnin pjesë në radhët e Brigadës Parë Sulmuese, formacionit të parë më të madh të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Forcat partizane të zgjedhura nga Çermenika dhe Dumreja, u bashkuan në një repart dhe u nisën. Lymi u zgjodh komisar i kolonës deri në Vithkuq.

Nga data 25 deri më 29 Gusht 1943, Brigada e parë u angazhua në luftime në Vithkuq kundër operacionit armik të ndërmarrë nga fashistët italianë. Batalioni i dytë që mbronte vijën e Makërzës, pikërisht aty ku parakaloi Brigada ditën e inaugurimit, luftoi me rreth 2000 ushtarë fashistë. Edhe këtu u shqua shpirti sulmonjës i Lymit, që me një kompani çau vijën armike dhe u doli pas shpine fashistëve dhe i goditi duke i tmerruar. Gjatë inkursionit në Veri, partizanët e batalionit të dytë e njohën edhe më thellë komisarin e tyre të dashur, trimin e vijës së parë të zjarrit e rrezikut, e njohën pikërisht atje ku kërkoheshin sakrificat më të mëdha për të çarë me gjoks përmes plumbave e dëborës së pakapërcyeshme.

Ditën e parë tre batalionet u goditën në përroin e Skroskës. Por partizanët, pa përfillur rrezikun, u hodhën përpara duke vënë në jetë betimin e tyre solemn se misionin e ngarkuar do ta kryenin me çdo kusht. Megjithëse të rrahur nga shiu e bora, zbathur, pa ngrënë e pa gjumë, trimat e Brigadës së parë i ngjiteshin së përpjetës shkëmb vetëm me mendimin të ecnin përpara, të thyenin çdo përpjekje të armiqve e të mbërrinin në objektiv. Sapo dilnin nga përroi, në krah të Lymit u vra nga plumbat e mitrolozave armiq, mitralieri i batalionit, të cilin Lymi, megjithëse nën rrezikun e grykave armike, i çeli varrin dhe e përshëndeti me breshëritë e lamtumirës.

Komisari e kaloi gjithë kohën në këtë marshim partizan më partizan duke u folur me gjuhën e thjeshtë, me sigurinë dhe besimin e mrekullueshëm që kishte ai në fitoren e afërt.

Në Qershor-Korrik 1944, Brigada I-rë Sulmuese, pasi spastroi njëherë e mirë zonën e Çermenikës nga shtypja dhe terrori i reaksionit, e vazhdoi lëvizjen në drejtim Zerqan-Peshkopi. Me urdhër të Shtabit të Divizionit I-Sulmues të Ushtrisë Nacional-çlirimtare, u shkëput batalioni i dytë, të cilit iu ngarkua detyra luftarake në zonën e Peshkopisë, në bashkëveprim me forcat partizane të terrenit. Më 8 Korrik, partizanët e batalionit të dytë dhe ata vendas, sulmuan e rrethuan mercenarët e H. Alisë në Fushaliaj dhe u futën në katund deri në pragun e shtëpive të këtij krimineli me damkë. Mirepo, mercenarët e tij, natën goditën pabesisht luftëtarët tanë pas shpine, duke krijuar një situatë të vështirë.

Edhe në këtë luftim komisari i batalionit Myslym Shyri, me një grusht partizanësh ishte hedhur përpara në sulm midis mercenarëve. Kur u dha urdhëri për t’u tërhequr, ai së bashku me Ibrahim Shehun (Dëshmor), qëndruan të fundit duke mbrojtur me zjarr e këmbëngulje shokët. Kështu, gjatë tërheqjes, duke luftuar dhëmb për dhëmb me tradhëtarët e popullit në çdo hap që hidhnin, ata dhanë jetën e tyre të shtrenjtë; ranë Ibrahim Shehu e Pinellopi Pirro pranë e pranë. Pak më tej, i goditur nga plumbat, u vra edhe komisari trim Myslym Shyri – Hero i Popullit. Lajmi i vrasjes së komisarit të tyre të dashur mbushi zemrat e gjithë partizanëve të batalionit me urrejtje akoma më të thellë për armiqtë.

Myslym Shyri ra Dëshmor i Atdheut më 8 Korrik 1944, në luftë me forcat mercenare në Fushë Alie të Dibrës.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.