Kreu Ditar Kuçi i Labërisë dhe 77 vjetori i çlirimit

Kuçi i Labërisë dhe 77 vjetori i çlirimit

272
0

Pushtimin fashist italian në prill 1939 populli i Kuçit, si tërë populli shqiptar e priti me urrejtje të madhe dhe me qëndresë pa asnjë mëdyshje.Më 6 prill u bë kuvëndi i traditës në Kuç qëndër dhe po atë ditë u nis për në Vlorë çeta e Kuçit me komandant Zeno Luçin por u kthyen sapo morën dijeni për pushtimin e vendit dhe mendonin për luftën e radhës me pushtuesit italian pas epopesë së Luftës së Vlorës më 1920, ku Kuçi dërgoi katër çeta në Vlorë e Tepelenë. Në prill 1939 shumë ushtarakë e civilë kuçiotë bënë qëndresë kundër pushtuesve në Durrës,Vlorë, Shëngjin e gjetkë në përballjet e para me fashistët.

Por Lëvizja ANÇ e organizuar filloi me shpërndarjen e mbi 30 trakteve të para të PKSh nga komunisti Ali Lala e Fetan Toçi më 30 dhjetor 1941 e në vijim, duke i ngjitur edhe në derën e postës së milicisë fashiste në Kuç qëndër.Pa vonuar vala kryengritëse u përhap në mjedisin e përgatitur prej kohësh për të luftuar për liri e pavarësi, sipas traditës kryengritëse të lashtë kundër çdo pushtuesi.

Më 15 shkurt 1942 u krijua KANÇ-i dhe njesiti i parë partizan; filluan grupet e para edukuese e organizuese të  luftës, u krijuan tre njisitet e para në mjedisin e gjërë të zonave të fshatit. Në Kuç Buronja u muarr vendimi për krijimin e çetës së parë të Kurveleshit, sipas Heroit të Popullit Avdul Hakiu. Ilegalët e parë partizanë dolën në fshat në maj e korrik 1942, të cilët bënë dy mbledhje kuvendore historike me fshatarët në Mrezha të Nake, të drejtuara nga Mustafa Matohiti, Memo Meto etj. Në gusht 1942 u bënë arrestimet e para nga fashistët e bashkëpuntorët e tyre vendës, ku ra në pritë Dëshmori i parë Shate Rrokaj, i cili nuk pranoi të shërbente në ushtrinë fashiste apo të dorëzohej. Banorët e Kuçit u përfshinë në këtë lëvizje çilirimtare dhe u lidhën ngusht me atë në Vlorë, Kurvelesh,Gjirokastër, Bregdetin Jon etj.si dhe kuçiotë në qytete të tjera e zona të vendit.

Më 9 Nëntor 1942 postëkomanda e milicisë fashiste arrestoi komunistët e parë. Menjëherë u dha alarmi dhe brenda natës, në një kohë me rrebesh u bë mbledhja me luftëtarët në Buronja, ku nën drejtimin e Mustafa Matohitit, të celulës së PKSh të Kuçit të drejtuar nga Memo Meto, u bë plani luftarak që nisi në mëngjesin e 10 Nëntorit 1942 kundër postëkomandës së milicisë në Kuç qendër .Në këtë aksion u përfshinë 4 grupe luftëtarësh për rrethimin e saj, disa grupe të veçanta prenë linjat telefonike me nënprefekturën në Gusmar, me Vlorën,Gjirokastrën e Bregdetin për të mos u njoftuar forcat pushtuese. Rreth 250 luftëtarë të mbledhur gjatë natës filluan sulmin dhe pasi qëndra e postëkomandës bëri qëndresë, ku u vra Sulo Lalaj.Luftëtarët e lirisë i vunë zjarrin me benzinë godinës, ku u vranë brigadiri italian e dy milicë, i zoti i shtëpsë ngjitur, sot dëshmor Sali Myrtaj dhe u liruan komunistët e arrestuar. Fitorja ishte e rrufeshme. U organizua një miting dhe varrimi i Dëshmorit Sulo Lalaj, ku foli M.Meto.Kuçi u çlirua përfundimisht nga pushtimi fashist dhe ky çlirim u përforcua me çlirimin e nënprefekturës së Kurveleshit në Gusmar më 28 nëntor 1942, pasi pushteti fashist nuk u rivendos më asnjë herë, veç operacioneve ndëshkuese që bënë më pas fashistët italianë e gjermanë kundër forcave partizane dhe popullit në zonën e Kuçit, Kurveleshit, Lumit të Vlorës e Bregdetit Jon.

Në Nëntor 1942 u riorganizua KANC-i i Kuçit, sipas orientimeve të Konferencës së Pezës. Në Dhjetor 1942 u krijuan çetat me shumicë luftëtarësh kuçiotë: “Avni Rustemi”, ”Hajredin Tremishti” e “Sulo Lalaj”, ndërsa në 1943 çeta “Toto Bolena” dhe batalioni “Ismail Haki” (Kuçi),me mbi 300 luftëtarë të moshave të ndryshme, përfshi vajza e gra.Këto çeta e batalioni vepruan në jug të vendit në shumë aksione e beteja me armikun, veç punës për ngritjen e KANC-eve dhe organizatave të Frontit e të masave,me ndihma ushqimore,veshmbathje,shërim të plagosurve etj. si  dhe duke bërë demaskimin e zyrtarëve bashkëpuntorë të fashistëve që kërkonin të mashtronin popullin  edhe me ndihma ushqimore etj.sidomos me ballistët që tentonin të organizoheshin por nuk arritën të krijojnë njësi balliste në fshat.Gjatë vitit 1942-1943 një pjesë e kuçiotëve u kthyen dhe u rrjeshtuan në forcat partizane nga ata që ishin nëpër vende të tjera.

Më 16 prill 1943 fashistët italianë dhe bashkëpuntorët e tyre, me një sulm të befasishëm, dogjën tërë fshatin dhe bënë masakra të ndryshme. Megjithëkëtë humbje të madhe, lufta çlirimtare u fuqizua më tej nga banorët, që u përfshinë në masë në radhët partizane nga 14-15 vjeç e lart, sipas traditës. Populli vijoi edhe punët në bujqësi e blektori pa pushim. Para çdo alarmi futej në pyje, male e shpella dhe kthehej në kasollet e ngritura me nxitim për të vijuar punën dhe luftëtarët luftën për çlirim.

Më 2 tetor 1943 në malin e Gjoshnikoshit të Golemit dhe në Papadhi të Kuçit u bë beteja e parë me pushtuesit e rinj naziztët gjermanë, ku ranë 7 dëshmorë kuçiotë, një nga Golemi dhe Themo Vasi, Heroi i Popullit, që drejtonte çetën. Në Buronja gjermanët vranë 120 oficerë e ushtarë italianë,të cilët u dorëzan tek ata, ndërsa të tjerë,megjithse ishin pushtues e kishin luftuar kundër popullit tonë, u morën në strehim e mbrojtje nga familjet kuçiote derisa u riatdhesuan në Itali, një qëndrim njerëzor i pashëmbullt, sipas traditës për të mos e vrarë hasmin në shtëpinë që kërkon të mbrojë kokën. Më pas gjermanët e dogjën tre herë Kuçin, duke mos lënë as kasolle stanesh e shtroje qensh.

Në 1943 në Kuç u vendos Shtabi i zonës së I-re operative Vlorë-Gjirokastër; shtypi i PKSh; spitalet partizane. Në operacionin e dimrit 1943-1944, gjermanët e bashkëpuntorët e tyre vranë 27 kuçiotë që luftonin në fshat me  armë në dorë,gra e burra; bënë tre masakra të mëdha, duke djegur në shtëpi njerëz të gjallë. Më 1944 në Kuç u vendos spitali i përgjithshëm i UNCl, komanda brigadash etj. Në zonën e fshatit Kuç e rreth tij u kryen 7 operacione deri në atë fundit, Qershor 1944. Kuçiotët morën pjesë gati në të gjitha njësit partizane dhe gati në çdo krahinë të Shqipërisë, edhe në Çamëri e në Kosovë si dhe në çlirimin e ish tokave jugosllave deri në Vishegrad. Më 29 Nëntor 1944 komandanti i batalionit kuçiot Bejo Stefani ngriti flamurin kuq e zi në kalanë e Rozafës dhe populli i Shkodrës i priti me gëzim e hare partizanët çilirimtarë të brigadave të UNC shqiptare.

Pas 25 qershorit 1944 nuk shkeli më këmbë pushtuesi në Kuç. Kështu filloi rindërtimi i fshatit dhe u hapën shkollat e para.Më 1999 Kuçi u shpall “Fshat martir” i Luftës së Dytë Botërore nga Unioni Botëror i Paqes në Bolonjë, Itali. Kuçi u quajt “Republika e Kuqe” ose Stalingrad nga armiqtë gjatë LANC-it, pasi ky fshat i madh me popullsi e hapësirë mjedisesh malore e pyjesh, ishte nyjë strategjike dhe bëri qëndresë shëmbullore si zemër e Labërisë .Kuçi pati mbi 600 luftëtarë në brigada e njësi partizane në tërë vendin, 36 vajza e gra partizane, mbi 200 gra e vajza veprimtare të LANC-it; 32 partizanë të plagosur, 50 luftëtarë në komandat e fshatit, Kurveleshit e Gjirokastrës; 92 dëshmorë të shpallur të rënë gjatë LANC-it, nga të cilët 7 djem të vetëm; veç kuçiotë të tjerë të pashpallur dëshmorë që në fakt plotësonin kriteret. Armiku masakroi 34 vetë, burgosi e internoi 58 vetë, 8 në kampet e shfarrosjes naziste.150 kuçiotë morën pjesë në çlirimin e ish Jugosllavisë dhe u dekoruan nga jugosllavët.

Kuçi pati 103 kuadro komanduesë në ushtri, burra e gra, gjatë LANC-it, nga komandant çete e lart; 134 anëtarë të PKSh, nga të cilët 13 shoqe.Shumë luftëtarë u quajtën viktima dhe nuk u shpallën dëshmorë, ndryshe numuri arrinte në 150 dëshmorë,veç 94 të shpallur.35 vetë mbetën invalidë të LANC-it, burra e gra. Kuçi ka 4 bij Heroj të Popullit, Memo Meto, Jaho Gjoligu, Avdul Hakiu e Nuri Luçi. Kuçit iu dhanë urdhërat e dekoratat më të larta për pjesëmarrjen masive në LANC. Gjatë LANC-it Kuçi u dëmtua më rëndë ekonomikisht, edhe pas luftës italo-greke 1940-1941, kur u vendos fronti në Kuç-Vranisht.

Traditat e shquara në çdo lëmë të jetës kombëtare të Kuçit, Kurveleshit e Labërisë duhet të njihen mirë dhe të përvetësohen nga brezat e rinj, të cilëve kjo përvojë do t’iu duhet në sfidat e të ardhmes së tyre.

Dr. Hasan Luçi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.