Kreu Sociale Kur vjen 1 Qershori

Kur vjen 1 Qershori

965
0

Qershori është muaji i parë i stinës së verës, muaji i festive, prandaj fëmijët në festën e tyre, lulet do t’i bëjnë buqetë, do t’ua dhurojnë njerëzve të tyre të dashur, mësuesve dhe prindërve, janë lule të mbledhura anë e kënd atdheut tonë të dashur, në male e kodra, në pllaja e lëndina, me aromën e tyre të këndshme e  magjiplotë.

Fëmijët janë vazhdimi ynë, e ardhmja e vendit. Si pakuptuar, ata “marrin” pjesë në përpjekjet dhe zhvillimet tona, ata janë shtysa dhe nxitje të fuqishme që ne të ecim me përpara. Ne dëshirojmë që fëmijëve tanë të mos u mungojë asgjë, ata të gëzojnë jetën me të gjitha të mirat e saj. Kjo është detyrë për çdo prind. Ata janë fëmijë kureshtarë, dëgjojnë dhe pyesin pafund, për natyrën e mrekullueshme , për shkencën dhe teknikën. Ndërkohë që ata rriten me teknikën dhe teknologjinë modern të bëjmë më shumë përpjekje që ta zotërojmë në mënyrë që të jemi të aftë t’u krijojmë fëmijëve kushte dhe një atmosferë sa më favorizuese dhe nxitëse. Por nuk duhet të harrojmë që kemi edhe një kategori fëmijësh që jetojnë mes nesh, rrotull nesh dhe që kërkojnë që vemendja dhe kujdesi ynë të jetë më i madh.  Bëhet fjalë per fëmijë jetime, të braktisur, me aftësi të kufizuar, të rrugës dhe fëmijë që kanë braktisur shkollat. Të gjithë këta fëmijë kërkojnë kujdesje, të merremi dhe të angazhohemi më shumë me ta për t’ju krijuar kushte normale për jetesë, për edukim e shkollim. Ndaj këtyre fëmijeve kemi detyra humane dhe njerëzore që të përkujdesemi më shumë dje më profesionalisht për ta. Jo vetëm me fjalë apo ndonjë dhuratë, por me përkujdesje konkrete.

Fëmijët kanë jetën e tyre. T’i mbështesim dhe t’i ndihmojmë, të mos i rrisim para kohe. E gjithë familja, shkolla, shoqëria dhe institucionet e tjera, kanë për mision edukimin e tyre, krijimin e të gjitha kushteve ku ata të argëtohen dhe të formohen dhe të shfaqet fuqishëm pasioni për shkollën e dijen, të jenë të pavarur në mendime dhe në zgjedhjet e tyre nesër në jetë.

Maji i luleve po largohet, gjelbërimi ka mbuluar vendin dhe Qershori, muaji i bukur i pragverës, po vjen. Po Qershori është edhe muaji i veçantë, sepse pikërisht më 1 Qershor, është Dita e Fëmijëve. Kjo ditë nuk është e veçantë vetëm për fëmijët por edhe për mesuesit e tyre, për prindërit, për mbarë Shqipërinë. Në këtë ditë të shënuar do të festojnë fëmijët në mbarë Shqipërinë, fëmijët që sivjet kanë hyrë në klasë të parë, ata do të kenë zhvilluar festën e Abetares, librit të tyre më të dashur, librit që u ka mësuar shkrim dhe këndim, që i mësoi të shkruajnë fjalët: Nënë, Atdhe, pranverë. E, ndërsa fëmijët e tjerë e festojnë këtë festë të gëzuar dhe me krenari, sepse kjo festë është edhe si model balance për punën e mundimshme 9 mujore për vitin shkollor që do të përfundë.

Dhe fëmijët përgatiten për festën e tyre të bukur. Përgatiten dhe festojnë, ngrenë zërin për të mbrojtur të drejtat e tyre të ligjshme, për një jetë më të mirë, për një jetë plot aktivitete edukative, për një shkollë me edukative dhe funksionale, për një familje më të shëndoshë dhe me norma të sakta shoqërore.

E në këtë ditë të bukur Qershori, fëmijët kanë gëzim më të madh. Ata sot janë të mbrojtur nga të gjitha instancat shtetërore, janë të mbrojtur me ligj. Sot funksionon Karta e të Drejtave të Fëmijëve, një dokument që njihet dhe zbatohet, sepse edhe fëmijët, këta qënie të pafajshme, i njohin, madje dhe i kërkojnë të drejtat e tyre. Shumë fëmijë tani janë më të rritur, më të edukuar, më të ndërgjegjshëm për të ardhmen e tyre. Tani po vjen Një Qershori dhe ata do të organizojnë aktivitete të ndryshme,  do të gëzohen dhe përsëri do të kthehen për pak ditë në bankat e shkollës. Sigurisht, edhe për pak ditë ata do të jenë më të lumtur, më aktivë, do të mësoijnë më mirë për ta përfunduar me sukses këtë vit shkollor. Shqipëria ka nevojë për ta, për mendjen e tyre, për duart e tyre, për punën e tyre. Prandaj festojmë për ta, prandaj ata kanë për ta festuar ditën e tyre të bukur. Një Qershorin e festojnë të gjithë se bashku plot gëzim dhe hare, janë të gjithë tok, të gjithë të bukur, me lule në duar. Janë mes tyre nxënësit e dalluar , nxënësit shëmbullore të shkollave.

Megjithëse të vegjël, janë të ndërgjegjshëm për ndryshimet që po bëhen, për rolin e shkollës në edukimin e tyre, për rolin e prindërve në rritjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve, prandaj në këtë festë të bukur, ata do të apelojnë për një punë më të kualifikuar, një kujdes më të madh në edukimin e tyre. Një symbol të jetë i përbashkët për të festuar këtë ditë të bukur, tufat me lule të freskëta, symbol i dashurisë për atdheun, për shkollën, për mësuesit, për prindërit. Ky symbol i përjetshëm do të mbetet më i bukur, më i dashuri, më kuptimploti, sepse edhe ata janë si lulet që po rriten në këtë stinë të bukur, kur festohet dhe festa e tyre. Prandaj, atë ditë do të gjenden këta fëmijë mes asaj gjallërie me lukle të njoma në duar, me lule shumëngjyrëshe, siç është edhe jeta dhe dëshirat e tyre.

Në sytë e fëmijëve, në këtë ditë feste të bukur, shikoj të ardhmen. Shoh një Shqipëri me plagë të shëruara në saje të punës që kanë bërë brezat, paraardhësit e këtyre nxënësve që festojnë sot. Këto fëmijë, me siguri do të çojnë më përpara zhvillimin, atdheun dhe jetën, në saje të punës së tyre, ideve, përgatitjes për t’ja rritur krenarinë Shqipërisë. Prandaj ne sot gëzojmë në këtë festë të bukur, sepse po rritet dhe edukohet një brez, që nesër  do t’u dalë zot fateve te atdheut.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.