Kreu Aktualitet Lame: Kthimi i Ligjit të Kadastrës penalizon çdo shqiptar

Lame: Kthimi i Ligjit të Kadastrës penalizon çdo shqiptar

513
0

Deklaratë për shtyp e kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame:

Dje Presidenti i Republikës nuk dekretoi dhe ktheu për rishqyrtim Ligjin “Për Kadastrën”.

Ilir Meta sot është President i Republikës. Por godina e Presidencës e ndërtuar në vitin 1959, edhe sot e gjithë ditën nuk ka certifikatë pronësie.

Përpara kësaj z. Ilir Meta për 4 vjet ka qenë Kryetar i Kuvendit. Por as Salla ku mblidhet Kuvendi, e ndërtuar që në vitet ’50, nuk ka certifikatë pronësie.

Ca më parë akoma, z. Ilir Meta ka qenë edhe Ministër i Jashtëm. Por edhe Ministria e Jashtme, e ndërtuar që në vitet ’70, nuk është e regjistruar dhe nuk ka certifikatë pronësie.

Ca më parë akoma, z. Ilir Meta ka qenë edhe Kryeministër i Republikës. Por as Godina e Kryeministrisë, e ndërtuar që në kohë të Italisë në vitin 1940, sot e gjithë ditën është e pa certifikatë pronësie.

Këto janë vetëm 4 nga pronat e këtij shteti, që ka të regjistruara me certifikatë pronësie vetëm 4% të pronave të veta.

Të këtij shteti, që ka ende edhe 600.000 prona private të paregjistruara.

Të këtij shteti që, sipas raportit të BB, duhet të rimasë 80% të pronave të matura në këto 25 vjet, sepse janë matur së prapi.

Këto janë punët me të cilat do merret Kadastra, të cilën dje zoti President e ktheu mbrapsht si të rrezikshme.

Mirë se 74 deputetëve që do ta rivotojnë ligjin e Kadastrës po ju themi të presin, po si t’ua shpjegojmë hallin e Presidentit 60.000 familjeve që presin të mbyllin legalizimet, 220.000 fermerëve që presin të regjistrojnë tokën, 50.000 familjeve që presin të ligjërojnë banesat e vjetra, apo 2.800.000 pronave që presin të rimaten nga themelet se janë lëmsh?!

Nëse për shumë ligje të tjera që Presidenti ka kthyer, vonesa penalizon grupe të veçanta njerëzish, kthimi i Ligjit të Kadastrës penalizon çdo shqiptar që ka një çerek shekulli që gjen belanë me pronën.

Duke qenë njeri i letrave, modestisht di të vlerësoj gjënë e shkruar. Ndaj admiroj aftësinë e Presidencës për të mbushur 14 faqe kundër ligjit të Kadastrës dhe të mos thojë asgjë.

Kemi që dje qe jemi mbledhur dhe përpiqemi të gjejmë një argument në ato 14 faqe dhe s’po ja dalim dot.

Sidoqoftë, njërën prej shqetësimeve presidenciale do më lejoni ta analizoj.

Presidenti shkruan se “me këtë ligj Kryeministri merr atributet e administratorit të Regjistrit të Pasurive të paluajtshme”.

Kaq u desh që ca nga ato portalet që bëjnë lëmsh dynjanë, të shkruanin se Edi Rama po grabit regjistrin e pronave të shqiptarëve.

Dëshiroj të siguroj Presidentin se, jo vetëm Kryeministri i sotëm, por asnjëri nga 34 Kryeministrat e historisë së këtij vendi nuk e kanë patur idenë se si lexohet Regjistri i Hipotekës, ndaj s’kanë ç’e duan.

Veç kësaj, unë u përpoqa të bëj verifikime dhe nuk më rezulton që Edi Rama të ketë ndërmend të çojë në Surrel arkivin e Kadastrës.

Ligji e thotë qartë: Regjistri i Pronave është në administrim të Ministrisë së Drejtësisë si deri më sot. Ndërsa Agjencia e Kadastrës do të jetë në vartësi të Kryeministrit, në mënyrë që ky t’i tërheqë veshin direkt Drejtorit për mbarëvajtjen e punës së këtij Institucioni, që do të jetë themeli i reformës së pronës.

Të asaj reforme të pronës që është nga ato ku s’pati të majtë e të djathtë që nuk ishte dakord se duhej bërë, përfshirë edhe vetë Presidentin kur ishte Kryetar i Kuvendit.

Sot është 17 janari, i 551-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. I atij Skënderbeut që ende sot e ka pa certifikatë pronësie Mauzoleun në Lezhë, gjë që ka bërë që e gjithë ajo zonë të rrethohet, sulmohet e copëtohet me lloj-lloj pronarësh, të qenë e të paqenë.

Së fundi, garantoj zotin President se, një ditë pas fillimit nga puna të Agjencisë së re Kadastrës, punonjësit e saj do të paraqiten gjithë respekt në derën e Presidencës së Republikës në Tiranë dhe në Portën e Mauzoleut të Skënderbeut në Lezhë, për të filluar procedurat e lëshimit të Certifikatave të Pronësisë për to, ashtu siç do vijojnë më tej me zgjidhjen e problemeve të certifikimit të pronës për gjithë pronat e tjera të shqiptarëve të këtij vendi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.