Kreu Ditar Liria e ka themelin në gjak

Liria e ka themelin në gjak

344
0

Familje Luçi nga Kuçi i Kurveleshit, e cila ishte e lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare qysh në fillim, i dha asaj gjithçka, edhe jetën e dy bijve të saj, djalit 17 vjeçar Jashar Luçin, i cili ra Dëshmor në Prill të vitit1944 dhe Heroin e Popullit, Nuri Luçin, i cili u vra duke luftuar ballë për ballë me kriminelët në Zhej të Krujës, më 20 Nëntor të vitit 1949.

         I pari i fisit Mustafa  Luçi, mësues i madh dhe patriot i dëgjuar në Labëri e në tërë Shqipërinë, me dashuri e pasion, iu mësoi djemve e vajzave jo vetëm ABC-në, por me ndjenjë të madhe atdhetare patriotike rrënjosi thellë tek nxënësit atdhedashurinë, ndjenjën për të punuar e luftuar për mëmëdhenë, për lirinë dhe drejtësinë. Ai i mësoi nxënësit e tij me ndjenjën e së bukurës dhe dashurinë e respektin për ndershmërinë, për diturinë, në luftën kundër shtypjes, padrejtësisë dhe injorancës, prandaj nxënësit e donin dhe e respektonin mësuesin e tyre si prind.

Mustafa Luçi hapi të parën shkollë shqipe në Kuç të Kurveleshit në vitin 1913 . Fillimisht në një kasolle të thjeshtë, pa orendi dhe mjetet e domosdoshme mësimore, aq sa, për të shkruar nxënësit, të përdornin deri pllakat e gurit. Por në sajë të punës me pasion dhe sakrifica të panumërta dhe me ndihmën e bashkëfshatarëve arsimdashës, u arrit që shkolla të rritet nga viti në vit, si në cilësi edhe në sasi, atje mësonin djem e vajza jo vetëm nga Kuçi, por edhe nga tërë Kurveleshi, që nga Nivica e Progonati, Fterra e Çorraj, Bolena e Kallarati e deri nga Kudhesi i Bregdetit.

Si një nga mësuesit e parë, Mustafa Luçi, ka dhënë një kontribut me vlerë në tërë arsimin shqiptar. Ai ishte i pari që hapi shkollën e parë në Hekal të Fierit dhe ka qënë mësues për djem e vajza në shkolla të ndryshme si në Borsh, Konispol e Gjirokastër, si mësues, si drejtor shkolle e shef i seksionit të arsimit të Fierit në vitet 1945-1946 duke punuar për 50 vjet rresht në arsim.

Krahas mësimdhënies ka pasur pasion të dytë mbledhjen e folklorit, fjalëve të urta, gojëdhënave, legjendave shqiptare për trevat e Labërisë e të krahinave të tjera ku ka punuar për tërë jetën i palodhuri e i papërtuari, i madhi “Mësues i Merituar” Mustafa Luçi.

Ai ishte ndër anëtarët e parë të Këshillit ANÇL të Kuçit, duke ndihmuar me propagandimin e ideve të Luftës ANÇL në shtimin e radhëve të partizanëve me djem e vajza kuçiote e në radhë të parë të ish nxënësit që i kishte mësuar për vite me radhë, shumë prej të cilëve lanë bankat e shkollës e punët ku qenë.

Shaho Luçi, bashkëshortja e Mustafait ishte bija e Sino Xhelit, këtij trimi kuçiot dhe bashkëluftëtarit të Çerçiz Topullit, që luftoi përkrah tij kundër grekëve në vitin,1913-1914, kundër italianëve, më 1920, dhe pjesmarrës të LANÇL. Megjithëse i moshuar,  atdhetar, patriot e luftëtar si ai, për ruajtjen e pavarsisë dhe lirisë së Atdheut. Shahua trashëgoi nga i ati guximin, trimërinë, mikpritjen dhe bujarinë, kurse nga bashkëshorti mori kulturën e gjërë të tij. Ajo u adaptua aq mirë në jetën bashkëshortore me Mustafanë, sa mund të thuash, ishin sinonim i njëri-tjetrit.

Shaho Luçi, një grua e zgjuar dhe plot kurajo, gojë ëmbël, mikpritëse e bujare, ishte një agjitatore e flaktë për Luftën ANÇL, duke punuar me shoqet në fshat për mbledhjen e ndihmave në ushqim e veshmbathje për partizanët dhe shtëpia e saj qe baza e tyre. Ajo qe një përkrahëse e vendosur e ideve të të shoqit dhe idealeve të bijve të saj në luftën për liri.

Mustafai dhe Shaho Luçi, e morën plagën e parë, me rënien Dëshmor në luftën për liri, në Prill të 1944, të djalit 17 vjeçar, Jasharit. Ai kishte lënë shkollën dhe kishte rrokur armët për liri duke qënë pjestar në çetat e para të Kurveleshit e deri në Brigadën e VII-të, ku ishte përgjegjës i rinisë. Ai ishte një njeri zemërgjerë e sypatrembur, gjithnjë i pari në aksion, pa marrë parasysh rrezikun, deri sa dha jetën në lulen e rinisë për Atdheun, që ai e donte aq shumë.

Kur mori lajmin për Jasharin, Shaho Luçi, kjo grua zemërluane, duke mposhtur dhimbjen, nuk qau por “këndoi”:

“Kur luftohet dhe do vriten./Në çdo prak,/Se liria është e shenjtë,/Themelin e ka në gjak./Vdiq Jashari djali ynë,/Jo liria,/Vdiq Jashari ynë i bukur,/Që të rrojë Shqipëria”.

Shaho Luçi, një grua e mënçur, një grua që gjykonte, si një burrë, midis burrave, një heroin, që rriti heronjë, një burrënesh dhe poete. Në atë dhembje të madhe, ku delnin e hynin për ngushllim, Ajo thuri këto vargje, duke mposhtur dhimbjen. Ajo u tha nënave të tjera shqiptare se s’jam as, e para, e as, e fundit, liria, do të na dojë edhe djem e vajza të tjerë. Prandaj, si nëna, duhet të qëndrojmë të forta, që t’i përballojmë me kurajo dhembje të tilla.

Shaho Luçi kjo grua trime, shkoi nga Kuçi në Vergo të Delvinës, atje ku ra trimi, e gjeti varrin e tij, e zbuloi, e puthi në ball, djalin e zemrës, dhe mori prej tij, disa simbole që ruhen me dhembshuri e respekt në familjen Luçi. Ajo nuk u ligështua, se ishte nënë labe, nënë shqiptare, që djemtë i kishte rritur për një botë të re.

Djali i madh i Mustafa e Shaho Luçit, Nuriu, i mbushur me urrejtje kundër fashizmit, lë punën në Durrës dhe në mesin e vitit 1943, kthehet në Kuç dhe inkuadrohet me Çetën e Kurveleshit. Pushka e tij kundër pushtuesve dhe tradhëtarëve të vendit oshëtiu në Gjorm, Kuç, Kurvelesh, Mezhgoran, Sarandë, Cepo, Lunxhëri, Konispol, Delvinë, Përmet, Gjirokastër, Këlcyrë, Skrapar, Berat, dhe në luftën për çlirimin e Tiranës.

Në këto luftime Nuriu u plagos 3 herë, ai u dallua si luftëtar trim dhe organizator e drejtues, si komisar i Çetës “Mihal Duri”, zv. Komisar batalioni në Brigatën e VIII-të. Ai me plagë në trup ishte delegat në Kongresin e I-të Antifashist në Berat. Mbas çlirimit Nuriu, emërohet shef i Degës së Brëndshme në Sarandë, Vlorë dhe së fundi në atë të Krujës, ku luftoi heroikisht kundër diversantëve që donin të përmbysnin frutin e gjakut e  të vëllait, Jasharit dhe 28 mijë yjeve të tjerë që sollën çlirimin e Atdheut…

Nuri Luçi, luftoi fyta-fyt, me kriminelet në Zhej të Krujës, duke mbrojtur amanetin e të rënëve dhe ra heroikisht, më 20 nëntor 1949. Për tërë veprimtarinë dhe aktin e tij heroik, Nuri Luçi, është dekoruar me titullin e lartë “Heroi i Popullit”. Mustafa dhe Shaho Luçi, janë ndarë fizikisht nga jeta, por ata rrojnë midis nesh, sepse rron vepra e tyre, ata do të kujtohen brez pas brezi, si veteranë të nderuar, që nuk kursyen asgjë për popullin. Ata ishin dhe do të mbeten shembull dhe simbol, për atdhedashurinë dhe përkushtimin për njerëzit, për fshatin, krahinën dhe për Atdheun.

B. Mema

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.