Kreu Aktualitet Llogaridhënie publike përpara qytetarëve të Tiranës

Llogaridhënie publike përpara qytetarëve të Tiranës

409
0

Kryeministri Edi Rama në llogaridhënien publike përpara qytetarëve të Tiranës: 

 

Përshëndetje të gjithëve!

Në radhë të parë dëshiroj të falënderoj dhe përgëzoj Bashkinë e Tiranës për këtë transformim shumë të domosdoshëm të këtij amfiteatri, i cili më në fund po merr formën që ka merituar dhe meritojnë të gjithë qytetarët e Tiranës që frekuentojnë këtë park.

Sot jemi këtu për të filluar një fushatë llogaridhënie publike, e cila do të shtrihet në të gjitha njësitë administrative të Shqipërisë, jo vetëm në bashki, por edhe në njësitë administrative dhe ku do të përfshihen të gjithë anëtarët e qeverisë, ministrat, zëvendësministrat, deputetët, kryetarët e bashkive dhe sa më shumë qytetarë, pa dallim, që të jetë e mundur. E bëjmë këtë pas 6 muajsh qeverisjeje, jo për të bërë një paradë arritjesh që, e vërteta është nuk mungojnë, por për të vazhduar të ndërtojmë urën e bashkëveprimit me njerëzit, në funksion të asaj aleance të vetme që ne kemi dëshiruar, për të cilën ne jemi zotuar dhe që sot na detyron të gjithëve ta kthejmë në një realitet të prekshëm për çdo qytetar dhe çdo qytetare.

Ata që folën përpara meje ishin 4 zëvendësministra në dikastere shumë të rëndësishme [zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, zëvendësministri i Drejtësisë,  zëvendësministrja e Shëndetësisë] Të gjithë e kanë votuar Partinë Socialiste, por askush prej tyre nuk ka pasur një rol drejtues në Partinë Socialiste. Janë njerëz që vijnë nga ajo pjesë e shoqërisë shqiptare, që jo vetëm e dëshiron ndryshimin, por është e gatshme që të kontribuojë për ndryshimin dhe janë një shembull që unë, besoj, Partia Socialiste duhet ta promovojë fort në të gjithë territorin e vendit, pasi ne kemi marrë votën, jo për të marrë të gjithë tepsinë për vete, por për ta çuar tepsinë për skrap. Administrata shtetërore, punët e vendit në rang republike dhe në rang territoresh në komunitet, hallet e problemet e qytetarëve, ne mund t’i dresojmë më mirë duke u bërë bashkë me më të mirët.

Nuk kemi ardhur në këtë fushatë për të thënë se të gjitha gjërat janë në rregull. Përkundrazi, ka plot gjëra që nuk janë në rregull dhe që duhen rregulluar. Këto mund t’i rregullojmë duke ndërvepruar sëbashku, në kuptimin më të mirë dhe të vërtetë të fjalës. Duke filluar gjithmonë e kudo nga vetja, sepse problemi më i madh dhe kundërshtari i vetëm që ka Partia Socialiste është vetja. Ne nuk na mund sot askush tjetër. Kjo dihet. Por që ne të bëjmë realitet gjëra, të cilat mund dhe duhet t’i bëjmë realitet, ne duhet në mënyrë të vazhdueshme të jemi vetëkritikë dhe të kërkojmë të nxjerrim më të mirën nga vetja.

Ne duhet në mënyrë të vazhdueshme sëbashku të nxjerrim jashtë nga zyrat e shtetit të gjithë ata që nuk e përfaqësojnë dhe nuk e nderojnë Partinë Socialiste dhe nuk e përfaqësojnë dhe nuk e nderojnë votën e të gjithë atyre që i besuan Partisë Socialiste.

Ne duhet të mos tolerojmë askënd që kërkon të na mbajë peng të avazit të vjetër të tepsisë së pushtetit, duke kthyer një pozicion në Partinë Socialiste, apo një pozicion të marrë falë kontributit të Partisë Socialiste në një mundësi për të ushqyer interesat e veta, interesat e mikut, shokut, kushëririt e të askujt tjetër.

Kjo është plotësisht e mundur sot, sepse ne, sot kemi vënë në dispozicion të të gjithë qytetarëve, pa dallim, një instrument që deri dje nuk e kemi pasur në dispozicion, platformën e bashkëqeverisjes, ku mjaftojnë vetëm 3 minuta që çdo qytetar, i moshuar apo i ri, në qytet apo në fshat, i kamur apo i varfër, me njohje apo pa asnjë njohje, të mund të vërë në lëvizje ministrin përkatës dhe ta kthejë problemin, hallin, çështjen e tij në një problem, në një hall e në një çështje të ministrit për t’u zgjidhur.

Janë rreth 1000 ankesa dhe kërkesa të qytetarëve që trajtohen nga platforma në muaj. Mund të jenë shumë më tepër, sepse janë shumë më tepër hallet dhe problemet që mbeten rrugëve, pa u trajtuar dhe pa u zgjidhur nga administrata. E për këtë arsye, ne duam që të çojmë tek çdo vesh dhe të fusim tek çdo mendje një të vërtetë shumë të thjeshtë, që ne jemi të gatshëm që ta përballim me sukses, sfidën e trajtimit të të gjithëve në mënyrë të barabartë dhe të dhënies për të gjithë të hakut që i takon, qoftë qytetarit, të cilit i është ngrënë haku duke e sorollatur me muaj apo me vite për një certifikatë, për një dokument hipoteke, qoftë edhe kujt është hakngrënësi, që të marrë edhe ai, apo ajo qoftë, hakun që i takon.

Dua të shtoj disa pika shumë të rëndësishme që sot është koha për t’i komunikuar drejtpërdrejtë me njerëzit në të gjithë territorin, pa ndërmjetësinë e pandershme të televizioneve, gazetave, apo të kanaleve të tjera të informacionit.

Në këto 6 muaj kemi finalizuar 2 objektiva që kanë një rendësi historike;

Së pari, ne kemi finalizuar marrjen e rekomandimit pozitiv, pa kushte, për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Është një rezultat që ka ardhur me mundim, me shumë punë, me shumë durim dhe falë të gjitha atyre reformave dhe rezultateve që ne kem arritur. Është një rezultat që është njohur nga Komisioni Europian, që është një institucion, i cili ka mijëra njerëz në dispozicion për t’u marrë me faktet, për t’u marrë me shifrat, për t’u marrë me rezultatet, ose mosarritjet reale. Një institucion që bazohet tek ekspertiza dhe jo te gjykimet prej së largu të natyrës politike. Është një Komision që pa asnjë diskutim, besoj, është komisioni më i vështirë i provimeve që ekzistojnë në Europë.

E ne kemi marrë një provim jashtëzakonisht të vështirë. Natyrisht nuk është fundi i rrugës tonë drejt anëtarësimit, është vetëm fundi i një faze.

Së dyti, ne kemi realizuar një tjetër objektiv historik, për të cilin shumëkush këtu ka kontribuuar drejtpërdrejtë. Ka kontribuuar me mbështetjen e vet, ka kontribuar edhe me votë e vet, se, nëse nuk do të kishte qenë vota për ta çuar Partinë Socialiste të vetme në qeveri sot nuk do të kishte vetting-u i gjykatësve dhe i prokurorëve. Nëse nuk do kishte qenë vota për ta çuar Partinë Socialiste të vetme në qeveri, sot nuk do ishin duke u tundur të gjitha kolonat që mbajnë ende në këmbë pallatin e vjetër të drejtësisë, të cilin ne kemi premtuar që do ta shembim dhe të cilin ne, me reformën që kemi bërë dhe me vullnetin për t’i hapur rrugë vetting-ut, kemi filluar ta shembim.

Janë dy objektiva që flasin për Shqipërinë e së nesërmes. Natyrisht, flasin për Shqipërinë e së nesërmes, shumë më tepër sesa për Shqipërinë sot, flasin për Shqipërinë e fëmijëve tanë, shumë më tepër sesa për Shqipërinë e prindërve tanë. Sepse sot që flasim, qoftë njëri objektiv, qoftë tjetri janë objektiva të arritur në funksion të asaj që vjen më pas; objektivi i rekomandimit në funksion të anëtarësimit, por vjen më pas, objektivi i vetting-ut në funksion të fillimit të punës së një sistemi të ri drejtësie që ndëshkon të gjithë pa dallim, por vjen më pas.

Shumë njerëz i dëgjoj të thonë, pse kaq ishte puna, të bëhej ky vetting-u dhe këta të jepnin dorëheqjen, të iknin në punën e tyre, me të gjitha lekët që kanë fituar në mënyrë të paligjshme?

Jo, kjo është një dardhë që e ka bishtin mbrapa. Për momentin kaq është puna. Vetting-u këtë qëllim ka, që të pastrojë sistemin dhe që në pallatin e ri të drejtësisë, që do të ndërtohet mbi arkitekturën e re të vendosur në Kushtetutë me Reformën në Drejtësi, të hyjnë gjykatës e prokurorë, të cilët të drejtës i thonë e drejtë, të padrejtës i thonë e padrejtë. Pastaj ata gjykatës e prokurorë do të jenë ata, të cilët, të çliruar nga kthetrat e politikës, të vendosur në pozicionet e tyre falë meritës, do të ndajnë shapin nga sheqeri. E të gjithë këta gjykatës e prokurorë që sot ikin, do të jenë të detyruar të kthehen, por jo më si gjykatës e prokurorë, por si individë që duhet të japin llogari përpara drejtësisë shqiptare për çfarë kanë bërë.

Njëlloj si gjykatësit, edhe politikanët, nga më i gjati deri tek më i shkurtri do duhet që të mos mjaftohen duke thënë “unë jam i ndershëm, ai është hajdut”, por të provohen si të tillë, në varësi nga kush paraqitet e kush nuk paraqitet në prokurori e në gjykatë, kur prokuroria e gjykata të jenë pastruar përfundimisht nga i gjithë llumi i më shumë se çerekshekulli.

Ne sot jemi në një proces ku po merremi më seriozisht se asnjëherë më parë një qeveri tjetër me punësimin real. Punësimi real është punësimi që krijojnë sipërmarrjet dhe që kryhet përmes sipërmarrjeve. Natyrisht edhe puna në shtet është një punë shumë e nderuar dhe e respektuar, por ne duhet që të luftojmë përditë me mendësinë se punë quhet vetëm kur ta jep shteti dhe se kur të thonë shko puno në priva, është një “skllavërim”.

Ky është një problem i trashëguar, që nuk e kemi vetëm ne, e kanë të gjitha vendet e rajonit, por, ndërkohë, ajo çka ne po shohim sot, është se falë një reformimi të rëndësishëm të të gjithë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, falë vënies me fuqi të reja në punë të zyrave të punës, falë rritjes së sensibilizimit të prindërve për arsimin profesional, falë edhe faktit që shumë njerëz, të dëshiruar për të punuar, nuk punojnë dot sepse nuk kanë marrë asnjë aftësi profesionale, sot jemi në kushtet kur nga njëra anë shohim që kemi një rritje të punësimit dhe ky është fakt dhe nga ana tjetër kemi një rritje të interesimit për formim profesional.

Shumëkush na kritikoi lidhur me ndihmën ekonomike. Unë besoj se ka qenë një nga vendimet më të vështira dhe më të drejta që ne kemi marrë, për të nxjerrë njerëzit nga një status paralize dhe për t’u dhënë atyre, jo vetëm mundësinë, por edhe të gjithë nxitjen e nevojshme që të kthejnë sytë nga puna. E qysh prej reformës së ndihmës ekonomike, ku të gjithë flasin për ata që kanë dalë nga skema, por pak duan të dëgjojnë se janë mbi 10 mijë familje që janë futur në skemë, që deri dje nuk e merrnin dot ndihmën për shkak se skema nuk ishte deri në fund e drejtë, ne kemi një rritje të ndjeshme të numrit të të punësuarve që vijnë nga familje që deri dje jetonin me ndihmë ekonomike.

Unë besoj se është e padrejtë që shoqëria që paguan taksa, të paguajë taksa për ata që nuk duan të punojnë. Nëse dikush është i aftë fizikisht dhe nuk e ka mundësinë për punë, është detyrimi i shoqërisë që t’i japë ndihmë ekonomike, por, nëse dikush është i aftë fizikisht dhe shteti i ofron punë dhe ai e refuzon punën, shoqëria nuk ka detyrim ta mbajë me ndihmë ekonomike. Duke e ngushtuar këtë shteg që deri dje ishte një shteg i hapur aq shumë, sa merrnin ndihmë ekonomike edhe njerëz që kishin nga tre vetura, sepse abuzimi ishte skandaloz, ne po shohim që po zgjerohet radha e njerëzve, të cilët kanë kthyer sytë nga puna. Unë besoj shumë që duke parë edhe dhe realizimin e objektivave çdo muaj, në fund të këtij viti, ne do të kemi 25000 njerëz të punësuar vetëm nëpërmjet zyrave të punës.

Sigurisht e di shumë mirë që rrogat e fashës së poshtme janë të ulëta, patjetër janë të ulëta, por midis një rroge të ulët, që është shumëfish herë më e madhe se ndihma ekonomike dhe premisës që duke filluar me një rrogë të ulët, mund të rritesh profesionalisht e të marrësh nesër një rrogë shumë më të lartë, siç i ndodh shumëkujt, zgjedhja jonë është dhe mbetet vetëm një, që puna, puna dhe puna do të na bëjë që t’i japim më shumë të ardhura familjeve e të kemi më shumë të ardhura për të rishpërndarë. Nëse duam të rrisim rrogat, nëse duam të përmirësojmë më tej kushtet ekonomike, duhet të punojmë më shumë e duhet të punojnë më shumë njerëz. Kjo nuk ka nevojë për shumë shkencë për ta ditur.

Në çdo bashki të vendit, ne do të bëjmë gjatë gjithë kësaj fushate edhe panairet e punës, për t’ju thënë njerëzve që këto që flasim janë reale dhe për t’ju dhënë mundësinë që të kontaktojnë drejtpërdrejt me sipërmarrjen.

Ne ishim në Panairin e Punës në Tiranë, dje dhe aty nuk kishte vetëm oferta për rroga të ulëta, për punë në manifakturë, apo për punë që paguhen me rroga të ulëta. Aty kishte plot oferta nga banka, nga kompanitë e telekomunikacionit, nga sipërmarrje të tjera edhe për plot punonjës, menaxherë e të tjerë, me paga shumë më të larta. Çështja është që ne, për shumë vite kemi humbur dëshirën dhe kemi humbur atë instinktin e vetvetishëm që kanë të gjithë njerëzit që jetojnë në një shoqëri që ka zgjedhur këtë sistem për ta kërkuar punën. E për këtë, Shërbimi Kombëtar i Punësimit do të jetë gjithmonë e më i fokusuar tek nxitja e punëkërkimit dhe tek shkuarja drejt atyre që kanë nevojë për punë, pa pritur në mënyrë pasive.

Nga ana tjetër dëgjoj shpesh “taksa, taksa, taksa”, me idenë që ne paskemi rritur taksat e madje këtë ankesë, më shumë e bëjnë ata që nuk kanë paguar asnjë taksë në jetën e tyre.

E vërteta është që ne kemi rritur vetëm dy taksa. Kemi rritur taksën për ata që fitojnë më shumë. Për kompanitë e mëdha ishte 10% e kemi bërë 15%. E kemi bërë pasi e kemi thënë në fushatën e vitit 2013, kush fiton më shumë, do paguajë më shumë dhe sot, kush fiton më shumë, paguan më shumë. Ne që akuzohemi për parti e një grushti oligarkësh, i kemi bërë oligarkët që të paguajnë shumë më tepër sesa paguanin.

Së dyti, kemi rritur taksën e karburantit. Dhe e kemi rritur taksën e karburantit në atë kohë, sepse ishte e vetmja taksë ku ne mund të rrisnim pa rënduar ekonominë e familjeve. Sepse familjet, ose më saktë, ata që konsumojnë karburant, prej vitesh paguanin një çmim karburanti, për shkak të konjukturës ndërkombëtare, shumë më të lartë saç është sot çmimi, bashkë me taksën brenda. E në vend se ne, për të rritur të ardhurat si pasojë e gropës që kishim përpara dhe ku rrezikonim të binim, të vendosnim taksa që do rëndonin të gjithë, ne vendosëm të rrisnim një taksë që rëndon ata që sidoqoftë kanë diçka më shumë, sepse konsumojnë karburant, janë ndotës më të mëdhenj. E pavarësisht nga rritja e taksës, krahasuar çmim me çmim, nga viti 2013 dhe sot, çdo vit janë kursyer 100 milionë dollarë që do kishin shkuar për të paguar naftë, nëse nafta do ishte me atë çmim të atëhershëm ndërkombëtar. Kjo ka qenë logjika.

Këto janë dy taksat që kemi rritur ne. Kemi rritur edhe akcizën e duhanit, por atë e kemi rritur për të ndihmuar njerëzit të lënë duhanin dhe është një rritje me sens pozitiv. Kush e quan atë, rritje taksash, dakord, ashtu shënoje, por vetëm lër duhanin dhe duke lënë duhanin, nuk e paguan atë taksë, e ke zero.

Këto janë taksat që kemi rritur ne.

Ndërkohë taksat që kemi ulur ne janë shumë, sepse në vitin 2013, 15-katëshi paguante taksa më pak sesa furra e bukës. Ndërsa pastruesja e Kryeministrisë paguante taksë më shumë se Kryeministri. E kishin 10% të dyja palët, por 10% në rrogën e pastrueses së Kryeministrisë, apo në të ardhurat e furrës së bukës, është një 10% shumë më i rëndë për personin, sesa 10% në xhepin e Kryeministrit apo në bilancin e 15-katëshit.

Ne e ndryshuam dhe sot, furra e bukës paguan 0 taksë.

Sot, pastruesja e Kryeministrisë paguan 0 taksë.

Sot, mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e shtetit, punonjësit privatë, kamerierët, të gjitha ata që kanë një rrogë deri në 600 mijë lekë paguajnë më pak sesa paguanin deri në vitin 2013.

Biznesi i vogël deri në 5 milionë xhiro paguan 0 taksë, dikur paguante 10%.

Biznesi deri në 8 milionë paguan 5%, dikur paguante 10%.

Tani ne po bëjmë lëvizjen e re, do të ngremë më lart fashën e xhiros dhe mbi 100 milionë, 120, 140, akoma nuk kemi marrë vendimin përfundimtar, që do të thotë që të gjithë ata që do kenë xhiro deri 120 apo deri në 140 milionë lekë do paguajnë vetëm 5% taksë.

Çfarë është kjo, ulje taksash apo rritje taksash?

Duke paguar vetëm 5%, nuk do gënjejnë më, se u shkepën duke gënjyer njëri-tjetrin, shtetin dhe konsumatorët. Ai kuponi, kur nuk jepet, është të gënjesh shtetin, të gënjesh konsumatorin e ndërkohë është një gënjeshtër e përbashkët mes atij të voglit e atij të madhit.

Ajo që ne bëjmë me biznesin e vogël nuk është për të marrë më shumë lekë nga biznesi i vogël, sepse gjithçka që ne marrim nga biznesi i vogël është 0.8% e të ardhurave të përgjithshme. Ndërkohë që 99.2% janë nga të mëdhenjtë. Ne duam të kapim të mëdhenjtë, nuk kemi punë me të vegjlit, por të vegjlit nuk duam që të përdoren nga të mëdhenjtë për t’ju fshehur detyrimeve, apo të mëdhenjtë të bëjnë si të vegjël, duke u paraqitur sikur e kanë xhiron më të ulët. Ky është qëllimi.

Pra, nuk jemi gjëkundi në raport me të vërtetën, sipas së cilës, “qeveria që ka rritur taksat”.  Jemi qeveria që ka ulur taksat. Kjo është e vërteta.

Ka një problem, që shumëkush që nuk paguante drita i duket rritje taksash që sot paguan dritat. Shumëkush që nuk paguante ujë i duket rritje taksash që sot paguan ujin. Shumëkush që nuk ishte mësuar me idenë se ka një taksë prone i duket rritje taksash që do paguajë taksën e pronës. Por këto nuk hyjnë tek problemi ynë.

Ne nuk kemi rritur taksa, ndërkohë që po, lali Eri i ka rritur taksat, kjo është e vërtetë. E rritja e taksave nga lali Eri dhe nga kryetarët e tjerë të bashkive në xhepin e atyre që ne ju themi ju kemi ulur taksat, reflektohet si një ngarkesë që i pengon të besojnë këtë që themi ne. Por, ama, edhe këtu një arsyetim për të bërë. Pse janë rritur taksat? Ti rriste taksat Luli, do ishte tmerr, se do paguaje, – po themi taksën e arsimit që ka vënë Bashkia e Tiranës, – por asgjë nuk do ndodhte. Ndërkohë që sot janë 17 shkolla të reja, të standardeve më të larta që ka njohur vendi, që kanë filluar të ndërtohen në Tiranë e do të ndërtohen në vijim. 17 shkolla të reja, të cilat do të zgjidhin njëherë e përgjithmonë problemin e turneve, problemin e mbingarkesave e kështu me radhë. Në fund të ditës janë kontribute që kthehen mbrapsht. Vërtetë paguhet tarifë gjelbërimi, por një kryetari bashkie, që gdhihet duke mbjellë pemë e nuk shkon të flejë pa mbjellë pemë, ia vlen që t’i japësh ato 5 lekë për të rritur numrin e pemëve e për të rritur përmasën e gjelbër të kryeqytetit.

Në fund të fundit, patriotizmi fillon nga taksat. Kush i thotë vetes patriot, duke kënduar “o sa mirë me qenë shqiptar” dhe duke i vjedhur dritat nga komshiu, çdo gjë është, por patriot nuk është.

Shumë faleminderit. Ne mund t’i përgjigjemi të gjitha pyetjeve që ju mund të keni, por do ju lutesha që të flisni sa më hapur, sepse gjërat nuk janë në rregull. Kështu që mos kini merak se do çuditem unë. Unë e di që gjërat duhet të jenë shumë më mirë dhe ka shumë gjëra për të rregulluar e që gjërat të rregullohen, jo vetëm unë, por të gjithë ne që kemi detyrën t’i rregullojmë duhet t’i dëgjojmë sa më shpesh, por jo t’i dëgjojmë nga kazani, se kazani na e ka me hile. Ti dëgjojmë nga njerëzit e zakonshëm që nuk na e kanë me hile, sepse në fund të fundit i kanë probleme të jetës së tyre të përditshme.

Kam një pyetje lidhur me punësimin. Cilat janë mundësitë më të mëdha që ofrohen në Tiranë për të papunët, që të punësohen?

Kryeministri Rama: Që ta fillojmë direkt nga ty personalisht, nëse je e papunë. Je e papunë?

Për momentin jo.

Kryeministri Rama: Ti qenke si ata që nuk paguajnë kurrë taksa dhe thonë “na mbyte në taksa”.

Flas në përgjithësi për të rinjtë shqiptar, për të rinjtë që jetojnë në Tiranë.

Kryeministri Rama: Duhet kërkuar puna, se nuk të vjen në shtëpi në mëngjes të të zgjojë nga gjumi e t’i thuash prit se do fle dhe pak. Ashtu sikundër ka dhe diçka tjetër që unë duhet ta them, sepse kjo është e vërtetë. Në shumë raste janë prindërit që kërkojnë punë për fëmijët. Kur them për fëmijët, jo për Zahon, por për fëmijë nga 40 vjeç. Nuk e gjen dot prindi punën për fëmijën. Dje në Panair takova një zotëri, i cili po shkruante aty edhe pashë që shkroi “financiere”. Thashë mos e bëri gabim ortografik, por në fakt e kishte për vajzën. Vajza, nënë me fëmijë, si do ta gjejë punën nëpërmjet babait?!

Kastriot Hajdini, pronar në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë. Nëse ka mundësi, si ta shikoni të arsyeshme, abrogimin e ligjit 7501 përsa i përket bregdetit. Është ligji antiekonomi, antikombëtar, vëllavrasje e të gjitha. Deri tani në bregdet, përsa i përket nga Vlora deri në Sarandë ka investuar vetëm mafia dhe sekuestrot ju i dini. Në një kohë që nga arkivi i shtetit dhe kadastrat lëshohet një dokument zyrtar me vulë, me firmë, që babai, nëna, gjyshi, stërgjyshja ka pasur këto prona, shteti duhet të japë një përgjigje, është i detyruar, pozitive ose negative. Nëse e jep pozitive, qari i pronarit, qari i shtetit shqiptar. Nëse e jep negative, pasojat e Strasburgut i dini. Kije në konsideratë, të lutem.

Kryeministri Rama: Këtu ka shumë çështje brenda pyetjes, por shkurt do them se nuk diskutohet që me pronat në bregdet janë bërë krime të rënda. Ne po përpiqemi t’i çojmë përpara drejtësisë, ata që kanë kryer këto krime dhe ndërkohë po përpiqemi që të pastrojmë sa të mundemi nga minat që kanë mbjellë në të gjithë territorin gjykatës të korruptuar, të cilët faktikisht janë pjesë e kësaj historie, sepse pa gjykatësit, kjo histori nuk do të ndodhte.

Thënë kjo, 7501-shi është një ligj që nuk ka se si abrogohet. Për mendimin tim është një ligj i drejtë për Shqipërinë e asaj kohe dhe mbi të gjitha është një ligj i drejtë për të gjithë ata, të cilët duhet të ishin përfitues.

Por problemi është që me 7501-shin janë bërë jashtëzakonisht shumë manipulime. Ligji 7501, – për ata që nuk e dinë, është marrja e një titulli pronësie, marrja e një lejeje të shfrytëzimit, apo e një akti të marrjes së tokës në përdorim nga ata që kanë qenë në të gjithë territoret ku kishte aktivitet bujqësor, – është shfrytëzuar edhe për të dhënë leje në det. Kur ne bënim lungomaren e Vlorës i dolën pronarë detit të Skelës dhe kërkonin shpronësim, por në det, në ujë, realisht. Kishin gjetur dokumente që përpara sesa deti të vinte në Vlorë, aty kishin qenë paraardhësit e tyre. Ky është problemi i madh i abuzimit me 7501-shin. Besoj që do të gënjeja po të thosha do abrogohet ligji 7501, ashtu sikundër besoj që vënia e drejtësisë në raport me bregdetin nuk kalon nga abrogimi i 7501-shit, por kalon nga pastrimi i bregdetit prej të gjithë titujve të pronësisë që janë përfituar padrejtësisht nëpërmjet 7501-shit në territore ku s’ka pasur kurrë prodhim bujqësor, apo s’ka pasur kurrë aktivitet bujqësor.

Ju kemi dëgjuar të flisni për aeroportin në Kukës dhe në Vlorë. Po me çmimet e biletave në aeroportin e Rinasit çfarë do bëhet?

Kryeministri Rama: Pyetja është shumë e drejtë. Ta fillojmë nga kjo e fundit, që ta lëmë për më pas pjesën më të ëmbël.

Aroporti i Rinasit i ka çmimet vërtetë të shtrenjta për shkak të marrëveshjes koncensionare të bërë më parë. Marrëveshja koncensionare e bërë më parë i jep kompanisë, e cila ka ndërtuar dhe administron aeroportin, të drejtën e vendosjes së disa tarifave, që janë më të lartat në rajon. Kjo bën që të ketë edhe rritje çmimi. Goditja e marrëveshjes koncensionare është një mision i pamundur, për shkak se ka mbrapa pasoja ligjore, të cilat kthehen më pas në kosto të mëdha financiare. Por ajo që ne duhet dhe do të bëjmë është të krijojmë konkurrencë. Konkurrenca, jam i bindur, do të sjellë ndryshim të shpejtë të tarifave edhe në aeroportin e Rinasit, se do të jetë i detyruar të mbajë balancën, pasi aeroporti i Vlorës, – negociatat me kompaninë që do ta ndërtojë vazhdojnë, – ne kemi kërkuar të ketë tarifat më të ulëta në rajon. Kemi marrë të gjithë vendet e rajonit, i kemi parë të gjithë tarifat dhe negociatat që po bëjmë me kompaninë bazohen tek dëshira jonë që të rrimë tek pjesa më e ulët e tarifave të rajonit, për të krijuar lehtësi shumë më të madhe lëvizjeje për pasagjerët shqiptarë, se për ata është problemi kryesor dhe për të hapur një proces konkurrence. Të njëjtën gjë do bëjë dhe aeroporti i Kukësit, por ai do jetë me profil tjetër, me atë të fluturimeve me kosto të ulët në vetvete. Ndërkohë që aeroporti i Vlorës do të jetë një aeroport komercial ndërkombëtar, me të gjithë parametrat, besoj edhe me tranzit, aeroporti i Kukësit do të jetë një aeroport “low cost”, pra, për avionë me kosto të ulët, që vetvetiu do i ketë çmimet shumë-shumë më të ulëta. Besoj që këto dy forca do balancojnë shumë edhe peshën e Rinasit, duke detyruar Rinasin që të ulet më shumë. Por që ta dini, nuk ka asgjë tjetër në dorë qeveria që të bëjë. Nuk mundet dot të ndërhyjë vetë edhe të ulë tarifat e aeroportit.

Deri tani jemi fokusuar te probleme më shumë personale. Pyetja ime ka të bëjë me fëmijët pa kujdes prindëror, që jetojnë në institucione publike. Shohim që punësimi i tyre është shumë i pakët, sepse gjithmonë kërkohen vende pune me eksperiencë dhe ata dalin vetëm nga shkolla.

Kryeministri Rama: Ne kemi përgatitur disa programe të reja të nxitjes së punësimit dhe një ndër to, kryesori, është një program financimi direkt i atyre që janë pa punë, që janë të gatshëm të punojnë dhe nuk kanë aftësi për punë, për formimin e tyre profesional. Në bashkëpunim me kompanitë, por edhe me qendrat e formimit profesional, të gjithë ata që duan të punojnë dhe nuk kanë aftësi profesionale, por janë të gatshëm të marrin një formim profesional, të mjaftueshëm sa për të filluar punë, që mund të jetë një muaj, 2 apo 3 muaj, ne financojmë direkt këta persona me një pagesë që është më shumë se mesatarja e ndihmës ekonomike. Nëse mesatarja e ndihmës ekonomike është rreth 52 mijë lekë të vjetra, kjo pagesë është 55 mijë lekë për të gjithë ata që mund të jenë të interesuar për formim profesional.

Jemi një kontingjent rreth 6000 mijë familje që i kapi ligji qiramarrjes shtetëror në pronën e shtetit, ish pronë private. Kemi bërë shumë luftë e përpjekje, pa protesta. Më në fund, në 2002-shin doli ligji në favorin tonë. Më pas, në 2004-ën na hoqën pa u konsultuar. Përsëri kemi vazhduar luftën. Kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë është cenuar siguria juridike e personave. Pjesa më e madhe e njerëzve po vdesin. Kemi çuar çështjen në Strasburg dhe diku nga fundi i 2016 – 2017, qeveria i ka çuar Strasburgut që po e zgjidhim problemin dhe Strasburgu, nga emergjente na e ka çuar çështjen që akoma s’dihet se kur do… U privatizuan në gjithë Shqipërinë rreth 250 000 apartamente. U dhanë dhe disa kredi, por nuk na jepnin as kredi për shkak të moshës dhe qeveria këto kohë, para një muaji në mos gaboj, pikërisht këto lloj personash u fali kreditë me të drejtë. Një pjesë e madhe që nuk janë strehuar, siç jam edhe unë, vërtetë jam i strehuar në shtëpitë e bashkisë me kontratë 1 vjeçare, por isha 10 veta në kontingjentin 400 veta. Kështu që pabarazia jonë po thellohet përditë. Kur do ta marri në dorë problemin tonë e të na pajisin me shtëpi si 250000 familje që pajisi shteti?

Kryeministri Rama: Ky është një problem nga ato nyjet e të kaluarës. Kur dikush pyeti këtu për ligjin 7501, për të cilin shumë ish pronarë nuk janë dakord, unë e thashë bindjen që është ligji i duhur. Nëse më pyet për vendimin në këtë rast, për t’ju kthyer shtëpitë atyre të cilëve shtëpitë ju morën me dhunë, është vendimi i duhur.

Nuk ka kuptim që një familje, e cila është shkulur me dhunë nga shtëpia e stërgjyshit apo e gjyshit, të mos kthehet në shtëpinë e të parëve të vet. E nuk ka lidhje mes shtëpive të ndërtuara privat nga të parët e këtyre familjeve nga shtëpitë e ndërtuara në kohën e komunizmit për strehim popullor. Këto të dyja nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Të jemi realistë, por thënë këto, edhe ju jeni në të drejtën tuaj që të kërkoni zgjidhje. Nesër në Kuvend kalon ligji i ri për strehimin. Nuk është që ligji i ri për strehimin do të zgjidhi të gjithë problemet e strehimit, nuk është se do të zgjidhi gjithë problemin e kategorisë për të cilën ju folët, por është një ligj që krijon hapësira shumë më tepër sesa ligji ekzistues, për të ndihmuar sa më shumë njerëz që të marrin atë që ju takon prej kohësh. E di që përgjigja ime nuk të kënaq, por të jesh në pozicionin tim do të thotë që të jesh i detyruar, nëse nuk gënjen, të japësh edhe përgjigje që nuk e kënaqin bashkëbiseduesin. Ndryshe, të kënaqen të gjithë në të njëjtën kohë dhe për të gjitha do të ishte kryevepër, por nuk ekziston.

Unë jam banore në Tiranën e Re, te pallati i aviacionit dhe nuk na kanë privatizuar një dhomë që kemi bërë. Kemi 18 vjet, zyrë më zyrë, derë më derë, nuk na kanë zgjidhur asnjë problem. Gjysma e pallatit është privatizuar.. Ju lutem shumë, po patët mundësi na e zgjidhni. Dhe ju keni kaluar aty dhe është si front lufte, nuk ka ku të kalojë ambulanca për një të sëmurë, nuk ka ku të futet zjarrfikësja, nëse bie zjarr.

Kryeministri Rama: Unë nuk dua t’i shmangem kësaj, por dua të shfrytëzoj këtë rast për të thënë që për çështje si kjo çështje që ngrini ju, nuk e di deri në fund përmbajtjen e nuk e di se kush është e drejta në këtë rast deri në fund, por për këto çështje, rruga më e shpejtë, rruga më e thjeshtë, rruga më e siguritë për të marrë përgjigje zyrtare me përgjegjësi, është të shkruani tek platforma. Ju me siguri keni ndonjë nip a mbesë që rri gjithë ditën me I-Pad përpara, thuaji të të regjistrojë aty e të të shkruajë ankesën dhe për 10 ditë do marrësh përgjigje zyrtare. Nëse ke të drejtë, do marrësh zgjidhje, nëse nuk ke të drejtë, do të të thuhet pse nuk ke të drejtë. Por për 10 ditë do marrësh përgjigje zyrtare, këtë ta garantoj unë.

Dua t’i kërkoj kush është këtu nga hipoteka, me gjithë punën e mirë që është bërë, ne po sorollatemi. Ik në hipotekë, shkon në bashki. Konkretisht është azhornimi i tokave. Hartat janë bërë në atë kohë duke ndenjur në zyrë. Imagjino se çfarë rrumpalle është bërë. Ju keni qenë vetë dëshmitar kur keni ardhur për fushatë në Petrelë dhe keni ngritur problemin e vjedhjes dhe të tjera dhe nuk është marrë asnjë masë për ata grabitqarë. E dyta, do t’ju kërkoj me respektin më të madh, mos e braktisni Partinë Socialiste, se ne do të na hanë të gjallë. Nëse PS ka arritur në këto rezultate, kur ata e marrin pushtetin, e marrin për kokërr të qejfit, kur e marrim ne, ata e kanë çuar në gropë.

Kryeministri Rama: Se çfarë do marrin ata, nuk ta them dot këtu, por më shpjego pak çfarë doje të thoshe me këtë të Partisë Socialiste.

Jemi një forcë politike që i kanë zili të gjithë forcat e tjera. Është gjynah që të dorëzosh pushtetin qyl. Kjo është. Kaq di të të kërkoj unë.

Kryeminsitri Rama: Nga të vjen kjo? Ke parë ndonjë ëndërr?

Kjo më vjen se e kemi konstatuar me kohë, në të shkuarën. Ju lutem na mbroni. Ose bëjeni ju këtë vend, ose ne ikëm.

Kryeministri Edi Rama: E mora vesh ku e paske, por ti e paske nga e kaluara. Po siç e thonë tironsit, se edhe unë katunar tirone jam tani, si puna jote, ne andej nga katuni themi nuk bie dy herë daci në kos. Kështu që mos u shqetëso nga ai krah, por shqetësimi im dhe në këtë rast jam dakord me ty, është diçka që unë ja them çdo ditë kujt të mundem nga gjithë udhëheqësit, se kam shumë udhëheqës rreth e rrotull, të cilëve ju shërbej me përkushtim, është që ne, po të jetë puna për maçokun me çizme, për lejlekun, për dhelprën e për gjithë atë kopshtin zoopolitik, jetojmë 1000 vjet. Problemi ynë është që ne të mos na gënjejë mendja me idenë që jemi të fituar. Ata vërtetë nuk kanë çfarë bëjnë, por rreziku ynë është që të mos bëjmë atë që ne mund të bëjmë. Sepse një opozitë serioze, një opozitë që ka vizion, që ka program, që ka ide, të sfidon dhe duke të sfiduar, është shumë më e vështirë ta përballosh e ta mundësh, por ama nxjerr më të mirën nga vetja. Kështu që rreziku ynë është vetvetja dhe rreziku ynë vjen nga brenda radhëve, në kuptimin që njerëzit, të cilët e marrin besimin nga ne dhe e shpërdorojnë duke harruar se janë aty për shkak të njerëzve, nuk janë aty se kanë rënë nga qielli, duhet vazhdimisht t’i mbajmë nën presionin e të vërtetës dhe me vetëdijen që përndryshe nuk ia dalim dot. Kjo është ajo që ne të dy jemi dakord, por për ata, mos u mërzit se nuk vjen e keqja prej tyre. Ata janë e keqja e vetvetes.

Përsa i përket azhornimeve, ai është një problem që nuk ndodh vetëm aty. Ne po vazhdojmë të bëjmë azhornimet, kërkojnë kohën e tyre, por në rastin konkret, ti duhet ta dish që nga këto harta e nga këto mbivendosje e nga këto histori janë bërë shumë dëme. Ka arritur puna që për shkak të hartave që paloseshin shpesh e hapeshin shpesh, bëheshin edhe me vrima ato letrat dhe në gjykatë i thoshin dikujt, s’ta jap dot pronën se e ke te vrima. Nuk e kishte më as fizikisht, se ishte bërë ajër prona. Në rastin tënd të jesh i sigurt që azhornimi do bëhet dhe do ta merrni atë që ju takon.

Jam një qytetare që prej 20 vitesh kam emigruar në Francë. Si gjithë të tjerët, dëshira ime ishte që fëmijët e mi një ditë të ktheheshin këtu. Kam ardhur çdo vit bashkë me burrin tim, si pensionit e po vijmë çdo vit për të ndjekur këtë pronë, këtë djersën tonë dhe nuk kemi një copë letër që prej 10 vitesh, për një dyqan tek kopshti botanik. Ndërkohë, sivjet kemi paguar, kemi prenotuar, kemi bërë një aktmarrëveshje me pronarin, kemi depozituar nëpërmjet bankës 102 mijë euro, ka 10 vjet, që në vitin 2008. Kur erdhët ju në qeveri, pata shpresë jashtëzakonisht të madhe. Si ka mundësi që këtë vit vij prapë, për të parë në ç’gjendje, ai zotëria jo vetëm që nuk e ka mbaruar, por që ka marrë leje tjetër ndërtimi. A ka shtet këtu, që të mbarojë njëherë atë atje, pastaj të kthehet të bëjë të tjera.

Kryeministri Rama: Kjo është marrëdhënie e juaja me sipërmarrësin, që bazohet në një kontratë. Nuk ekziston një ligj që t’i thotë bashkisë që nëse X nuk ka mbaruar një investim atje, që është privat, ti duhet t’i shkelësh të drejtën të zhvillojë një pronë këtu. Çështja juaj është e dhimbshme, por është një çështje gjyqësore. Shteti vetë, Ministria e Drejtësisë nuk ka çfarë bën fare në këtë mes.

A ka afat skadimi kjo leje? Që deri në vitin kaq duhet të mbarojë? Kush e ndjek këtë?

Kryeministri Edi Rama: Jam dakord për pjesën që ka afat. Në rastin kur bëhet fjalë për një investim publik ka penalitete etj.. Në rastin kur bëhet fjalë për një investim privat, kjo është çështje e investitorit privat dhe atyre me të cilët ai është në kontratë. Nuk është çështje e shtetit.

Nuk shoh një mekanizëm që të detyrojë investitorin të vijë e të përfundojë godinën ligjërisht. Nuk e shoh si mund ta detyrojë, ligjërisht. Megjithatë, ja ku është kryetari i bashkisë, do ta takosh.

Unë jam nëndrejtoreshë e shkollës “Dëshmorët e Lirisë”. Shkolla jonë është pjesë e projektit të bashkisë. Jam shumë e sigurt që në shtator do fillojmë vitin shkollor në kushte optimale. Ne aktivitetin artistik nuk e mbyllim vetëm në muret e shkollës, por e kemi zhvilluar në shkollat e tjera të muzikës. Unë doja t’ju pyesja, a është e mundur që këto projekte që ne mund t’i bëjmë, të mbështeten financiarisht?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi në platformë një rubrikë të dedikuar që është rubrika e shkollës dhe e kemi vendosur aty, pikërisht për të qenë të hapur ndaj projekteve që komunitetet e shkollave, grupe nxënësish, bashkë me mësuesit mund të kenë interes të zhvillojnë. Por kjo është çështje projekti dhe është çështje sa është projekti i pranueshëm dhe i financueshëm, por patjetër ju duhet ta provoni.

Faleminderit! E ndërkohë dua t’ju them që kjo sot është vetëm e para e një serie takimesh të këtij formati që do bëhen në të gjitha njësitë e Tiranës. Kështu që edhe në Petrelë, edhe në Kombinat, edhe në Ndroq, edhe poshtë në Zall Herr, në të gjithë njësitë administrative të Bashkisë së Tiranës.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.