Kreu Ditar Lufta çlirimtare rreze jetëdhënëse për Memo Meton

Lufta çlirimtare rreze jetëdhënëse për Memo Meton

391
0

Memo Meto lindi në 1 Janar 1910. Ai është nga ata dëshmorë e heronj që vazhdojnë e do të vazhdojnë përherë të zgjojnë kërshërinë e historisë së luftës sonë Çlirimtare. Ai ishte organizator ushtarak e politik në Kurvelesh. Mbaroi shkollën për oficer. Ishte antizogist dhe bënte pjesë në grupin e oficerëve. Memua u njoh si figurë e shquar e luftës në Kurvelesh. Ai ishte një poet i talentuar dhe vjershat e tij, ishin një kushtrim lufte, kendoheshin kudo, në çetat, batalionet e brigadat partizane. Memo Meto, në vitet e luftës organizoi qëndresën në Kurvelesh. Ai u vu në ballë të luftimeve.

Shpesh për Memo Meton flitet vetëm si poet i viteve të luftës NÇl, duke mbetur pakëz si në hije që Ai po aq, në mos më shumë, ishte një udhëheqës ushtarak që jo vetëm mundi t’u përshtatet më së miri kërkesave të luftës popullore, por u dallua si njeri nga drejtuesit e saj në Kurvelesh. Ai nuk ishte nga ata të rinj që bëhen pesimistë e mbyllen në guackën e tyre, përkundrazi, falë zgjuarsisë, edhe pse koha ishte e zymtë dhe me errësirë nate, ai gjeti shtigje, i hapi udhë vetes të punojë dhe të mësojë. Paraqitet dhe del shkëlqyeshëm në provimet për të fituar bursë për të vazhduar studimet për oficer. Në tre vite shkollë ushtarake, ai rrok dijë që do të duheshin në vitët e luftës. Memua paraqitej më i miri nga të tjerët në mësime, më studiuesi dhe më i gojës për të shprehur bukur mendimet e tij.

Në vitin 1933 e mbaroi shkëlqyeshëm, gradohet nëntoger dhe shkon me shërbim në Berat. Memua nuk u gënjye as nga rroga e as nga grada. Ai, që në bankat e shkollës e në vazhdim, gjeti shokë që e urrenin regjimin dhe bën pjesë në grupin antizogist të oficerëve, merr pjesë në lëvizjen antizogiste të Fierit dhe si i tillë ndëshkohet e çmobilizohet. Kur e çmobilizuan ai tha: “Tani që hoqa këto hekura mbi supe e ndjej veten më të lehtë se zogu i malit”. Ndiqet, persekutohet, por nuk zbrapset. Mbeti një antizogist i vendosur. Pushtimin e vendit e pret me urrejtje dhe e shpreh atë me vargje: “Fryn një er’e një stuhi,/Gjithë skelat ç’u nxinë,/zbret fashizmi n’Shqipëri”.

***

Atë e thirri vetë koha. Kur filloi të dëgjohej zëri i pushkës për liri Memoja e ndjeu veten të lirë, në shkrepat e maleve të Kurveleshit. Në hapat e para, sapo erdhi në vendlindje, ai vihet në krah të drejtuesit të luftës në Kurvelesh, Heroit Mustafa Matohiti, në fillim si zëvendes i tij dhe më vonë me largimin e Mustafait në repartet partizane, si sekretar i komitetit të rajonit të partisë në Kurvelesh. Populli dhe partizanët e nderonin Memo Meton, por edhe ai i nderonte dhe i çmonte ata. Ishte kjo një lidhje shpirtërore mes tyre. Ai ka qenë i veshur dhe ngjeshur në armë. Ecte me hap sorkadhi, bënte një “ecje me supe”. Memo me derte ishte! Ka marrë pjesë në mbledhje dhe kishe dëshirë ta shikoje e dëgjoje ligjërimin e tij. Ai kishte lindur për të ligjëruar. Memua guxonte të bënte dialog e replikë me çdo kundërshtar dhe përherë dilte fitues.

Luftoi Memo Meto me pushkën maliher që këpuste perin. Luftoi në gryka të Kuçit, ku mori plagë i zoti, pushka, por edhe shoqëruesi i tij Bajram Korvarfa. Do të luftonte ai me automatik në Sukë, Borsh, Fterrë, në malet e Kuçit dhe drejtonte forcat partizane e popullore si një ushtarak me eksperiencë në Çamëri e kudo. Ecte krah për krah pushka dhe kënga e Memos. Ato ushqenin njëra-tjetrën.

Memo Meto dashuronte të mirën dhe urrente të keqen

Si atdhetar dhe si poet, Memo Meto veçon e nderon të mirët dhe urren të këqinjtë. Nderon dhe respekton luftëtarët e lirisë, urren dhe demaskon dallkaukët dhe shërbëtorët e pushtuesve. Respekti i tij i përkushtohet nëradhë të parë Kurveleshit, i shprehur aq bukur me fjalët “Kurvelesh, zemra ime”. Dashuria dhe respekti i Memos u përket luftëtarëve të lirisë, çetave e brigadave partizane, prandaj në çdo kohë qëndron mes tyre, lufton në llogore bashkë me ta dhe i këndon popullit: “Thëllëza e Bilbili ligjërojnë në një zë sikur i thonë botës: Ngrehu në kushtrim!”. Ai, gjithashtu i këndon Çetës partizane, dy bilbila ia thonë këngës: “Sikur nisin në betejë çetën partizane” ose “Çetës që bëri aksion Bilbyli, për ta shplodhur sipër i këndon…”.  I këndonte vajzës shqiptare që kërkonte armë e municion për të luftuar fashistët…Nënës që i vritet djali, nënës që qëndron krenare dhe shprehet se “liria i ka rrënjët në gjak!”. Dashuria e Memo Metos për popullin dhe luftëtarët e lirisë ishte e pakufishme. Në të njejtën kohë, ai urrente me shpirt tradhëtarët, shërbëtorët e armikut, ballistët.

O Memo gjuhë bilbyli, o bilbyl i së vërtetës

Lufta ishte e rëndë. Koha kërkonte nga drejtuesit e luftës të flitej me popullin zëmërhapur. Në fjalë e veprime Memo nuk ishte hipokrit. Ai e pohonte të vërtetën edhe kur ajo ishte tronditëse. Në sytë e njerëzve Ai, përmes fjalës, shpaloste hapur të vërtetën kur thoshte: “Jemi pak, po djem stralli,/dhe luftojmë,/trimërinë nga të parët,/trashëgojmë”… Memo Meto i çmonte situatat e rënda të luftës, i shikonte ato qartë dhe guxonte të thoshte të vërtetën në çdo kohë dhe në çdo situatë. E vërteta është e bukur por bukuria e saj shkëlqen edhe më shumë vlera, kur thuhet në ditë të vështira. Kur bie dëshmori i parë i çetës, Memua përmes zërit të nënës të dëshmorit, nuk thoshte: “Ishalla s’vritemi tjetër herë”, por ajo u thoshte shoqeve krenare: “Për ngushëllim te mua mos nxitoni/se si djalin tim, Fuatin këtë herë/fashistët do të na vrasin edhe të tjerë”.

Memos i janë mirënjohës populli dhe luftëtarët e lirisë që u këndoi aq bukur veprës së tyre.  I ndezur nga shpirti dhe formimi atdhetar dhe liridashës, Ai mori udhët e luftës. Në një kohë Memo luftoi me dy armë: me pushkë dhe me penë. Dhe, të dyja bashkë, i shkonin për shtat, i kishin lezet. Kush dinte të thurrte në ato vite lufte këngë e vjersha  dhe të këndonte aq bukur; kujt i rrëmbehej kënga nga goja dhe përhapej si kushtrim si Memos? Vargjet e Memos i ndillnin këngëtarët si nektari i lules bletët. Këngët dritëronin shpirtin e Memos. Ai ecye dorë për dorë me këngën. Vargjet e tij përhapeshin së bashku me flakët e pushkëve të luftëtarëve të lirisë.

Ishte pranverë e vitit 1944. Memua, biri i Labërisë kreshnike, që qe rritur në ato shkrepa të larta e të ashpra e në ato pyje të buta, kthehej në Kuç. Kishte qenë me mision në fshatrat Çorraj dhe Fterrë. Ecte rrugës me automatikun hedhur në sup dhe me çantën e tij krahëqafë dhe mendonte për detyrat e luftës. Ecte poeti, partizani, ecte dhe mendonte ndofta për ndonjë vjershë që do të bënte, për t’ia thënë këngës së tij rrëzë rrepave në buronja, apo tek kroi ku mblidheshin burrat dhe rinia e fshatit. Por, papritmas dëgjohet një krismë, e cila i mori jetën partizanit trim, luftëtarit të pushkës dhe penës,  udhëheqësit politik e ushtarak dhe poetit që me vargjet etij ndezi flakë shpirtin dhe zemrat e popullit dhe të shokëve të tij të luftës.

Një i ditur ka thënë: “Jeta është një libër, kapakët e të cilit janë lindja dhe vdekja, kurse faqet e saj janë ditët e jetës”. Dhe ditët e Memo Metos kaluan nëpër provën e zjarrit të luftës. Ai hapi fletët e jetës së tij me zbrazje të automatikut dhe e mbylli me zbrazje të automatikut. Edhe në çastet e fundit të jetës, kur trupin ia përshkruan plumbat, automatiku i tij lëshoi flakë prej gryke. Mangësinë e mendjes dhe të fjalës së zjarrtë, mangësinë e pushkës dhe të penës, e ndjeu shumë populli, ndaj edhe i këndoi: “Ngrehu Memo të na flasësh,/si dije të flisje ti”…

Lajmi për vrasjen e Memos, nuk u shpërnda me komunikata, por shkoi në vijat e luftës me këngë: “Më dy prill na vjen haberi,/bie lajm e hidhërim,/t’i njoftohet ushtrisë,/se në Kuç u vra një trim.

Memo Meton e vrau plumbi, po e mbajti dhe do ta mbajë gjallë, në jetë të jetëve, kënga dhe shpirti i popullit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.