Kreu Aktualitet Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm

Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm

869
0

Fjala e kryetarit të prezencës së OSBE në aktivitetin për mbështetjen e shoqërisë civile në parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm:

Është kënaqësi t’ju uroj mirëseardhjen në këtë veprimtari për mbështetjen e rolit të shoqërisë civile në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, dhe një kënaqësi akoma më e madhe t’i uroj mirëseardhjen këtij paneli: zëvendësministres së Brendshme Romina Kuko, drejtorit të Qendrës së Koordinimit për Çështjet e Ekstremizmit të Dhunshëm, Agron Sojati, ambasadorit të Austrisë Johann Sattler, si dhe ambasadorit Argo Avakov, kreut të Njësisë për Veprimin ndaj Terrorizmit në Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë.

Shoh me kënaqësi pjesëmarrjen e madhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile në këtë konferencë. Ekstremizmi i dhunshëm është, në tërë Evropën si dhe në pjesë të tjera të botës, një sfidë thelbësore, jo vetëm për vlerat demokratike të tolerancës, respektit, përfshirjes dhe diversitetit, që përbëjnë bazën e punës së OSBE-së, por, mbi të gjitha, për jetën e përditshme të komuniteteve që kërcënohen nga efektet e tij. Ne të gjithë i kemi ende të gjalla në mendje pamjet nga Parisi, Londra dhe vende të tjera. Si sfidë globale, ekstremizmi i dhunshëm nuk njeh kufij, qoftë gjeografikë apo politikë. Për parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni, ne duhet të ndërtojmë bashkëpunim jo vetëm në nivel rajonal, por edhe ndërmjet aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë. Sigurisht që institucionet shtetërore luajnë rol udhëheqës në këtë drejtim, përmes përpjekjeve të tyre me strukturat ushtarake, ligjzbatuese dhe shoqërore. Prezenca e OSBE-së ka bashkëpunuar me të gjithë këta aktorë në këtë fushë.

Sidoqoftë, masat e drejtuara nga shteti nga lart poshtë nuk janë kurrë të mjaftueshme për t’iu kundërvënë me efektivitet ekstremizmit të dhunshëm në shoqëri. Në vendin tim, në Gjermani, po zhvillohet një diskutim i gjallë për fuqinë e shoqërisë civile dhe nevojën për ta përfshirë atë. Kapitali më i çmuar në trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm janë vetë komunitetet që ndiejnë drejtpërdrejt efektet e tij.

Angazhimi i aktorëve të shoqërisë civile – duke iu dhënë atyre instrumentet dhe mbështetjen që iu duhet për t’u rritur dhe vepruar – konsolidon vlerën e individëve, komuniteteve dhe shoqërisë civile në forcimin e sigurisë.

Kjo konferencë vjen në momentin e duhur për të nxjerrë në pah sfidat, mundësitë dhe historitë e suksesit që janë shënuar vitet e fundit në përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në rajon. Këtu kemi mundësinë unike që të shohim të gjitha këndvështrimet: nga politikëbërësit, të cilët punojnë për formulimin e legjislacionit, politikave dhe strategjive, deri te përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët punojnë për të çuar përpara objektivat dhe vlerat kolektive në këtë qëllim të përbashkët.

Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, si një aspekt themelor i mandatit të OSBE-së, është vendimtare për sigurinë rajonale, prandaj OSBE-ja dëshiron të ndihmojë në zgjerimin e fushës së veprimit ku të përfshihen sa më shumë aktorë.

Ne kemi ndjekur një qasje shumëdisiplinore, duke punuar ngushtë me aktorët shtetërorë, shoqërinë civile, rininë dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. Përmes këtij bashkërendimi, ne forcojmë pozitat tona për trajtimin e problematikave si kthimi i luftëtarëve të huaj terroristë, radikalizimi i të rinjve, si dhe problemet me të cilat haset sistemi i burgjeve në këtë kontekst.

Në gjysmën e parë të vitit 2018, Prezenca e OSBE-së ka mbështetur studiuesit e rinj, duke iu ofruar trajnim dhe orientim teknik në përgatitjen e punimeve kërkimore në lidhje me rolin e grave në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe forcimin e sigurisë në komunitete.

Gjithashtu, Prezenca ka organizuar seminare dhe trajnime në qytete në mbarë Shqipërinë, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për efektet negative të ekstremizmit të dhunshëm, duke aktivizuar mbi 200 pjesëmarrës nga çdo cep i vendit; si dhe për të nxitur politikat dhe vendimmarrjen vendore për sigurinë. Në nivelin e politikave kombëtare, gjatë të gjithë vitit kemi vazhduar të punojmë ngushtë me z. Sojati dhe Qendrën e tij të Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Megjithatë, paralelisht me përparimin, lindin edhe sfida të reja. Prandaj, për mua është kënaqësi t’ju shoh të gjithë këtu sot dhe t’ju uroj diskutime frytdhënëse gjatë dy viteve në vijim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.