Kreu Ditar Luftë e ashpër në Dukaj, në Tepelenë

Luftë e ashpër në Dukaj, në Tepelenë

368
0

-Me rastin e 76 vjetorit-

Ishte Janari i vitit 1944. Forcat gjermano-balliste ishin vendosur rreth fshatit Dukaj. Në përbërje të Batalionit “Vermoshi” gjendeshin në njesi gjermane xhandarë, ballistë e kriminelë. Gjithsej ishin 207 armiq të zhytur në llumin e kriminalitetit dhe tradhëtisë. Forcat armike kishin zgjedhur pozicionin e përshtatshëm gjeografik aty. Ishin dislokuar në llogore dhe fortifikata të përgatitura që nga lufta Italo-Greke në vitin 1940. Ata vrisnin, grabisnin dhe torturonin popullatën e zonës së Tepelenës dhe Kurveleshit. Bazën e kishin në fshatin Dukaj. Aty vepronin me shumë egarsi ndaj popullatës së pafajshme. U plaçkitën familjeve fshatare jo vetëm pulat por edhe sepetet e grave dhe pajën e vajzave të reja. Fshati Dukaj ishte i lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Mbi 50 djem e vajza të fshatit ishin radhitur në rreshtat partizane. Mbi 70 forca të tjera vepronin në Çetën territorial. Ballistët që në fillim, i bënë kërkesën e tyre fshatit. Çdo familje dukjote duhej të jepte nga një burrë për çdo shtëpi në shërbim të tyre. Të luftonin së bashku kundër partizanëve. Por asnjë burrë nuk pranoi të bashkohej me armiqtë.

Atëherë gjermano-ballistët filluan dhunën kundër tyre. Arrestuan 60 burra e gra të fshatit. I mbyllën të gjithë në një dhomë në kushte shumë të këqia, ngjeshur pa njeri-tjetrit. Ushqimin nuk ua jepnin.  I ftohti i Janarit qe i padurueshëm. Por qëndrimi burrëror i tyre i tërboi armiqtë. Pushkatuan 12 prej tyre përfshirë edhe një 13 vjeçar. Pas kësaj tragjedie shtazarake, ata u sulën dhe dogjën 75 shtëpi  të fshatit. Kjo gjakderdhje, ky terrror psikologjik, ky rrënim ekonomik, nuk i lëkundi fshatarët e Dukajt, të cilët i qëndruan besnik idealit të çlirimit. Populli do të merrte hak, sepse çeta territorial vepronte kunder tyre. Por armiqtë ishin të shumtë, të armatosur e të fortifikuar mirë. Prandaj, ata i kërkuan ndihmë shtabit të Brigadës së VI S, i cili vendosi të asgjesohej kjo çerdhe e rrezikshme e armikut. U hartua plani i veprimeve taktiko-luftarake.

Batalioni i dytë i Brigadës, dy skuadra të batalionit të tretë, një kompëni e mortajave, do sulmonin garnizonin armik në Dukaj. Batalioni i tretë do vepronte më lart, në fshatin Salari për të mbrojtur rrugen automobilistike Tepelenë-Vlorë.  Veprimet luftarake u drejtuan nga komandanti I Brigadës Jaho Gjoliku dhe komisari Haki Toska. U zgjodhën 11 paetizanë për skuadrën e sulmit. Ata 11 petrita do sulmonin në ballë të forcave të batalionit. Dy ditë më parë zv/komisari i batalionit Mitro Xhani me një skuadër partizane në bashkëpunim me forcat territoriale të fshatit, kishin bërë rikonjuksionin e territorit ku do sulmohej armiku.

Ishte mëngjesi i 25 Korrikut 1944. Forcat e batalionit të tretë, u dislokuan në Salari, në bashkëveprim me forcat e batalionit territorial të Kurveleshit. Ata sulmuan dhe vranë 10 xhandarë; 17 i zunë rober. Të tjerë ia mbathën nga sytë këmbët, por të gjithë ranë në kurthin e rrethimit partizan. Në këtë përpjekje luftarake bie trimërisht skuadërkomandanti Barxho Asqeri Abazi nga Progonati. U plagosën edhe 4 partizanë të tjerë.

Rrethimi i garnizonit në Dukaj, u krye në fshehtësi të plotë. Në orën 4 të mëngjesit filloi sulmi: “Para partizanë!” Pastaj vendi u mbulua nga krismat e armëve. Zjarr e flakë nga të gjitha anët. Armiqtë iu përgjigjen zjarrit menjëherë. Kishin qenë në gatishmëri. Qëndresa do të qe e fortë. Hyri në veprim edhe artileria partizane. Qëllonte pozicionet e armikut, me shumë kujdes që të mos dëmtoheshin forcat partizane që sulmonin fare afër pozicioneve shkëmbore të armikut. Rrethimi tek shkëmbi i prerë, rreth kodrës shkëmbore, po ngushtohej gjithnjë e më tepër. Po luftohej në afërsi me bomba dore. Aty mbërriti edhe zv/komisari i Batalionit, Mitro Xhani, i cili hodhi një granatë në llogoren e afërt të armikut.  Ata që ishin brenda u asgjesuan, por një armik më tej, shënoi trupin e zv/komisarit. Një lule gjaku i mbiu në ballë trimit Mitro Xhani. Pak më tej, partizani Apostol Çuni nga Piqerasi, me 6 bomba në gji, ngjitet shkëmbit nga ku armiku nuk e priste. Hodhi 2-3 bomba brënda atij pozicioni ku u vbranë të dy mitralierët gjermanë. Apostoli e rrëmbeu mitrolozin dhe ua ktheu duke qëlluar mbi armiqtë.

Ky veprim trimëror, u dha mundësi shokëve të tij të depërtonin në llogoret e armikut. Kur shokët arritën tek ai, e gjetën të vrarë, sipër mitrolozit. Shëmbulli i Apostolit dhe Mitros, u bënë burim frymëzimi për partizanët. Akti i tyre ishte i guximshëm dhe heroik. Qëndresa e armikut u shpartallua. U vranë 8 oficerë gjermanë, 183 armiq. Ndërsa komandanti i batalionit “Vermoshi”, major Dedë Nikolla, kur pa asgjesimin e Batalionit, u çmend fare. Arriti në komandën  gjermane, në Vlorë duke thirrur përçart: Para partizanë!” nga forcat partizane ranë në këtë betejë të ashpër 11 dëshmorë.

Po kush ishte partizani Apostol Çuni? Ishte biri i Leonidhës dhe i Aleksandrës nga Piqerasi i Sarandës. Mësimet e para i mori në fshat. Familja e tij ndjente peshën e mjerimit dhe varfërisë. Për të ndihmuar familjen, Ai filloi punë si argat. Provoi punë të ndryshme që nga bari e deri punëtor ngarkim-shkarkimi, në portet e Durrësit dhe Sarandës. Idetë e lëvizjes çlirimtare zunë vend shpejt në mendjen dhe zemrën e tij. Në vitin 1942, merr pjesë në aksionin për çarmatosjen e xhandarëve në bregdet, për prerjen e linjës telefonike mer Vlorën etj. Apostoli rreshtohet në çetën “Hajredin Tremishti” të Kurveleshit. Më pas në Batalionin “Asim Zeneli” dhe në radhët e Brigadses VI-T Sulmuese, Heroinë e Popullit. Në përbërje të këtyre formacioneve luftarake, Apostoli luftoi me guxim e trimëri, në çdo betejë. Për meritat e tij, pranohet në PK. Në betejën në Duke, Ai tregoi shkallën e lartë të guximit, trimërisë e vetmohimit, si një idealist i vendosur, si një “matrazov” shqiptar. Ata do të kujtohen me krenari nga brezat.

Populli i përjetësoi në këngë: “Në Dukaj, në Tepelenë/Filloi lufta e paprerë/Sulmove përmbi llogore/bombat si breshëri i hodhe/u qepe në atë shkëmb/Bombat i mbaje në dhëmbë. Arrite, zure kalanë/Mitron e gjete të vrarë/Juve të flini të qetë/se do të jeni për jetë”!

Myslim Basha

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.