Kreu Ditar Mallakastra e kish djalë, komisar me partizanë

Mallakastra e kish djalë, komisar me partizanë

264
0

-Me rastin e 75 vjetorit të rënies në fushën e betejës për Çlirimin e Mallakastrës-

Dino Kalenja lindi në Kolonjë të Mallakastrës. Shkollën fillore e mbaroi në Mallakastër, të mesmen në Liceun e Korçës. Mandej shkoi për studime në Itali. Kur u kthye nga Italia, emërohet në Tiranë. Ai bie në kontakt me qarkorin e Tiranës dhe veproi si informator i veçantë, kreu akte të guximshme në ndihmë të luftës dhe organizoi arratisjen e shumë të burgosurve. Më vonë del partizan në çetën e Pezës, merr pjesë në luftime dhe plagoset. Nga Peza dërgohet në Mallakastër, në fillim si komandant në komandën e vendit, më vonë komisar i batalionit “Ismail Klosi”.

Kalenja është një fshat i vogël në zemër të Mallakastrës u ka qëndruar kurdoherë besnik idealeve kombëtare dhe ka dhënë ndihmesën e vet modeste, duke mos kursyer as gjakun kur e ka lypur nevoja. Ky është Dino Kalenja, Hero i Popullit, bir i shquar i Kalenjës dhe Mallakastrës, antifashist i orëve të para, konspiratori dhe guerilasi i Tiranës së Kuqe, komisari dhe komandanti trim i  formacioneve partizane në Mallakastër që diti t’a jetojë jetën si luftëtar e atdhetar dhe diti të sfidojë vdekjen për të mos vdekur kurrë.

Ai lindi në fisin e Durajve në Qershor 1919 në një familje me tradita atdhetare. Bashkë me qumështin e nënës, u mëkua me bëmat e gjyshit të madh Lulo Duros që luftoi përkrah Rrapo Hekalit. Tek ai erdhën dhe u ngulitën në mendje e në shpirt këngët dhe tregimet për trimat shqiptarë që kishin luftuar dhe rënë për liri, sidomos ato për Rrapo Hekalin.

Hajde mor Rrapo Hekali/Kur thërret sa tundet mali.

Kjo e këngë të tjera ai i pati mësuar pa shkuar ende në shkollë. Mbresa patën lënë tek Dinua edhe rrëfimet për ngritjen e Flamurit në Vlorë ku pati marrë pjesë edhe i ati, Bektash Zenel Duraj, e sidomos ato të luftës së Vlorës më 1920, ku kishin marrë pjesë disa nga xhaxhallarët e tij. Në këtë çerdhe atdhetarizmi e trimërie, u rrit dhe u edukua Dinua. Por vetëm kur filloi të mësojë në shkollë, u ndërgjegjësua se ky popull që kishte luftuar në shekuj për liri e përparim, vetëm me luftë mund të arrinte atë që kërkonte. Në Liceun e Korçës, Dinua u njoh më nga afër me idetë përparimtare të kohës. Aty bëri të vetat idetë e revolucionit francez, liri, barazi, vllazërim. Aty ra për herë të parë në kontakt edhe me idetë komuniste, të cilat në atë kohë kishin pushtuar mendjet e të rinjve shqiptarë.

Me këtë formim Dinua shkoi në Itali për të kryer shërbimin ushtarak mbas mbylljes së Liceut nga fashistët italianë. Aty ai mundi të shikonte e ta njihte mirë sistemin e ri, fashizmin që trumbetohej me të madhe nga propaganda fashiste. Në kontakt me shokë të formuar, atdhetarë e antifashistë si Hamdi Shijaku, Asim Zeneli, Zenel Hekali e të tjerë, ai gjeti veten për çështjen e madhe të çlirimit të Shqipërisë.

I etur për dije e kulturë, Dinua shfrytëzoi qëndrimin trevjeçar në Itali për të përfunduar vitin e fundit të Liceut dhe ndoqi për dy vjet studimet për jurisprudencën në universitetin e Firences. Me zgjuarsinë dhe thjeshtësinë që e karakterizonte, ai mundi të bashkojë rreth vetes mjaft djem shqiptarë, me të cilët ndanë shqetësimet për fatet e Shqipërisë dhe se ç’duhet të bënin për të mos u kthyer në vegla të verbra të fashizmit. Ato ndiqnin me vëmendje dhe mbanin kontakte të rregullta me Shqipërinë duke u bërë pjesë aktive e rezistencës antifashiste.

Sapo u kthye në Tiranë, në Gusht të vitit 1942, Dino Kalenja mori kontakt me Gogo Nushin ku ju rekomandua të punojë në sekretarinë e xhandarmërisë së Tiranës. Në detyrën e kryesekretarit, ai u bë ndër burimet kryesore të informacionit për udhëheqjen e luftës kundër fashizmit. Pa marrë parasysh rrezikun për jetën, ndërmori veprime të guximshme për organizimin e rezistencës antifashiste brenda radhëve të xhandarmërisë, duke udhëhequr disa grupe edukative si në burgun e Tiranës, në postën e qendrës etj. e duke i koordinuar veprimet me njësitet guerile të Tiranës. Familjet e Enver Macit, Lutfi Sinoimerit, Bedri Carës e shumë të tjera, ishin ndër bazat kryesore ku ai zhvillonte aktivitetin e tij ilegal. Në këtë luftë e veprimtari të gjërë, ai u njoh e u miqësua me Kajo Karafilin, Maliq Muçon, Lym Ketën e të tjerë anëtarë të njësiteve guerile të Tiranës. Ai dha ndihmesë të drejtpërdrejtë për nxjerrjen nga burgu, armatosjen dhe përcjelljen për në Mallakastër të Dervish Hekalit. Aty në strofkën e armikut, ai jetonte me dhimbjen e madhe për shokët e kapur dhe të burgosur nga fashistët, për torturat që atyre u bënin dhe krenohej me qendresën e tyre. Kur veprimtaria e tij ra në sy, me vendim të qarkorit të PKSH, në krye të 20 xhandarëve, Dinua ndërmori aksionin për të nxjerrë nga burgu i spitalit 13 shokë e shoqe antifashiste, midis tyre edhe mësuesin e vet Zenel Hekalin. Më 17 Korrik 1943, pasi nxorri të burgosurit nga spitali, xhandarë e të burgosur shkuan në Pezën partizane. Aty, në Pezë, Dinua u pagëzua si luftëtar i lirisë dhe mori pjesë në disa aksione, në njerën prej të cilave edhe u plagos.

Me porosi të udhëheqësve të luftës nga mesi i muajit Gusht, u dërgua në Mallakastër, në fillim me detyrën e komandantit të rrethit dhe me krijimin e grupit III-të partizan, emërohet komisar i batalionit “Ismail Klosi”. Mallakastrën e gjeti të djegur e të shkatërruar, sapo kishte kaluar operacioni fashist i Korrikut 1943, por jo të gjunjëzuar. Urrejtjen për fashistët e pa në sytë e të mëdhenjve e të vegjëlve, ashtu siç pa edhe gatishmërinë e tyre për luftë. Këtë situatë, ai do e shprehte me vargun e tij: “Le të digjet, le të vritet Mallakastra,/nga armiku nuk mposhtet kryelarta”…

Në krye të batalionit dhe si anëtar i shtabit të grupit, Dinua shpalosi vlerat si luftëtar dhe kuadër i talentuar. Ai u dallua për shpirtin e vetëmohimit dhe të sakrificës, për vendosmëri, guxim e trimëri të rrallë, për dashurinë e respektin për shokët dhe urrejtjen e thellë ndaj armikut. Në çdo kasolle e shtëpi, në çdo fshat ku ai kaloi e luftoi, la mbresa të pashlyera. Të tillë e njohu Mallakastra e Tepelena, Zagoria e Kurveleshi në operacionin e egër të dimrit të vitit 1943-1944.

Dino Kalenja ishte njeri i fjalës dhe i pushkës. Me fjalën e ngrohtë dhe të sinqertë ai ndizte flakë në zemrat e shokëve dhe atëherë kur situatat ishin tepër të rënduara. Veçohej për shpirtin e madh e për qëndrime të ekuilibruara, për ndjeshmëri njerëzore. Në të gjitha  aksionet, Dinon do ta gjeje në sektorin më të vështirë. Kurdoherë i pari në sulm e i fundit në tërheqje. Pushka e tij u dëgjua përkrah asaj të Dervish Hekalit e Sherif Fetiut, Ferik Hados, Gjon Banushit. Ai nuk e turpëroi atë pushkë deri sa dha jetën në një ditë të Marsit të vitit 1944. Grupi i tretë së bashku me një batalion të Brigadës VI-t S, po zhvillonte me sukses ofensivën. Ishte momenti kur po finalizoheshin veprimet për të marrë Kreshtën malore Kasnicë-Cakran dhe Kalanë e Margëlliçit. Papritur situata u ndërlikua mjaft nga një formacion gjerman që kishte mundur gjatë natës të kapte një lartësi dominuese.Kërkoheshin veprime energjike dhe të menjëhershme për të shpëtuar forcat kryesore të grupit. Dino Kalenja mori përgjegjësinë për t’i bërë ballë këtij rreziku. Në krye të grupit të sulmit që ai zgjodhi, pa marrë parasysh rrezikun për jetën, sulet i pari me thirrjen “Para partizanë”, u prin shokëve për të pushtuar lartësinë. Lufta ishte tepër e ashpër. Furia partizane e mposhti rezistencën gjermane, partizanët e kapën majën. Në momentin kur çdo gjë u duk se kishte mbaruar, një plumb godet për vdekje komisarin trim Dino Kalenja. Aty në Kasnicë të Mallakastrës, përballë Margëlliçit ku luftuan dhe ranë 13 partizanë të Brigadës VI-të S, ranë 3 Dëshmorë të Grupit të Tretë, e midis tyre ishte edhe komisari trim, Dino Kalenja. Në këtë betejë, pushka e tij u dëgjua bashkë me ato të Mustafa Matohitit, Lefter Talos e Meleq Gostivishtit, që populli finalizoi me vargun e këngës “Një betejë, katër heronj”.

Po Dino Kalenja dinte të qëllonte edhe me penë, siç dinte të qëllonte edhe me pushkë. Ai ishte poet, vargu i tij i thjeshtë aq edhe i ëmbël na e sjell botën e tij tërë ndjenja njerëzore, ku dashuria për Atdheun e për lirinë përshkojnë tërë krijimtarinë e tij. Ato mbajnë era barut, po edhe lule mali, vijnë nga llogoret e luftës, nga acari i dimrit e zhegu i vapës, të mbrujtura me ideale partizane dhe të moshës rinore për një Shqipëri të lirë e demokratike.

Për vlerat dhe kontributin që Dinua dha gjatë luftës, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”. Këtë titull poeti popull, e vendosi në kornizën e vargut të vet:

“Mallakastra të kish djalë,.Komisar me partizanë./Sot të ka hero në ballë,/Lule Dino, lule djalë…

Dino Kalenja ra Dëshmor i Atdheut më 29 Mars 1944, në betejën e bërë për Çlirimin e Mallakastrës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.