Kreu Ditar Margarita dhe Kristaq Tutulani në përjetësi të pavdekshëm

Margarita dhe Kristaq Tutulani në përjetësi të pavdekshëm

271
0

-“Margarita dhe Kristaq Tutulani, vëlla e motër, puthën së bashku tokën amtare për çlirimin e së cilës, dhanë pranverën e jetës së tyre”-

Atdhe!…Atdhe!…Sa e ëmbël, e bukur, tingëlluese është kjo fjalë. Vallë a do mundet njeri të mos mbushet plot kënaqësi e murrje kur dëgjon këto fjalë? E pse e duam Atdheun, e pyeti vëllai i vogël. E duam, i them se ky është vendi i lindjes sonë, është vendi ku jetuan e u varrosën stërgjyshërit shqiptarë. Që të kesh Atdhe, dmth, të jesh i lirë. Po ti je i vogël dhe nuk mund ta kuptosh fjalën liri. Liria është gjëja më e shtrenjtë për çdo njeri, për këtë shumë shkrimtarë kanë thury=ur himne lavdie…”.

Margarita Tutulani lindi në Maj të vitin 1924 në lagjen Goricë të qytetit të Beratit. Shkollën fillore e kreu në Berat dhe qytetësen (2 vjeçare, gjysëm të mesme). Ajo dallohej për thjeshtësinë dhe në mësime shkonte shumë mirë.

Në vitin 1938, Ajo shkon në Institutin Femëror të Tiranës, ku u njoh me shumë shoqe të tjera, të cilat ndikuan shumë  që ajo të hidhej në aktivitet revolucionar. 7 Prillin e vitit 1939 e priti me zemërim. Që nga ajo ditë fillon aktivitetin e saj revolucionar dhe bënte propagandë midis shoqeve, U mësonte  kengë, lexonte libra, rrinte me orë të tëra duke lexuar.

Margarita merrej me pune revolucionare në konvikt. Ajo shpërndante trakte në popullsinë e qytetit të Tiranës, Nuk trembej kurrë nga rreziqet, ishte guximtare, trime. Njëherë të gjitha vajzat e konviktit ku ishte dhe Margarita, i kontrolluan sepse u kishte rënë në sy se dikush nga ato mbante trakte. Ajo i kishte me vete traktet, por nuk u tremb kur e kontrolluan, ndenji shumë e qetë dhe mbajti gjakftohtësinë më të madhe. Traktet nuk ia gjetën. Pas kontrollit një shoqe e pyeti: “Ç’i bëre traktet”?

Margarita iu përgjigj: “A e ke lexuar këtu poshtë se si thotë: “Lexoje, shpërndaje dhe mos ia dorëzo armikut!” Dhe unë e lexova, nuk ia dorëzova armikut dhe tani do ta shpërndaj tek ata që kanë etje të dinë”.

Në vitin 1942, Margarita mori pjesë në demostratën e madhe të Tiranës, ku  doli hapur duke mbajtur flamurin. Për aktivitet të gjerë revolucionar, ajo dëbohet nga konvikti dhe shkon në Berat. Por edhe atje, filloi të merrej me aktivitet. Hapi të parën rrobaqepësi për vajza në Kala, gjoja për t’u mësuar të presin e të qepin, por në të vërtetë atje bëheshin mbledhje dhe qepeshin rroba për partizanët. Në moshën 18 vjeçare, Margarita është anëtare e Komitetit Qarkor në Berat, e ngarkuar për edukimin e rinisë. Ajo shquhet në mobilizimin e rinisë dhe grave në luftën çlirimtare.

***

Kristaq Tutulani, lindi më 7 Dhjetor 1919 në qytetin e Beratit. Shkollën e mesme e filloi në qytetin e Beratit dhe e vazhdoi në Liceun e Korçës. Për pjesëmarrjen ne demostratën e 28 Nëntorit 1939, përjashtohet nga Liceu. Maturën e mbaroi në gjimnazin e Shkodrës.

Në vitin 1941, në një takim  që u organizua nga maturantët e shkollës, një profesori të ri që po e cilësonte Naim Frashërin si poet arkaik e bejtexhi, Kristaqi, me atë zërin e tij tingëllues e plot revoltë, iu përgjigj: “Ju, zoti profesor, posa keni mbaruar universitetin në Itali dhe keni nevojë të madhe të njohni e të vlerësoni si duhet literaturën e poetët e vendit tonë”. Ai i braktisi shpejt studimet e larta që kishte filluar në Itali, ku merrte pjesë aktivisht në rrethet studenteske antifashiste.

Në vitin 1942, ndodhej në Berat, ku qëndronte në radhët e para të komunistëve. Për aktivitetin e tij, u zgjodh delegat në konferencën e parë të Partisë për Qarkun e Beratit, e cila i besoi detyrën e anëtarit të Komitetit Qarkor. Në Komitet u ngarkua me përgjegjësinë e agjitpropit. Me dorën e tij, hartoi thirrje e komunikata që dalloheshin për forcën dhe qartësinë politike, për zjarrin patriotik dhe optimizmin në fitore. Ai ishte gati të hynte në debat me cilindo për të provuar forcën dhe vërtetësinë e ideve, për të cilat militonte. Kristaqi kishte bindje të thellë në triumfin e Luftës Nacionalçlirimtare. Këtë bindje ai nuk e sillte nga klasa së cilës i përkiste, por nga vëzhgimet e tij të thella rreth botës së varfër që ndeshte porsa dilte nga pragu i shtëpisë, nga pragu i qytetit të vendlindjes, nga një vështrim objektiv dhe realist që u bënte ngjarjeve politike dhe shoqërore jo vetëm brenda, por edhe jashtë kuadrit shqiptar.

Tematikat e krijimit letrar të Kristaq Tutulanit është e gjërë dhe interesante, po të marrim parasysh moshën, pjekurinë letrare dhe kohën e shkurtër që ai shkroi. Në shkrimet e tij gjen mall e dashuri për tokën amtare, për popullin që vuan, për të varfrin, për traditat liridashëse të të parëve tanë. Dashuria e tij për Atdheun  e popullin, nuk qe një dashuri abstrakte sentimentale. Ende mjaft i ri, ai dijti të vërejë se në Shqipëri kishte të pasur e të varfër, shfrytëzues e të shfrytëzuar që rropateshin tërë ditën duke mbledhur ullinj. E jo vetëm që jep disa pamje të mjerimit të njerëzve të thjeshtë, jo vetëm që qesëndis besimin në perëndinë, po shkon edhe më larg, hedh shikimin në një botë të re të ardhshme: “Njeri mos beso,/se ka paqe sot,/e shpërblime mot,/Botën e re kërko…”.

Zemra e atij shqiptari që ka lindur në malet e fushat e bukura gjelbërore të këtij atdheu, ka qenë, është e do të jetë një zemër e thjeshtë shqiptare, një zemër që do kurdoherë vendin e saj lindor të dashur, kasollen e paharruar atje tej, larg ndoshta mbrapa malesh, majë shkrepash e përmes pyjesh, atje ku ndoshta s’ka asnjë shenjë gjallesie, po prapë e do atë e atje do të vdesë, atje do t’i çlodhen eshtrat, atje do të ketë shtëpinë e tij të përjetshme.

Margaritën e ndiqnin 3 spiunë, sepse e kishin kuptuar që bënte punë revolucionare. Më në fund, ata dhe të tjerë armiq e rrethuan Margaritën natën dhe e kapën në befasi. Ajo ishte së bashku me të vëllanë, Kristaqin. I morën të dy dhe në mënyrën më çnjerëzore i torturuan katër ditë e katër net. Pastaj… Ajo që ndodhi atë natë do të ndriçohej deri në hollësi nga dëshmonjës e dokumente.

Një mesditë Korriku, një kamion ushtarak i mbyllur, qëndron pranë burgut të Beratit. Shoferi, një mesoburrë, me uniformë fashiste rrinte në kabinë. Pas pak, dëgjoi se dikush e thërret në gjuhë të tij. Del, hap dyert e prapme të hekurta të maqinës dhe ndihmon të fusin brenda me egërsi 19 vjeçaren Margarita Tutulani dhe vëllanë e saj, Kristaqin. Në çast, rreth Margaritës e Kristaqir zë vend një skuadër karabinierësh. Makina niset. Pjaca të kalohet ngadalë, qetë e qetë! Të mos bjerë në sy të njerëzve asnjë farë ngutje! Ndërsa, me të lënë pas lagjen e fundme të qytetit, shpejtësia e makinës të arrijë në maksimum!

“Partizanët janë tipa mjaft të çuditshëm e të mbrapshtë. Dalin si nga dheu, atje ku s’i pret. Takimi me ta është për ne…është…një farë dreq-o-pune, e asgjë më”.

Dhe urdhri zbatohet me përpikmëri. Kamioni lë pas Beratin…Urën e Hasan Beut…Lushnjën… Me anë të pasqyrës, shoferi vë re një veturë të zezë, që e ndjek me ritmin e duhur. Qetësohët disi. Ai e di: Në të është kapiteni dhe marshall Martini…

Në karrocerinë e kamionit, karabinierët nuk ua heqin sytë komunistëve. Margarita vështron të vëllanë. Kristaqi ka në mjekër e në gushë një rrjedhë gjaku të mpiksur. Në ballë e në faqe një gjurmë mavi kamxhiku, buzën të çjerrë dhe njërin sup lakuriq. I buzëqesh së motrës gjithë dashuri. Ajo zgjat paksa buzën e poshtme, duke u hedhur fashistëve një shikim tërë përbuzhe dhe i kthen të vëllait buzëqeshjen e përzemërt. Ndërkaq, i afrohet, i mbështetet në gjoks…Asaj i vlon zemra për të vëllanë. Mbushet me krenari: “Kam një vëlla trim! Kam një vëlla komunist! Kam një vëlla!… Kristaqit i ziente kraharori për të motrën: “Eh, moj motra ime burrneshë!…”. A s’ia marrim një kënge, Kristaq?

Dhe kënga vazhdon e qetë, tingëllon bukur, ëmbël, trimërisht. Para syve, vëlla e motër u dalin rreshta të tërë partizanësh me armë në dorë që e këndonin atë këngë maleve e pyjeve, në borë e stuhi, rreth zjarrit a në marshim, në përpjekje a në feste… E në vesh të Kristaqit e Margaritës jehona e asaj kënge ndjehet me tërë gjallërinë e saj. Ajo jehonë merr majat, u jep atyre forcë e guxim, u ushqen shpirtin, zemrën.

-Kristaq, a i sheh yjet e kuq të partizanëve? Bukur ndrijnë, Margarita, hë? Mjaft bukur, vëlla.

Margarita e Kristaqi ende këndojnë, ashtu ai edhe në fillim: qetë e bukur, ëmbël e trimërisht. Dhe karabinierët vazhdojnë bisedën në gjuhën e tyre dhe vesh më vesh: “thonë se janë nga më të rrezikshmit. Kjo shtrigë i ka kthyer të gjithë gratë bandite kundër nesh”!.

…Mbetet pas edhe Rrogozhina. Diku më tej, shoferi shikon se vetura që e ndjek shton shpejtësinë, i del përpara dhe i jep shenjë të ndalet. Anë e kënd vendi i shkretë. Frymë njeriu s’duket. Buzë xhadesë një hendek. Karabinierët çojnë në vend urfhërat e eprorëve: i zbresin pa u vonuar të dy, vëlla e motër, kapërcejnë hendekun bashkë me ta dhe i çojnë më tej, mes gjëmbaçësh dhe barishtesh të tokës djerrë.

Po ju japim mundësinë e fundit për t’ju lënë të lirë. Tregoni, cilët janë shokët tuaj? Kristaqi ia kthen: vdekja me nder, o kapiten, është mjaltë, kurse tradhtia – llum e baltë. Por kapiteni mban shprese tek Margarita duke menduar se ajo është vajzë, motër dhe do t’i dhimbset kristali”…

Por ajo i thotë kapitenit: Vallë, nuk ju duket e qartë përgjigja e tim vëllai?!

Sakaq, skuadrës i jepet shenjë të hapë zjarr mbi Kristaqin. Në çastin e breshërisë së plumbave, Margarita me duart e lidhura, duke i mbledhur të gjitha forcat e veta, godet marshall Martinin në kokë dhe e rrëzon përdhe dhe më pas derdhet mbi të vëllanë e pushkatuar. Martini ngrihet, sulet dhe shtie me shkelma mbi kurrizin e Margaritës, që ngashërehet sipër të vëllait. E, pas kësaj, shkreh mbi Margaritën të gjithë karikatorin e revolverit. Por ç’po ndodh?! Ajo çohet në këmbë, fshin lotët gjer te pika më e fundit dhe bërtet:

-Burracak! Të dridhet dora! Nuk godet në shenjë! Qëllo fashist i ndyrë! Kapiteni bëhet nervoz. Kjo ishte një pamje me të vërtetë e padurueshme për fashistët.

-Sinjor marshall, – i thotë kapiteni Martinit që mbush përsëri revolverin, bëni mënjanë dhe urdhëron skuadrën të hapë zjarr.

Margarita, thërret dhe zëri i saj përzihet me krismën e armëve: Rroftë Shqipëria…dhe nuk arrin ta çojë fjalën gjer në fund. Margarita dhe Kristaqi, motër e vëlla, të dy në moshën më të bukur të rinisë,mbetën në përjetësi të pavdekshëm se ra për Atdhe.

Asgjë nuk mbeti pa u mësuar se ç’ndodhi atë natë në Gosë të Kavajës. Shokët u betuan për hakmarrje dhe tytat e revolverëve u vunë në kërkim të fashistëve.

Gjithçka mund të harrohet, mund të harrohen dashuritë me kujtimet e të këqijat e kohës së kaluar, dhimbjet, gëzimet, harrohet çdo gjë, por jo dashuria ndaj Atdheut të dashur e të shtrenjtë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.