Kreu Aktualitet Marrëveshja me kompaninë italiane ENI, lajm i shkëlqyer për zhvillimin e sektorit...

Marrëveshja me kompaninë italiane ENI, lajm i shkëlqyer për zhvillimin e sektorit të hidrokarbureve

423
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes Hidrokarbure me Kompaninë italiane ENI për Bllokun e Dumresë

Mirëdita!

Është një moment shumë i rëndësishëm për vendin tonë, për sektorin e hidrokarbureve dhe për të ardhmen e ekonomisë së vendit tonë momenti që sot na ka sjellë në nënshkrimin e një marrëveshjeje me kompaninë e mirënjohur italiane ENI.

Është vazhdim i një historie të nisur shumë kohë më parë, sepse, qysh në vitin 1903, kur ne ishim ende pjesë e perandorisë otomane, ishin inxhinierët italianë ata që erdhën të parët për të filluar të krijonin një opinion lidhur me nëntokën tonë dhe eksplorimet vazhduan më pas në vitin 1918 me shpimin e parë të një pusi në Drashovicë të Vlorës dhe ishte po meritë e miqve tanë italianë, në atë kohë e një kompanie italiane, “Azienda Italiana Petroli Albanesi” (AIPA), që, për herë të parë, u krijua si kompani e mirëfilltë dhe e strukturuar për të nxjerrë dhe për të përpunuar naftë. Nga viti 1928, kur u realizuan shpimet e para në Kuçovë dhe deri në fund të vitit 1944, kur italianët u larguan përfundimisht nga vendi ynë, AIPA kreu me mijëra shpime dhe prodhimi ynë i naftës arriti në 950 mijë ton.

Megjithatë, raporti ynë historik me naftën është disi i komplikuar edhe për shkaqe, në radhë të parë, politike dhe historike. Thuhet se, kur Victor Emmanuel u prezantua me idenë e pushtimit të Shqipërisë në ’39, ngriti pyetjen: “Çfarë dreqin i duhen mbretërisë italiane 28 mijë kilometra katrorë shkëmb matanë detit?” Dhe përgjigja e Kontit Ciano ishte se, “ata shkëmbinj mund të plotësonin 100% të nevojës italiane për krom, 30% të nevojës për naftë dhe me pak investime mund të mbulonin gjithë nevojën italiane për hekur”.

Historia më pas dihet si vijoi në periudhën e mbylljes së një kontradikte që e pengoi zhvillimin normal të sektorit mes një përpjekjeje për të rritur burimet njerëzore brenda vendit dhe për hir të të vërtetës, u krijuan burime njerëzore të një niveli shumë të lartë dhe mbylljes totale të vendit në raport me botën, çka kufizoi maksimalisht kapacitetet zhvilluese edhe teknologjike të vendit. Megjithatë, në momentin e parë pas rënies së diktaturës ka një shkrim në gazetën “La Republika”, në shtator të ’91 që titullohet “ENI birëson Shqipërinë”. Në atë shkrim flitet për një eksplorim në një perimetër prej 30 mijë kilometrash katrorë në detin shqiptar, por, në fakt, u deshën 30 vjet që ne sot të kemi, jo vetëm një kontratë me ENI-n, jo vetëm një kontratë që nga pikëpamja e vlerës së vet ekonomike për shtetin shqiptar dhe për qytetarët shqiptarë është kontrata më e mirë dhe më e favorshme që është nënshkruar dhe për këtë unë dua t’i falënderoj me gjithë zemër miqtë italianë që vërtetë janë treguar shumë të hapur dhe shumë konstruktivë ndaj kërkesës sonë për të pasur një kontratë që të ketë një përfitim të drejtpërdrejtë më të madh sesa në kontratat e mëparshme për shtetin dhe një përfitim shumë të mirëstrukturuar në aspektet kohore, por, përtej kësaj, për të pasur edhe një partner, që, jo thjesht do të eksplorojë dhe do të zbulojë naftë në Shqipëri, por do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së burimeve tona njerëzore dhe çka kemi biseduar ka qenë edhe përfshirja e ENI-t në kuadrin e kornizës së Paktit për Universitetin në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave për të ndihmuar në rritjen e kapaciteteve për të hapur mundësi për trajnime, për master dhe kështu me radhë.

Më vjen shumë mirë, që, sot ne e firmosëm këtë kontratë edhe pse përkoi me një moment shumë të vështirë, por ishte një këmbëngulje e madhe nga ana e ministres dhe nga ana e skuadrës që u mor me negocimin e kontratës për t’i sjellë miqtë italianë përpara Vitit të Ri, sepse ky ishte dhe objektivi, që, brenda vitit ne të mbyllnim këtë kontratë dhe pastaj të vazhdonte puna me eksplorimet.

Sipas të gjitha studimeve, Blloku i Dumresë, ku do fillojë eksplorimi, ka një rezervë të pritshme të konsiderueshme, ashtu sikundër, zbulimi i bërë në Shpirag është një arsye më shumë dhe një nxitje më shumë për të vijuar me eksplorimet. Më vjen po ashtu shumë mirë të theksoj se bëhet fjalë për një tjetër investim të rëndësishëm të huaj direkt në Shqipëri të një kompanie gjigande me të ardhura më të mëdha sesa gjithë Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar i Shqipërisë e cila vendos një flamur me shumë peshë në hartën e investimeve të huaja në Shqipëri dhe përtej vlerës monetare dhe ekonomike do të sjellë në vendin tonë vlerën e madhe të dijes edhe vlerën e madhe të një bashkëpunimi që do të rrisë cilësisht të gjithë hapësirën që mbulon ky sektor.

Në mbyllje, besoj se e kam dhe lejen e miqve tanë edhe të drejtuesit të kompanisë për të thënë se, më vjen shumë mirë, që, nga ana e kompanisë kemi marrë një përgëzim për shpejtësinë dhe për efikasitetin në procesin e përpunimit dhe të firmosjes së kontratës. Më vjen shumë mirë, që, kemi dhënë një shembull konkret të dallimit të madh mes atij që është perceptimi, kur flitet për të bërë investime të huaja dhe për të firmosur kontrata në Shqipëri dhe atij që është realiteti, kështu që, në një proces të filluar në gjysmën e dytë të vitit, jemi sot këtu për të konkluduar me një kontratë që në këndvështrimin tonë është një kontratë jashtëzakonisht solide dhe me një përfitim të rëndësishëm të pritshëm për shtetin, për shoqërinë, për ekonominë tonë.

Zbulimet e bëra deri tani dhe zbulimi i pritshëm nga ana e kompanisë italiane, sigurisht që do të kenë një ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit në vitet që vijnë, por ajo që sot është e rëndësishme është që të fillojmë menjëherë nga puna pas nënshkrimit të kontratës.

Falënderoj shumë të gjithë miqtë italianë që janë këtu të pranishëm për të gjithë impenjimin, për të gjithë gatishmërinë për të nënshkruar një kontratë kaq të favorshme për ne dhe njëkohësisht jam i bindur që përderisa kanë qenë kaq bujarë në raport me kërkesat tona, janë të sigurtë që do gjejnë më shumë naftë, kështu që edhe përftimi do të jetë plotësisht i merituar edhe për ta.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.