Kreu Ditar Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë

Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë

300
0

-Me rastin e 76 vjetorit –

Masakra e 4 Shkurtit ndodhi në kohën kur pushtuesit nazistë ndërmorën Mësymjet armike të Dimrit 1943-‘44.Pushtuesit fashist nazist me të shkelur në Shqipëri, duke ditur kundërshtimin e popullit dhe duke patur edhe mbështetjen e bashkëpunëtorëve të tyre, organizuan një sërë masakrash, ndër të cilat më e madhja dhe më tronditësja ishte masakra e Borovës, më 6 Korrik 1943 ku u masakruan 106 burra, grad he fëmijë. Kjo u pasua nga masakra e  18 banorëve të Radanjit dhe të një numëri të tjerë në Kagjinas. Më 8 Korrik kryen masakrën e 57 fshatarëve të Zhepës dhe Draçovës për të vazhduar pastaj me një sërë masakrash anë e mbanë vendit. Në fshatin Benjë për një kohë ishte strehuar spitali partizan, i larguar nga Zagoria për shkak të përndjekjeve naziste me destinacion për në zonën e Frashërit. Gjatë udhëtimit, ndaluan disa ditë në Benjë ku u strehuan në konakët e Kishës dhe në shkollën e fshatit. Gjermanët të informuar nga kolaboracionistët, hynë në fshatin Benjë dhe pasi gjetën medikamente dhe armë në konakët e kishës, u kërkuan informata për drejtimin e spitalit, por asnjëri nuk tregoi. Atëherë egërsiat arrestuan dhe pushkatuan 6 fshatarë. Arrestuan njëkohësisht priftin Apostol Koçi Ilia e vunë përpara gjatë udhës për në Novoselë, për të mkos pësuar ndonjë goditje të befasishme dhe shkuan në Novoselë. Prifti kur shikonte fshatarët, u bënte shenjë me dorë për t’u larguar. Atëherë nzistët pasi morën informacionin nga Benja për gjetjen e medikamenteve dhe armëve në konaket e kishës, e masakruan në përrua edhe Priftin. Shëmbujt janë të shumtë sa është e pamundur të përmenden në një shkrim. Por më çnjerëzorja dhe më hakmarrëse, ishte masakra e 4 Shkurtit të vitit 1944 në Tiranë.

Në dimrin e vitit 1943, pushtuesit nazistë ndërmorën njëmoperacion ushtarak me forca dhe mjete të shumta në zonat e thella të Shëngjergjit, Martaneshit dhe Çermenikës për të asgjesuar forcat e UNÇSH për zbulimin dhe asgjesimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe shkatërrimin e bazave të lëvizjes, por dështuan me turp dhe qëllimit nuk ia arritën. Për të larë këtë turp, shpërthyen një fushatë propagandistike të shfrenuar demagogjike dhe ndërmorën akte të pashëmbullta terroriste anë e mbanë vendit, sidomos në Tiranë, që hyri në histori me emrin ”Terrori i 4 Shkurtit”.

4 Shkurti, kjo datë e përgjakshme, në të vërtetë u përgatit  në zyrat e Gestapos dhe për zbatimin praktik u gjet dora gjakatare e Xhafer Devës dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas. Për këtë qëllim me 16 Janar 1944, u bë një mbledhje e posaçme në zyrën e Kryeministrit Rexhep Mitrovica, ku u diskutua dhe u vendos për organizimin e masakrave masive. Vetë pushtuesit dhe tradhëtarët pohonin nëpër fletushka se gjendeshin në një “faazë kritike”, se “Operacioni i dimrit” nuk I lau dot hesapet me PKSH dhe me forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe se popullin nuk arritën ta largonin dot nga Lufta ANAÇ. Këto i tmerronin armiqtë. rrugëdalja sipas logjikës së tyre ishte terrori masiv. Për këtë qëllim, ditë më parë u hartuan listat e  njerëzve që duheshin terrorizuar.

Në mbrëmjen e 3 Shkurtit, gazeta qeveritare “Bashkimi i Kombit” botoi thirrjen makabre “Gjaku duhet të rrjedhë rrëke nëpër rrugët e Tiranës”. Kohë më parë qeveria kolaboracioniste kishte sjellë një regjiment mercenarësh nga Kosova, Regjimentin “SS Kosova” ose “Skanderbeg” që përshkoi gjithë Tiranën me kontrolle dhe bastisje duke u futur frikën edhe foshnjeve në barqet e nënave. Pikërisht këto forca në bashkëpunim me Gestapon dhe ballistët më aktivë, kryen edhe terrorin e kobshëm të natës së 4 Shkurtit 1944. Për zbatimin praktik të masakrave u ngarkua Ministri i Punëve të Brendshme Xhafer Deva. Përfaqësuesi nazist, për sy e faqe, nuk mori pjesë direkt por ndopqi si vëzhgues zhvillimin e ngjarjeve.

Për zbatimin praktik të masakrës në Qytetin e Tiranës, u ngarkuan forcat e xhandarmërisë e të policisë sekrete të qeverisë kuislinge dhe forcat mercenare të regjimentit “Kosova”. Këto forca u ndanë në grupe prej 10-15 vetësh, të cilet përbëheshin nga bashkëpunëtoret e tyre. Në mes të asaj nate të 4 Shkurtit 1944, kudo dëgjoheshin krisma armësh, vringëllim bajonetash dhe ulurima grash e fëmijësh që u rrëmbenin njerëzit e tyre, shihej frikë, ankth dhe tmerr në komshinjtë dhe në të gjithë qytetin. Vetëm mercenarët e Xh.Devës dhe padronët e tyre, fërkonin duart e gëzoheshin. Gjithë populli i qytetit priste me ankth të gdhihej e të shihej ç’kishte ndodhur gjatë natës. Populli u mbush me dhimbje njerëzore dhe urrejtje ndaj organizatorëve. Po jo pak, por 84 kufoma të ekspozuara në trotuarët përpara bashkisë, në trotuarin e shatërvanit tek sheshi “Skenderbej” dhe në vende të tjera kyçe.

4 Shkurti i rrëmbeu Nurie Spahiut vëllezërit, Hakiun dhe Maliqin, Zihni Çeços i rrëmbeu vëllanë dhe nuk e gjeti dot as trupin e tij për ta varrosur, ashtu siç nuk e gjetën vëllanë e tyre Petron, vëllezërit Koço dhe Niko Prifti. Rovena Demirit i vranë të shoqin, Gjergjin përpara shtëpisë. Ballistët në shërbim të Gestapos vranë dy vëllezërit Huta. Tëtë punëtore që dolën në mëngjes për të shkuar në punë, u mitraluan në vend pa asnjë shkak. Terrorit të 4 Shkurtit nuk i shpëtoi dot edhe një izraelit që ishte strehuar në një shtëpi në rrugën e Kavajës. Më 29 Shkurt u var në litar përpara xhamisë te Pazarit të Ri, luftëtari i paepur dhe Heroi  Muhamet Gjollesha.

Terrorin e kobshëm e përjetuan edhe nxënësit e shkollave. Nxënësit e një shkolle në kryeqytet, nuk e zhvilluan dot mësimin e gjuhës shqipe atë ditë, pasi mësuesin e tyre Ramiz Treni e grinë me bajoneta.  Të nesermen, Qarkori i PKSH  për Tiranën, nxorri një trakt të posaçëm, ku pasi dënonte aktet terroriste, i bënte thirrje popullit: “Kujto 4 shkurtin! Kujto dëshmorët! Kujto krimet që po bëhen anë e mbanë Shqipërisë për të mposhtur rezistencën e popullit shqiptar kundër pushtuesit! Mendo se po bëjnë krimet më të turpshme, po ndjekin nga të katër anët rininë për ta vrarë, po çnderojnë e torturojnë gra e vajza… Prandaj mblidhi forcat e tura dhe vazhdo më me vendosmëri dhe më me fuqi luftën tënde heroike! Dije mirë se vetëm rezistenca dhe lufta, krijon Shqipërinë indipendente, Shqipërine e lirë!…

Dhe vërtet, këto dhe masakra të tjera, u kthyen në forcë dhe urrejtje kundër pushtuesit dhe tradhëtarëve që lyen duart me gjak vëllezërisht dhe krijuan një imazh të keq për shqiptarët.

4 Shkurti 1944, në ditët e sotme është apel për të rritur vigjilencën dhe luftuar kriminelët terroriste në të gjithë Botën.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.