Kreu Ditar Masakrat e milicisë fashiste në Pajonë dhe në Grecë

Masakrat e milicisë fashiste në Pajonë dhe në Grecë

313
0

-Me rastin e 76 vjetorit 15-25 Dhjetor 1942 – 15-25 Dhjetor 2018-

Forca të mëdha fashiste dhe mercenare u vendosën në Pajonë, Grecë Pezë e Madhe, Dorëz, Gror duke kërkuar bazat partizane. Spiuni Ramazan Bali pasi dështoi radhën e parë i mbështetur në forcat fashiste të milicisë, përdori rrugën e torturave dhe vrasjeve në masë. Por populli i Pezës ishte patriot i zjarrtë. Të tëbuar nga qëndrimi heroik i banorëve të këtyre katundeve, fashistët filluan pushkatimet në masë. Kështu nga 15-25 Dhjetor 1942, me mijëra forca armike, milicë e karabinierë Italian, duke dëgjuar shpifjet e spiunit të tyre Ramazan Bali, torturuan e vranë barbarisht mjaft katundarë në Pajonë dhe në Grecë. Në Pajonë u vranë: Muharrem Hakrama, Ahmet Qamil Hakrama, Selim Abdulla Pajona, Mustafa Shabhasa, bashkë me të birine tij Shaban Mustafa Shabhasa, Riza Mersin Çullhaj, Sejdin Hajdar Çullhaj, Hasan Çelmeta, Ramazan Kapllan Durishti, Riza Ymeri. Qëndrimi heroik i këtyre burrave trima para pushkatimit, i tmerroi tradhëtarët e popullit dhe pushtuesit italianë.

Muharrem Hakramës, përpara skuadrës së pushkatimit ju premtua që t’i falesh jeta, me kusht që të thoshte “Rroftë fashizmi”. Mirepo Rrema trim e patriot, u drejtoi gjoksin grykave të pushkëve armike dhe bërtiti: “Rroftë Populli Shqiptar”! “Rrofshin sa mallet partizanët e lirisë!”. “Poshtë fashizmi! Poshtë Duçja”! Ndërsa ai fliste kështu, fashistët u sulën mbi Rremën e lidhur dhe e shpunë me bajoneta deri sa vdiq.

Shaban Shabhasën të lidhur e ndanë nga babai i tij plak dhe e vunë përpara skuadrës së pushkatimit. Në këtë kohë Mustafai i thirri me zë të lartë të birit: “Ngreje ballin lart, kurrë mos u përkul përpara armikut, rri serbe e kryelartë se ne e derdhim gjakun për lirinë e popullit tonë”. Pasi pushkatuan Shabanin para popullit e në sytë e të jatit, nxorën edhe babain plak për ta pushkatuar. Të gjithë trimat që u pushkatuan mbajtën qëndrim shumë të lartë burrëror dhe asnjë prej tyre nuk u lgështua përpara syve të armikut.

Prej Pajone fashistët shkuan në katundin Grecë dhe agjenti Ramazan Bali kishte bindjen se do t’i thyente banorët, ca nga miqësia që kishte me tad he ca nga tmerri që mendoi se i kalli popullit të pajonës.

Edhe në Grecë fashistët e spiunët torturuan burra e gra, pleq e fëmijë dhe pushkatuan Kasem Ahmet Karain, Hasan Zyber Karain, Sejdin Ibrahim Karain, Hazis Ramazan Çullhain, Sadik Riza Ymerin, Osman Haxhi Ymerin, Bajram Riza Ymerin. Edhe nga këta trima urrejtja ju përplas turinjve fashistëve dhe agjentit të tyre Ramazan Balit.

Mbas tre ditësh, Çeta e udhëhequr nga Babë Myslimi, shkoi në Pajonë. Atë e priti populli me një dashuri shumë të madhe. Babë Myslimin doli dhe e përqafoi nëna plakë e Rrem Hakramës dhe e futi në shtëpinë e saj me 9 shokët e tjerë partizanë. Nënë Fatimja u tregoi mbi vrasjenm e birit të vetëm të saj pa nxjerrë një pikë loti. Babës dhe partizanëve ju mbushën sytë me lot. Plaka u ndal dhe i qortoi: Ju kurrë nuk duhet të qani – tha ajo, – unë e kam pasur vetëm një Muharremin dhe sot kam me qindra, ju kam juve, që do të merrni hakun e Rremës dhe të të tjerëve”.

Këto masakra të tmerrshme nuk e përkulën aspak popullin e Pezës. Përkundazi ai rroku armët dhe u bashkua me partizanët për të çliruar Atdheun dhe për të marrë hakun e dëshmoreve që ranë për liri.

Lavdi të përjetshme këtyre patriotëve që më mirë pranuan vdekjen me nder, se sa gjunjësimin me turp.

XHEVDET ÇELMETA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here