Kreu Aktualitet Mbi shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve

Mbi shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve

331
0

Fjala e Kryeministri të Edi Rama në Kuvend:

Ky Kuvend, sot duhet të kalonte një rezolutë konsensuale në vigjilje të debatit mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian për çeljen ose jo të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ky Kuvend, sot duhet të ishte Kuvendi i bashkimit dhe opinionit të njëzëshëm të të gjitha forcave politike, për të tërhequr në emër të popullit shqiptar, të kombit shqiptar, vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

Ky Kuvend, sot duhet t’u drejtohej me një rezolutë të gjithë atyre shteteve, për t’u kërkuar as më shumë e as më pak se sa njohjen e meritës së Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të rënda prej tyre dhe miratimin e rekomandimit pa kushte të Komisionit Europian për çeljen e negociatave.

Por fatkeqësisht dhe jo rastësisht, ky Kuvend sot është i detyruar të merret me një akt brutal, transgresiv, të papërgjegjshëm dhe të patolerueshëm të Ilir Metës.

E pyes shpesh veten, çfarë kërkon më shumë Ilir Meta nga Shqipëria?

Kujt i ka bërë Shqipëria më shumë ndere, sesa këtij njeriu, të cilin, pa mbushur ende 50 vjeç, e ka bërë si askënd tjetër në histori, edhe Kryeministër, edhe Kryetar Kuvendi, edhe President të republikës?

Kujt më shumë se Ilir Metës i janë falur përçarjet, hiletë, skandalet dhe i është dhënë kaq e kaq herë mundësia të rilindë, i penduar, i burrëruar, i kthjelluar?

Kujt përpara Ilir Metës i takon të pyesë veten, çfarë mund të bëj që t’ia laj sado pak Shqipërisë, detin me borxhe që i ka; Që t’ia laj sado pak shqiptarëve, pa dallim, llumin me borxhe që u ka; Që t’ua laj sado pak socialistëve dhe zgjedhësve të mi, borxhet e të gjitha moteve dhe rasteve kur më kanë mbështetur në përpjekjet e mia, më kanë toleruar për zararet e mia?

Janë pyetje natyrisht retorike këto.

Historia e shtetit shqiptar nuk e gjen një të dytë politikan me të cilin Shqipëria të ketë qenë kaq zemërgjerë. Si të tilla, këto pyetje retorike na çojnë edhe tek përgjigja, lidhur me pse-në e rrëshqitjes më të fundit të Ilir Metës. Sepse Ilir është mësuar keq, si s’ka më keq, ta tundojë Zotin e tij, ta përqeshë fatin e tij, ta shqelmojë të mirën e tij, duke u bërë me vend e pa vend protagonist i një skene ku Metës, asnjëherë nuk i mjafton roli që ka, vendi ku ndodhet, maja ku ngjitet.

Jo president të republikës, por mbret të të gjithë shqiptarëve po ta shpallnin shqiptarët, madje jo vetëm të Shqipërisë, por të gjitha trojeve dhe viseve shqiptare, prapëseprapë, Ilir Meta nuk do ndihej mirë, nuk do qëndronte drejtë, nuk do ndalej së tunduar fatin e vet, me pakënaqësitë e tij të pashërueshme, me pangopësinë e tij të pashpjegueshme, me pagjumësinë e tij të pangushëllueshme.

Sot, ne jemi këtu, dëshmitarë të një tjetër zarari të madh dhe të kotë, të dëmshëm e të papranueshëm të Presidentit të republikës.

Për cilën arsye në botë, Presidenti i Shqipërisë duhet të bashkohej me zjarrvënësin dhe telashin e saj historik, Sali Berishën, në përpjekjen e dëshpëruar të këtij të fundit për të ridjegur dhe bërë lëmsh Shqipërinë!

Për cilën arsye në botë, Presidenti i Shqipërisë duhet të merrte përsipër shkeljen më skandaloze të Kushtetutës përmes fshirjes së firmës së tij me vetë firmën e tij!

Për cilën arsye në botë, Presidenti i Shqipërisë duhet të bëhej një trillues qesharak shkaqesh të paqena, për të justifikuar një budallallëk që do të shënohet si rast unikal në historinë e republikave parlamentare të planetit tonë!

Ka vetëm një arsye që i shpjegon të gjitha me dy fjalë, Ilir Meta.

E gjitha në këtë rast përfshihet në këto dy fjalë, Ilir dhe Meta. Të kërkosh jashtë këtyre dy fjalëve shkaqet e kësaj marrëzie antikushtetuese është e tepërt, por, sidoqoftë, kjo punë që po bëjmë sot e kërkon që t’u shpjegohemi shqiptarëve, por edhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë, se si e qysh erdhi puna deri në këtë pikë vlimi në kazanin e jetës sonë politike.

Pse u përdor, keqpërdor apo vetëpërdor, pak rëndësi ka kjo, Presidenti i republikës, duke kapërcyer mbi Kushtetutën dhe duke fluturuar përtej kufirit të imagjinatës si një plumb qorr, për të vrarë zgjedhjet në mes të fushatës së zgjedhjeve dhe pse xhanëm, ne nuk e shfrytëzuam mundësinë që na dha kjo marrëzi antikushtetuese, për të ndaluar fushatën dhe pritur si gomari që të mbijë bari, ditën kur do t’i mbushej mendja partive të Saliut dhe të Ilirit për të pasur një datë të re zgjedhjesh.

Le të fillojmë nga kjo e dyta se kështu shpengojmë besoj edhe më lehtë, edhe më mirë të parën. Po e filloj nga vetja.

Meqë bëhet një përpjekje e madhe, tribunë më tribunë, kanal më kanal, portal më portal, për të mi faturuar mua zgjedhjet pa kundërshtarët kryesorë e për ta devijuar krejt logjikën e kësaj që po ndodh, duke e trajtuar si pasojë të kokëfortësisë, autoritarizmit, çmendurisë, madje deri edhe të një qëllimi të fshehtë, djallëzor, për të provokuar një konflikt civil në Shqipëri dhe po e filloj me një pyetje për të gjithë ata që duan të logjikojnë mbi këtë situatë, sa të qartë, aq edhe konfuze, sa të lidhur me interesat e një grushti njerëzish, aq dhe të pandashme nga interesi kombëtar dhe publik, sa të kuptueshme, aq edhe absurde: Çfarë interesi vetjak, ngushtësisht personal, politik, kam unë që të jem kaq i patundur dhe i patundshëm nga bindja se kjo nuk është koha për asnjë kompromis, por është koha për fushatë dhe për zgjedhje në 30 qershor.

Këto zgjedhje janë vendore. Partia Socialiste, në rang vendor qeveris pothuajse 75% të territorit të vendit dhe drejton thuajse të gjitha bashkitë kryesore. Shumica jonë parlamentare është solide dhe mbështetja e saj për mua, për qeverinë, është e palëkundur dhe e palëkundshme.

Qeveria ka 1001 probleme dhe çështje për të adresuar. Ekonomia goditet nga ky tension i lartë artificial. Turizmi dëmtohet, edhe besimi i investitorëve. Qetësimi i situatës, duke shfrytëzuar qoftë edhe skandalin e zhdekretimit të zgjedhjeve, duket si gjëja më e lehtë. Atëherë, për çfarë më duhet mua personalisht, meqë shumëkush preferon të më drejtohet personalisht, një dhimbje jo e vogël koke, si ecja në këto kushte jo normale, drejt, përpara në rrugën e 30 qershorit, kur nuk kam asnjë lloj interesi të ngushtë, pragmatist, të kthehem në pengesë për qetësimin e kësaj situate dhe asnjë pengesë në rrugën e qeverisjes sikur zgjedhjet të shtyhen qoftë dhe në pafundësi.

Madje-madje, po të isha ngushtësisht i interesuar, për mua personalisht, për rehatinë dhe për karrigen time, por dhe për qeverinë tonë, unë duhej të isha i pari që të hidhesha përpjetë nga gëzimi që Presidenti i Republikës lëshoi një re kaq të madhe nga pantallonat mbi datën e zgjedhjeve. E quaja një shpërthim gjenialiteti politik dhe laja dhe lanim duart me procesin zgjedhor, duke thënë bravo zoti President, absolutisht dakord dhe punë e madhe se ne nisëm fushatën me firmën tuaj, çfirma juaj na e hoqi dhimbjen e kokës, prandaj e lëmë këtë punë, këtu jemi, i bëjmë zgjedhjet kur të bien të tërë dakord. Ose edhe e kundërta. Ia lija fajin Ilirit për ndërprerjen brutale të fushatës, duke i thënë jazëk të qoftë zoti President, ngrija duart lart përpara shqiptarëve, u zhduk data e zgjedhjeve nga horizonti dhe dilja si një burrë i urtë, i pafajshëm, në një lojë marrëzie politike.

Kështu me thënë të drejtën, për ta çuar deri në fund tani absurdin, sikur të isha siç dal tek filxhani i fallxhores, apo tek katrani i plakut dixhital, shpëtoja dhe unë, bashkë me Partinë Socialiste nga zgjedhje të tjera të mëtejshme, sepse me këtë budallallëk, të kthyer në precedent, na jepet mundësia të thonim nesër, nuk duam zgjedhje vendore, se ashtu e kemi një punë, madje as zgjedhje të përgjithshme nuk duam sepse kemi informacione të sigurta nga disa burime që nuk i themi dot për një sulm bërthamor ndaj Shqipërisë.

Kështu që, përderisa zgjedhjet nuk u bëkan po nuk deshi një palë, nuk bëhen kurrë. Mirëpo, shtetet demokratike kanë kushtetuta dhe ligje, nuk funksionojnë përveçse me parimin e barazisë së të gjithëve para ligjit. Prandaj dhe këto lloj aventurash mendore nuk mund të kthehen në veprime politike dhe t’i imponohen një populli të tërë për hesap të njërit apo të tjetrit. Sot hidhet përjetë një grup, nesër hidhet përjetë një tjetër dhe kështu alla shqiptarçe, ky viti i mbrapshtë kadarejan kthehej pa asnjë pengesë në një dekadë të mbrapshtë bastesh politike, duke e bërë Shqipërinë, skenën ku e ardhmja luhej si tek Kumarxhiu i Dostojevskit.

Dikush mund të thotë dhe fatkeqësisht e thonë jo pak njerëz që marrin përsipër të shpëtojnë Shqipërinë me recetat e tyre politike mediatike, si 1001 mbrapshtitë e Oliver Tuistit, që ne nuk është se e kemi respektuar aq shumë Kushtetutën dhe ligjet, sa të jemi tani kaq të ngurtë për t’i zbatuar.

Le t’i biem dhe një herë shkurt, siç i kemi rënë 30 vjet, duke hapur përsëri një shteg jashtë rrugës kushtetuese dhe të ligjit, për të ulur tensionin e lartë, pajtuar gjaqet e nxehura dhe shpëtuar Shqipërinë nga konflikti civil, nga vrasjet e njerëzve të pafajshëm, nga një ’97-të tjetër dhe me radhë.

’97-të tjetër? Po pse?

Çfarë ka ndodhur ndonjë gjë e ngjashme me ’97-ën, që tani duhet t’i frikemi, madje kthehemi mbrapsht dhe të ikim me vrap në të kaluarën, që të na përsëritet një ’97-të tjetër?

Cilat skema piramidale po bien dhe kursimet e kujt? E gjakut dhe djersës së kujt po digjen, që të digjet Shqipëria si në ’97? Në cilat qytete po shfaqen shenjat e kryengritjes popullore për ndonjë hall aq të madh sa ai i ’97-ës dhe në cilat depo armatimesh, NATO do hapë dyert për të armatosur shqiptaret kundër njëri – tjetrit?

E i kujt është xhanëm, tamam halli që nxjerr prej muajsh në protesta popullin imagjinar të bashkive blu dhe të ndërmarrjeve të tyre të pastrimit, gjelbërimit, të ujësjellësve, bashkë me grupe të rinjsh me maska, që gjuajnë me molotov dhe me kapsolla dhe me fatkeqë që vijnë të ngarkuar dhe urinojnë në derën e Kryeministrisë?

Edhe këto janë pyetje retorike natyrisht, por përpara se të vijmë tek halli i madh dhe i vërtetë që ka zallamahisur opozitën e dalë në rrugë, në orvatjen më të dëshpëruar të historisë së ngatërruar të këtyre 30 viteve, për të zallamahisur krejt Shqipërinë, dua të bëj sa më të qartë, pse ne nuk ka asgjë që na tund nga 30 qershori.

Pse ne jemi të detyruar ta pranojmë si të keqen më të vogël për demokracinë tonë të re, zgjedhjen fatale, të gabuar, të kundërshtarëve tanë për të na lënë në garën zgjedhore me një kandidat në pjesën më të madhe të bashkive të vendit.

Pse ne, nëse do tërhiqeshim nga ky proces, në emër të të gjithë atyre arsyeve që në pamje të parë duken të mirëkuptueshme kur renditen për të argumentuar shtyrjen e zgjedhjeve, ne do të merrnim përgjegjësinë historike të pranimit të së keqes më të madhe të mundshme, duke i vënë minat shtetit, bazës së rregullave të bashkëjetesës demokratike dhe vetë demokracisë sonë në zhvillim.

Duke shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit, me këtë dhimbje koke që ka shkaktuar realisht arratisja e opozitës kryesore nga Parlamenti dhe nga vetë zgjedhjet, ne sigurisht që nuk garantojmë dot larminë e plotë pluraliste të produktit të zgjedhjeve. Me shumë gjasa, produkti i këtyre zgjedhjeve do të jetë një hartë elektorale thuajse 100% e purpurt, në rast se nuk do ketë ndonjë surprizë tek apo tuk, por kjo nuk do të ndodhë sepse jemi ne që nuk duam të garantojmë larminë e plotë pluraliste të zgjedhjeve, as sepse nuk na pëlqen ne që të ketë garë në çdo bashki dhe as sepse ne po kurorëzojmë ndonjë plan totalitarist asgjësimi të pluralizmit. Nuk është plani ynë ky, kurrsesi!

Ky është plani i tyre dhe ne nuk kemi në dorë asgjë tjetër, përveçse ta pranojmë realitetin siç është, duke mos rënë në asnjë mënyrë në kurthin e dritëshkurtësisë fatale të sugjestionimit nga meraku se qëndrimi në proces na bën bashkëfajtor me ta, për shkak të produktit një ngjyrësh të këtyre zgjedhjeve pa konkurrentë. Jo, aspak.

Përkundrazi, ne jemi thjesht viktimë e zgjedhjes së lirë të kundërshtarëve tanë kryesorë për të braktisur garën dhe e keqja e këtyre zgjedhjeve, e pamohueshme, nuk buron nga dëshira jonë, por nga qëllimi i atyre që duan të vrasin zgjedhjet, për ta kthyer humbjen e tyre të paralajmëruar në një fitore kundër Shqipërisë që pret çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Akti i Ilir Metës është prova më ulëritëse e lepurit që fle në barkun e frikës, jo vetëm nga zgjedhjet, por edhe, në radhë të parë, nga drejtësia.

Ne jemi të dënuar ta marrim përsipër këtë kosto të krijuara prej tyre, për të mos lejuar që kostoja t’i kalojë Shqipërisë së kushedi sa viteve të ardhshme.

Zgjedhjet e 30 qershorit pa ata janë e keqja më e vogël për Shqipërinë, ndërsa shtyrja e këtyre zgjedhjeve, për shkak se ata nuk janë në zgjedhje, do të ishte një e keqe e madhe, me efekt të zgjatur mbi Shqipërinë. Pse? Sepse në emër të shmangies së një palë zgjedhjeve, në këtë problem të pashmangshëm, ne do ligjëronim faktin se kushedi për sa vite, zgjedhjet të mos ishin më e drejta e popullit për të gjykuar dhe detyrimi i partive për t’ju nënshtruar gjykimit të popullit, por e drejta e partive për të vendosur kur bëhen zgjedhjet dhe detyrimi i popullit për t’ju nënshtruar tekave të partive.

Kjo që po ndodh, në fakt nuk është as e pandodhur, as e papritur në historinë tonë të trazuar të zhvillimeve demokratike, madje, kjo është seria e dytë e filmit që ka filluar dy vite më parë. E mbajnë mend që të gjithë, kur të njëjtët njerëz, të udhëhequr nga i njëjti zjarrvënës dhe përçarës i këtyre 30 viteve demokraci, Sali Berisha dhe drejtuar nga i njëjti llafazan dembel, Lulzim Basha, ikën nga Parlamenti për të mos votuar vettingun dhe u mbyllën në një bunker plasmasi poshtë dritareve të zyrës sime, me të njëjtin avaz, “nuk hyjmë në zgjedhje”, “nuk dialogojmë pa ikur Kryeministri”, “nuk do lejojmë të bëhen zgjedhje” dhe me radhë të gjitha strofat e të njëjtës këngë, nga e njëjta pllakë gramafoni, La voce del Padrone.

E mbajnë mend të gjithë, besoj, se sa shumë i jam lutur Lulzim Bashës për dialog, mirëkuptim, marrëveshje dhe se si u bë në minutën më të fundit marrëveshja. Mori gjithçka kërkoi, me kusht që të dilnin nga bunkeri i plasmasit, të ktheheshin këtu, të votonin vettingun dhe të mos kontestonin rezultatin e zgjedhjeve dhe të mos shanin më Shqipërinë në gjuhë tëhuaj.

Nuk e di, a e mbajnë mend që të gjithë, gjithashtu, se i shtymë zgjedhjet me atë marrëveshje vetëm për 1 javë, brenda afatit që Kushtetua i lejon Presidentit të Republikës, bazuar në Kodin Zgjedhor të Republikës. Edhe atëherë u kërkua të shtyheshin përtej afatit, madje miqtë ndërkombëtarë që u përpoqën të ndërmjetësonin ishin të gjithë dakord me këtë, Shqipëri hesapi.

Por unë isha kategorikisht kundër dhe nuk lëviza nga pozicioni deri në fund, sepse isha i  bindur, siç jam edhe sot akoma më i bindur, se kur politikanët i lejojnë shkelje të tilla në emër të gjoja mirëkuptimit mes tyre humbet populli, humbet demokracia, humbet shteti i së drejtës dhe shkelja kthehet nga një gjoja përjashtim për një rast të jashtëzakonshëm, në një rregull që bëhet i zakonshëm.

Ja urdhëroni tani. Është e thjeshtë. Nëse do ta kisha pranuar atë shkelje para dy vitesh, sot përsëritja e shkeljes, shtyrja e zgjedhjeve për tekat e një pale politike  as që nuk do të diskutohej si një e drejtë e  çdo pale politike kundër të drejtës së popullit sovran për të zgjedhur në afatin e përcaktuar nga Kushtetuta e sanksionuar në ligjin e zgjedhjeve. Politikanët nuk janë as mbi Kushtetutën, as mbi ligjin  dhe as mbi shtetin. Nëse duam të bëjmë shtet të së drejtës në këtë vend, kurrë s’mund dhe unë sa të jem këtu, kurrë nuk do ta pranoj që ata politikanë, partitë e tyre veç e veç apo të gjitha bashkë ta kthejnë detyrimin e çdokujt për t’u zgjedhur nga populli, në të drejtën e tyre për të vendosur se kur populli mundet dhe kurrë populli nuk mundet që t’i zgjedhe ata. Ndërsa Presidenti i Republikës, jo vetëm që s’mund t’i heqë të drejtën popullit të zgjedhë në afatet që Kushtetuta dhe ligji ia japin fjalën popullit sovran, por s’ka të drejtë të vendosë asgjë, zero në këtë mes.

Përveç asaj që i thotë Kushtetuta dhe asaj që i tregon Kodi zgjedhor. Ka dy data  zgjidhni një nga të dyja dhe për ato të dyja konsultohu me partitë politike.

Dy vite më parë kur arritëm marrëveshjeje me Lulzim Bashën dhe ramë dakord për shtyrjen me vetëm një javë të zgjedhjeve, paraardhësi i Ilir Metës, Bujar Nishani, na e kërkoi me shkrim dhe me firma, në një shkresë dakortësinë për atë shtyrje një javë brenda afatit kushtetues, e cila u krye vetëm pasi shkoi letra e bashkë firmosur te presidenti. E vërteta duhet thënë edhe kur mund të mos na vijë për mbarë.

Bujar Nishani nuk interpretonte Kushtetutën sipas dëshirave apo nevojave të partisë, të cilës sado që i shkonte hera-herës pas avazit me deklarata dhe prononcime krejt të anshme dhe deri dhe skandaloze, asnjëherë nuk ia vuri Kushtetutën  dhe firmën e tij në dispozicion të axhendës politike të asaj partie

U desh të bëhej president Ilir Meta që vetë Bujar Nishani, presidentin më partiak dhe më  mediokër që ka patur ky vend, ta kujtojnë sot për mirë, në raport me bazën kushtetuese dhe ligjore të dekreteve të tij.

U desh të bëhej president Ilir Meta, që libri historisë botërore të demokracisë të pasurohej me nocionin befasues të “Zhdekretimit” dhe ai i historisë botërore të shtetit të përfshinte në faqet e veta aktin e shfirmosjes.

Unë firmos , unë shfirmos. U desh të bëhej president Ilir Meta që jo vetëm fjalët t’i marrë era, por dhe firmat të ikin sipas erës. U desh të bëhej president Ilir Meta që historia e filozofisë botërore të përballej me një zbulim filozofik befasues për njerëzimin, atë të konsensusit mes palëve të arritur nga një njeri i vetëm mbi bazën e këmbënguljes të palëve për të mos rënë dakord.

Të gjithë filozofët grekë jam i sigurt janë rrotulluar në varret e tyre, kur u ka ardhur fjalë për këtë kategori të re të konsensusit.

Kjo është vërtetë ta shmangësh historinë, demokracinë-filozofinë, duke ngritur absurdin si shtangë me një shtytje të fortë të logjikës njerëzore dhe kulturës ligjore përtej çdo caku të vendosur deri këtu me konsensusin e atdheut dhe njerëzimit.  Kështu vijmë te pyetja kryesore që shtrova në fillim.

Pse vallë Ilir Meta e bëri këtë ndërhyrje të hatashme antikushtetuese dhe antilogjike? Nuk është thjesht një kërcënim për Republikën Parlamentare, është thjesht një kërcënim për logjikën njerëzore. Nuk është nën sulm vetëm Republika Parlamentare, është nën sulm logjika njerëzore. Mu në mes të procesit zgjedhor, kur fushata kishte nisur dhe e bëri tamam atë ditë kur qeveria e Shteteve të Bashkuara, kishte dënuar publikisht përmes një deklarate tejet të pazakontë dhunën, bojkotin e zgjedhjeve, kërcënimin për pengimin e tyre, duke treguar me gisht dy persona , Lulzim Bashën  dhe Monika Kryemadhin si përgjegjësit për gjithçka që do të ndodhte në protestën e 8 qershorit dhe më pas. Disa mendojnë se ai ndërhyri me lajmërimin publik të antidekretit  të tij për të shpëtuar fytyrën e revolucionit imagjinar të Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit, ku siç tregoi masa e tkurrur e protestuesve në bulevard, revolucioni po katandisej si kokoshi një thelë dhe prurjet e ujësjellësve të bashkive blu po shteronin.

Të tjerë mendojnë së Ilir Meta e zhbëri firmën e tij, si të ishte një mbetje kafeje e fshirë me gisht në fundin e filxhanit në kërkim të fatit për të projektuar të ardhmen e tij të afërt në krye të opozitës, duke turbulluar situatën në një pasdite me një goditje, më shumë se sa kishte arritur ta turbullonte Lulzim Basha me tërë gurët, kapsollat, fishekzjarrët, molotovat dhe notat e ngjirura të himnit kombëtar përgjatë tërë mbrëmjeve revolucionare të opozitës.

Mund të jenë të dyja të vërteta këto.

Madje mund të jetë e vërtetë edhe në këtë rast siç thotë Jacques Lacan që “i marrë nuk është vetëm fukarai që  kujton se është mbret, por dhe mbreti që kujton se është mbret”. E vërteta e dalë cullak nga ky akt marrëzie, befasuese është se veprimi i Ilir Metës nuk ishte një rrufe në qiell të pastër, por një hap spektakolar në vazhdën e një plani politik për të marrë peng jetën demokratike të vendit dhe minuar rrugën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.  Kush kujton vërtetë se në aventurën e tyre mendore, e cila ka patjetër shumë elementë që ngjajnë si ndërthurje e Klubit të Selanikut të Çajupit me pavijonin numër 6 të Çehovit, dy frymëzuesit dhe orkestruesit të  këtij plani Sali Berisha dhe Ilir Meta kujtojnë vërtetë se mund të më largojnë mua nga detyra me molotovët e Lulit dhe me mallkimet e Monikës e ka gabim. Këta dy të shkretët që i kanë hyrë detit në këmbë janë thjesht instrumente në duart e dy të parëve.

Këta besojnë se vërtetë mund të marrin pushtetin me kapsolla dhe magjira, ndërsa dy ustallarët e rrëmujës dhe të intrigave e kanë qitjen më të largët. Unë  jam shënjestra që duket, koka që i duhet ofruar turmës për ta frymëzuar dhe për ta sjellë të ndërkryer në bulevard, iluzioni që i duhet artistit dhe fallxhores për të qenë të qenë të motivuar dhe të palodhur në orvatjen e tyre qorre.

Ndërsa preja e kërkuar në këtë gjah politik nuk jam unë,  është Shqipëria, që duhet ndalur përpara sesa të kapërcejë pragun e negociatave me Bashkimin Europian dhe të hapë sapo të kapërcejë pragun aty, dy kapituj  e parë të bisedimeve, të cilat për dreqin e mallkuar janë kapituj e drejtësisë. Duke hapur  kapitujt e drejtësisë, Shqipëria duhet t’i provojë Bashkimit Europian, se reforma në drejtësi nuk është vetëm në maket arkitektonik me letrat e Kushtetutës dhe të ligjeve të sistemit të ri të drejtësisë, nuk është vetëm një mekanizëm pastrimi i sistemit të drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, por është një shtet i të drejtës, ku qoftë gjykatësit dhe prokurorët e kapur me presh në duar nga vettingu, qoftë politikanët e korruptuar dhe të paprekshëm prej 30 vitesh, mund të këputen si prasë nga goditjet ndëshkimore të drejtësisë të çliruar nga kthetrat e tyre.

Plani është i qartë, dhe duhet thënë se nuk është një plan budalla për mbijetesën politike, por jo vetëm për mbijetesën politike të atyre që e kanë konceptuar dhe po e zbatojnë, duke goditur pa asnjë  mëshirë, jo mua, jo ne, që jemi mbështetësit dhe garantuesit e palëkundur të  Reformës në Drejtësi, patjetër edhe ne, por vetë Shqipërinë dhe shpresat e shqiptarëve, përfshirë dhe ata që u shkojnë pas këtyre të paudhëve, duke kujtuar komplet gabimisht se do rrëzojnë qeverinë dhe se Luli dhe Mona do ndëshkojnë krimin, do shfarosin korrupsionin, do shpartallojnë padrejtësitë, ndaj të cilave thonë se janë ngritur nga një luftë pa kthim. Pjesë e këtij plani ishte dhe publikimi në tabloidin e famshëm gjerman i përgjimeve që ishin aty të kyçura prej shumë kohësh pa u hetuar nga një shërbëtor famëkeq i mirënjohur i Saliut në prokurorinë e krimeve të rënda, ushqimi i duhur në kohën dhe në vendin e duhur për këdo në atë botë, që për arsyet e veta, jo të Saliut dhe Ilirit, nuk e do zgjerimin e Europës, nuk e do çeljen e negociatave me Shqipërinë, po edhe ushqim i bollshëm për çiftet e çiftit të papërgjegjshëm dhe qesharak “Luli- Mona” që ruajna zot kanë marrë përsipër shpëtimin e Kombit me doçkat e tyre të pastra dëborë.

Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk duan në fakt shtyrjen e  zgjedhjeve, por duan kaos në jetën institucionalë të vendit dhe synojnë shthurjen e shtetit.  Ata duan ta nxjerrin procesin demokratik nga shinat, siç nxorën nga parlamenti opozitën  e drejtuar nga dy kukullat e tyre. Ata kërkojnë me çdo kusht që ta bëjnë Shqipërinë një shesh për përsheshin e  tyre, era e të cilit josh njerëz të dëshpëruar, të pakënaqur, të mërzitur që janë në të drejtën e tyre absolute të duan largimin e qeverisë, janë në të drejtën e tyre legjitime të shpresojnë ikjen një orë e më parë timen, janë në të drejtën e tyre të ëndërrojnë një Shqipëri të qeverisur ndryshe, nga të tjerë njerëz, nga parti të tjera.

Njëkohësisht ata, Sali Berisha dhe Ilir Meta kërkojnë me çdo mënyrë nëpërmjet mashave të tyre ta bëjnë ndërkombëtarisht Shqipërinë të duket një vend ku po bëhet nami i zi nga populli i ngritur kundër një narkoshteti dhe të sigurojnë me gjithfarë shpifjesh dhe intrigash, krijimin e një mase kritike kundërshtarësh të çeljes së negociatave. Ata duan  që në vend që Shqipëria të mendojë dhe të luftojë për të kapur trenin e vitit 2025, kur dyert e Europës që ne duam  mund të çelen për anëtarë të rinj, të rri të sfilitet dhe të trembet, duke menduar makthin e vitit 1997.

Ja pse shumë i nderuar Kuvend i Shqipërisë e të dashur bashkëqytetar kudo që jeni, antidekreti i Ilir Metës është një arsye më shumë dhe jo më pak, një arsye shumë e fortë, për t’i bërë zgjedhjet në 30 qershor për t’i dalë përballë frontalisht këtyre katër aventurierëve që duan të ndalojnë shtetbërjen shumë të mundimshme të këtij vendi dhe ta katandisin këtë vend, njësoj si vetveten.

Doni ta dini se si do të ishte Shqipëria e tyre, shikojini ata.

Doni që Shqipëria t’iu ngjajë atyre të katërve, nuk besoj.

Ne duhet te ecim jo për t’u dalë zot zgjedhjeve vendore, ato janë thjesht pengu që kërkohet të kapet për të  negociuar një funeral konsensual të drejtësisë, por për t’i dalë zot Shqipërisë që pikërisht politikanë si këta, e kanë damkosur historikisht jo vetëm në këto 30,  por shtojeni sa të doni, si vendi që nuk bëhet.

Ata janë në hall, në një hall aq të madh sa është e madhe e tërë kjo aventurë e tyre kundër Shqipërisë dhe duan që tani që halli i tyre te kthehet në problemin e gjithë shqiptarëve, të cilët të lodhur me plot të drejtë nga politika, të neveritur me plot të drejtë nga paprekshmëria e këtij soji politikanësh që i kanë lejuar vetes gjithçka, duke e hedhur pa u lagur lumin gjithnjë, të pakënaqur me plot të drejtën e Zotit dhe me gabimet me vonesat tona në qeverisje të thonë “aman varja të ardhmes, por të paktën na lini rehat të tashmen”. Merruni vesh si të doni, po veshët aman mos na i çani më se ky vend kështu e paska patur fatin dhe ky popull kështu e paska pas taksirat”.

Por jo. Jo dhe jo. Kurrsesi jo. Unë njëherë jo, asnjëherë nuk do të dorëzohem as si kryeministër jo e jo, por as si qytetar i thjeshtë i këtij vendi nesër, duke e pranuar  si fatalitet maskarallëkun, pisllëkun, hajvanllëkun, dhe pazarllëkun e trashëguar nga dorëzimi  në dorëzim, përballë të keqes që e ka ngrënë këtë vend si kancer për vite, dhe për dekada të panumërueshme. Sikur unë mund të mos besoja te Shqipëria sikur të mos besoja te e drejta e fëmijëve tanë, të gjithë fëmijëve, fëmijëve të socialistëve, të demokratëve, kushdo qoftë, për të trashëguar një vend më të mire se ky që ne trashëguam nga ata që e trajtuan  Shqipërinë si plaçkën e tyre, asnjë një sekondë nuk u jep, asnjë sekondë me gjithë breshërinë  e baltës inkuizicionale që më shoqëron në çdo hap.

Unë  e kam votuar Ilir Metën si presidenti i Republikës së Shqipërisë. Gjithkush në këtë sallë që ishte njësoj si dhe unë këtu, kur Ilir Meta u zgjidh president ka bërë të njëjtën gjë. Shumëkush më ka kritikuar në rrjetin social vazhdimisht më “zhdëpin” për zgjedhjen e tij, jo pak më kanë mallkuar dhe sa shfaqet Iliri me ndonjë nga paudhësitë e veta, më përvishen mua të gjithë.

Nuk jam penduar. Po të ktheheshim mbrapa në kohë do bëja po të njëjtën gjë.

Për shumë arsye që nuk është ky rasti që t’i rendis, por ky është rasti për t’i kujtuar të gjithëve se Ilir Meta u zgjodh president me votat e tij dhe votat tona mund ta pengonin zgjedhjen e tij, por nuk mjaftonit për të zgjedhur një president pa Ilir Metën. Këtë është mirë ta kujtojnë që të gjithë.

A e kam imagjinuar unë kur e zgjodhëm se Iliri do ta kthente humbjen e tij karakteristike dhe ciklike të vetëkontrollit, nga një fenomen sporadik, në një mjet sistematik për të çoroditur sistemin tonë kushtetues dhe për të udhëhequr një plan çoroditës të orkestruar bashkë me Saliun në dëm të Shqipërisë? Jo. Këtë jo, nuk e kisha imagjinuar.

Kjo ka kaluar përtej çdo imagjinare të arsyetueshme dhe prandaj nuk mund të tolerohet. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit me pëlqimin tonë. Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe Presidenti i kësaj Republike është garant i unitetit kombëtar, jo interpretuesi subjektiv i Kushtetutës në funksion të sulmeve kundër Republikës sonë parlamentare dhe të qëllimeve të mbrapshta politike të kujtdo qoftë. Lere pastaj që qëllimet e mbrapshta, janë edhe të tijat. Një president që argumenton një marrëzi antikueshtuese si anulimin e zgjedhjeve në mes të fushatës, sikur shef filxhan me data gjëmash dhe me rrugë gjarpëruese fjalish pa kuptim dhe që kur e pyesin përgjigjet “ma përsërisni se nuk dëgjoj mirë, këto kohët e fundit kam qenë i sëmurë” është sidoqoftë një njeri për  të ardhur keq.

Duke shprehur sinqerisht keqardhjen time për të si njeri, si mik, si kundërshtar dhe si aleat, si dikush që nuk ka bërë vetëm gjëra të këqija, por ka dhënë dhe kontribute pozitive në jetën e tij të gjatë politike, i uroj sot me gjithë zemër ta lexojë me qetësi dhe me kthjelltësi rezolutën e këtij Kuvendi, nëse ka ende probleme me dëgjimin dhe nuk do t’i kuptojë qartë fjalët që po thuhen sot nga ky Kuvend në adresë të tij.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.