Kreu Aktualitet Mbrojtja e të dhënave personale dhe privatësisë, sfida e kohës

Mbrojtja e të dhënave personale dhe privatësisë, sfida e kohës

142
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën Ndërkombëtare të 100 komisionerëve për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë:

Faleminderit shumë të gjithëve dhe si mikpritës, është pikërisht mikpritja një nga vlerat, të cilat ne e vlerësojmë më shumë dhe për këtë arsye do t’ju uroj mirëseardhjen me anglishten time të çalë, të cilën e preferoj, sesa përkthimin e çalë të shqipes time të përsosur.

Përpara se të vija këtu, unë ndoqa atë që më kishin përgatitur ekspertët, pra, fjalën që do të thosha këtu dhe mu duk shumë e mërzitshme. Por më duhet të falënderoj nga zemra kryetaren, pasi ajo e hapi fjalën, besoj unë, me komentet e duhura dhe më dha në fakt, edhe frymëzimin për të ikur nga ai fjalim që ishte shkruar dhe ta filloja fjalën time me ushqimin dhe me verën, të cilën ajo e përmendi.

Ju uroj mirëseardhjen në Shqipërinë tonë, ku, siç e thashë, mikpritja është vlera më e panegociueshme që kemi. Po ashtu ju falënderoj që jeni këtu, edhe pse gjatë kohës që ishte planifikuar konferenca, ju nuk e dinit që në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë, pasi e kishim parë veten që u bëmë dëm kolateral, siç quhet, ndërkohë që miqtë tanë europianë po luftonin me njëri-tjetrin para disa ditësh, në Bruksel.

T’i kthehemi mikpritjes. Unë dëshiroj të ndaj me ju një episod, një ngjarje. Përpara pak kohe më erdhi një mesazh nga personi që është përgjegjës për pjesën ku kalojnë VIP-at në aeroportin e Tiranës dhe më thoshte se është një çështje e rëndësishme, duhet të flasim në telefon. Thashë do jetë zjarr, ç’do ketë ndodhur, se përse duhet ta marr unë drejtorin e këtij ambienti në aeroportin e Rinasit. E kapa telefonin dhe dëgjova që do të vinte një person shumë i rëndësishëm nga një shtet anëtar i BE-së, sëbashku me shumë gazetarë dhe ishte edhe policia dhe nuk pranonte të dilte nga ambienti i VIP-ve për të ardhur në Tiranë. Si ka mundësi, i thashë. Dhe përgjigja ishte se ky person do që të shoqërohet me roje që kanë armë të vërteta dhe që i gjithë shoqërimi  të ketë automjete të blinduara. Por, i thashë, mesa di unë shërbimi është i blinduar. Po, më tha ai, por ai nuk do të shikojë pistoleta, do të shikojë kallashnikovë. I thashë OK, thuaji që nuk e ofrojmë këtë shërbim të veçantë, kështu që mund të kthehet nga ka ardhur. Pas 45 minutash, gjithë ai shoqërim i madh që u bë, arriti dhe të bëhej një deklaratë e fortë për këtë person që Shqipëria duhet të punojë edhe më shumë për të luftuar krimin e organizuar, trafikimin. Pra, ky person erdhi në Tiranë dhe të nesërmen në mëngjes erdhi të më takonte. Nuk e di nëse ai e dinte që unë  e dija seç kishte ndodhur, se cila ishte kërkesa e tij aq e veçantë, por fjalia e parë që më tha ishte, Zoti Kryeministër, dua t’ju kërkoj ndjesë sinqerisht se kam udhëtuar në shumë vende, por asnjëherë nuk kam përjetuar një hendek kaq të madh nga  ajo që prisja dhe nga ajo që në fakt pashë në realitet. Është një vend tërësisht ndryshe nga ai vend që unë isha përgatitur që të arrija. Ai shtoi, Zoti Kryeministër, a mund ta imagjinosh që mbrëmë unë kam ecur në qendër të Tiranës dhe nuk pashë asnjë grua të mbuluar. I thashë, po nuk e kam  e të vështirë ta imagjinoj këtë gjë sepse nuk është se ka kaq shumë gra të mbuluara në Shqipëri. Ka disa që mbulohen, por kaq. Asgjë më shumë sesa kaq.

Ja që shumë prej jush që keni ardhur në Tiranë, ndoshta nuk e menduat ndonjëherë që do të ishit në një vend të tillë që ndoshta e kishit imagjinuar tërësisht ndryshe Shqipërinë. Ndoshta kishit pikëpyetje, dyshime dhe jam i sigurt  që shumë prej jush mund të jeni persona që menduat se do t’iu merrnin peng sapo të mbërrinit në aeroport, ose do t’iu vidhnin diku rrugës për në Tiranë. Thjesht një këshillë. I vetmi vend, ose e vetmja mënyrë sesi mund të të vjedhin në Tiranë, ose një të huaj ta vjedhin në Tiranë, është vetëm në faturat e hoteleve ndërkombëtare. E kjo është vërtetë serioze sepse ju tarifojnë siç as nuk ju ka shkuar mendja dhe pastaj fshihen me këtë stereotipin në Shqipëri.

Megjithatë një gjë. Që prej vitit 1991, pas ndryshimeve në Shqipëri, kur Shqipëria ndryshoi nga një vend që nuk i lejonte të huajt të hynin në territorin e saj, sepse ishte një vend që ishte Koreja e Veriut e Europës dhe në aeroportin ndërkombëtar, të vetmit persona që mund të hynin në Shqipëri ishin grupet marksiste-leniniste.  E dini se çfarë? Aty kishte një berber, i cili i hiqte mjekrën, ose priste flokët e anëtarëve të delegacionit marksist-leninist, që ndoshta vinin me flokë të gjata që nuk ishin normale. Karl Marksi vetë nuk do të mund të hynte në Shqipëri, sepse i kishte flokët e gjata. Do të duhej të shkonte të kalonte nga berberi dhe të bëhej si unë, përpara se të hynte në Shqipëri. Që prej vitit 1991, ne e hapëm Shqipërinë. Patëm momente shumë të vështira, patëm po ashtu edhe kriza të thella. Patëm edhe rënien e skemave piramidale, vendi u dogj, patëm me mijëra persona viktima, por asnjëherë nuk u prek asnjë i huaj i vetëm, asnjëherë. Kjo na vjen nga larg, nga historia, që në Kushtetutën tonë të parë, Kanunin tonë, ose në jurisprudencën e logjikës tonë, paragrafi ynë është që “shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe të ftuarit dhe në rast se nuk vjen Zoti, atëherë i ftuari është vetë Zoti”.

Kështu ju jeni të gjithë Perëndi, derisa të merrni avionin, sepse jeni të ftuarit tanë. E vetmja gjë që mund t’iu them është, kujdes me celularin në hotelet ndërkombëtare, sepse edhe tarifat e telefonisë janë të larta.

Dëshiroj tani të them të njëjtat fjalë, siç i tha dhe Komisioneri ynë dhe Kryetarja, për të nderuarin Giovanni Buttarelli, të cilin pata rastin ta takoja. Kur e kam takuar nuk e dija që ai ishte kaq i rëndësishëm e mbi të gjitha që për të kishte kaq shumë respekt në të gjithë komunitetit mbarë. Është vërtetë nder për mua që nga ky podium të mund të them pak fjalë për të, që ta përmendim atë me konsideratat më të larta, të shpreh mirënjohjen time të thelle për gjithçka që ka bërë ai dhe duke thënë këtë, të shpreh edhe mirënjohjen për gjithçka që bëni ju në një moment kaq të vështirë të qytetërimit tonë, i cili përballet me sulmin më kërcënues që mund të ndodhë për të dhënat personale, për jetën personale, për privatësinë dhe për të drejtën për të patur në fakt, botën tënde sado të vogël, por intime.

Nuk e di në fakt me sa do t’ia dilnim mbanë dhe nëse ne të gjithë do t’ia dalim në luftimin e kësaj epidemie, e cila po merr pak nga pak, çdo ditë, nga mendja jonë, nga zemrat tona dhe po rikrijon qenien tonë. E kjo gjë po ndodh pa kuptuar, por, ndërkohë, ne nuk kemi zgjedhje tjetër, duhet të luftojmë. E në këtë rast do të përdorja vetëm një fjalë me anë të së cilës ta përkufizoja këtë që po ndodh, do të thosha që po jetojmë në një epokë ku nuk ekziston turpi, në një epokë ku nuk është më e turpshme që të veprosh në mënyrë të turpshme dhe të flasësh në mënyrë të turpshme. Kështu që lufta kundër kësaj gjëje është dhe thelbi i gjithçkaje dhe ju jeni në pararojë të kësaj lufte.

E këtu, unë i bie që duhet të flas për ecurinë, progresin dhe përparimin e madh që ne kemi bërë sepse natyrisht që unë jam kryeministër, por nuk do t’u çoj në këtë rrugëtim, duke ju thënë gjithë këto gjëra. Thjesht dëshiroj të them, së pari, faleminderit Komisionerit, – e dinë të gjithë që unë nuk shquhem për përgëzime dhe komplimente – dhe jo vetëm sepse më pëlqen ai, por vërtetë sepse ka bërë një punë të shkëlqyer. Sot, në Shqipëri e gjejmë veten në një moment krejtësisht tjetër sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë. Pavarësisht se jemi në një moment komplet tjetër dhe kemi ecur përpara, gjithsesi ky vend në të cilin ndodhemi është ende vulnerabël dhe gjithsesi unë e vlerësoj shumë, njohurinë, ekspertizën që sjell ky rrjet që ju keni, sepse gjithçka ka të bëjë me njohuritë dhe në lidhje me gjërat që ne kemi, ne që prej shumë e shumë kohësh na është dashur që të ishim një vend i pasur, por në lidhje me ato gjëra që dimë, ne jemi të ndërgjegjshëm për faktin që kemi ende shumë për të mësuar dhe kjo është dhe pjesa më e rëndësishme e asaj hapje që ne po bëjmë kundrejt botës dhe e kemi bërë që në vitin 1990 me kanalet tona të bashkëpunimit, me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtare në të gjitha nivelet, që nga organizatat ndërkombëtare, në konferenca si kjo e juaja, apo nga burime të tjera njohurish dhe ekspertize.

Ndaj faleminderit që keni ardhur! Faleminderit që keni sjellë këtu përvojën tuaj, ekspertizën tuaj, njohuritë tuaja. Unë jam i sigurt se që sot e tutje, kur të ktheni në vendet tuaja, ju do t’i shtoheni listës së atyre personave, të cilët do t’u thonë miqve, kur t’ju pyesin “ke qenë në Shqipëri?”, apo “çfarë dreqin doje në Shqipëri?”, “si qenke kthyer shëndoshë e mirë?” dhe ju do t’u thoni atyre, unë kam parë gjëra që ju, o njerëz, nuk keni për t’i besuar.

Mos harroni  se çfarë tha edhe Kryetarja, ajo që ka thënë edhe Giovanni në fjalën e tij në video aq qartë, që ndërkohë që ne punojmë që ta bëjmë botën një vend më të mirë, ka një të drejtë themelore, për të ngrënë dhe për të pirë në mënyrë cilësore. Të gjitha këto i keni në Shqipëri. Kështu që pasi të mbaroni këtë luftën e madhe për të ardhmen e botës, shpresoj që të keni një darkë të shkëlqyer dhe verë të shkëlqyer, nën patronazhin e Komisionerit tonë të shkëlqyer.

Ju faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.