Kreu Ditar “…Më jep fuqi që të luftoj”…

“…Më jep fuqi që të luftoj”…

671
0

-Me rastin e 100 vjetorit të lindjes-

Ali Demi Lindi më 28 Janar 1918 në Filat të Çamërisë. Në vitin 1932, Ai mbaroi shkollën fillore në Sarandë dhe në vitin 1935 vazhdon studimet në gjimnazin e Gjirokastrës, por më 1936, për veprimtari revolucionare përjashtohet nga shkolla së bashku me Themo Vasin.

Ali Demi erdhi në Tiranë dhe u fut si kujdestar në shtëpinë e fëmijës. Mbas një viti, më 1937, hyri në Gjimnazin e Tiranës, ku u njoh me Qemal Stafën, i cili në këtë kohë drejtonte gjithë lëvizjen demokratike të nxënësve të gjimnazit. Nëpërmjet Qemal Stafës, u njoh edhe me Vasil Shanton që punonte jashtë dhe kështu Ai, u bë shpejt një nga bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë.

Një barrë e rënde iu ngarkua Ali Demit kur u arrestuan Qemali me Vasilin, pikërisht në ato çaste kur Italia fashiste përgatitej të sulmonte Shqipërinë. Së bashku me shokët e tjerë, nuk qëndroi vetëm, por bisedoi me të rinjtë gjimnazistë, organizoi demostratën dhe ishte në radhët e para të demostruesve që kërkonin armë. Aliu me shokë, ngritën në këmbë të rinjtë. Tirana ziente nga demostratat dhe thirrjet: “Duam armë! Duam armë!”.

Më 28 Nëntor 1939, në përvjetorin e pavarësisë, u organizua një demostratë tjetër e madhe. Edhe në këtë demostratë, Aliu mori pjesë active. Në verën e vitit 1941, mbaroi Gjimnazin e Tiranës dhe u emërua nëpunës provizor në Drejtorinë e përgjithshme të PTT, ku u njoh dhe me shumë të rinj të tjerë. Punonte aktivisht për lëvizjen, shquhej për shkathtësi, guxim dhe pjekuri politike.

Posttelegrafa në Tiranë u shndërrua në një qendër nga shpërndaheshin letra, telegrame, komunikata dhe gazeta “Zeri i Popullit”. Përmes veprimtarëve të luftës mësohej brenda ditës, në disa raste edhe brenda orës. Bëhej një lidhje secrete e shpejtë dhe me vlera të mëdha. Ali Demi me shokë, ishin shtabi drejtues i kësaj veprimtarie. Ai, mblidhte rreth vetes grupe të të rinjve dhe të rejave, të cilët frymëzoheshin nga fjalët e tij, kryenin detyra të vështira dhe shumë prej tyre mbushën radhët partizane.

Shtëpia me nr.66 u shndërrua në shtëpia e Rinisë, ku shpesh dëgjohej radioja, shpërndaheshin komunikata dhe buçisnin këngët e reja partizane. Ali Demi, ky djalosh energjik, gojëëmbël, i nderuar dhe i respektuar nga të rinjtë dhe banorët e shtëpive përreth e shndërroi shtëpinë e Rinisë në një çerdhe revolucionarësh. Veprimtaria e këtij heroi, ra në gjurmët e fashistëve, të cilët e arrestuan dhe e torturuan në mënyrë çnjerëzore. Por Ali Demi, me forcën dhe guximin e tij, u bëri ballë duke u bërë tmerr për armikun.

Në burg u formua Komiteti i partisë së burgut, me qëllim që të koordinoheshin veprimet si nga jashtë ashtu edhe brenda burgut. Anëtar i këtij Komiteti u zgjodh Ali Demi, i cili më pas nxiti dhe organizoi greva brenda burgut dhe i kombinoi me aktivitetet patriotike të popullit të Tiranës jashtë burgut. Kur ishte në burg, Ai shkroi vjershën kushtuar Perlatit, që ishte një betim solemn për të vazhduar rrugën e heroit. Këtë betim, Ai e ktheu në realitet.

Ali Demi punoi me ngulm për të gjetur mënyrën për shpërthimin e burgut dhe për t’u arratisur. Ai ishte një nga të arrestuarit kryesor që ishte dënuar me vdekje. Në burg, Aliu punoi për hapjen e kanalit të nëndheshëm dhe, në të njejtën kohë, përgatiti demostratën e të burgosurve brenda në burg. Natën e 29 prillit 1943, pas shumë mundimesh e dështimesh, u hap kanali dhe së andejmi dualën shumë vetë, midis tyre dhe dhe Ali Demi. Ish të burgosurit u bashkuan me çetën e Dajtit. Të nesermën, Ai u nis për n ë Labinot. Gjatë rrugës, me të u bashkuan dhe shumë studentë. Mandej, në Maj 1943, grupi u nis për në Orenj, ku u formua batalioni i Çermenikës, me komisar Ali Demin.

Batalioni filloi aksionet. Kreu një aksion në minierën e Priskës, ku zuri sasira të mëdha materialesh dhe 30 robër italianë. Në krahinën e Zaranikës, batalioni bëri një punë të madhe propagandistike. Nga kjo, shumë fshatarë rrëmbyen armët e dolin malit dhe u krijuan shumë baza të forta për forcat partizane. Më pas, Aliu dërgohet në Vlorë ku dhe ngarkohet me detyrën e sekretarit të Qarkut. Çdo fshat, çdo katund e priste atë si djalin e tij. Me fjalën e tij, ai i shtoi më shumë forcat partizane.

Në kohën kur Aliu ishte ne Vlorë, ajo ishte përfshirë nga flakët e luftës çlirimtare. Në këto veprime u përfshi edhe Heroi. Endej ai nëpër fshatra e qytete për të takuar shokë, qytetarë e fshatarë. Gjkurmët e veprimtarisë gjenden në dokumente. Ne një letër të shkruar më 28 Nëntor nga Ali Demi, thuhej se Dita  e Flamurit duhet të përkujtohet në të gjithë krahinën e Mesaplikut. Disa ditë më vonë, Ai përjeton vrasjen e Abaz Shehut dhe përgatit e boton një trakt dhe mban lidhje të forta me repartee partizane e këshilla NÇl. Si përherë, edhe në ditët e rënda të operacionit, Ai është i vrullshëm, i guximshëm dhe frymëzon të tjerët se do të përballohet operacioni i armikut.

Më 20 Dhjetor 1943, në një shtëpi të Kaninës, ku kishte vajtur për punë të Partisë, diktohet sëbashku me dy shokë të tij. Ajo shtëpi dykatëshe majë kodrës së Kaninës u kthye në një kala të pamposhtur. Luftonin Aliu dhe dy shokët e tij si luanë. Njëri prej shokëve, Pano Dhimëgjoka, bie. Mbetën dy, të cilët çajnë rrethimin. Përpara tyre shtrihej Adriatiku, por edhe ai atë ditë ishte i tërbuar, shkumëzonte. Shoku tjetër i plagoset rëndë. Aliu vetë vazhdon të çajë rrethimin. Afro 500 gjermanë e ballistë luftuan me tre luanë. Në këtë përleshje bie Heroi Ali Demi, një nga figurat më të shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.