Kreu Aktualitet Me studentët e UBT-së për Dialogun për Universitetin

Me studentët e UBT-së për Dialogun për Universitetin

796
0

Në Universitetin Bujqësor për dialogun për 8 pikat e protestës studentore dhe Paktin për Universitetin mes qeverisë e studentëve:

Në vijim të takimit të djeshëm dhe përpjekjeve të të gjithë strukturave drejtuese të UBT për të adresuar problemat dhe kërkesat e studentëve, ditët e  fundit, gjykuar edhe faktin që disa prej tyre kalojnë edhe përtej hapësirave të institucionit të UBT-së, kemi ftuar sot Kryeministrin, Zotin Edi ERama.

Kryeministri Edi Rama: Ju falënderoj për këtë mundësi. Besoj nuk ka nevojë për hyrje të gjata. Mbase është më e udhës të flisni ju dhe unë të dëgjoj.

Pedagog: Jam pedagog në degën e Akuakulturës dhe peshkimit. Sigurisht jo të gjitha çështjet qëndrojnë apriori, në të gjitha rastet, sepse ka disa çështje, të cilat nuk qëndrojnë në rastin e universitetit tonë. P.sh., përsa i përket transparencës së buxhetit, me dekanin dhe rektorin e Fakultetit të Bujqësisë mblidhemi minimalisht 2 herë në vit për diskutime. Çështja që mua më prek më tepër është përsa i përket doktoraturave. Kam tre vite që jam këtu në Shqipëri. Kam kryer studimet e larta në Itali dhe pres që të hapen doktoraturat. Një herë ligji, një herë VKM, njëherë kuotat. Fakti është që edhe sot e kësaj dite, unë ende nuk jam i regjistruar në shkollën e doktoraturës. Një aspekt tjetër lidhur me këtë është edhe buxheti. A do të kenë këto doktoratura bursa, ashtu siç funksionon në të gjitha vendet, edhe në vendet e Ballkanit që na rrethojnë? Me buxhetin lidhet edhe përfshirja e studentëve. Në momentin që ne nuk kemi buxhet për kërkimin shkencor, si mund t’i përfshijmë studentët? Me buxhetin lidhen dhe të gjitha ato çështjet e tjera që diskutohen sot e kësaj dite.

Student: Jam student i Agromjedisit, në vitin  e tretë bachelor. Kam dëgjuar nga studentët e universiteteve të tjera, të cilët ankohen shumë për pedagogët e tyre. Dua të them se pedagogët tanë, të paktën ata që më kanë dhënë mësim, mund të them se kanë qenë shembullorë. Sigurisht që askush nuk është perfekt në asnjë institucion apo fakultet. Mund të jetë dikush që mund të prishi imazhin, por mund të them se problematika të tilla janë zgjidhur brenda për brenda universitetit, para se të ngriheshin si problematika drejt Kryeministrisë, apo drejt Ministrisë së Arsimit. Jam një student që jam brezi i tretë në këtë universitet. Gjyshi im, si dhe babai janë diplomuar në këtë universitet dhe e dua këtë degë. Jam ai brez që pati problemet më të mëdha me ndryshimet që u bënë me ligjin për Arsimin e Lartë. E zgjodha vetë këtë degë, edhe pse fitova tek të tjerat. Dua të them se buxheti nuk është i mjaftueshëm, praktikat mungojnë. Është një problem i ngritur nga të gjithë studentët tek dekani dhe rektori dhe duke qenë se buxheti është një problem që nuk varet drejtpërdrejtë nga ata, ne po e ngremë më lart këtë çështje. Kemi problem gjithashtu për laboratorët. Duam që të jenë më funksionalë, të kenë pajisje që të kryejmë analizat e nevojshme dhe për këtë duhet sërish buxheti. UBT ka disa fakultete. Për mendimin tim, dega e Mjedisit ka praktika më të kushtueshme seç ka ekonomiku, sepse ekonomiku nuk bën praktika në terren, siç duhet të bëjmë ne. Do të doja të dija si do të procedohet me rritjen e buxhetit dhe si do të jetë ky transparent për publikun.

Student: Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2015, ju caktuat tarifat përkatëse dhe thatë që këto tarifa nuk do të ndryshojnë gjatë vitit. Doja të dija a ka ndryshuar ligji, a janë rritur tarifat nga viti në vit? Si shpjegohet fakti që unë, nxënëse e degës Financë-kontabilitet, me ligj duhet të paguaj 300 mijë dhe duke qenë se unë jam viti i dytë, paguaj 320? Unë dua t’u them se ligji nuk po zbatohet siç duhet, sepse dega Financë-kontabilitet, kursi i parë ka tarifë 350, ndërsa kursi i dytë ka një tarifë 320 dhe kursi i tretë ka tarifë 300. E dyta, rektori na njoftoi ne që do të ketë mbledhje me studentët dhe rektori nuk na kishte njoftuar për faktin që do të vinit dhe ju zoti Kryeministër. Nuk më pëlqeu fare kjo mënyrë përçarje që ju po ndiqni. Ndaj dhe unë do të jem e para që po e braktis këtë mbledhje, sepse nuk na thanë fare që do të ishte një mbledhje me ju. Ndaj mirupafshim dhe kalofshi mirë. Shpresoj të kem një përgjigje për pyetjen që unë bëra.

Kryeministri Edi Rama: Një protestë nuk duhet të ndryshojë rregullat e mirësjelljes. Ne duhet t’i respektojmë. Edhe ju që duartrokisni nuk jeni absolutisht të detyruar të rrini, nëse nuk doni të rrini. Por një gjë dua t’u them. Nëse dikush nga ju që duartrokisni, do ta gjejë në histori këtë që bëni ju, unë do ju isha shumë mirënjohës. Në histori, në një vend, në një shekull, kurdoqoftë, një gjë të ngjashme, unë do isha shumë mirënjohës dhe do thoja të paktën kjo nuk është hera e parë që ndodh, që studentë të ngrihen në protestë dhe të refuzojnë të diskutojnë dhe t’i tremben vetes së tyre për të konfrontuar argumentet, opinionet dhe për t’i thënë të gjitha gjërat haptas. Atë megafonin e kam përdorur unë dhe fati im është që këtu ku jeni ju, unë kam qenë edhe në protestë,  edhe me megafon. Këtu ku jam unë, ju mbase do vini, por këtu ku jeni ju, unë kam qenë. E po ju them se magafoni është shumë i nevojshëm kur s’të dëgjon njeri, por në momentin që ai, të cilit ti i bërtet me megafon, ose palës të cilës ti i klith me megafon, të thotë “po, e dëgjova, hajde ulemi” dhe ti i thua “jo, nuk ulemi”, atëherë aty ka një problem me ty, jo me palën tjetër.

Biem dakord, nuk biem dakord kjo është temë tjetër, por refuzimi për të folur nuk është argument. E folura me forcë, pa argument, nuk është vlerë e shtuar. E në fund të ditës, më falni që po jua them, por mua më duket që jeni shumë larg nga ata studentët e atij dhjetorit tjetër. E di sa larg jeni? Tmerrësisht larg. Sepse ata studentët e atij dhjetorit tjetër u ngritën kundër një regjimi që nuk dihej se çfarë mund të bënte, mund të nxirrte edhe tanket në rrugë, pavarësisht se mbrapa mund të thuhej që ishte i dobët, etj., por edhe mund t’i nxirrte tanket në rrugë. Ata kërkuan që të flasin, të ulen në tavolinë dhe vajtën përballë me përfaqësuesit më të lartë të diktaturës dhe ja thanë çfarë kishin për t’u thënë. Në fund fare fituan.

Unë e kuptoj shumë mirë që mund të mos biem dakord, nuk ka asnjë problem. Por që të mos flasin, si do t’i zgjidhin problemet, me atë variantin plotëso këto, se ne nuk flasim. Asnjëherë! Jo vetëm kaq, por rrezikoni të humbni me duart tuaja, diçka që e krijuat vetë, si rrjedhim i një energjie të madhe pozitive për universitetin.

Nga të gjithë çfarë dëgjova këtu nga parafolësit, kam 5 pika të shënuara këtu dhe asnjëra nuk është tek 8 pikat. Kjo do të thotë që problemet janë shumë më të gjera se ato 8 pikat. A doni t’i trajtoni? Plus që ky universitet si çdo universitet tjetër ka specifikat e veta. Përveç 8 pikave, të cilat mund të jenë të rëndësishme për të gjithë njësoj, nuk mjaftojnë sepse secili universitet ka specifikat e veta. Studimet tuaja kanë specifikat e tyre. Doni t’i trajtoni këto, apo doni të duartrokisni kur çohet tjetra dhe thotë, unë dua të dal jashtë. Kam ardhur këtu për të folur me ju, sipas rregullave që vendosni ju.

Sa i përket pyetjes për tarifat, do ju përgjigjet rektori.

Rektori: Në të vërtetë nuk janë 8 pika të studentëve. Unë këtu kam të artikuluara bashkë me vendimet e Senatit 25 pika, për të cilat ju thashë dje, që do të ritakohemi sot në orën 10 dhe unë do t’u jap përgjigje për këto pyetje. Natyrisht nuk është në këllqet e mia që të përgjigjem për të gjitha pyetjet, sepse shumica janë jashtë juridiksionit që ka universiteti. Për ilustrim po ju jap një shembull. Dje, këtu u ngrit problemi i praktikave mësimore, i ekspeditave në terren. Unë e kuptoj shumë mirë që kjo është një pikë e dobët e universitetit. Kjo, nga pikë e dobët që të bëhet pikë e fortë, ka dy momente. Momenti i parë që ne të identifikojmë modulet që kanë nevojë për praktika në terren dhe ekspedita. Planet arsimore, ne duhet t’i axhustojmë me këtë logjikë. E që të bëhen praktika arsimore dhe ekspedita, ka nevojë edhe për mjete lëvizëse që të shkosh në terren dhe po dje, në këtë sallë, unë ju kam thënë që do të kem takime në zyrat e qeverisë dhe nesër do t’u jap përgjigje. E meqë Kryeministri shfaqi dëshirën të vijë me ftesën time, unë edhe për etikë nuk desha të flas i pari, pasi mund të flisja i pari.

Çështja e tarifave të studentëve ka dalë dje dhe në një media është artikuluar se juve ju mbahen më shumë, ose keni paguar më shumë sesa është tarifa. Me bindjen time, kjo kategorikisht nuk mund të ndodhë. Kolegët e mi dhe unë e shpjeguam dje. Çdo vit del VKM për studentët e viteve të para. Nëse në 2015-ën ka dalë VKM për studentët bachelor, që janë regjistruar në 2015-n dhe studentët e regjistruar në këtë vit, për vitin e parë, vitin e dytë dhe vitin e tretë janë me këtë tarifë. E në qoftë se tarifa ka qënë 300 mijë lekë të vjetra, ata janë të detyruar të paguajnë këtë tarifë. Nuk mund të ketë alternativë tjetër. Është folur në një media që janë ankuar studentët. Kam thirrur gazetarin në zyrën time dhe i kam thënë mi sill studentët dhe më sill me shkrim ankesat që kanë bërë ata. E lamë që do të vinin ditën e hënë, pra, dje. Deri më sot nuk janë dukur. Megjithatë jam i prirur të shtroj një pikëpyetje dhe të pres këdo në zyrë dhe nëse kjo gjë ndodh prej studentëve që kanë patur kredite të mbartura, atëherë më falni, unë jam ulur kot në këtë karrige.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, në lidhje me doktoraturat. Çdo doktorant normalisht duhet të udhëhiqet nga një profesor. Standardi më normal  është 1 profesor me 1 deri në 5 doktorantë. E dini ju sesa e gjetëm ne raportin? 1 profesor kishte deri në 32 doktorantë. Si mund të jetë një klasë e tërë me doktorë shkencash, me një profesor? Në cilin vend ndodh kjo? E pastaj ngrihet shqetësimi normal që jemi vendi me numrin më të madh të doktorëve të shkencave për kilometër katrorë. Njësoj si për juristët. Kemi juristë më shumë për frymë popullsie se në të gjithë globin dhe drejtësinë se kemi gjëkundi, shkencat si kemi gjëkundi. Por kemi juristë dhe doktorë shkencash. Sikur të ishin vërtetë  juristë dhe doktorë shkencash, të paktën do t’i eksportonim nëpër botë dhe do të ndihmonim botën të dilte nga situata të vështira me burime njerëzore. Janë të paeksportueshëm.

Ashtu sikundër një temë që është edhe tek pikat është transparenca e titujve, që do të thotë kemi profesorë, kemi doktorë, që s’janë.

Për pjesën e kërkimit shkencor, dakord, e kemi shumë të qartë. Ne e kemi rritur buxhetin për arsimin e lartë nga 50 e diçka milionë, në 81 milionë. Patjetër që është më shumë, por është i mjaftueshëm? Jo nuk është. Ama sot kemi një problem, sa i përdorim me efikasitet paratë që kemi. Sepse, nëse kemi një sistem që paratë i shpërdoron, nuk zgjidh gjë duke futur më shumë para, sepse do shpërdorohen më shumë para. Po ju jap një shembull. Sipas ligjit, – këtu keni dëgjuar të flitet shumë për ligjin, por askush nuk thotë dot një pikë të ligjit, ku ligji është fajtori, – çdo universitet duhet të mos kalojë 33 % të pagave për punonjës jo staf pedagogjik, pra, të shërbimeve mbështetëse. E dini sesa paguhen sot në universitetin shqiptar, punonjës jashtë norme? 1 mijë e më shumë. Pra, 1 mijë e më shumë rroga që jepen përtej limitit që vendos ligji. Nëse këto 1 mijë e më shumë rroga nuk i japim për këtë punë, por i fusim tek kërkimi shkencor, mbase nuk e zgjidhim, por ama e shtojmë.

Po të shikojmë si e bëjnë të tjerët kërkimin shkencor në rajon, nuk po them në Europë, Serbia është vendi numër 1 në rajon për fonde për kërkimin shkencor të universitetit, të fituara nga BE. Universitet dhe akademitë e shkencave njësoj. Akademitë e shkencave të tyre kanë një volum të rëndësishëm të fondeve për kërkimin shkencor, që i marrin nga Europa. Shqipëria e fundit në rajon. Më falni, qeveria do ta bëjë këtë, apo do ta bëni ju? Aplikimet për fonde të BE-së të universitetit do t’i bëjë qeveria?

Ato 8 pikat, që nuk e di se kush jua ka shkruar, janë të rëndësishme vetëm për një arsye, që na sollën këtu. Ato do të plotësohen një për një. Unë nuk e di sesi e prisni plotësimin ju. Angazhimi i qeverisë është që ato do të plotësohen, do të adresohen më saktë, një për një. Ndërkohë që tema e praktikës që është një temë themelore për këtë universitet, për gjeologjikun, për shumë universitete të tjera, as nuk është prekur gjëkundi. Pikat janë jo të parëndësishme, ka të tjera që duhen patur parasysh, por nga ky proces, ne duhet të dalim dhe do dalim me një dokument që do të shkruhet e zeza mbi të bardhë të gjithë studentëve dhe që do jetë një pakt për universitetin midis qeverisë dhe jush.

Dokumenti do të jetë një pjesë për të gjithë njësoj dhe një pjesë universitet për universitet. UBT do të ketë pjesën e vet, duke u nisur nga çfarë do dëgjojmë këtu. Këtu do t’i komunikojmë me rektoratin , me dekanatin etj. dhe do të themi universiteti bujqësor mund të ketë 1100 kërkesa, ne do të plotësojmë këto 5. Plus kësaj duhet ta themi edhe kur. Si u bëka plotësimi i këtyre  pikave  me megafon “plotëso pikat se unë nuk flas”?  Si të bëj unë, të dal në ballkon dhe të bërtas? Në distancë apo t’i plotësoj në Instagram. Në Instagram i kam shkruar që të gjitha pikat me “PO”. Kjo “PO” do të thotë që qeveria e pranon sfidën për të adresuar këto 10 pika. Qeveria dhe mund të thoshte nuk i pranoj fare, vazhdoni rrini atje. Ka  qeveri që e thonë. Problemi me qeveritë është kur thonë “nuk dua dialog”, “me rrugët nuk dialogoj fare”.  Sepse realisht, nëse do të kishit dalë dhe do të thoshit “dua 5 % të buxhetit sot, atëherë nuk do të kishte as dialog, asgjë. Do të thosha kjo nuk bëhet dhe rrini jashtë. Por kur qeveria thotë i mora këto që thatë dhe unë jam shumë dakord për këto çështje të rëndësishme dhe hajde t’i diskutojmë, të thuash “jo, nuk vij, por plotësoji”… Kam përshtypjen se shumë njerëz nga ato që thonë “plotësoji”, me gjithë respektin, kanë frikë t’i shtrojnë se nuk i dinë.

Më shkruante një zonjë dje dhe më thoshte, çfarë dialogu kërkon ti nga ata, unë kam dy në shtëpi nga ata dhe kam vite që nuk bëj dialog në shtëpinë time, se rrinë dhe shohin telefonin dhe qeshin me vete dhe kur iu flas unë, as dëgjojnë e as flasin. Është edhe kjo një mënyrë për ta shpjeguar këtë punë. Por unë, duke u bërë instagram-ist, duke u munduar që të dialogoj në ato format me shenja.

Tek ndryshimi i tarifave, – nuk e di, vajza iku të marrë megafonin, pa marrë përgjigje, – ne do t’i ndryshojmë tarifat, por çfarë duhet dialoguar?

Duhet dialoguar kjo; Pika e parë thotë përgjysmim i tarifave. Dakord, por kjo do diskutim. Pse duhet taksapaguesit… Se tarifat njëherë nuk është çështja se hiqen, tarifat janë pjesë e kostos. Koston e bën universiteti dhe thotë, një student na kushton kaq dhe duhet ta dini që qeveria paguan mesatarisht për të gjithë studentët, sot që flasim, 75% të tarifës tuaj. Ajo që paguani ju është 25% mesatarisht. Ka një universitet si Mjekësia që paguan më shumë studenti, por absolutisht asnjë student në Republikën e Shqipërisë nuk paguan më shumë se 50% të tarifës sa është kostoja. Këtu bëhet fjalë për të përgjysmuar 25%-shin.

Si do t’u themi ne mësuesve, mjekëve, infermiereve, punonjësve të policisë, kamerierëve, sipërmarrësve të vegjël, që nga taksat tuaja, ne do paguajmë tarifat e atyre që marrin 4-ra në universitet. Ndërkohë që unë mendoj që ne duhet t’iu themi, nga taksat tuaja, ata që janë me 9-ta e me 10-ta do ua paguajmë të gjithë tarifën, jo 50%, por 100%. Kush vjen me të gjitha këto vështirësi, me të gjitha këto kushte dhe sakrifikon e merr 9-ta dhe 10-ta ia paguan 100% tarifën shteti.

Kush merr 8 deri në 9, pse 50%, iu paguajmë më shumë, se në fund të fundit përsëri është një student i mirë.

Kush vjen nga familje në nevojë, me ndihmë ekonomike t’ia paguajmë 100%, patjetër.

Por vjen në universitet, merr paratë e prindërve, rri në kafe, – dakord jam me të gjitha, por kafetë janë plot, e dinë rektorët e dekanët çfarë heqin për të dhënë me qira mjediset për kafet. Këtu u shkatërruan disa kafe, por kafetë ishin më plot, seç ishin auditorët. Të themi të vërtetën këtu. – ndërkohë fare mirë mund të shkoje të merrje një profesion dhe të bëheshe i zoti i vetes. Vjen në Universitetin Bujqësor, rri në kafe, do edhe të të paguajë shoqëria ty, që ti të marrësh 4-ra e 5-sa, ti bartësh provimet 10 vjet e në fund fare, kur të dalësh, mos dallosh farën e grurit nga veza, madje të jesh edhe doktor shkencash. Kjo nuk mund të bëhet dot.

Por duhet komunikimi për t’u sqaruar, se nuk mund të dal te ballkoni dhe të them, tarifat do përgjysmohen, por në këtë formë. Jo, kjo do komunikim dhe do dëgjuar. Nga ky debat, nga ato shfaqjet e shqetësimeve nëpër media rezulton që ne kemi një numër studentësh që janë të verbër. Atyre do t’ua paguajmë ne të gjithën, patjetër. Është e pakuptimtë që në këto kushte, të verbrit të mos financohen 100% nga shteti.

Sot quhesh ekselent kur ke 10.00 dhe me 10.00 ne kemi 100 e ca studentë. Unë mendoj që duhet ta zgjerojmë. Do ta bëjmë 9 deri në 10. Me 9 deri në 10 janë afërsisht 1600 dhe këtyre, jo vetëm t’iu paguajmë tarifën, por do iu japim edhe bursë vjetore për shpenzime të vogla, sepse e meritojnë. Por atij që merr 4-ra, çfarë t’i japim?!

Megjithatë, në këto kushte, për t’iu dhënë të gjithëve një start, edhe ata me 4-ra e me 5-sa ta marrin përgjysmimin me afat deri në vitin e ardhshëm akademik. Do ta bëjmë për ta dhe do t’iu themi, do të dalësh nga kjo situatë, dil. S’do të dalësh, rri, por shoqëria ty s’të paguan. Megjithatë dialogu për këtë duhet, se dikush mund të çohet të thotë unë jam vetë me 10-ta, por unë dua ta ndaj me atë me 4-ra buxhetin, se unë mund të mësoj edhe pa këtë buxhet, ai i shkreti nuk i pi dot dy kafe pa këtë buxhet. Ta diskutojmë, kush ka të drejtë.

Pedagog: Unë mbarova në 2017-ën dhe duke qenë se tani sa u futa si asistent lektor i di problematikat, pak a shumë, si të studentëve, edhe të pedagogëve. Në radhë të parë, unë mendoj që shumë pika të studentëve, sidomos përsa i përket buxhetit ndaj Arsimit të Lartë, investimit ndaj Arsimit të Lartë është investim për të ardhmen, është investim për të rinjtë dhe investimi për kërkimin shkencor dhe doktoraturat, unë mendoj që është i domosdoshëm. Pastaj, edhe tarifat janë problematikë tjetër. Unë këtu hyra duke qenë se isha më i miri te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në degën e Hidroteknikës, pra, realisht mu hap një derë, mu hap një mundësi. Komisioni këtu shkoi vetë dhe pa kush ishte me mesataren më të mirë dhe rezultoi që të isha unë dhe sot jam pjesë e këtij universiteti, të cilin unë e falënderoj nga zemra, se më dha një mundësi që vështirë se e kisha menduar ndonjëherë. Por, krahas kësaj, unë normalisht do të vazhdoj doktoraturën. Për të vazhduar doktoraturën, dega e Hidroteknikës, ose e studimeve mbi ujitjen, kulimin, digat, etj., kërkimi shkencor kërkon një buxhet shumë të lartë, që ai kërkim shkencor, ai eksperiment që do bëj unë të jenë të vlefshme, që të mos e bëj kot, që ai punim i imi të ngelet diku në bibliotekë e t’i shërbejë shoqërisë, se në fund të fundit për këtë është arsimi që të na shërbejë ne, t’iu shërbejë të gjithëve si shoqëri. Kështu që, është shumë e rëndësishme, për mendimin tim, që në kërkimin shkencor të investohet shumë më shumë. Edhe në doktoratura të investohet shumë më shumë. Unë jam mësim te Mekanika dhe rruga për të shkruar atje, ta themi, ose edhe kushtet atje janë të dobëta në krahasim me pjesën tjetër. Kështu që, është shumë e domosdoshme, pavarësisht se në këtë universitet janë bërë ndryshime kohët të fundit, por jemi vend bujqësor, agroturizmi le ta themi, kështu që ky universitet për mendimin tim ka nevojë për më shumë mbështetje financiare, më shumë buxhet në të gjitha fushat. Por unë insistoj shumë që të jetë në kërkimin shkencor dhe në doktoratura të kemi një buxhet më të lartë.

Studente: Jam studente e vitit të dytë, master shkencor, Ekonomi dhe Politikë Agrare. Jam një studente me mesatare 9.3. Unë realisht përfundoj këtë vit dhe nuk është se kam parë që të marrë ndonjëra ndonjë bursë. Gjithsesi pyetja ime nuk ka lidhje me këtë, por te tarifat. Nëse një vit përpara se unë të vija kanë qenë për degën time diku te 17 mijë lekë të reja, kur unë fillova ishin 300 mijë lekë dhe vazhdojnë të rriten. Është një rritje gati 50%. Pse unë duhet ta paguaj 50% më shumë? Për pjesën e masterit, unë paguaj 1.5 milionë lekë për dy vite, që unë normalisht bëj një vit e gjysmë mësim, se semestrin tjetër nuk kam mësim. Edhe pjesa te universiteti ynë që para 2-3 vitesh, ne nuk paguanim lekë sikur për gjënë më të vogël, një vërtetim studenti, ato tani janë bërë me lekë. Ne më përpara i merrnim nga faqja e studentëve, që e kemi ne, tani ato janë bërë me lekë, duhet t’i marrim poshtë te Sekretaria. Për çdo gjë, për çdo shërbim, qoftë edhe më të voglin, ne duhet të paguajmë. Besoj se e gjithë protesta e studentëve, thelbi ka qenë te tarifat. Për mua, për pjesën e pedagogëve nuk është se kemi ndonjë ankesë, në Fakultetin tim flas, Ekonomi dhe Agrobiznes, pika kryesore është thjesht tarifa. E dyta, për të gjithë pjesën e shërbimeve, nga më i vogli, unë duhet të paguaj. Nga fillimi deri në fund, unë thjesht duhet të jap lekë. E zëmë në 2015-ën, pse ndryshoi tarifa? A thamë ishte 25% që paguajmë vetë ne studentët. Po unë vetë personalisht paguaj 25% të shpenzimeve që unë i jap shkollës. Po në 2015-ën kishte shpenzime më të ulëta, që paguhej 17 mijë lekë?

Kryeministri Edi Rama: Unë jam shumë dakord me ju, që arsimi është baza e të ardhmes. Por sistemi që ne kemi është një sistem që nuk e përdor paranë në mënyrë eficente nga ana e universitetit, në tërësi. Ligji i Arsimit të Lartë – është shumë interesante se të gjitha çështjet që ngrihen ligji i adreson, – parashikon mbështetje financiare për doktoraturat. Nuk është një gjë që do ta zgjidhim sot. Ligji e përcakton doktoraturën si ushtrim të lidhur me punë në departament, me pagesë. Problemin, as këtu nuk e kemi te ligji, por te zbatimi i tij. Një nga gjërat që ne po përgatisim, se kur ju s’doni dialog, ne nuk rrimë të presim të flasim me ju, që t’ua hedhim juve dhe të mos i bëjmë ato 8 pikat, por ne ndërkohë po punojmë intensivisht me grupe pune, jo për 8 pikat, por edhe për gjëra të tjera dhe një nga gjërat që po përgatisim dhe që do jetë në këtë Paktin për Universitetin, është përqindja e vendeve të lira në administratën shtetërore për më të mirët. Kjo do të thotë që sot, një studente apo student që mbaron shumë mirë nuk futet dot në Shërbimin Civil të Republikës së Shqipërisë. Ju keni dëgjuar besoj për drejtoritë e bujqësisë, me nivele realisht të ulëta dhe shumë të partizuara nga e shkuara, por, ndërkohë, ligji i Shërbimit Civil ka hyrë në fuqi në 2015-ën dhe i ka ngrirë këto pozicione. Që të lëvizësh një person që është me statusin e nëpunësit civil, është një histori e pafundme, se është një status shumë i fortë. Atëherë ne do të hapim vende të lira për punësimin direkt, sepse ligji thotë, mund të jesh i shkëlqyer, konkurron, por nuk futesh dot në administratë, se s’ke eksperiencë. Shumë të rinj thonë, eksperiencën ku do e krijoj nëse nuk e kam. Ligji është standard europian, nuk është një shpikje e shqiptarëve.

Ne do krijojmë një përqindje vendesh të lira për ekselentë. P.sh, 10 studentë shumë të mirë do të kenë të drejtë e mundësi të zgjedhin, nëse duan të punojnë në shtet, p.sh, në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural në Ministrinë e Bujqësisë, në inspektoratet përkatëse, në drejtoritë e bujqësisë, etj. dhe jo t’i marrë ministri apo drejtori, por janë 10 vende të hapura, – do ta bëjmë me ligj, – që nuk ka nevojë për status dhe i pari zgjedh. Kush është më i miri me mesatare thotë, dua këtë vend. I vjen radha të dytit dhe zgjedh edhe ai e kështu me radhë. Këtyre njerëzve iu lidhet një kontratë pune, si të gjithë të tjerët dhe iu jepen 2 ose 3 vjet kohë që të marrin eksperiencën. Pas 2 ose 3 vitesh konkurrojnë dhe marrin statusin. Këtë duam ta bëjmë për të gjithë studentët e mirë, jo vetëm për ekselencën. Do mundohemi ta zgjerojmë që të jenë në mënyrë të përvitshme 400-500 studentë të mirë që kanë mundësi të shkojnë të punësohen në shtet, për t’i dhënë edhe administratës një hop cilësor, por edhe për të thyer përfundimisht atë murin e tmerrshëm të ngritur nga partitë në shumë vite kundër meritës. Kjo është një gjë që duam të bëjmë.

Dëgjova që the se rruga për të shkuar aty ku punon ti këtu është keq. Nuk e diskutoj, por ma ha mendja që Universiteti Bujqësor është më mirë seç ishte përpara një viti. Nuk është Universiteti Europian Bujqësor që doni ju, që dua unë, që do rektori, por është më mirë seç ishte. Nëse shikojmë nga u nisëm, besoj se janë dhënë provat që ne duam seriozisht t’i bëjmë gjërat. Por, e para, mundësitë nuk janë të pakufizuara dhe e dyta, është shumë e rëndësishme kjo që ndodh sot.

Arsyeja pse unë insistoj në dialogun nuk është thjesht tek 8 pikat, por është që kjo që ndodh sot duhet të formësojë një vetëdije për universitetin, duhet të formësojë një rrjet njerëzish që ta ndjekin këtë proces.Studentët që janë sot në këtë protestë, duhet të jenë ata që duhet ta garantojnë këtë marrëveshje, ata që do ta ndjekin. Por që ta garantojnë dhe ta ndjekin, qeveria duhet të japë një kalendar dhe kalendari nuk bëhet te ballkoni.

Dhe 5%-shi, kini parasysh, ka qenë një aspiratë edhe e jona. E kemi vënë ne në programin e 2013-ës, por 5%-shi është 5%-shi i Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Ndërkohë që ka një shifër tjetër për ta matur kontributin e shtetit në arsim, sa përqind e buxhetit që ke, jo sa përqind e Prodhimit të Përgjithshëm. Në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar, në 100 lekë, ne kontribuojmë 28 nga xhepi ynë, gjermania kontribuon 48, – se bëjnë krahasime me studentët atje, por kontribuojnë 48 nga xhepi ata.

Vajza atje thotë pse 25% duhet t’i paguaj nga tarifat. Prindërit kanë një dyqan të vogël dhe me atë dyqan të vogël mbështesin arsimimin tënd, të motrës e të vëllait. Prindërve të tu, nëse e kanë xhiron deri në 50 mijë dollarë në vit, nëse janë te ajo fasha e biznesit të vogël, e kanë zero taksën. Prindër të tjerë që janë në biznes të vogël, që ne i kemi futur deri në 140 milionë dollarë në vit, e kanë 5% taksën. Ua kemi ulur dhe në 1 Janar do jetë 5% taksa.

Marrëveshja është shumë e qartë. Nëse duam më shumë lekë për të futur në ndihmën tuaj, ku do i gjejmë? Disa thonë hiquani rrogat deputetëve. Po mirë, ua heqim rrogat deputetëve, sa dalin ato. D.m.th., janë disa populizma e disa muhabete kafeneje që nuk shkojnë asgjëkund. Vetëm këtë mbani mend, 28% kontribuojmë ne në të përgjithshmen në 100 lekë, gjermanët 48. Në rajon, Serbia 32.

Pakti ynë është të ulim taksat. Pavarësisht se thonë janë rritur taksa, këtu nuk janë rritur taksat. Këtu po paguhen dritat, paguhet uji, por këto s’janë taksa, është mall që ti e harxhon dhe do e paguash. Ngaqë nuk i paguanin përpara, erdhëm këtu, sot. Ngaqë në 2009-ën, ky universitet u trefishua, por ndërkohë nuk u trefishuan ambientet. U bë politika, futuni të gjithë në universitet dhe si financohet kjo? Nga një infrastrukturë e krijuar për të mbajtur 1 person, duhet të mbajë 3 persona. Nga një shtëpi për 1 familje, duhet të mbajë 3 familje. Kjo si u zgjidhka tani, me shkop magjik?!

Ajo që mendoj unë, është që ka shumë gjëra që mund të bëhen shumë më mirë. Thatë, nuk dialogoj për transparencë të buxhetit, se ky është sherri juaj me rektorët. Çfarë sherri kemi ne rektorët? Kjo është autonomi e universitetit. Autonomia nuk është liri pa përgjegjësi, është përgjegjësi. Jam autonom që të kem liri, por përgjegjësi s’mbaj, d.m.th, kur vjen puna te përgjegjësitë, shkojmë te Kryeministria. Tarifat i përcakton universiteti. Qeveria ndërhyn me VKM që ti mos ta kesh tarifën më të lartë, sepse normalisht, kur rektorit, dekanit, stafit pedagogjik i kërkon dua laborator, dua edhe këtë, do thonë kostoja jote, shkon më e lartë dhe ti duhet të kontribuosh më shumë. Qeveria vendos tavanin. Tarifat e 2015-ës, po të shikosh propozimet që kanë ardhur nga rektoratet, dekanatet, kanë qenë më të larta për ju. Ne kemi vendosur e kemi thënë “deri këtu!” Më të ulëta? Më të ulëta mund t’i bëjmë, s’ka problem. Mund t’i ulin këta, po ju nuk vini këtu. Ju vini atje tek qeveria.

Universiteti është autonom. Autonomi do të thotë që trupa pedagogjike ka autonomi për vendimmarrje të caktuara. Autonomi do të thotë që studentët kanë përgjegjësi që autonomia të funksionojë në favor të tyre, të mos jetë autonomia rrumpallë. Nëse këtu situata është më pozitive, sesa është në shumë universitete të tjera, është se ka më shumë ndërlidhje dhe më shumë komunikim.

Thoni nuk dua të dialogoj për peshën e votës. Dakord, meqë s’dialogon, më ço me e-mail një ligj në glob, jo në Europë, ku pesha e votës së studentëve në zgjedhjet e rektorëve dhe dekanëve është 50%. Nëse e ka një vend në glob, qoftë edhe Groenlanda, ne do e bëjmë. Shpikje do bëjmë? Ka një logjikë kjo. Studentët vijnë dhe ikin. Stafi pedagogjik është këtu dhe vota për rektorë, dekanë, shefa departamenti etj., është vlerësim i karrierës akademike. Vlerësimin e karrierës akademike nuk mund ta bëj një student që është për 3 apo 5 vjet dhe ikën. Ajo që është problemi ku duhet parë, është pse dhe si nuk ka funksionuar Senati. E dini ju që senatet kanë fuqi të plotë me ligj për buxhetin, për transparencën, për të gjitha. Studentët marrin pjesë në Senat. Keni marrë informacione nga Senati, t’ju njoftojë që “dje u mblodh Senati dhe mori këto në konsideratë…”.

Më jep një rast të vetëm që studenti është në Bordin e Administrimit. Po të jetë një, do e bëjmë të dytin. Mos më kërkoni që Shqipëria të jetë e para në botë. E provuam ne të parin në botë 50 vjet, edhe ja ku jemi sot. E provuam dhe në një mënyrë tjetër për të qenë të parët në botë, me fajde dhe përfunduan njerëzit, edhe delet i lanë në thertoren e Sudes. Mos më kërkoni të jemi të parët, por po e pati një, ne do jemi të dytët, edhe për Bordin. Ndërkohë, për Bordin e Administrimit unë jam i gatshëm që të bëjmë një marrëveshje, që ne si qeveri të përcaktojmë një student apo studente ekselente, të zgjedhur nga ju, jo nga ne, ta çojmë në Bord. Por mos kërkoni ta fusim në ligj. S’bëjmë ligje që nuk i ka askush. Çfarë është ky, revolucion kinez?

Nuk dialogoj për kartën e studentit. Dakord, unë po ju them, këtu s’ka justifikim, në një anë, Sepse karta e Studentit është në ligj. Në këtë pikë, Ministria e Arsimit duhet të kishte nxjerrë aktet. Këtu s’ke as çfarë dialogon ti, as kam çfarë unë të kërkoj dialog për këtë. Por një gjë dua t’ju informoj dhe për këtë ne kemi dokumentet që fare mirë mund t’i bëjmë publike, por nuk i kemi bërë. Prej shkurtit të këtij viti kemi hyrë në një program europian të Kartës së Studentit, që do të thotë, ka pasur një marrëveshje mes disa vendeve të Bashkimit Europian, ku Franca është vendi lider i projektit, që është zgjeruar për të gjitha vendet. Ne kemi hyrë në këtë program që Karta e Studentit të jetë e markuar, përveçse është kartë studenti në Shqipëri, por që të gjitha ato që ka në Shqipëri nuk janë shumë, të jetë e markuar si “EU Card”. Që do të thotë që, me “EU Card”, ti je student këtu, por kur shkon jashtë në ato vende me të cilat kemi marrëveshje, Francë, Gjermani etj., ti përfiton njësoj si studenti që është atje për muzeumet, për filmat, etj.. Në 20 nëntor, përpara se të fillonte protesta, – s’kishim informacion për protestën me thënë drejtën, – kemi firmosur marrëveshjen me palën franceze, që është lideri i programit. Në vijim, besojmë shumë që brenda 6-mujorit të parë vitit të ardhshëm të kemi kartën europiane.

Përsa i përket për të bërë kartën shqiptare, kjo gjë duhet të ishte bërë, unë s’kam ardhur këtu t’ju them sa bukur i kemi bërë të gjitha gjërat, kemi bërë edhe gjëra që i kemi bërë keq, kemi bërë dhe gjëra që nuk i kemi bërë dhe është përgjegjësia dhe faji ynë. Për kartën ke të drejtë, s’kemi çfarë dialogojmë, thjesht unë po ju jap informacion. Karta patjetër që tani ka ardhur koha të bëhet.

Për bibliotekën, – nuk e di a e keni ndjekur debatin tim me Akademinë e Shkencave, e cila merr 2 milionë në vit. Iu kam thënë, s’mund të merrni 2 milionë buxhet në vit, për të paguar rroga dhe vetura, do të marrim nga lekët tuaja për Bibliotekën Shkencore online të universitetit” – brenda Janarit, besoj, ju do ta keni bibliotekën online, se procedurat kanë filluar me kohë. Financimi nga qeveria është dhënë, procedura ka filluar dhe do keni bibliotekën online që është biblioteka më e madhe europiane për kërkimin shkencor, sepse ka të gjithë zërat, fushat. Për bibliotekat fizike, kjo është një temë tjetër, që duhet parë.

Student: Jam student i Informatikë Biznesit, i vitit të tretë dhe meqë është dialog desha të adresoj dy gjëra. Desha të kërkoj ndjesë për sjelljen, nëse nuk ju pëlqen, por ky është edukimi që marrim, sepse kemi një Rektor që na tregon këllqet se sa i ka këtu edhe thotë ftoj Kryeministrin, pasi kjo nuk është në përgjegjësinë time. Ky është edukimi që marrim d.m.th.. Nuk e dimë as këllqet se çfarë janë, thjesht e marrim për ofendim. Thoni që i dimë kush janë problemet, edhe Rektori tha po ashtu që i dimë problemet se kush janë, por nuk po shoh të adresohet diçka, se OK, i dimë të gjitha. Thoni që tarifat duhet të jenë të ulura vetëm për nxënësit e ekselencës, jam shumë dakord, unë nuk jam një nxënës ekselent, madje kam dhe provime të mbartura që shpresoj t’i marr tani në janar. Jam shumë dakord që nxënësit ekselentë të mos paguajnë. E di atë pikë që thoni ju që është për diskutim, e di që nuk na nxjerrin si studentë këtu, por që është ajo që thoni që i kanë nxjerrë për axhendën politike, por që biem dakord me ju që duhet të jetë ashtu siç po thoni. OK, jepini një zgjidhje. Po pse tani? Kur deri tani i dinit të gjithë problemet dhe tani po na thoni që unë i kam këto zgjidhje, çfarë po kërkoni prej nesh? Edhe diçka tjetër, kur thoni që ne nuk i kemi të gjitha këto në dorë, duhet t’ia kërkoni Rektorit, Rektori iu kërkoi juve sot që të vinit sot këtu për të adresuar disa probleme, pra me të gjitha këto që po thoni që do i zgjidhim, do i bëjmë, a do bëhen vërtet, apo do jenë si karta e studentit që thatë “OK, na falni, do i marrim ne përsipër këto”.

Kryeministri Edi Rama: Mendoj se cilësia e bashkëjetesës mes njerëzve varet shumë nga vullneti për të dëgjuar. Unë nuk kam thënë asnjëherë, as as këtu, që i di të gjitha problemet. Përkundrazi, kam thënë që nuk i di të gjitha. Nëse kam 1 vit e gjysmë që më bie goja “bashkëqeverisje me njerëzit”, ju mund të mendoni që këtë e bëj për propagandë, por e vërteta është që unë besoj këtë. Sot, edhe këtu u thanë shumë gjëra që janë zgjerimi i dijeve për mua, lidhur me problemet. Por unë nuk thashë i di të gjitha. Ju pyetët, pse tani? Sepse tani u çuat ju. Është shumë e thjeshtë. Këtu nuk ka asgjë, as për të ardhur zor, sepse demokracia për këtë është bërë. Demokracia është bërë që të zgjedhurit të punojnë, zgjedhësit të kërkojnë dhe jo të kërkojnë vetëm pasi japin votën. Për këtë janë krijuar instrumentet e presionit. Unë kam menduar që po i bëjmë gjërat në një mënyrë të arsyeshme. Patjetër që kam kërkuar vazhdimisht që të kemi më shumë shpejtësi, por pa i lënë fajin askujt, përgjegjësinë e marr vetë. Unë nuk jam nga ata që ua lë përgjegjësinë të tjerëve, por, nga ana tjetër, ky është virtyti thelbësor i demokracisë.

Shumë faleminderit që u çuat. E them seriozisht, e kam thënë dhe e përsëris dhe këtë ju do ta shikoni. Unë nuk kam ndërmend të jap shumë shpjegime për këtë, se nuk i takojnë dialogut këto, por kjo protestë ka qenë shuplakë për qeverinë. Është e vërtetë! Unë këto lloj shuplakash i mirëpres, jo se më vjen mirë, por sepse e ndihmojnë qeverinë që të kuptojë që duhet t’i hapen sytë më shumë, duhet të ecim më shpejt dhe duhet të jetë më në kontakt dhe më afër njerëzve.

Pse tani? Sepse është merita jote dhe e të gjithë këtyre që janë këtu dhe e atyre që s’janë këtu, edhe e atyre me megafon. Nëse protesta ishte grusht për ata të tjerët, – se është unikale edhe kjo, e paparë në histori, që, një protestë iu thotë atyre që janë në opozitë, “mos mu afro fare, se mban erë”, – për ne ishte shuplakë dhe për popullin ishte shpresë. Tani këtu tek shpresa, ju duhet të jeni të vetëdijshëm që këtë shpresë nuk mund ta mbysni me marrëzira “nuk flasim.” “do rrimë atje”, “shyqyr që na erdhi rasti ta lëmë dhe mësimin fare”. Këto janë marrëzira. Njerëzit kanë parë me shpresë këtë gjë. Te kjo shpresë ne duhet të jemi bashkë, të ndërtojmë një rrugë të përbashkët për gjërat që bëhen. Unë nuk thashë kërkojani Rektorit. Nuk e kam zakon të delegoj përgjegjësitë e mia. Përkundrazi, më kritikojnë shumë pse i mbron ministrat. Unë nuk mbroj asnjeri. Unë marr përgjegjësitë e mia. I kam dalë për zot kësaj pune dhe nuk i fshihem përgjegjësisë, edhe kur kuptoj që jam gabim, them më fal. Të thuash “më fal” nuk është mungesë burrërie, pavarësisht se ne burrat në Shqipëri nuk e kemi këtë virtyt, e kanë gratë më shumë, që thonë më shumë “më fal”, se janë më të forta se ne, në të vërtetë. Kështu që, kjo është e thjeshtë. Unë s’them kërkojani retorit. Unë dua të them këtë, që, ligji i arsimit të lartë i ka dhënë autonomi universitetit dhe autonomia është përgjegjësi e rektorit, është përgjegjësi e dekanit, është përgjegjësi e studentit. Patjetër që unë jam këtu pikërisht sepse besoj që jemi në një fazë ku dhe unë kam përgjegjësinë time, edhe qeveria ka përgjegjësinë e vet për të ndihmuar edhe në ato pika që s’janë direkt tonat. Por për këtë duhet dialogu. Por ju duhet ta mësoni dialogun. Juve nuk e keni mësuar dialogun, jo për fajin tuaj, por sepse në këtë shoqëri, në këto mjedise ku rrimë nuk dialogohet.

Unë nuk kam ardhur këtu për të kaluar lumin. Qeveritë zakonisht thonë unë të dëgjova, ndalo protestën, hajde të flasim. Në rrugë me megafon nuk mund të rrish dhe unë të dialogoj me ty. Unë nuk e them ndalojeni. Unë them që për çështjet që keni ngritur, ejani flasim se kanë humbur 14 ditë. Po të kishim folur që në fillim, po ju them sot, do kishim filluar të jepnim gjëra konkrete. Megjithatë, ju do ikni me pushime, unë s’do iki me pushime. Unë besoj që shumë shpejt, ne do t’ju themi konkretisht atë që duhet, por bazuar dhe në ato që thuhet. Ke marrë përsipër të çosh përpara një çështje, duhet të kontribuosh që çështja të adresohet ashtu siç duhet.

E fundit, më citove gabim, unë nuk thashë, do ulim tarifat vetëm për ekselentët, por për të gjithë, me shkallë dhe në fazën e parë për të gjithë pa përjashtim. 50%-shi është minimumi jo i uljes, se nuk ulen në kuptimin e uljes, se ato janë kosto, por do i paguajë shteti, ju s’keni punë fare. Do merret lista, sa ka Universiteti Bujqësor me 9-ta dhe me 10-ta, 100% tarifën shteti dhe do t’iu japë bursë. Këta që janë me 8 deri në 9 do ta kenë 70%, ose 80%. Është një gjë që po  bëjmë formulat, se janë para. Këta me 7 deri në 8 do ta kenë 50%. Ata që janë me ndihmë ekonomike do ta kenë përsëri të paguar nga ne dhe me bursë, vitin e parë. Nëse vitin e dytë, ata me ndihmë ekonomike rrinë me 4-ra e me 5-sa, shoqëria prindërit tuaj nuk paguajnë dy herë. Prindërit tuaj paguajnë nga taksat 1 herë. 2 herë jo. Ama, në fazën e parë të gjithë 50%. Të përmirësohen dhe pastaj po morën rezultate, të gjithë të marrin atë. Nuk e thashë, që të mos keqkuptohemi, tarifat do ulen të gjitha, komplet, si barrë e familjes tuaj, do e  paguajë shteti.

Dialogu ka dhe një gjë tjetër të mirë, që këto fjalë po thuhen publikisht. Nëse do kalojnë muaj dhe do shihni që s’bëhet asgjë, mësimin e lini kollaj e dilni atje. Por unë po angazhohem publikisht, nuk është fjala që ashtu si karta do ikë dhe ajo. Se e kam dëgjuar dhe këtë, që nuk vijmë të flasim se nuk kemi besim. Por si ndërtohet besimi? Si do e bëjmë pa folur? Në fund të fundit, pse e do qeverinë.? Sepse qeveria ka vendimmarrjen. Pra, është e zgjedhur, e ke zgjedhur, nuk e ke zgjedhur vetë, e kanë zgjedhur të tjerët, ka vendimmarrje. Ti vjen tek unë, sepse unë përfaqësoj forcën vendimmarrëse dhe më thua ti i ke vendimet. Por vendimet merren për të gjithë shoqërinë, nuk merren vetëm për ju dhe për ju do bëjmë 1, 2, 3, 5. Pas kësaj, unë ju them që duhet të bëjmë një Pakt dhe Pakti duhet të jetë i shkruar dhe ne do t’ju japim një dokument të shkruar dhe nëse ne atë dokument nuk e mbajmë, do e merrni atë dokumentin dhe do ta tundni e do të thoni, ja ku i ke të shkruara, i ke shkruar vetë, ne nuk flasim më me ty se na i ke shkruar dhe na gënjeve herën e parë ishte faji ynë, herën e dytë po na gënjeve, e kemi ne.

Rektori: Më falni, po i drejtohem djalit që foli pak më parë, por dhe në dijeninë e ndonjë personi tjetër, kur unë kam kandiduar për këtë post, kam pyetur dhe e kam vlerësuar veten nëse kam këllqe, apo jo. Për këtë të jeni të sigurt! Nëse vlerësoj se nuk i kam këllqet, e thashë edhe pak më parë, unë nuk rri këtu. Sigurisht e marr si ofendim edhe më vjen keq që të artikulohet nga një student, por po përdor përsëri fjalën tuaj, nëse s’do kisha këllqe e ftoja që dje Kryeministrin, por ngaqë jam i përgjegjshëm për detyrën, ju ftova juve, ju dëgjova, reflektova, kam zbardhur të gjitha kërkesat tuaja dhe sigurisht, unë s’kam këllqe për të thënë që tarifat e studentëve do ulen 50%, apo 30%. Unë këto nuk i kam. Por ama kam këllqe të tjera. Më falni për tonin, kam këllqe për të thënë se në Departamentin e Ortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit vijnë 3 faqe të shkruara, që nuk adresohen, nuk ka asgjë të shkruar se kush e shkruan dhe pika e 7, që nuk e tha Kryeministri por e kaloi kështu, “nuk dialogohet për bibliotekat me standarde europiane, jemi 30 vite mbrapa”. Është e vërtetë, por mos harroni, ky universitet ka pasur bibliotekën më të mirë të Shqipërisë, e cila në 1997-ën u bë shkrumb e hi. Sot ky universitet ka dy biblioteka: bibliotekën shkencore dhe bibliotekën e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit. Në këtë të fundit është e instaluar dhe biblioteka online dhe janë 15 kompjuterë te kjo bibliotekë e 30 kompjuterë te biblioteka shkencore. Por ne duhet ta pyesim veten, sa është numri i studentëve që frekuentojnë këto biblioteka? Ju do thoni, “po pse të shkojmë të thahemi ne atje?” Unë nuk besoj se është kjo situata tek Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, me gjithë problematikat që mund të ketë biblioteka tjetër. Nëse ka ndonjë gjë ndonjë koleg tjetër, apo ndonjë student për mua personalisht, le ta artikulojë, por më vjen keq që të artikulohen gjëra që nuk qëndrojnë. E fundit, nëse kalojmë paksa te ligji i arsimit të lartë, e kam thënë dhe herë të tjera, edhe dje e kam thënë këtu para jush, personalisht kam qenë pro dhe vazhdoj të jem pro ligjit të arsimit të lartë. Kam pasur mendimet e mia lidhur me përfaqësimin në borde, nuk po e themi tani në të vërtetë, sepse e artikuloi dhe Kryeministri, por e kam thënë vazhdimisht, sepse unë kam menduar që përfaqësuesit e qeverisë në Borde duhet të ishin njerëz publik, përfaqësues të bizneseve të cilët kanë treguar që janë dikushi në menaxhimin e fondeve private. Unë nuk dua të delegoj përgjegjësitë tek Bordi, por zotëria përpara nesh është administratori i ri i universitetit dhe ne u mblodhëm dje, pas takimit me ju dhe pas takimit që pata me dy-tre studentë që folëm bashkërisht dhe filluam të reflektojmë lidhur me reduktimin e disa tarifave, që njëra nga vajzat e tha pak më parë dhe unë kërkova që të involvohet Bordi në këtë çështje dhe për këtë gjë shpesh këto probleme futen në kanale burokratike, mblidhet sot Bordi, mblidhet nesër, një është, një nuk është etj., etj..

Kryeministri Edi Rama: Tek Bordi, kjo është një pjesë tjetër që përgjegjësinë e kemi ne. Për Bordin unë nuk kam kërkuar dialog, se s’keni çfarë të mësoni në kuptimin e boshllëkut që është krijuar. Është e vërtetë ajo që tha profesori, përfaqësuesit e qeverisë në Bord, por nuk është puna tek numri sa janë, sepse është normale, të gjithë bordet edhe në universitete me shumë autonomi si në Holandë, Bordi është totalisht i qeverisë, për kontrollin financiar. Bordi është garant. Por tek Bordi ne kemi bërë një gabim, kemi vendosur në përgjegjësi persona burokratë. Duhen vendosur persona publikë që kanë lidhje me, ky universitet p.sh., ka nxjerrë njerëz publikë, qoftë në fushën e dijes, qoftë në fushën e biznesit. Anëtarët e Bordit do të shkarkohen njëherë të gjithë. Por të gjitha këto do bëhen pasi të ketë hyrë dialogu në një fazë. Unë dua të shkoj në çdo Fakultet, do flasin të gjithë, se nuk kanë ku të shkojnë, do flasin, se është në natyrën e njeriut, kafsha nuk flet, e ka me hundë. Njeriu është qenie e krijuar për të folur. Gjuha është ajo që na ndan nga qeniet e tjera. Do flasin, por tek bordet është shumë e drejtë. Ne do i shkarkojmë të gjithë anëtarët e bordeve që kemi vënë ne. Do t’iu bëjmë thirrje personave publikë, s’ka rëndësi fare për kë votojnë e çfarë janë, por që të kenë një lidhje me atë botë të zhvillimit bujqësor a rural, apo të ekonomisë, të mjekësisë, etj., dhe do t’i vendosim në borde si garantë të këtij Pakti. Historia plotëso kërkesat se unë po shkoj me pushime nuk funksionon. Kërkesat do plotësohen, por të gjitha këto që po flasim do të monitorohen, do të ndiqen bashkërisht nga qeveria dhe nga ju, në vijimësi.

Kjo protestë duhet kthyer në një institucion komunikimi. Rruga atje është. Dilni në rrugë sa herë t’ju duket që është koha për të dalë në rrugë, por gjërat që të mos ngelemi përsëri dhe që mos të vij përsëri unë e të më thotë ai djali “pse u kujtove tani”, të dyja palët duhet të shtyjnë njëra-tjetrën, edhe qeveria juve, edhe juve qeverinë gjatë gjithë kohës. Mos mendoni që unë dua dialogun për të dalë i larë nga kjo punë, absolutisht. Jam shumë i vetëdijshëm se çfarë ndihme i keni dhënë ju qeverisë. E ka shumë seriozisht dhe do ta shikoni në vijim. Siç keni zgjuar një lloj optimizmi, simpatie, që për fat të keq po tretet, jo për shkakun tuaj, por për shkak të të tjerëve që ju kanë futur këtë marrëzinë “mos fol”.

Student: Jam ngelës. Nuk më pëlqeu mënyra se si iu adresuat vajzës dhe djalit, nuk është mënyra për t’ju adresuar eprorit, pasi ne të kemi zgjedhur. E dyta, nga këto 5 minuta pyetje dhe afërsisht 1 orë e 15 minuta përgjigje që ne bëmë ju shkarkuat të gjithë përgjegjësinë nga ju drejt universitetit, duke sjellë këtu edhe fondet për doktoraturat që thatë që është faji i lobimit të universitetit kundrejt BE për të marrë fondet që duhen. Kjo sjell që stafi i universitetit është i papërgatitur, ose jo shumë i përgjegjshëm kundrejt nevojave që studentët kanë. Më vjen mirë që djali foli dhe shpresoj që përgjigjja e Rektorit të mos jetë personale ndaj tij dhe ai t’i kalojë provimet, nëse ai i meriton. Arsyeja se përse ne jemi këtu është edhe pse katranjosët kanë dalë në protestë, është sepse dikush me 4-ra arrin të futet në universitet, dikush me 4-ra fut mikun ose lekun në universitet dhe arrin deri në pikën që nuk pi më ujë dhe del atje proteston si ne të tjerët dhe kërkon të njëjtat të drejta sikur të gjithë ne. Kjo deri diku është e papranueshme që të na fusni të gjithë në një thes. E morëm vesh që 5% i GDP-së nuk mund të bëhet. Dhe unë po jap edhe dy pika të tjera sepse ju po i referoheshit vetëm aty 8 pikave. Sepse këtu shumë mund të kenë edhe frikë të ngrihen të flasin sepse hakmarrja e stafit akademik mund të jetë personale.

Kryeministri Rama: Eprori nuk je as ti, as ajo vajza, as unë. Unë për veten time e kam merak të fitoj debatet. Por është barazi në këtë pjesë. Thuaj çfarë të duash, unë do të them çfarë mendoj. Nuk jam dot ai politikani tipik që bënë sikur nuk kupton, që flet butë. Nuk e bëjë dot, kështu kam qenë gjithë jetën dhe nuk kam ndërmend të ndryshoj. Fjalën epror, bashkë me fjalën këllqe shikojeni në fjalor, kur të mbaroi takimi.

E dyta, nuk e di ku e pe që unë kisha ardhur për të lënë fajin, sepse unë sapo kisha folur për përgjegjësitë e mia dhe të qeverisë. Unë s’kam ardhur t’i lë fajin askujt. Kam ardhur të flas për përgjegjësi, jo për faje. Mesa duket e ke përgatitur fjalimin tënd me mend dhe nuk ke dëgjuar gjë, sepse me zor ke pritur radhën që të thuash tënden. Nuk e kam thënë dhe nuk po them që qeveria nuk ka përgjegjësi, apo të metë në këtë. E kundërta. Por kjo nuk më pengon që të të informoj ty dhe të tjerët që universiteti është autonom dhe autonomia është përgjegjësi.

Unë po jap llogari këtu. Nëse pyetjet janë më të shkurtra dhe përgjigjet më të gjata, është përpjekja për t’ju shpjeguar këndvështrimin tim. Keni 13 ditë që bërtisni e s’flisni dhe unë kam 13 ditë që ju pres të flas.

Përsa i përket mikut dhe lekut, ata që janë në vit të parë dhe vit të dytë të më thonë, a ka ndonjë nga ju që i ka zënë vendin dikujt tjetër, apo keni marrë ekzaktësisht atë që ju takon? Është e vërtet? Keni futur ndonjë mik apo keni dhënë ndonjë lekë?

Sepse, edhe po të duash, sot me këtë sistem që kemi bërë nuk e çan dot as me mik, as me lekë, as me parti, futjen në universitet. Kemi bërë diçka që as mund t’i ndodhte mendja njeriu në Shqipëri ku deri para disa vitesh, universitetet ishin han ku futej kush nuk futej dhe zinte radhën sipas fuqisë. Sot është e gjitha dixhitale. Ky është fakt!

Pastaj, a paguhen provime në universitete, kjo është temë tjetër. Këtu të jap të drejtë. Por kujt ia kërkoni ju këtë?! Ju që jepni lekë për të marrë provimet.

E keni parë platformën Shqipëria që Duam. Provojeni! Kushdo që shkruan dua ndihmë sepse profesori më kërkon lekë, nëse s’më ka mua në krah, atëherë i kam borxh të gjithë studentëve të republikës. Por edhe paguaj lekë, edhe bëj sikur po të shtypin, edhe kërko nga qeveria, nuk funksionon. Prandaj kjo protestë duhet të prodhojë disa standarde të reja brenda universitetit. Shpresoj shumë që kjo protesta t’ju këtë dhënë një informacion për forcën që keni po të bëheni bashkë. Mua vetë më intereson.

Të duhem unë? Do vij të të qëndroj në krah me sa mundësi kam. Por do ia vësh t’i përpara fytyrën asaj që thua, sepse ka profesorë lloje-lloje, ka nga ata që jetojnë akoma me mobiliet e asaj kohe, japin mësim me orë jashtë orari dhe që s’paguhen për orët jashtë orarit dhe e kanë pasion atë punë. Ka edhe profesorë që janë tamam “profesorë”, që ju sjellin juve vërdallë. Këtë gjë duhet ta ndani ju, pse unë do e bëj?

Edhe ajo që the për vetting-un, transparenca e titujve, patjetër duhet bërë. Edhe për këtë, ne do t’ju themi si duam ne ta bëjmë, s’është e vështirë. Unë nuk dua t’ia lë fajin askujt, unë dua të marr përgjegjësinë time, por universiteti është autonom dhe në këtë autonomi, ju duhet të kuptoni forcën tuaj. Deri tani ju e kishit deleguar të gjithë fuqinë tuaj dhe të dalë ku të dalë. Edhe ju duhet të organizoheni. Jo me partitë që ju thonë shkoni këtu e shkoni atje, vërini drynin shkollës që mos të futen të tjerët dhe të duket sikur të gjithë po bëjnë protestë, por brenda një rrjeti për universitetin dhe për veten tënde.

Sëmundjen e universitetit nuk e shëroni me këto pika. Keni frikë?! Kjo kohë nuk është e frikacakëve.

Student: Jam nga menaxhimi i turizmit rural. Ne kemi një problem konkret që është praktika mësimore dhe profesionale që ne nuk bëjmë. Të paktën në fushën e turizmit që shteti jonë synon të shkojë. Në vende të tjera europiane, studentë të tjerë nga Shqipëria tregojnë që shteti i jep favore biznesit për studentët që merr për praktika. Ne kërkojmë nga ju që ta zgjidhni, sepse këtu janë të paaftë.

Kryeministri Rama: Nuk janë kurrë të gjithë njësoj. Kështu që kur vë gishtin e thua këta, i përgjithëson. Është njësoj sikur të kthehet rektori e të thotë këta nuk janë studentë.

Përsa i përket praktikave, kjo është një temë që është rezultati i dialogut. Isha dje tek Gjeologjiku dhe ma thanë këtë dhe sot po e ngrini ju. Ndërkohë që dje, mbas takimit bëra një takim me grupin e punës dhe i thashë që duhet parë puna e praktikave në tërësi. Një gjë tjetër që po përgatisim është qëministritë që kanë një lidhje direkte me universitetin do të marrin përsipër, me detyrim, që të kujdesen për universitetin përkatës në disa aspekte. Në aspektin e financimit të kërkimeve shkencore për të rritur financimin, që projekte të caktuara ministritë t’ua japin universiteteve.Për praktikat, ministria bashkë me qeverinë të organizojë të gjithë skemën e zhvillimit të praktikave sëbashku me universitetin. Kjo mund të bëhet me biznesin privat.

Ne kemi një problem shumë të madh për fondet e dedikuara të Bashkimit Europian për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Për herë të parë, ne u certifikuam për të marrë fondet e bujqësisë dhe zhvillimit rural të BE. Rreziku është që fondet i kemi aty, por që s’mund t’i thithim sepse sektori, fermerët nuk dinë të bëjnë projekte. AZHBR duhet të bashkëpunojë me ju, që ju t’i bëni projektet dhe ju të merrni një komision nga projektet. Komisioni të jetë publike. Po fitojë projekti, ju fitoni përqindjen tuaj. Nuk është puna, ne po rrimë në auditor, ju sillni lekët. Jo, funksionon kështu!

Student: Studente në vit të parë master shkencor për Ekonomi dhe Politikat e Zhvillimit Rural. Pak më parë ju artikuluat se studentët me mesatare 9-10 dhe studentët me ndihmë ekonomike përjashtohen nga tarifat dhe do të kenë edhe bursë. Unë kam mbaruar 3 vite bachelor dhe tarifën e kam paguar dhe bursë nuk kam marrë, tani jam në master. Asgjë nuk kam marrë dhe krahasuar me bachelorin, në master na bie të paguajmë 3-fish tarifën. Për këtë, ne po kryejmë një pagesë, por çfarë marrim në këmbim? Do doja të dija pse nuk është bërë më përpara kjo gjë.

Kryeministri Rama: Kjo është si puna e tarifës së bebes që ne do fillojmë në janar. Kur unë e them këtë gjë, dalin nga ata që thonë pse nuk e bëre më përpara, se ne e kemi kryer këtë punë. Sepse nuk ka qenë mundësia të bëhej më përpara. Jua them realisht që, nëse do ta kishit kërkuar përpara 3 vitesh këtë përgjysmim tarifash, ne nuk do ta bënim dot. Sot mundemi. Do t’i spostojmë nga diku, por mundemi. Kaq mundësi kemi sot i bëjmë, nesër do të kemi më shumë. Por si do kemi më shumë mundësi, duke thënë na i bëj të gjitha falas?! Shëndetësia falas për njerëzit që kanë nevojë për një shërbim shëndetësor është një parim i arsyeshëm, sepse është një nevojë për t’u mbrojtur nga një agresion në organizëm, por falas të gjitha është e pamundur. Në bachelor, sot që flasim, ndarja është 75% e paguan shteti të kostos 25% e paguan studenti. Tek masteri është e kundërta, jo këtu, por në të gjithë botën, sepse masteri është një investim i thelluar tek vetja. Mos harroni edhe një gjë. Jemi në vitin që për herë të parë po arrijmë të japim libra falas për nxënësit nga klasa e parë në të katërtën. Me buxhetin e ri kemi futur edhe klasën e pestë e do ta çojmë në klasën e nëntë brenda mandatit. Më falni, a të financojmë edhe ata më të vegjlit, ata që nuk kanë mundësi, familje që nuk arrijnë fundin e muajit, apo do i vëmë të gjitha çfarë kemi vetëm këtu? Mos harrojmë që kemi edhe gjimnazet. Pra, pse nuk u bë përpara? Sepse përpara nuk kanë qenë mundësitë. Unë nuk them do bëhet sot, sepse jeni në rrugë, por sepse ju nga rruga i keni rënë një kambane. Kambana është dëgjuar sepse ishin mundësitë, sepse po mos të ishin mundësitë, do të thosha që nuk bëhet. Pse them për 5% nuk bëhet, sepse nuk bëhet. Ata që ju thonë që bëhet, e thonë sepse nuk kanë gjë në dorë.

Student: Studente e vitit të parë bachelor, Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, dega Shkencat e Ushqimit. Në vit të parë, tarifa e dytë që duhet të paguajmë na është ulur nga 200 në 50. Në total, tarifa është 400 në vit. Tarifën e parë e paguam 200. Në janar nga 200 do paguajmë vetëm 50 dhe për këtë i them shumë faleminderit universitetit. Shqetësimi im është tek praktika. Duam më shumë praktikë në degën që kemi. Duam mbështetje nga ju.

Kryeministri Rama: Nuk kam nevojë të zgjatem sepse është thënë disa herë dhe është një temë që do trajtohet me shumë seriozitet.

Student: Jam student i Agromjedisit dhe Ekologjisë. Me pedagogët nuk kemi asnjë problem, sepse na kanë mbështetur në kauzat tona. Ajo çka mua më vret më shumë është që ne problemin e kemi me ju dhe me buxhetin. Një ndër gjërat që është më kryesorja dhe më shpejt për t’u kryer është konviktet. Nëse ju shkoni dhe do shihni konviktet, nuk do e besoni që këto janë në Shqipëri dhe në këtë shekull. Kushte mizerabël. Unë për vete kam fatin dhe nuk kam ndenjur asnjë ditë, por kam shokë që thonë që janë kushte shumë të tmerrshme për të jetuar. Edhe për kafshët nuk është e mundur. Ndërsa ata jetojnë dhe duhet edhe të punojnë. Ju duhet të investoni. Unë e kuptoj fare mirë që keni edhe gjëra të tjera, por ju mund të lini fare mirë një rrugë pa bërë dhe mund të merreni me një gjë që është minimale për kushtet e jetesës.

Kryeministri Rama: E dëgjoj shumë shpesh këtë teori lër rrugët pa bërë dhe rrit pensionet, rrit shpenzimet. Kjo është një teori shkatërrimi ekonomik. Sepse çfarë kemi sot në xhep dhe e shpenzojmë sot, nuk e kemi më vitin tjetër. Ndërsa çfarë kemi sot në xhep dhe e investojmë, e kemi për shumë vite të tjera. Rruga sjell ekonomi. Investimet kapitale sjellin ekonomi. Nuk e them unë këtë, mos ta bëjmë kaq të thjeshtë.

Të marrim Francën, bëhet gjithë ajo protestë dhe digjet Franca, si e shpjegoni ju që nuk del President i Francës të thotë t’jua shtojë rrogat minimale nga 500 euro. Maksimumi i heq një taksë atyre që ua ka vënë, i jep 100 euro plus atyre që kanë nevojë. Si e shpjegoni ju këtë?! Në të gjithë Europën, ata që kanë rrogat më të ulëta ankohen pse nuk ia bëjnë ato qeveritë.

Si e shpjegoni ju që Shqipëria në vitet e fundit ka rritje pagash më shumë se vendet e tjera të rajonit dhe ulje taksash më shumë se vendet e tjera të rajonit? Shqipëria takson punën 5.5%. Deri tek rroga 1 500 000 lekë të vjetra, taksa është më pak se 10%. Fillon me 0 dhe 10% shkon tek 1 500 000 lekë. Në të gjithë rajonin është 9% e 10% që nga rroga më e vogël. Është shumë e thjeshtë. Nëse në Shqipëri, biznesi i vogël ka taksën më të ulët në rajon, do të thotë që i japim më shumë familjeve për konsum dhe e heqim nga buxheti.

Për konviktet ke shumë të drejtë. Në vitin 2015, në takim i kam kërkuar kancelares gjermane për konviktet. Sot ka filluar projekti me konviktet e Fakultetit të Inxhinierisë, do të shtrihet tek Qyteti Studenti dhe në ditën në vijim do të firmoset projekti, faza e tretë, me KFW. Është marrëveshje e vështirë, sepse KFW i ka futur tek projektet e eficiencës ekonomike. Ndërkohë do të financojmë dhe kemi filluar të bëjmë edhe riparimet emergjente edhe këtu. Ju nuk mund të thoni unë po rri te sheshi derisa kjo gjë të bëhet. Ju mund të rrini tek sheshi, por konviktet nuk mbarojnë ndërkohë që ju rrini te sheshi.

Student: Jam student i masterit shkencor në Agronomi dhe Agrobiznesit. Dua të shtoj edhe një gjë, vlera e diplomës tonë. Pse kemi kaq shumë juristë, sepse shumicës i është thënë po nuk pate shkollë të lartë, nuk ha bukë. Kjo edhe atë që nuk ka kapacitete e ka detyruar që të vijë në shkollë të lartë edhe provimet i ka marrë si i ka marrë dhe ndërkohë zhvlerëson njerëzit e aftë dhe diplomës së tyre i bie vlera. Edhe diferenca e pagës është shumë e papërfillshme, për të inkurajuar studentët që të mësojnë, në administratën shtetërore. Ju thatë gjithashtu, më gjeni një vend të botës ku ofrohet nga qeveria dialogu dhe nga protestuesit nuk ka reagim. Atëherë mua më lind një kundërpyetje. Më thoni ju një vend si Shqipëria, e cila ka një pozitë gjeografike mjaft të favorshme, që laget nga Velipoja në Sarandë me vijë bregdetare, që është në mes të dheut, pa luftëra ku emigrojnë njerëzit pafund. E fundit, ju thoni se studentët s’kanë besim. Atëherë filloni ju plotësoni disa pika që të ngrihet besimi. Nëse do të ishte mandati juaj i parë, dialogu do të ishte i menjëhershëm, por ngaqë jeni në mandat të dytë ka rënë besimi. Nuk besoj që është mirë të monopolizohet sinjali, do të ishte mirë që të kishte edhe TV të tjera. Dhe e fundit duhet të këtë një proporcion më të drejtë mes pyetjeve dhe përgjigjeve. Ne jemi studentë, nuk dua të ofendojmë moshën e tretë, por ne i kuptojmë gjërat, nëse ju jeni të qartë, mund t’i përmblidhni më shumë gjërat, ne ju kuptojmë shumë mirë. Kuptoj që mosha e tretë mund të mos i kuptojë, pa dashur të paragjykoj.

Kryeministri Rama: Faleminderit për moshën e tretë, por ngaqë jam mosha e tretë flas pak gjatë. Së pari, nuk është e vërtetë që nga Shqipëria nga 2015-2018 kanë ikur më shumë njerëz sesa nga 2010-2015. Shifrat nuk e thonë këtë. Po ashtu shifrat thonë që shqiptarët janë larguar masivisht që nga 1990 dhe jo vetëm në 5 vite e pak qe jemi ne, por në 7 vitet e fundit diferenca midis të ikurve dhe të ardhurve është 196 mijë vetë. Do një vend ku ikin më shumë? Kroacia. Nga Shqipëria, në vitin e kaluar janë larguar 26 mijë persona, nga Kroacia 55 mijë persona, vend në mes të Mesdheut, në BE dhe me më shumë të ardhura se ne. Vendet nuk dallohen nga ajo që kanë, dallohen nga ajo që dinë. Mund të jesh në mes të Mesdheut, tjetri në mes të shkretëtirës dhe është më i avancuar se ty. Është rasti i Izraelit.

Si mendon, për të bërë një shtet funksional në një vend ku të gjithë ishin mësuar t’ia hidhnin njëri-tjetrit, ku gjysma vidhte gjysmën tjetër dhe ku sot akoma thotë na janë rritur taksat, pse paguajnë drita? Vazhdojnë thonë kemi energjinë elektrike më të shtrenjtë në Europë. Është e pavërtetë, e shesim energjinë elektrike më lirë se në gjithë Europën, e shesim për familjet nën kosto. E paguan biznesi.

Jam shumë dakord me ty për vlerën e diplomës. Po kush i mbylli ato kioskat?! A ishin nja 30 mijë atje? Po ata të part-time sa ishin? Këtu shumica e bënë part-time, duke qenë full-time. Po vendosja e ligjit dhe autonomia? Po të bëhej shteti për 5 vite, unë s’do isha këtu duke folur me ju, por do isha duke dhënë mend si do mbrojmë botën nga ngrohja globale.

E fundit fare miku im, kjo botë nuk është as e frikacakëve, as e qaramanëve. Ju e keni parë rrugëtimin tim nëpër shtëpitë super të varfra, në shtëpi që çfarë shikoni ju në kamera nuk është asgjë, se janë shumë më keq. Në këto shtëpi kam gjetur fëmijë me të gjitha 10-ta. Si e shpjegoni ju këtë? Tre vajza duke mësuar njëra në këmbë, dy në divan, me ujin që futet në shtëpi, që mësojnë me çadër dhe prapë me të gjitha 10-ta. Duhet disa gjëra t’i shohim në sy, siç janë.

Për atë që s’keni besim, shumë mirë bëni që s’keni besim, sepse beso dhe kontrollo është ajo.

Sa për pjesën tjetër, këtu do jemi prapë, do shohësh edhe qeveri të tjera, edhe kryeministra të tjerë. Ti do shkosh në Gjermani dhe do kuptosh që bota është e trimave. Unë jam i sigurt që ti ke për të bërë sukses.

Studente: Jam studente në degën Agrobiznes, viti i dytë master. Më vjen shumë keq që po flasim për cilësinë e librave, apo për kushtet e konvikteve, do të doja që të ishim duke folur për cilësinë mësimore. Gjithsesi dua t’ju tregoj për një histori timen. Mbarova bachelor dhe doja të filloja punë. U mundova gjithandej, por më kërkonin diplomën e masterit. Edhe e vetmja punë që gjeta, më ofruan një rrogë qesharake prej 220 mijë lekësh në muaj, me 9 orë punë në ditë. Më mirë të punoja shitëse, punon më pak orë dhe paguhesh më mirë. Vendosa të marr kartonin e masterit po këtu në UBT. Fal një programi Erasmus shkova në Varshavë dhe atje ishte një sistem mësimor shumë efektiv. Ndryshe nga këtu që është 2 orë seminar dhe 2 orë leksion. Në seminar, 95% e studentëve nuk reagojnë fare, sepse nuk kanë mundësi të mësojnë. Unë do të dëshiroja që ashtu siç u reformua sistemi i mësimit parauniversitar, të reformohej edhe masteri. Do të doja që të zhvilloheshin 2 orë në për çdo lëndë leksioni dhe dy apo tre herë brenda semestrit takime të posaçme për të bërë pyetje pedagogëve. Unë nuk e di kush e ka në dorë, por vendosa ta shtroj. Ne nuk na intereson çfarë ka bërë ai para jush, apo keni bërë ju deri tani, më saktë, na intereson ajo që keni bërë, sepse kemi avancuar, por ajo që do doja unë është që të na jepni një afat kohorë brenda të cilit qeveria juaj është e gatshme të realizojë ato kërkesa që kemi bërë. Unë jam nga ato persona vizionarë që mendojë që Shqipëria do të bëhet dhe nuk dua të emigroj jashtë. Ju lutem na krijoni mundësitë që vazhdojmë të mendojmë se Shqipëria do të bëhet me ju dhe ne të gjithë bashkë.

Kryeministri Rama: Së pari besoj që në shtëpi, ju keni gjithmonë parasysh nga ka filluar dhe ku ka arritur përpjekja e prindërve. Kur unë përpiqem që ta fus në kontekst çdo gjë, nuk dua të fajësoj ata përpara, por dua t’ju them se është shumë e rëndësishme ta kemi në kokë nga vijmë, sepse nuk kuptojmë se ku mund të shkojmë.

Përsa i përket programit mësimor, nga këto dy ditë takime nuk kam dëgjuar asnjë gjë deri tani që të ketë faj ligji. Ligji thotë se programet mësimore i bëjnë universitetet. Dy orë kështu, apo dy orë ashtu, apo organizimin që thatë ju, janë çështje e universitetit dhe ligji thotë që duhet të mësojmë nga praktikat më të mira.

E dyta, ne kemi sot dy ndryshime të mëdha. Deri dje, prapë jam i detyruar t’ju them çfarë ndodhte deri dje, universitetet nuk kishin akreditim të cilësisë dhe bëheshin ca dokumente pseudoakreditimi në ministri. Ne kemi marrë kompaninë më të njohur ndërkombëtare, kompaninë angleze të akreditimit dhe ka bërë dhe akreditimin e universitetit tuaj. Tani, të gjitha janë të vërteta këto që thoni ju, por kompania angleze që nuk njeh as parti, nuk njeh as kushëri, nuk njeh as lek, as shok, as miq, për çudi këtë universitet, “për çudi” e ka nxjerrë me të dhëna pozitive. Patjetër ka lënë detyra, por e ka nxjerrë pozitiv që do të thotë që nuk është pafund nevoja për cilësi, por ama nga 5 vjet përpara, sot, ky universitet ka një ndryshim që nuk e them unë, e thotë kompania angleze e akreditimit. Kjo që thatë ju është ekzaktësisht çfarë duhet diskutuar në senatet e universitetit. Nuk është diçka që mund ta bëjë qeveria me urdhër. Duhet diskutuar në senatet e universitetit dhe tani më fal, një pyetje kam, ato këshillat studentor për çfarë i keni se unë nuk e kam kuptuar. Unë kam kuptuar që ato këshillat studentorë nuk funksionojnë dhe kam kuptuar dhe një gjë tjetër që këshillat studentorë përdoren si logo për të thënë, mos flisni. Ndërkohë që këshillat studentorë duhet të jenë vendet ku flisni ju me njëri-tjetrin.

Për pjesën e punës, përjashto studentët e familjeve të mirëqena, nuk ka student në Francë, në Gjermani, në Norvegji po të doni, që nuk punon dhe bëjnë punë  “qesharake”. Punojnë turne të treta, recepsionistë nëpër hotele. Masivisht studentët punojnë babysitter. Për shumë arsye, por dhe për një arsye, që shumë familje nuk ua japin të gjitha, u thonë “shko fitoi vetë”. Ndërsa ajo që preket pastaj mbrapa, aty pastaj keni shumë të drejtë që këtu problemi i besimit është një problem real sepse mbaroj shkollën unë, e jam shumë i mirë dhe nuk kam besim tek sistemi që garanton meritën. Shoh në tatime, shoh në dogana, shoh tek AHBR, njerëz që janë shumë më poshtë meje nga pikëpamja e formimit dhe unë nuk futem dot atje e këtë ne duam ta çajmë, duke përfituar nga protesta. Se po të them që këtë gjë ne po ta bënim më përpara, do çohej Komisioni Europian e do të thoshte kjo nuk bëhet, ndërsa sot ne përfitojmë nga protesta dhe i themi, më falni, këta studentët do t’i akomodojmë, në kuptimin do nxjerrim nga ai sistem ligjor disa porcione të administratës që tua lëmë në dorë studentëve më të mirë. Pastaj, duan të punojnë në administratë për të shërbyer në këtë shtet për të marrë eksperience pastaj për të vendosur a do vazhdojë në administratë apo do dali në privat, ta kenë këtë mundësi. Nuk duan, tjetër temë. Kjo është ajo që ne do përpiqemi të bëjmë.

Student: Kauzat që janë konkretisht për ne, për vitin e parë e këto 8 pika që ju po përpiqeni t’i zgjidhini por po largoheni nga to e po tregoni pika të tjera. Ka shumë pika e shumë kërkesa nga nxënësit që nuk do paraqiten aty, por meqë nuk është një dyqan kërkesash, ne kemi munduar që t’i mbledhim në 8 pika dhe ato 8 pika besoj i përkasin të gjithë universiteteve, jo vetëm bujqësorit. Ju thoni për disa ok, mund të zgjidhen pa dialog. Disa mund të kenë dhe dialog, atëherë na jepni besimin se nuk kemi besimin. Na kanë thënë të gjithë do bëhen, por s’kanë bërë asgjë. Na jepni besimin ju, që ne të vijmë të dialogojmë plotësoni kërkesat që nuk kanë nevojë për dialog. Jepni një letër, një dokument. Unë mendoj që edhe ju të reflektoni edhe ne të reflektojmë. Janë disa kërkesa që mund të ketë dialog, janë kërkesa që mund të zbatohen. Jepni zgjidhje disa pikave që dhe ne të kemi besimin. Ka dhe më shumë, padyshim që ka. Unë mendoj që duhet t’i japim zgjidhje disa pikave e të vazhdojmë me dialogun e me besimin që kjo do zgjidhet.

Kryeministri Edi Rama: Tani, një pyetje kam unë. Çfarë duhet të them unë më shumë që ju të kuptoni që mesazhi është marrë dhe që qeveria po punën për të gjitha këto. Si? Në çfarë forme?

Student: Nëse Karta e Studentit mund të bëhet, pse nuk dilni me një vendim? A thua e kam gati?

Kryeministri Edi Rama: Jo nuk thashë e kam gati. Ku e dëgjove? Nuk e thashë e kam gati. Ju thashë që në fillim që, ne po punojmë dhe afatet në këtë rast nuk jepen, afatet përcaktohen mbasi për çdo pikë bëhet analiza dhe vendosen, shihet sa kushton, merren parasysh edhe çfarë nga ana teknike mund të jenë të paparashikueshme e pastaj pasi i ke gati thua po, kjo do bëhet deri në këtë kohë, e kjo tjetra deri në këtë kohë. Unë nuk them mos protesto. Ti thua nuk kam besim. Mos ki besim, beso dhe kontrollo është kjo punë. Unë nuk po të them as ndaloni protestat. Unë fjalën kam dhe kur ju të më thoni mua, hajde ma thoni një gjë meqë nuk keni besim, më thoni një gjë që unë e kam thënë dhe e kam harruar apo nuk i kam mbajtur. Unë kam thënë në 2013 – që t’ju jap një shembull, – do bëjmë 0 imputet bujqësore për fermerët. Në vitin 2013. U deshën 5 vjet, por u mbajt këtë vit. Do kisha dashur t’i mbaja të gjitha përnjëherë, por nuk bëhen të gjithë përnjëherë. Asnjë nga gjërat që kam thënë nuk e kam harruar, asnjë nga gjërat që kam thënë nuk e kam lënë pas krahëve dhe asnjë nga gjërat që kam thënë nuk e kam bërë për të gënjyer njeri. Nëse në program një parti politike vendos 5%, nuk e vendos për të mashtruar njeri, por e vendos si ambicie për ta realizuar dhe ka gjëra që nuk realizohen. Pyesni prindërit tuaj, i kanë realizuar gjithë planet që kanë pas? Ka gjëra që nuk realizohen, por jo se janë bërë për të gënjyer njeri. Në këtë që thoni ju, problemi do ishte sikur unë të thoja, “shiko se nga këto 8 pika, katër bëhen”. Këtu dialogu duhet patjetër sepse për shembull, unë nuk di ta bëj atë, si bëhet ajo e peshës së votës? Ata që i kanë shkruajtur aty, mund ta kenë vërë që mos bëhet kurrë. Unë ju them që nuk e ka asnjë vend i botës, unë në dijeninë time. Ma gjeni ju në vend të botës që ta bëjmë dhe ne. Kurse për ato gjëra që janë në dorën tonë, patjetër për shembull. Ta them që sot. Kur i paguani ju tarifat? Në janar, nuk do i paguani. Ja po ta them sot. Në janar ju do të paguani 50% më pak të tarifës. A ta thash një, nëse në janar do ju kërkojnë e do ta verifikoni përpara, se mund t’jua kërkojë ndonjëri që t’ju hedhi prapë atje, t’ju sjelli tek kryeministria. Ju do refuzoni të paguani në janar tarifën më shumë se 50% të asaj që duhet të paguani. Kaq di t’ju them. Do ta refuzoni. Nëse do t’ju thonë “do e paguash”, do thuash “jo, nuk e paguaj”.

Student: Ne duhet të kemi një deklaratë…

Kryeministri Edi Rama: Deklaratë zyrtare nuk të bëj unë as ty dhe askujt. Dakord? Sepse ne jemi këtu partnerë.  Ti nuk më ke marrë peng mua që dashke deklaratë zyrtare. Unë jam këtu me zë dhe me figurë dhe po t’i them gjërat e po i dal për zot këtyre. Do deklaratë zyrtare që të shkosh të festosh vitin e ri që të them “shko festoje se më ke marrë peng”? Kjo nuk ndodh. Deklaratë zyrtare e historia të tilla nuk ka. Fjala është këtu dhe janari vjen tani. Unë ju them, nëse juve do ju thotë universiteti që nuk e ka bërë qeveria këtë, ju do paguani tarifat, atëherë bujrum hadjeni prap atje. Ja një gjë konkrete. Pra, se kur do ua paguajmë universitetit është puna jonë, ju nuk do e paguani. Ne mund t’ia paguajmë në fund të janarit, mund ta paguajmë në shkurt, por ju nuk do e paguani. Do bëjmë marrëveshje me universitetin, do themi “tarifat me gjithë studentët do jenë 50% më pak”. Ndërkohë, ne po punojmë për ata me 10- ta me 9- ta me ndihmë ekonomike dhe mbasi ta artikulojmë të gjithë këtë do ikim te universitetit do themi urdho lekët. Ca notash ke pasur kur ke ardhur këtu?

Studenti: Në gjimnaz 8.2.

Kryeministri Edi Rama: Me 8.2 ti do ta kesh më shumë se 50% pagesën tonë. Ja një pikë. Në janar keni provën. Po ju thanë lekët, nuk do e paguani. Në fund të janarit i paguani? Deri në 20 janar është zgjidhur kjo. Po deklaratë me shkrim ta harrosh ti. Nuk është premtim ky. Ky është angazhim konkret. Nëse ty do të thonë që do paguash më shumë se 50%, ti do marrësh megafonin e me vrap do vish poshtë kryeministrisë me gjithë mediat. Besoj që nëse ti e ke nga gjimnazi mbi 8, besoj që do ta kesh më shumë kontributin tonë sesa 50%, por jemi akoma duke i studiuar shkallët.

Student: Kisha një propozim që lidhej me universitetet. Nëse universitetet do të fillonin me 1 shtator e do të përfundonin me 31 maj, atëherë është koha e nevojshme, pra 3 muajt e verës pushim për studentët e studentët do të punonin e nëse do nënshkruheshin kontrata me vende të BE që këta studentë në periudhën e verës të punon andej, edhe mirëqenia e studentëve do të ngrihej e në këtë mënyrë do evitoheshin shumë gjëra. Ne këtu kemi një forum për mjedisin që është krijuar nga studentë shumë të mirë dhe me mbështetjen e pedagogëve tanë. Kërkojmë pak mbështetje për forumin tonë nëse e shihni të arsyeshme. Edhe profesorëve shumë faleminderit për mbështetjen.

Rektori: e mora fjalën në vijim të propozimit. Personalisht edhe unë do isha pro idesë së saj. Ne e fillojmë shkollën këtu në 15 tetor. Kur unë kam qenë student e fillonim shkollën në 15 shtator dhe jam i prirur të mbështes këtë ide që fillimi i shkollës duhet të jetë fillimi i shtatorit sepse kjo mundëson që tre muajt e verës studentët, që janë tre muajt e turizmit e kanë më shumë mundësi punësimi, i kanë të lira. Unë personalisht do të isha pro kësaj ideje.

Kryeministri Edi Rama: Ndërkohe që teoria është pak ndryshe, që duke e çuar në tetor, edhe shtatori hyn në sezon turistik dhe gjithë operatorët turistik insistojnë për këtë. Kjo është diçka që normalisht, edhe këtë vit sezoni ka filluar të zgjatet. Në shtator ka pasur shumë më tepër megjithatë do ta shohim. Ne kemi presion të madh për të bërë të kundërtën që të shtyjmë të gjithë shkollën për në tetor dhe të bëjmë dhe me Kosovën një unifikim të datës në mënyrë që të kemi gjithë shtatorin në dispozicion për turizmin.

Student: Ju thatë që nga janari do paguhet 50% mirëpo ne që jemi master shkencor të vitit të dytë, tani kemi paguar 3/4  e tarifës.

Kryeministri Edi Rama: Masteri është tjetër histori, të lutem. Masteri është tjetër gjë. Ne po bëjmë kalkulimet për ata që janë në ekselencë.

Student: Kisha dhe një pikë tjetër, meqë bujqësia dhe turizmi janë përparësi të qeverisë e ne jemi universiteti bujqësor që kemi dhe departament për zhvillimin e turizmit rural mendoj që i takon universitetit që të përfitoje fonde të dedikuara për këto dy sektorë për kërkim shkencor. Një kërkesë e kisha dhe për rektorin. A ka menduar ai për të siguruar fonde të tjera meqë universiteti është dhe pak i pavarur përtej atyre që merr nga qeveria dhe do më lejoni, kemi dhe zotin Mazniku  këtu që është nga bashkia. Unë vij këtu me autobusin e linjës së Paskuqanit. Unë banoj në Medrese. Mirëpo, siç duket ngaqë ne si universitet jemi fiks në kufirin midis bashkisë Tiranë dhe Kamëz, zihen dy kryetarë dhe e pësojmë ne sepse autobusi tashmë nuk na ndalon më tek rreth-rrotullimi, por duhet ë zbresim 300 metra më poshtë.

Rektori: Në vijim të pyetjes, është e vërtetë që çdo fund viti universiteti merr një grant nga qeveria që ka një destinacion të caktuar që është kryesisht dhe vetëm për pagat e ndërkohë që të gjitha investimet që janë bërë këto 2-3 vite, janë investime ekstra në fakt që ka bërë qeveria. Rruga kryesore nga hyrja, rruga pedonale që lidh hyrjen kryesore deri tek mjekësia veterinare, pjesa që lidhet me shpronësimet në universitet. Ish godina e rektoratit ku besoj vitin tjetër do jetë koha ku do transferohet rektorati. Pjesa e lulishteve, pjesërisht e qeveris dhe pjesërisht fond i universitetit. Natyrisht është e domosdoshme që ne të kemi fokus të qartë për të ardhurat shtesë që duhet të krijojmë. Ekonomike, didaktike, eksperimentale është ajo që jemi përpjekur ta konsiderojmë fond, por nuk kemi qenë të suksesshëm e ky është një problem që ne duhet ta zgjidhim. Edhe unë mund të kem dhe kam përgjegjësi, por jemi fokusuar që ekonomia eksperimentale të jetë një njësi eksperimentale për studentët, le të themi për zhvillimin e eksperimenteve, por të ketë qasje të qenësishme në drejtim të prodhimit të farave për fermerët shqiptar. Sigurisht, prodhimi farave do ishte shumë e rëndësishme. Kur unë kam qenë student në këtë universitet, se kam lexuar edhe ca që ma kujtojnë këtë gjë, në atë ekonomi eksperimentale arriti deri në prodhimin e gjeneracioneve të caktuara të misrit, të grurit, e të tjera. Jemi larg të qenit realisht në këtë linjë, por kjo do jetë një ambicie që duhet ta konsiderojmë.

Kryeministri Edi Rama: Faktikisht e kemi bërë këtë bisedë me rektorin që në fillim të mandatit të dytë dhe gjëja që unë mund t’ju them sot është që nëse universiteti do ketë një projekt serioz për ekonominë eksperimentale, ne do të bashkëfinancojmë dhe me burime të tjera. Kur erdha për herë të parë në universitet dhe takova rektorin, ishin ca dele atje që rrinin dhe mësova që ishin delet e universitetit. Tani të kalojmë nga delet e fqinjëve, tek ekonomia eksperimentale, ne jemi gati ta mbështesim këtë gjë ndërkohë që e thashë që ministria e bujqësisë dhe të gjitha ministritë do angazhohen falë kësaj nxitje që na dha kjo protestë, do angazhohen drejtpërdrejtë me universitetet më shumë dhe do ndërtojmë disa kanal bashkëpunimi.

Protestat kanë dhe një efekt tjetër që është si puna e këtij që tha bëj 300 metra rrugë. E tha 300 metra sikur bën 30 kilometra për të ardhur në shkollë mirëpo ato 300 metra rrugë që i bën me përtesë, nëse e gjëmon njeri nga mbrapa, e bën me shpejtësi. Ky është efekti i protestës për qeverinë. Kur të vjen dikush atëherë, reagon më shpejt dhe lëviz mendja më shpejtë për ti dhënë përgjigje, për ti gjetur zgjidhje.

Pedagoge: Jam pedagoge në këtë universitet dhe po ti referohesh pjesës së doktorantëve unë kam bërë master dhe doktoraturë në Itali dhe  në 20 vjet, këtu akoma nuk kam pasur doktorant për udhëheqje doktorature. Mund ta kem gabim, por nuk më rezulton që një pedagogu i bie 32 studentë si mesatare.

Kryeministri Edi Rama: Flas për situatën para 5 vitesh. 27 deri në 32 për të qenë i saktë.

Pedagoge: Me rregullat e reja që kanë dalë dhe shyqyr që ngrihet niveli dhe standardi, ne kemi një nivel minimal. Për shembull për të merituar titullin e profesion doktorit, një profesor i asociuar duhet minimalisht të udhëheqë dy doktorantë. Nuk e di se kur do më bjerë radha për ti pasur nën udhëheqje këta doktorantë. Unë shikoj nga ligji i arsimit të lartë që aplikimi për të pasur mundësinë për të pasur fonde për kërkimin shkencor bëhet nëpërmjet Agjencisë Kombëtare që është krijuar në varësi të ministrisë. Shoh diçka tjetër dhe personalisht nuk jemi të përfshirë, lëvizja është e studentëve, ne si pedagogë nuk jemi përfshirë në këtë lëvizje. Nëse ne do na kishin pyetur studentët, mbase do kishim shtuar diçka më substanciale në lidhje me ligjin. Ne si pedagogë i kemi bërë, jemi konsultuar me ligjin që kur ishte projektligj. Kemi bërë shumë vërejtje, nuk kemi qenë dakord për shumë nene, kemi bërë dhe ballafaqim me grupin që formuloi ligjin e arsimit të lartë. Na kanë thënë që do t’i reflektojmë, por ne nuk prisnim që të reflektonin shumë, pasi shtyllat kryesore të ligjit sipas nesh duheshin prekur. Në eksperiencën time, në asnjë universitet të botës, meqë flasim për autonomi, aplikimi i studentëve ose dhe menaxhimi i kuotave të studentëve bëhet nga një agjenci kombëtare. Sigurisht që shyqyr që është interneti dhe ministria duhet të ketë mendoj unë rol konsultativ. Ndërkohë që studentët, sipas dëshirave të tyre, mënyra më e mirë përsëri nëpërmjet portalit mund të aplikonin direkt në departamente meqë edhe ligji ia jep këtë kompetencë departamenteve.

Në 20 vjet që unë jam pedagoge, kam përshtypjen që autonomia e universitet është tkurrur, sidomos me anë të bordeve të administrimit dhe kam përshtypjen që të zgjedhurit nga ne kanë më pak kompetenca se më përpara.

Me financimet, është e vërtetë që ne kemi të drejtë të aplikojmë, por unë di që para dy vitesh kemi aplikuar e kanë qenë 250 aplikime për 10 projekte e këto kanë qenë. Kështu që nuk e di se si do ta financojmë ne kërkimin me këto. Unë të paktën kam pasur 0 financim për kërkimin. I vetmi që kam pasur është ai që kam marrë nga bursat italiane pastaj një bursë që kam marrë kur ka dalë për herë të parë fondi i ekselencës, kam fituar sepse kam enë në vitin e fundit të doktoraturës.

Nëse flasim për cilësi, universiteti jonë ka shumë për të bërë, nuk mund të krahasohet me shumë universitete prestigjioze, por di të them që universiteti jonë nga akreditimi që është bërë, ka dalë mposhtë se sa disa universitete private ndërsa nëse i referohemi institucionit të pavarur ndërkombëtar si ai i Spanjës, universiteti jonë në Shqipëri është i pari dhe distanca e universiteteve private nga ne, mund të jenë të dytët, por është distancë prej 4000 universitetesh në mes.

Ajo që më çudit, më korrigjoni nëse jam gabim, por di që me gjithë kolegët që kemi diskutuar, na është dukur e paarsyeshme fakti që kur është fjala për të financuar bursat e studentëve, po të shikohet, institucionet e arsimit të lartë, publike ose ju publike, trajtohen në mënyrë të barabartë dhe shyqyr që trajtohen në atë mënyre, por unë mendoj që shumë nga ne nuk kanë pse të marrin fonde publike, universitetet private. Nëse ata dolën në treg, mirë se të vijnë, le të na sjellin cilësi, le të na sjellin performancë. Mendoj që ky është një problem i ligjit dhe asgjë më tepër.

Rektori: Lidhur me shqetësimin që ngrini ju, shifra që u tha, më shumë se 30 doktorantë një udhëheqës, nuk është fjala për universitetin tonë, por edhe tek ne. Ka ndodhur një profesor ka pasur në udhëheqje 6 ose 7 doktorantë. Ky është një problem e duhet ta konsiderojmë, por unë nuk mbështes idenë që ne duhet të fillojmë patjetër me programet e studimeve të doktoratës, e për këtë arsye universiteti jonë ka dërguar  16 projekte për mbështetjen e shkollës së doktoraturës. Në vijim, ju bëj me dije që në vitin 2018, universiteti bujqësor ka 24 projekte. Erasmus, Ipa, të të gjitha programeve që ofrohen nga BE dhe nuk e di për departamentin ku jeni ju, cila është gjendja, por në tërësi universiteti ka kaq. 24 nuk janë shumë, por jo dhe pak realisht për të mbështetur sa ëhstë e mundur kërkimin shkencor pse jo dhe ndonjë doktorant. Në vijim të çështjes, por dhe pyetjes që bëri vajza më parë, lidhur me vlerën e diplomës. Universiteti është akredituar në vitin 2017 dhe është akredituar me cilësimin “shumë mirë” dhe ka konsideruar agjencia e akreditimit 5 indikatorë, nga të cilët në tre është vlerësuar shkëlqyeshëm dhe në dy është vlerësuar “shumë mirë” dhe në tërësi, akreditimi ka qenë në 4 vjeçar dhe në dijeninë time, janë dy universitete të tjera që janë akredituar me afat 5 vjet më shumë se sa universitetit bujqësor.

Ne kemi patur një mbështetje goxha të rëndësishme nga qeveria, dhe veç objekteve që përmenda pak më parë, universiteti tani në tërësi është në procesin e ndërtimit, – që është një gjë shumë e rëndësishme se këtu ka qenë han pa porta, – të murit rrethues të universitetit e para disa ditësh kur ika nga universiteti, më morën në telefon, u ktheva prapë se më kishin çuar informacion që këtu kishin filluar të lulëzonin përsëri kafenetë dhe në tërësi në kampusin e universitetit, sot është vetëm 1 kafene dhe shyqyr që kemi shpëtuar nga kjo.

Më lejoni t’ju them që programet e studimit, kurrikulat, por dhe diplomat që vijën prej tyre në mënyrë të veçantë ne kemi pasur dy suporte fantastik. Diplomat e fakultetit të ekonomisë janë suportuar nga USAID dhe kurrikulat e fakulteteve të tjera, janë mbështetur nga GIZ dhe në informacionet që kam unë, dal tek vlera e diplomës, të gjithë studentet që kanë transferuar studimet e tyre në SHBA, nëse këtu kishim bërë 45 lëndë, atje kanë filluar studimet me 42 ose 410 lëndë të likuiduara, kjo për mua është një vlerë dhe konsideruar akreditimin që është bërë. Ne sivjet, kemi ambicien e është marrë vendim senati e janë në proces akreditimi 18 programe studimi nga 43-44 që kemi ne në nivel universiteti e unë besoj fort në këtë gjë, që akreditimi i programeve të studimit është gjëja themelore që duhet suportuar, që duhet mbështetur, sepse kjo do mundësojë dhe rankimin e universiteteve sipas programeve të studimit.

Kryeministri Edi Rama: Ka një shprehje që thotë, “kur gënjeshtra bën xhiron e botës, e vërteta akoma nuk ka veshur pantallonat”. Profesoreshë, jo vetëm që nuk është dhënë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për universitetet private, por as ligji që ju i referoheni, nuk e lejon këtë gjë. Sa për dijeninë tuaj, asnjë qindarkë nga buxheti i shteti nuk ka shkuar për universitete private e ligji nuk hapur rrugë për financimin publik të universiteteve private. Kjo është një gënjeshtër me bisht, e cila ka marrë dhenë dhe përdoret si një nga akuzat kundër ligjit dhe kundër nesh që kemi bërë ligjin. Po, ligji jep mundësinë të gjithë aktorëve për të pasur akses në fondet e kërkimit shkencor. Të gjithëve pa përjashtim e kjo është gjeja më normale në botë, por edhe në këtë rast, nuk ka ndodhur. Asnjë qindarkë, zero. Kështu që unë e kuptoj që ju jeni viktimë e propagandës kundër ligjit dhe faleminderit që e ngritët sepse na jepni mundësinë që ta sqarojmë këtë gjë. E dyta, që lidhet me autonominë. Ju dhe kushdo tjetër, duhet të na thotë, në cilin aspekt është cënuar autonomia? Ju përmendët portalin. Portali është mekanizëm. Nuk është mekanizëm vendimmarrës. Portali është mekanizëm teknologjik që i vjen në ndihmë universiteteve. Kuotat i vendos universiteti, nuk i vendos as portali, as ministria. Portali bën vetëm alokimin në mënyrë dixhitale e portali ka shkatërruar korrupsionin dhe klientelën përfundimisht sepse portali nuk njeh e nuk di ta bëjë dallimin midis djalit të ministrit e midis djalit të bariut. Portali sheh të dhënat dhe i alokon studentët dhe fakti që në 2 vitet e fundit nuk kemi pasur një ankesë të vetme nga studentët se u është ngrënë haku e fakti që studentët falë kësaj reforme që ne kemi bërë, shkojnë në universitet dhe ulen tek vendi që u takon e nuk ulen tek vendi i tjetrit e as nuk i zë tjetri vendin që u takon, besoj që është një hap shumë i madh përpara.

E treta që është prapë e rëndësishme, fillimin e doktoraturave e ka në dorë universiteti, nëse janë brenda standardeve. Nuk e ka në dorë ministria, nuk e bllokon ligji. Nuk ka lidhje fare.

E fundit, ligji për arsimin e lartë është ligji më i konsultuar në historinë e legjislacionit shqiptar demokratik. Unë kam parë raportet e konsultimeve dhe është ligji për të cilin ministrja e arsimit, e cila si të gjithë mund të ketë të metat e veta, por ka virtytin e madh të dëgjimit e të këmbënguljes për të marrë konsensus nga të gjithë, ka konsultuar e ka marrë miratimin nga çdo rektorat, nga çdo dekanat kur e ka sjell në parlament, me shumë debate, me shumë diskutime, patjetër, por ama në fund fare, të gjithë rektoratet, të gjithë dekanatet kanë dhënë ok. Ky është një ligj që ne e mbështesim, pavarësisht se jo të gjitha gjërat që janë thënë janë marrë parasysh. Ligji është filozofikisht i shëndetshëm, eshtë revolucionar dhe është transformuar se nëse nuk do të ishte kështu, nuk do kishim marrë nga komisionerja apo komisionari për edukimin në BE gjithë ato komplimente për ligjin e arsimit të lartë në Shqipëri, i cili konsiderohet një nga modelet për tu marrë shembull në rajon profesoreshë. Kjo është e vërteta. Pastaj, moszbatimi, keqzbatimi, për sa i përket bordeve të administrimit, por ato kanë imponuar rregulla që nuk kanë qenë përpara e nuk është çështje autonomie por filozofie. Universiteti ka një administrator dhe rektorët e dekanët nuk duhet të merren me tendera, por me politika e me drejtimin akademik. Këtu zhvillohen luftëra për tendera. Jo, administratori si në gjithë vendet normale është personi që administron. Bordi i administrimit është i përbërë nga universiteti dhe nga qeveria, kontrollon dhe garanton dhe drejtimi pedagogjik është drejtim akademik. Imagjinoni ju, po marr shembull Osman Krajën të merrej me tendera? Se mund t’ju them shumë emra të tjerë rektorësh që ishin monumente lëvizëse në mjediset akademike. Imagjinoi ju që rektori i universitetit të Tiranës të bllokojë dekanatet për tenderin e rojeve të sigurisë? E imagjinonin dot që diskutojë këtu për autonomi e kërkim shkencor dhe ekonomi eksperimentale, rektori i universitet të Tiranës, lufton për të drejtën që të bëjë tenderin e rojeve. 6 milion euro harxhon universiteti i Tiranës, universiteti i Elbasanit dhe i Durrësit për roje. Gjithë sistemi mbrojtës i Republikës së Shqipërisë, ushtri, polici, kufi, radar është 200 milionë. Tani çfarë ruajnë këta? Çfarë studimesh kanë bërë këta e çfarë sekretesh bërthamore kanë këta në universitetin e Tiranës që u duhen kaq shumë roje? Industria e rojeve në Shqipëri, është industria më e çuditshme dhe kjo, protesta na çoi tek analiza, analiza na çon tek nevoja për të zbërthyer gjitha këtë industrinë e rojës. Të gjithë marrin roje. Këtu bëhej me dezhurn në atë kohë. Roje këtu, roje aty. Rektori i universitetit, anëtar në kushedi sa borde dhe tregon dhe çfarë po bën. Këto janë probleme që nuk kanë të bëjnë me ligjin. Kjo është një çështje që ligji çfarë do ju thotë? Duhet të shkruhet në ligj që rektori nuk duhet të zihet me dekanin për rojet? Ligji është shumë i qartë. Si mundet të merret rektori i universiteti me çelësin dhe diskutojmë tani kërkim shkencor? Ligji ka ndarë shumë qartë rolet. Rektorët, dekanët janë udhëheqës të politikave, të kërkimit por administrimi është administrim.

E tha rektori investimin për murin rrethues. Ne kemi bërë shumë investime të tjera këtu, kemi shpenzuar goxha, nuk e di sa vajti shuma e shpronësimeve. 700 mijë dollarë nga buxheti këtë vit i kanë shkuar atij universiteti për të zhdukur kafenetë atje, për ti shpronësuar. Kafene të ndërtuara pa leje në truallin e njërit prej universiteteve që dikur ishte pikë referimi në Europë, ia morën gjithë lulishtet, ndërtuan kafene, dhe i legalizuan e i bënë pronarë. Tani me të drejtë ju thoni lekët. Po si t’ja bëjmë atyre ne? 700 mijë dollarë pse mos i merrni ju për kërkim shkencor? Po duhet ti marrin pronarët, pushtuesit e universitetit për t’i hequr. Muri rrethues këtu nuk është çështje muri, është çështje jete ose vdekje e universitetit. Se u bë trualli këtu, vijnë ca dele andej, afrohen këtu. Nga ana tjetër, vijnë çobanët futen këtej. Pastaj vijnë konsumatorët dhe studentët nuk njohin dot njëri tjetrin dhe të gjitha këto investime janë investime mbrojtje për të çuar në një fazë tjetër universitetin. Mos diskutojmë në hava për ligjin. Kjo e financimit të privatëve është gënjeshtër me bisht, nuk e ka ligji, fare, nuk është dhënë asnjë lek për privatët e ligji po, krijon hapësirë për kërkimin shkencor edhe në universitetet private se edhe universitetet private kanë atje, së pari u kemi hequr të drejtën e të qenit ndërmarrje fitimprurëse, në kuptimin që ata janë të detyruar që ca fitojnë ta riinvostojnë atje, siç janë të gjithë universitetet normale në botë. E dyta, janë taksapagues ata, prindërit e atyre që shkojnë atje. Nuk ka këtu universitet të nënës e universitete të njerkës. Të gjitha janë universitet që i shërbejnë misionit të edukimit në republikën e Shqipërisë, të financuara nga shteti apo të financuara nga privati. Por standardet kërkohen njësoj, llogari kërkohet njësoj dhe aksesin në kërkimin shkencor do ta kenë njësoj patjetër.

Rektori: Faleminderit zoti Kryeministër. Faleminderit të dashur studente dhe pedagogë. Unë jam i përgjegjshëm për problematikat që ka universiteti, kam qenë dhe jam. Jam i gatshëm të konsideroj të gjithë problemet që ngritën studentët. Sikundër thashë, sot ne do të prezantonim ato që ne do të bëjmë, por sigurisht po u kthehem prapë këllqeve dhe mua nuk më mungojnë këto për t’ju thënë që kur të doni, dera ime ka qenë dhe është e hapur në çdo kohë dhe unë ju ftoj përsëri në këtë sallë për të prezantuar problemet tuaja e çfarë propozojmë ne për zgjidhje, sigurisht për çështje që janë kompetencë e universitetit.

Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Edhe një gjë të fundit meqë po na ndjekin dhe gjithë të tjerët. Brenda ditës së sotme ose nesër, ne do të hapim një faqe për dialogun dhe universitetin tek “Shqipëria qe Duam” ku dhe ata që janë këtu dhe mund të kenë meraqe për të shkuar edhe ata që nuk janë këtu dhe duan të marrin pjesë me opinione me ide, me kritika, me mendime, janë të ftuar. Një gjë kam, ata që shajnë mos thonë që pse na nxirrni jashtë nga faqja. Gjithë të tjerët janë të mirëpritur!

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.