Kreu Aktualitet Me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” – Dialogu për Universitetin

Me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” – Dialogu për Universitetin

316
0

Nga dialogu i Kryeministrit Edi Rama me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, mbi 8 pikat e protestës studentore dhe Paktin për Universitetin mes qeverisë e studentëve: 

Kryeministri Rama: Për të gjithë ata që rrinin jashtë dhe bërtisnin ju them shumë thjesht, që unë kam ardhur këtu të flas me të gjithë, por askush nuk ka status të veçantë këtu. Kush do të flasë si student është i mirëpritur dhe kushte këtu nuk vë dot njeri. Askush nuk ju ka ndaluar të hyni brenda. Shfaqjet me britma e me teatër sikur po ju ndalojnë, sikur po ju pengojnë, nuk janë argument. Dhe meqë në hyrje, ju që u futët bashkë me mua, meqë më thatë që është mbushur salla me gjimnazistë, unë po ju them ja ku i keni, nëse ka një të ri, apo një të re të vetme që nuk është këtu student apo studente, të dalë tani. Më tregoni një, meqë ju kanë mësuar të thoni janë futur gjimnazistët. Ku janë gjimnazistët këtu? Më tregoni një. Nëse ka, s’ka problem fare, të dalë dhe t’ju lirojë vendin.

T’ua kalojmë direkt fjalën studentëve.

Ne si studentë që kemi kaq shumë ditë që protestojmë, nuk kemi protestuar kot. Ne nuk jemi me parti politike, të paktën ne që kemi ndenjur atje në të ftohtë, në shi, që kemi përballuar gjithçka. Ne jemi dhe një pjesë e atyre që ju shikojnë juve si të vetmin njeri, të paktën për momentin, që mund të bëjë diçka për këtë vend dhe ju këtë protestë e keni keqkuptuar, sepse ne nuk kemi kërkuar të rrëzojmë qeveri, ne nuk kemi kërkuar të sjellim një parti tjetër politike në pushtet, apo gjëra të tilla. Ne kemi kërkuar disa të drejta shumë bazike për secilin prej nesh. Jemi në këtë sallë që është kaq e ngrohtë, kaq e mirë, sikur t’i bënim mësimet të gjitha në këto salla. Ne mungojmë në seminare, mungojmë në praktika, sepse më të shumtën e kohës jemi të sëmurë. As ngrohje, asgjë nuk ka. E nëse shkojmë në këto leksione, për çfarë mund të na vlejnë, sepse pedagogët që na mësojnë nuk dinë gjysmë fjale për vete, pa përgjithësuar, sepse ka nga ata që japin shpirtin nga vetja. Ju i keni 8 pikat të zezën mbi të bardhë. Që të bëhet dialog duhet dhënësi, mesazhi, kanali dhe marrësi. Ne të gjithë që protestojmë jemi dhënësi. Mesazhi janë ato 8 pika. Kanali është mënyra sesi ne kemi përzgjedhur që t’ua referojmë këto 8 pika dhe marrësi jeni ju. Ju duhet të thoni vetëm kaq, “po” ose “jo”. Nëse ju pranoni t’i bëni ato kërkesa, ne mund të ulemi në dialog e t’i diskutojmë si, qysh, tek, çfarë, pse e të gjitha këto me radhë.

Unë jam ngalës ekselent, me mesatare 9.2. Çështja kryesore është që ju i keni dhënë autonomi universitetit. Ne universitetit i paraqitëm 5 kërkesat tona si shkollë dhe këto 5 kërkesa janë aprovuar të pesta nga stafi akademik, më saktë nga Rektorati. Pra, çdo gjë është aprovuar. Fajin nuk e ka, siç ia keni lënë ju, universiteti. Mos është kjo një mënyrë për t’u shfajësuar juve? Keni krijuar një sistem ku po hapen kuota gjithnjë e më shumë në Tiranë dhe studentët po bëjnë mësim me turne. Këta studentë gjithmonë zgjidhen të parët për të shkuar në Tiranë. Çfarë është ky diskriminim? Kërkesat tona nuk ka për çfarë të diskutohen. Këto bëhen ose jo. Shumica prej të pranishmëve këtu ju kanë votuar juve, por kjo nuk do të thotë që të mos ngrihemi për të drejtat tona. Ju kërkoni dialog me ne, nuk pranoni pranimin e kërkesave, por kërkoni një dialog, siç ka ndodhur gjithmonë, se kur jeni në një takim ballë për ballë, ju të mbushni mendjen. Ne kërkesat tona i kemi paraqitur. Ne presim një përgjigje.

Kryeministri Rama: Së pari, është e qartë që askush nuk është i ndaluar të hyjë, ashtu sikundër askush nuk është i detyruar të rrijë. Ideja që ja ku janë 8 pikat, edhe thuaj po ose jo, se s’duam të dëgjojmë dhe për më tepër, ajo fjalia që ne s’flasim dot me ty, se ti të mbush mendjen, janë fatkeqësisht shprehje të paaftësisë për të përballur sfidën me mençuri dhe me argumente. Nuk çuditem nga kjo paaftësi, me thënë të drejtën, i ka rrënjët tek një sistem edukimi i dërrmuar për një periudhë të gjatë tranzicioni, që nga shkolla fillore dhe deri më sot.

Rëndësi ka që doli e qartë që këtu s’ka gjimnazistë. Këtu janë të gjithë studentë të universitetit dhe ata që janë në hyrje atje, s’kanë asnjë ekskluzivitet mbi protestën, mbi të drejtat, mbi liritë e të tjerëve. Janë thjesht një nga grupet e protestës. Protesta ka protestues që s’duan të logjikojnë, ka protestues që duan të logjikojnë, ka protestues që duan të bërtasin, ka protestues që mbështesin pa bërtitur. Por të gjithë këta janë për një qëllim.

Ju 8 pikat i dini, por pikat kanë në brendinë e tyre tematika të ndryshme. P.sh, një nga pikat është 50% të peshojë vota e studentëve në zgjedhjet e stafit të drejtuesve, dekanit, rektorit e kështu me radhë. Jemi dakord, po si t’ia bëjmë që këtë nuk e ka asnjë vend i botës. Me britma dhe me megafon do dalim prapë, të bëjmë vendin e vetëm në botë që eksperimenton në rrugë të reja. E bëmë njëherë dhe e pamë ku  përfunduam. Dialogu duhet për të kuptuar së pari që kjo kërkesë vjen nga një ndjenjë e madhe sëkëlldie e studentëve nga shumë gjëra që nuk shkojnë me drejtimin e universitetit. Por si adresohet kjo, me metoda megafoni “alla shqiptarçe”? E duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe do bëjmë gjëra që nuk ka asnjë vend në Europë?

Ose vijmë tek pika kyçe, që është ajo e tarifave. Përgjysmimi i tarifave të   universitetit për të gjithë. Pse për të gjithë? – lind pyetja. Njësoj është një student që vjen nga familje me ndihmë ekonomike, me një tjetër që i ka prindërit biznesmenë? Njësoj është si një që merr katra dhe është krenar, me një që merr 9-ta dhe 10-t? Shoqëria duhet t’i paguajë njësoj këta nga taksat e veta dhe t’i mbajë të gjithë njësoj me pekule?

Në dhjetorin e ’90-s, studentët dolën për të kërkuar kapitalizmin. Ndërkohë që këta që bërtasin dhe thërrasin sot, duket sikur po kërkojnë komunizëm. Kush flet është armik. Kush del nga radhët është tradhtar. Kush dialogun saboton. Ja ku i ke ultimatumet. Ultimatumi është 8 pika, plotësoji! Ka qenë një këngë e famshme polifonike në kohën e komunizmit për 8 pikat. Nuk jemi në atë kohë.

Patjetër që duhet t’i adresojmë këto. Unë jam shumë dakord edhe me ata që bërtasin jashtë dhe me ju që jeni këtu dhe me ata që nuk janë këtu, kur thoni që janë gjëra të rëndësishme elementare. Shumë dakord, por ama duhen diskutuar. Unë mendoj që duhet të kemi shkallëzim meritokratik tek tarifa dhe këtë nuk e vendos askush me dhunë, askush me kërcënime dhe me ultimatume. Me ultimatume dhe kërcënime, jo ata 40 veta atje, por të gjithë mund të dilni atje dhe të jeni të sigurt nuk do të fitoni asgjë. Vetëm do të humbni shkollën. Ndërkohë problemi është kur qeveria thotë “nuk dua të flas”. Por qeveria thotë dua të flas, jam dakord me të gjitha pikat.

Nuk ka asnjë pikë që në parim është e gabuar. Çdo pikë ka një arsye mbrapa dhe unë e pranoj këtë. Një gjë dua t’i them asaj vajzës dhe të gjithëve atyre që nuk janë këtu. Tha “e keni keqkuptuar protestën”. Në çfarë formë e kam keqkuptuar protestën, kur kam thënë që kjo protestë ishte një shuplakë për qeverinë? Që do të thotë që jo vetëm nuk e kam keqkuptuar, por e kam kuptuar më mirë se ajo vajza që bërtet. Sepse e kam analizuar shumë thellë “Pse”-në e këtij shpërthimi. Ishte një shuplakë për qeverinë, sepse qeveria ka përgjegjësi. Njëkohësisht këto janë gjëra që duhen shpjeguar dhe sqaruar.

Kush dëshiron mund ta marrë fjalën dhe të flasë. Këtu jemi për 8 pikat e më shumë se 8 pikat dhe për të nxjerrë nga kjo protestë si rezultat mësime dhe angazhime konkrete të gjithë palëve, jo vetëm të qeverisë, por të qeverisë, universitetit dhe studentëve, sepse pa  ju, shumë gjëra prapë nuk do bëhen.

– Kur do të largohet korrupsioni nga radhët e universitetit? Në rastin konkret pedagogu këtu na ka shkelur me këmbë, në moralin e studentit. Përveç librit që ka shitur pa pulla, pa licencë, pa asgjë, ka hedhur dhe firmat në librin tonë, ku është pasqyra jonë, ku ne shikojmë veten në ato libra , ai ka hedhur firmën më të madhe se libri. Ka korrupsion në kulm.

– Duke nisur që nga statuti dhe rregullorja, si dhe nga programi që ju keni bërë për Arsimin e Lartë, ne kemi nxjerrë 11 pika dhe kemi nisur në nivel fakulteti, duke qënë se nuk kemi patur mundësi dhe këto pika do jua adresojmë dhe rektorit dhe juve dhe jemi të gatshëm të dialogojmë dhe presim përgjigje nga ju. Njëkohësisht kemi marrë emra nga studentët e fakultetit tonë, ku shumica kanë qenë dakord.

 Jam student i  Drejtësisë, në nivelin master, viti i parë. Universiteti duhet konceptuar në mënyrën që të jemi të gjithë të barabartë dhe të marrim atë që na takon. Sot për sot, në universitet, në këto 4 vite që kam kaluar nuk besoj që shumica e studentëve ka marrë atë që ka merituar. Shkelen studentët me këmbë. Para disa kohësh u bë rikonstruksioni i godinës ku ne bënim mësim. Ka arritur afërsisht 300 mijë euro, siç thonë, me buxhetin që ka hartuar universiteti dhe nëse vjen sot – kemi mësim në orën 5, – ju ftoj të shikoni gjendjen skandaloze. Është shumë ftohtë. Ndonjëherë profesorët na largojnë sepse nuk rrihet aty. Dritaret janë jashtë çdo standardi. Gjithashtu studentët e fakultetit të Mjekësisë ku ne jemi, kanë marrë një godinë me qera  dhe paguajnë 6 mijë euro në muaj, që i bie 45 mijë euro në vit, në 9 muajt e shkollës. Si është e mundur kjo, që, megjithëse rikonstruktohet një godinë, ata të mos kenë mundësi të zhvillojnë mësimin aty, por të marrin godinë me qera me taksat tona? Në momentin që ju i keni dhënë autonominë universitetit, ndoshta duhet  të kishit ngritur dhe një bord që t’i mbikqyrte këto?

 Jam studente në master, viti i parë anglisht. Në radhë të parë ju falënderoj për prezencën tuaj këtu, pasi personalisht kam qënë pro dialogut dhe e kam shprehur këtë edhe në rrjetet sociale. Në vitin e parë në anglisht kemi disa lëndë të përsëritura që kërkojmë të na reduktohen dhe të shikohet mundësia e shkurtimit të masterit për ne. Në pikat që vijojnë për ata që u takon të paguajnë më pak në tarifën e tyre të shkollimit, nuk e kam gjetur veten time. Jam nënë me shumë fëmijë. Në familjen time jemi tre studentë, unë dhe dy fëmijët e mi. A futemi ne, në listat e atyre të cilët e meritojnë uljen e tarifës?

 Jam student në Fakultetin e Ekonomisë, dega Kontabilitet. Pikat e paraqitura nga studentët janë shumë të rëndësishme. Nuk jam për atë që thoni ju, që një person që është me 4-ra, një i 7-s dhe një që është me 10-ta e ka shkollën falas. Po u ulën tarifat le të ulen për të gjithë si fillim dhe vërtetë që do të bëhet ajo ndarja më vonë, por kjo është e rëndësishme për ata që janë familjarë me dy apo tre fëmijë, që janë të tre studentë, pse të mos rimbursohet të paktën 1. Pastaj pjesa me gjysmë ulje apo ulje e plotë, këtë nuk e vendosim ne. Ne duam një ulje sadoqoftë, por ulje në këto pagesa, sepse nuk na jepet shërbimi për ato lekë që paguajmë. Ne paguajmë  një pagesë sadoqoftë, por kthimi nuk është i mirë. Kushtet e universitetit janë shumë në rregull. Gjithashtu, a do të njihet ajo diploma ime, se pedagogët, atë që kanë mundësi këtu po e bëjnë, për mendimin tim.

Kryeministri Edi Rama: Jam shumë dakord që në fillim, që tarifa duhet dhe do të paguhet nga shteti, sepse tarifa është kosto. Por buxheti i shtetit, taksapaguesit e këtij vendi do të paguajnë një pjesë të tarifës tuaj. Sot, taksapaguesit e këtij vendi paguajnë 75 % të kostos të studimit tuaj. Tarifa jonë është mesatarisht 25% e kostos dhe kur flasim për shërbime më të mira, këto shërbime krijohen jo duke paguar më pak. Nuk mund të thuash që të paguajmë më pak, sepse nuk i kemi shërbimet e mira dhe shërbimet të përmirësohen. Në janar, askush nga ju nuk do të paguajë siç ka paguar deri tani. Edhe për ata me 4 do ta paguajë shteti. Shteti nuk është qeveria. Buxheti i shtetit është buxheti i prindërve tuaj që paguajnë taksa dhe të gjithë të tjerëve që paguajnë taksa dhe atyre nuk u them dot që ata me 4 do t’i financojmë ne, të rrinë në shkollë 10 vjet. Për këtë vit po. Vitin tjetër akademik të dali nga ajo zonë dhe të ngjitet më lart, nëse e duan kontributin e shoqërisë. Nëse duan të hanë dhe të pinë qyl në kurriz të familjeve, për të marrë 4-ra dhe kur të dalin nga universiteti, të mos i duhen as vetes dhe as shoqërisë, këtë mund ta bëjnë nëse jua lejojnë prindërit e tyre. Por qeveria nuk mund të marrë përsipër që të marrë lekët që duhen për të bërë të tjera gjëra dhe t’ia japë atyre. Por në fazën e parë, për t’i dhënë të gjithëve një stad të barabartë, unë mendoj që atyre me 9-ta dhe 10-ta t’i paguhet tarifa 100% nga shteti dhe t’i jepet dhe një bursë. Atyre që janë me 8 deri në 9 t’i paguhet 75%. Atyre që janë me 6 deri në 8 t’i paguhet 50% e tarifës. Ata me 4-ra dhe 5-s të bëjnë si të bëjnë vetë. Kjo e gjitha vlen për vitin e ri akademik.

Në qoftë se e keni paguar gjysmën, nuk do paguani gjysmën tjetër. Kështu mendoj unë është rruga e duhur. Sa për ato historitë se do dalim prapë në janar, ju veproni si të doni. Ne do t’i përgjigjemi jo vetëm 8 pikave, por edhe shumë çështjeve të tjera. Prandaj duhet dialogu, se në të gjitha bisedat që kam bërë edhe individualisht,  edhe me grupe, shumë thonë që nuk janë tek 8 pikat. Edhe këtu, ata që folën, shumë gjëra që thonë nuk janë tek 8 pikat. Nuk ekziston t’i çosh qeverisë ultimatume, se qeveria nuk është dyqan. Nuk është amazone.com dhe porosit. Ndërkohë që 13 ditë kanë humbur kot, se dialogu është shumë i  rëndësishëm.

Ne ketë gjë e kemi marrë shumë seriozisht. Sot do të publikojmë online tek Shqipëriaqeduam.al, një faqe të posaçme, me të gjithë ecurinë e kësaj pune. Secili mund të bëjë komente, secili mund të japë opinione dhe ne do të përgatisim një dokument konkret, që do të jetë një pakt për universitetin me studentët dhe pedagogët bashkë. Të gjithë duhet të kontribuojnë.

Plotësimi i pikave kërkon dialog, kërkon analizë, kërkon vendimmarrje dhe kërkon kohë realizimi. Është një sistem i tërë që duhet ndryshuar hap pas hapi. Djali thotë se ku do shkoj unë, pasi të mbaroj shkollën. Kjo është pyetja më e rëndësishme. E kësaj pyetjeje, një shoqëri dhe një shtet i përgjigjet që nga mënyra sesi ndërton sistemin universitar. Shqipëria fuste në universitet 10 mijë veta në vit deri në 2009 dhe godinat ishin po këto. Në 2009 u mor vendimi të shqyhen dyert dhe dritaret dhe të futen 30 mijë veta në vit. Imagjinoni sikur në shtëpinë ku ju jeni sot, të vijnë dhe tre familje të tjera. A mbetet më vend për të pretenduar për kushte më të mira? Atëherë duhet zgjeruar shtëpia dhe duhet ndryshuar organizmi i brendshëm, por kjo kërkon kohën e vet. Mos harroni që ne këto i financojmë me taksa. Por mos harroni edhe që jemi vendi që ka taksën më të ulët mbi punën. Këtu ankohen të gjithë kemi shumë taksa dhe kryesisht ankohen ata që nuk paguajnë. Taksa e punës në Shqipëri është 5.5 %, pra, taksa mbi të ardhurat personale. Kurse në rajon është 10%. Kështu e kishim edhe ne deri para 5 vjetësh dhe vendosëm ta ulim. Vendosëm që një pjesë të parave të mos ia marrim familjeve për buxhetin, por t’ia lëmë familjeve për konsumin. Biznesi i vogël e ka 0-5% nga 10% që e kishte dhe llogaritej biznes i vogël, çdo biznes deri në 80 mijë dollarë xhiro në vit, sot e kemi deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit 5%. Nga dalin këto para për t’i bërë të gjitha?

Shqipëria e takson punën 5.5%, Gjermani e ka arsimin me akses të barabartë për të gjithë dhe e takson punën 48-52%. Këtu akoma llogaritet si taksë pagesa e dritave. Drita nuk është taksë, por ti blen një mall dhe e paguan.

Është shumë e rëndësishme që t’i marrim angazhimet konkrete.

 Jam nga departamenti i Drejtësisë. Është shume e vërtetë që ne paguajmë taksat në ato përqindje që dhatë ju, por në Gjermani mund të marrë 100 mijë lekë, 90 mijë lekë e mban për vete dhe atë pjesën tjetër e paguan taksë, ndërsa këtu, ne e kemi të kundërtën, 90 mijë lekë i paguajmë taksa, drita ujë apo të tjera dhe çfarë na ngelet pastaj, po pati për të ngrënë, do e paguajmë për të ngrënë. Shqetësimi që doja të ngrija është që vërtetë ju vini këtu dhe kushdo që ka ardhur shpreh pjesën e vet politike. Ne ju bëjmë pyetje dhe ju jepni përgjigje politike, që në fakt nuk jepni përgjigje për ne.

Kryeministri Rama: Nuk po jap ndonjë përgjigje politike, por më thuaj t’i konkretisht, pikën e parë si e plotëson.

 Unë do ta shfuqizoja ligjin e Arsimit të Lartë. Unë kam ardhur këtu si maturant dhe kam tre vite që studioj për Drejtësi dhe s’doja fare të studioja për drejtësi, por doja sociologji. Nuk është fare faji im që vazhdoj një degë që nuk e dua. Vërtetë mund ta kem mesataren 9.1, motra ime është këtu e ka 9.7, ne paguajmë nga 200 mijë lekë taksë, nga 200 mijë lekë për librat. Prindërit janë pa punë, mund ta vërtetojmë shumë thjesht. Nuk marrim as ndonjë lloj subvencioni, asgjë tjetër. Vijnë studentët këtu dhe ju i quani komunistë.

Kryeministri Rama: Së pari, ku e dëgjove që ju thash komunist juve? Unë thash në 1990 kërkuan kapitalizmin, sot bërtasin sikur kërkojnë komunizmin. Së dyti, jam shumë dakord me ty që shumë gjëra nuk shkojnë. Por, nëse më thua që është njësoj ky vend ku jemi sot me përpara 5 viteve, atëherë mendoj që e ke gabim. Apo nëse më thua që Vlora është njësoj siç ishte.

Unë nuk jam në këtë punë se nuk di të bëj punë tjetër, as kam ardhur këtu për të bërë sikur të dëgjoj. Unë jam në këtë punë sepse besoj në këtë që bëj dhe besoj që ky vend bëhet, por nuk bëhet duke kërkuar çdo gjë nga shteti.

Ka probleme universiteti, patjetër, por nuk mund të më thuash që është ai që ka qenë. Ti thua që dua të shkoj në degën që kam qejf, por ku e ke parë në ndonjë vend të botës që studenti shkon ku ka qejf e bën çfarë ka qejf. Këtu nuk ka magji. Për të bërë Shqipërinë që t’i përgjigjet shpresave të gjithsecilit, duhet vizion, punë, sakrificë, durim. Dhe këto të katërta nuk janë llaf goje.

Shqiptarët nuk filluan të ikin në 2013-tën, por që nga 1990-ta. Jetojmë në një vend që jo unë, por edhe një superfuqi të zbresë nuk e bën dot Shqipërinë si Gjermania dhe konkurruese me Gjermaninë, as për 5 vite, as për 10 vite. Për ty si i ri, Shqipëria mund të ofrojë atë që është në maksimumin e saj për të ofruar, nuk mund të të japë ty Gjermaninë. Është shumë kollaj të thuash që këta janë të gjithë njësoj. Por po t’i marrim gjërat me fakte, jo me politikë, krahasuar me ku ishim, jemi ku e ku dhe krahasuar me ku duam të jemi, patjetër jemi ku e ku. Por si do shkojmë aty ku duam të jemi? Me vizion, punë, sakrificë, durim.

Dëgjoja në TV një vajzë nga ky universitet që thoshte pse të bëhej lungomare, të paguhen tarifat tona. Ta thuash këtë, do të thotë të mos kuptosh “A-në”. Lungomare krijon ekonomi, punësim, turizëm. Investon sot dhe e ke aty për 100 vite, ndërkohë që paratë e lungomares, nëse i shpërndan dhe i bënë rrush e kumbulla sot, nesër nuk ke as lungomaren, as paratë.

Keni vënë 8 pika. Nuk dijet se kush jua ka dhënë dhe si jua ka dhënë, po kjo s’ka rëndësi. Unë them që janë të realizueshme brenda arsyes. Ultimatume nuk ka, nuk funksionojnë. Për tarifat, siç e thashë, shumë shpejt do ta bëjmë publike dhe zyrtare, por duam t’ju dëgjojmë.

 Ju kam ndjekur në çdo dalje tuajën dhe nuk kam marrë ende asnjë përgjigje reale dhe konkrete. Në Universitetin e Vlorës janë mbyllur 5 degë që ju vetë i keni quajtur prioritare, si inxhinieritë. Si e shpjegoni këtë? Para 5 vitesh kanë qenë rreth 5 mijë studentë dhe numri ka rënë ndjeshëm.

Kryeministri Rama: Më thuaj çfarë është konkrete. Tek tarifat jemi në rregull?

 Po, shumë në rregull.

Kryeministri Rama: Keni kërkuar transparencën e buxhetit të Ministrisë së Arsimit dhe universitetit, më thuaj çfarë kërkoni konkretisht nga unë?

 Janë 8 pika. Çfarë ka për diskutim?

Kryeministri Rama: Si t’ia bëjmë pikës së tretë, që ju kërkoni 50% peshë vote në zgjedhjet e universitetit? Përgjigjja ime është dakord, por nuk e kam gjetur në asnjë sistem universitar, apo global. Po të them jo, më thoni nuk na plotësoi pikën. Tani ejani ta diskutojmë si mund ta adresojmë.

Vijmë tek Bordi i Administrimit. Edhe këtë nuk e ka asnjë vend i planetit. Si ta bëjmë? Një ide që kam unë është që qeveria duhet t’i shkarkojë të gjithë dhe një nga 4 anëtarët që ka, të jetë propozim i studentëve.

Përsa i përket mbylljes së degëve, në këndvështrimin tim, sot dhe për shumë vite të tjera do vazhdojmë të paguajmë krimin politik të bërë me universitetin. Në vitin 2009 u shpërthyen dyert e universiteteve, pa menduar ku do i punësojnë pas studimeve. Çfarë kuptimi kanë degë, që të gjithë studentët e kurseve kishin mesatare 5.1, 5.2, 5.5. Një nga arsyet është kjo, që janë mbyllur shumë degë gjithandej. Për ju konkretisht e di rektori.

Rektori: Bëhet fjalë për degët Matematikë dhe Kimi që nuk janë mbyllur, por nuk ka regjistrime në vit të parë për këto degë.

Kryeministri Rama: Kemi pas një sistem që ishin universitetet private dhe part-time. Dhe këto janë pastruar.

 Jam student i degës së Drejtësisë. Do doja t’ju pyesja në lidhje me dy pika. Karta e Studentit dhe kushtet në konvikte. Unë jam pro dialogut, por mendoj që në këto pika duhet një investim i qeverisë dhe jo një dialog me studentët.

Kryeministri Rama: Patjetër, tek Karta e Studentit diskutimi nuk është a dihet bërë, apo jo, por duhet të merremi vesh çfarë kuptojmë me Kartën e Studentit dhe deri kur mund të bëhet. Sepse këtu ka një lojë. Edhe ata që dolën jashtë janë viktima të kësaj loje. Është lojë e atyre që duan ta përdorin këtë protestë për qëllime të tjera.

Nëse këto përdoren në mënyrë të njëanshme nga qeveria, në mijëra njerëz do dali një grup që do thotë që s’janë këto, janë ndryshe. Dialogu duhet për të kuptuar bashkarish se çfarë kuptojmë me pika të plotësuara dhe kur do të plotësohen. Meqenëse ju duket sikur unë vij këtu dhe bëjë monolog, dua t’ju them që këto që thuhen këtu zbardhen kur shkojmë në Tiranë dhe për çdo pikë ka një grup pune që merret që ditën e parë.

Ne do ta nxjerrim sot, në një faqe, seksionin, për të shtuar ju kërkesat tuaja për universitetin tuaj në veçanti dhe pjesa e universitetit në përgjithësi. Kur të dalë dokumenti, ju do ta merrni dokumentin dhe do shikoni edhe angazhimet për 8 pikat dhe angazhimet e tjera për universitetin në tërësi dhe angazhimet për Universitetin “Ismail Qemali” në veçanti dhe me afate. Afate, të cilat do të jenë të lidhura me mundësinë. Jo thjeshtë një fletushkë elektorale, por angazhime me afatet përkatëse. Një nga angazhimet do ta merrni edhe ju që ju të gjithë që jeni përfshirë në këtë proces duhet të bëheni pjesë e këtij pakti. Këshillat studentorë i keni për faqe të zezë. Senatet duhet të funksionojnë ndryshe. Ligji i ka.

Për Kartën, ne po bëjmë të gjithë punën e nevojshme dhe kur të dalë, do ta keni aty të shkruar, për Kartën e Studentit do fillojë të shpërndahet në filan muaj.

Për pjesën e kushteve, e njëjta gjë. Por ne jemi qeveria e parë që kemi filluar investimet në konvikte me qeverinë gjermane.

Edhe pasi të dalë kjo, do të shikoni që do dalin këta të partive dhe do thonë që jo nuk u plotësuan. Prandaj, unë dua t’i dal borxhit të gjithëve dhe t’ju them në fund, kështu ju kuptuam, kaq mund të bëjmë. Pastaj kush do të rri në rrugë, le të humbë shkollën.

– Unë jam në bachelor, Fakulteti i Ekonomisë për Financë. Së pari, di se Shqipëria renditet në një nga vendet me një zhvillim shumë të lartë si në turizëm, industri, bujqësi dhe sistemi i arsimit është në një nivel të mirë, duke parë që shkolla nxjerr përditë shumë student të mirë, por problemi qëndron se këta student nuk investojnë për të ardhmen e tyre në Shqipëri, por largohen. Po ju përmend rastin e infermierëve.

Kryeministri Rama: Nuk jetojmë në komunizëm. Jemi një vend i lirë, ku njerëzit janë të lirë të ikin e të vijnë. Ajo e infermierëve nuk është ashtu siç e thua ti. Kemi 4 mijë e disa qindra infermierë në listë pritje për të hyrë në punë. Ndërkohë në Shqipëri ka 12 apo 13 mijë infermierë që punojnë sot. Nuk kemi mungesë infermierësh. Patjetër që ka infermierë që aplikojnë në Gjermani, sepse Gjermania ka hapur tregun dhe kërkon infermierë. Ku është problemi?! Ndërkohë që Shqipëria nuk ka mungesë për infermierë. Sistemi është plot me infermierë. Nga emigracioni, popujt nuk kanë humbur kurrë, vetëm kanë fituar. Patjetër që ne duhet të bëjmë çmos që burimet cilësore t’i motivojmë të rrinë këtu. Një nga gjërat që ne do bëjmë, që nuk e keni kërkuar fare ju, është që do të hapim një rrugë të shkurtër punësimi në administratë për ata që janë me 9-ta dhe 10-ta. Ju nuk e keni kërkuar fare, por e bëj unë si protestues që plotësoj boshllëqet e protestës.

  Unë jam një studente e Fakultetit të Shëndetit Publik, nga dega Infermieri Mami. Problemi konsiston te transporti. Ne sivjet i bëjmë praktikat te spitali i Fierit. Ndërkohë që unë e kam spitalin e Vorës 15 minuta larg me këmbë dhe më kanë caktuar atje. Problemi qëndron te kosto. Është një kosto e papërfillshme për dikë që ka një rrogë të majme, por për mua, një 2 mijë lekësh nuk është pak. Kam dy prindër pensionistë, ndërkohë që kam mamanë të paralizuar dhe nuk merr as KEMP, as ndihmë sociale, sepse ka një vit mungesë siguracioni, një ligj absurd, mendoj unë. Unë nuk e përballoj dot këtë kosto.

Kryeministri Rama: Ja pse duhet dialogu. Në këtë proces bashkëbisedimi dalin shumë gjëra që ndryshe nuk do dilnin në pah. Çështjen e praktikave mësimore për arsye të ndryshme, jo kjo që ju thoni, por edhe për arsye të kostove të transportit e kam dëgjuar edhe nga të tjerët. Është një nga çështjet që ne e kemi shënuar dhe do ta adresojmë. Për rastin konkret të nënës tënde, unë pa asnjë ngurrim të them të shkruash te platforma www.shqiperiaqeduam.al dhe për 10 ditë do marrësh përgjigje. Nëse i takon do marrë të drejtën, nëse nuk i takon do marrë përgjigje pse nuk i takon. Ashtu siç e thua ti, mua më duket që i takon. Megjithatë kjo është një gjë për t’u parë nga ana ligjore, sepse është kollaj të themi “ligj absurd,” por këto ligje nuk janë absurde, këto ligje janë të nevojshme që brezi tjetër të mos ta pësojë siç e keni pësuar ju për shkak të punëve dhe gjërave që nuk u bënë 20 vjet përpara. Sot, në arsim ne po korrim atë që është mbjellë 20 vjet përpara, që mos keni iluzione se këto janë histori që filluan dje. Do ishte gjëja më e kollajshme, nëse ky do ishte një problem i krijuar nga kjo qeveri, nga unë dhe gjëja më e kollajshme në botë, ikën qeveria, merrni doktoreshën e shkencave, Monika Kryemadhi kryeministre dhe e shikoni mirë ju pastaj se si do t’u zgjidhen këto probleme. Por lavdi inteligjencës tuaj, e keni kuptuar që kjo nuk është një çështje që lidhet me këtë qeveri. Sigurisht kjo qeveri ka kusure. Ato kusure sigurisht nuk do ishin kaq të ndjeshme për mua, nëse ju s’do na kishit dhënë një shpullë të merituar me këtë protestë, por në të njëjtën kohë duhet ta kuptojmë këtë, ky është thelbi, që çfarë sot korrim, e kemi mbjellë 20 vjet përpara. Çfarë do korrim pas 20 vitesh, po e mbjellim në këto vite. Patjetër nuk zgjidhen dot të tëra. Kush është ai kryeministër që nuk do t’i bëjë të gjitha?! Por unë nuk mund t’ju gënjej, nuk mund t’ju them “po, kjo bëhet”, sepse gjërat që s’bëhen, s’bëhen.

 Nesër pasnesër, në një të ardhme jo të largët, unë do dal si infermiere. Doja të dija nëse do kem një treg pune të ardhshëm, do ta kem të hapur, apo jo, sepse nuk dua të shkoj në vendet europiane. Dua që t’i hedh rrënjët e mia këtu, te atdheu im, sepse dua të kontribuoj për vendin tim.

Kryeministri Rama: Ajo që po korrni ju sot, po korrim ne dhe fatkeqësisht po paguani ju, është pikërisht ajo që thashë, një sistem, i cili ka filluar të korrigjohet gradualisht. Unë do kisha dashur që të zhvillohej në mënyrë më tronditëse, por do të ishte e pamundur, sepse shumica do kishin dalë rrugëve dhe do kishin thënë ne nuk e pranojmë që të mos shkojmë në universitet. Por ajo që është e domosdoshme është që të fillojmë që kuotat dhe investimet për studentë të lidhen më shumë me tregun e punës. Si infermiere po të them, një gjë ka ndryshuar. Sigurisht që ti, pasi të mbarosh shkollën, nuk ke nevojë të futesh në LSI për t’u bërë infermiere, as në Partinë Socialiste. Deri dje ishte futu në partinë e kujt ka Ministrinë, apo si është ndarë tepsia, që të bëhesh infermiere. Sot, ne kemi portalin (Infermier për Shqipërinë) konkurrojnë të gjithë bashkë, marrin pikët dhe sipas pikëve futen në punë. Meqë je në spitalin e Fierit me praktikë, aty ke disa vajza infermiere që janë futur në punë nga portali. Kështu që do konkurrosh, nëse je e zonja ka vend për ty, nëse të tjerët janë përpara teje, do presësh. Si mendoni ju, që edhe në Gjermani, mbarojnë universitetin dhe të gjithë mezi i pret shteti t’i fusë në punët ku ata kanë marrë diplomën? Kudo është kështu. Pashë një emision në “RaiTre”. Ishte një gjë e pakonceptueshme, nuk e besoja dot që të ndodhte në Itali, 15 mijë studentë që kishin mbaruar shkollën për 30 e ca vende pune në sistemin shëndetësor.

Studente:  Jam në vit të tretë dega Kontabilitet. Lidhur me tarifën e studimit jam dakord që jo të gjithë studentët të paguajnë njësoj. Po të shikosh lokalet ngjitur me universitetin janë plot me studentë dhe fshihen pas nesh që jemi tani këtu. Pse duhet të paguajnë ata njësoj si ne, ata që mezi marrin 5-ën dhe kur nuk e marrin 5-en, shkruajnë atje të JOQ “pedagogu kështu, pedagogu ashtu. 250 euro, 300 euro”. Unë jam në vit të tretë dhe kokërr leku nuk kam paguar dhe ju them pedagogëve që më kanë dhënë mësim, faleminderit për të gjithë mbështetjen që më keni dhënë dhe kur kam qenë të 8-ta, ma kanë çuar 9.

Kryeministri Rama: Kërkesat janë të drejta, se i thotë një me 4-ra, se i thotë një me 10-ta, kjo është e dyta. Sigurisht që unë e di se si më mban vendi kur më del ndonjëri përpara që s’ka marrë një 5 në jetë të vet dhe më tregon se si do t’i fshijë partitë politike nga faqja e dheut nëse nuk i plotësohen kërkesat. Megjithatë, rëndësi ka që kërkesat janë të drejta dhe këto kërkesa duhet plotësuar dhe do të plotësohen. Këtu ka një problem të madh, që është real. Të thonë studentët ne nuk flasim, të çohet ai djali atje dhe të thotë unë nuk rri më këtu se ti më mbush mendjen, është çmenduri. Ndërkohë që unë për fat të mirë në këtë rast nuk jam kundër, se mund të isha kundër, por jam komplet në anën e studentëve për kërkesat që kanë. Ama t’i bëjmë gjërat siç duhet, t’i vendosim angazhimet siç duhet dhe të kuptojmë të gjithë që sot jemi në kushtet kur korret ajo që është mbjellë para 20 vitesh. Ligji i Arsimit të Lartë, s’ka ligj perfekt, por nuk është problemi. Ligji i Arsimit të Lartë i adreson të gjitha këto çështje. Autonomia, dakord nuk ka funksionuar, por a mund të themi që ka funksionuar si duhet demokracia në Shqipëri?! Atëherë do heqim demokracinë? Autonomia nuk ka dhënë rezultatet siç duhet, sepse është marrë si liri pa përgjegjësi. Universitetet kanë marrë lirinë, por nuk kanë ushtruar të gjithë përgjegjësinë. Përgjigja nuk është t’i heqim autonominë, përgjigja është të forcojmë mekanizmat për kontrollin e autonomisë dhe këtu studentët duhet të kuptojnë që roli i tyre nuk mbaron me protestën. Duhet të kuptojnë që roli i tyre si studentë ka ardhur koha që të formësohet si një rol qytetar brenda universitetit. Jam student për pjesën kur shkoj jap llogari para mësuesit çfarë kam mësuar, por jam dhe qytetar që jam i interesuar për mbarëvajtjen e qytetit sepse kjo afekton jetën time dhe mësimin tim. Këtu pjesëmarrja e studentëve në të gjithë këtë angazhim të Paktit për Universitetit me qeverinë duhet të jetë e garantuar. Këtë dua unë me dialogun. Duhet të merrni dhe ju angazhimet tuaja. Shqipërinë siç e doni ju nuk e bëj dot unë vetëm. E bëjmë bashkë! Përmirësimet që ju kërkoni nuk mund të bëhen duke shkrua kërkesa, apo duke i thënë kërkesat e duke ikur pastaj në kafe. Por duke thënë ne duam 1, 2, 3, ne marrim përsipër këtë. Ndryshe nuk funksionon. Thoni të kam dhënë votën e pres përgjigje nga ty. Dakord, por unë falë zotimit që kam marrë, kam votuar në Parlament një ligj që i jep universitetit autonomi. Tarifat i vendos universiteti, nuk i vendos qeveria. Qeveria vë një tavan për të mos lejuar që universitetet të shkojnë mbi. Nga tavani i vendosur, në 2015-ën janë rritur tarifat për herë të fundit. Janë rritur sepse ishte një teatër absurd. Si mund të jetë, trefishon numrin e studentëve dhe sigurisht duhet të trefishosh shërbimet, kapacitetet, duhet gjithçka ta trefishosh. Kjo nuk kushton? Ju vazhdoni paguani nën kosto, deri në pikën kur universiteti mund të falimentojë. Tarifat u rritën në 2015-ën dhe nuk janë rritur më. VKM-ja doli pasi u konsultua me të gjithë universitetet për provimet e mbartura dhe unë isha dakord të hiqej, jo se jam kundër atij parimi, por më fal, shkoni në Amerikë dhe mbartini provimet, jo që nuk i mbart dot, por për çdo të mbartur do paguash qimet e kokës. Është kollaj të krahasohemi, “E duam Shqipërinë si Amerika”, por si ndodh në Amerikë. Atje nuk ndodh kështu. I duan të gjitha falas. Thonë fajin e kanë pedagogët. Kryeministri duhet që të përgjigjet për të gjithë gënjeshtrat dhe marrëzitë që thuhen rreth tij, që merren për të vërteta. Kështu nuk ndodh në Amerikë.

 Nëse tarifa na përgjysmohet me 50% dhe vitin tjetër do paguhet jo nga qeveria, por nga prindërit, ky ishte një citim që thatë pak më parë. Nëse prindërit tanë nuk kanë mundësi se janë me ndihmë ekonomike dhe ne nuk kemi mundësi të dalim me rezultate të shkëlqyera për shkak të përkushtimit në familje, duke bërë një ose sy punë, si mund të arrijmë të kemi rezultate të mira që të përfitojmë uljen e tarifës? Pse nuk mund të bëhet një sugjerim i tillë që rroga e deputetëve të përgjysmohet dhe t’u kalohet studentëve?

Kryeministri Rama: Së pari, dialogu ka sukses kur ke vullnetin dhe aftësinë të dëgjosh, jo vetëm për të folur. Unë përpiqem shumë të dëgjoj dhe më besoni, dëgjoj çdo gjë. Në ato shtëpitë ku shkoj unë për të ndihmuar familjet kam parë fëmijë që mësojnë me çadër në shtëpi. Nuk është film. Aty s’ishte varfëri, aty ishte mjerim. E dyta, Universiteti nuk është për të gjithë. Nëse ne do të mund të rrisnim taksat nuk do rrinim të bënim këto muhabete, por ne nuk i rrisim dot taksat. Por, ama, kuptohet që nëse flasim për tarifat dhe do i paguajë qeveria do i paguajë nga taksat. Patjetër që qeveria do të japë kontribut në këtë drejtim për të lehtësuar prindërit, por ama unë nuk i them dot askujt që t’i paguan taksa edhe për ata që marrin 4-ra. Ndërkohë që, nëse do të shkonte në një kolegj profesional dhe ne do të bëjmë shumë shtytje gjatë këtij mandati në drejtim të arsimit profesional, do ishte njeri që do ishte i zoti i vetes. Për ata që vijnë me ndihmë ekonomike patjetër që do paguajë qeveria vitin e parë. Dhe ata duhet të marrin 6, 7, 8 e me radhë, ndryshe shko merr një profesion, bëhu i zoti i vetes!

 Vij nga një familje me ndihmë ekonomike. Në familje jemi 7 persona dhe rrimë vetëm me pensionin e nënës, plus unë jam në punë. Por na është ndërprerë ndihma ekonomike vetëm se jam në punë. Marr një rrogë 200 mijë lekë, por nuk na dalin.

Kryeministri Rama: Ty do ta paguajmë 100% tarifën. Për ata që janë me ndihmë ekonomike vitin e parë, jo vetëm që do t’ua paguajmë ne tarifën, por do tu paguajmë dhe një bursë. Akoma po bëjmë llogaritë sa do jetë bursa. Unë kam kërkuar që të shikohet mundësia që ajo të jetë 100 dollarë për ata me 9-ta me 10-ta dhe për ata me ndihmë ekonomike, por nga kjo që the, ja pse duhet dialogu, edhe kjo është një arsye për të reflektuar mbi një ndryshim të mundshëm në ligjin për ndihmën ekonomike, sepse normalisht ligji për ndihmën ekonomike është bërë në bashkëpunim me BB dhe sipas standardeve europiane është shumë i qartë në këtë pikë. Por mund të bëhet një ndryshim ku studentët në familje me ndihmë ekonomike të cilët janë dhe në punë – dhe me sa duhet ti ke punuar e regjistruar – puna e tyre mos konsiderohet arsye për të hequr ndihmën ekonomike.

 Ne si studentë kërkojmë kushte më të mira në arsim. Kur jam futur në shkollë, jam futur me një mesatare në degën që unë doja dhe shumë shokë të mi nuk u futën se ishin me mesatare të ulët. Për këtë ju falënderoj, por gjithsecili nga ne e zgjedh vetë kanalin dhe mesazhin që do të japë. Nëse të gjithë duan përgjigje të atyre 8 pikave në këtë jam edhe unë, i ftoj të gjithë studentët për dialog.

Kryeministri Edi Rama: Dialog është dhe ky që po bëjmë. Ndërkohë, numri i studentëve që punojnë në Holandë, 65% e studentëve shkojnë në punë dhe aty s’ka të bartësh provime e nga këto histori; në Australi 62%; në Danimarkë 58%, që është një nga vendet më të pasura e më sociale të planetit; SHBA, 60% punojnë. Në të gjitha këto vende nuk ka llafe. U jepet studentëve mundësia të hyjnë në shkollë, por jo të dalin siç hyjnë. Nuk jemi në komunizëm. Ka një Lëvizje për Universitetin që do të kthejë komunizmin në Shqipëri. Janë komunistë, madje janë marksistë që s’kanë lexuar Marksin. Ata e thonë, nuk e fshehin, por nuk është absolutisht në axhendën tonë që të kthejnë komunizmin në Shqipëri, arsim falas, e ku di unë, të gjitha këto historitë e tjera. Ka vende, edhe në BE, me arsim që kanë falas se iu marrin taksa qytetarëve nga 50%. Këtu është 5% taksa e punës.

 Ne kërkojmë të na përmirësohen kushtet në konvikte.

Kryeministri Rama: Këtu konvikti është në kushte më të mira në këndvështrimin tim, megjithatë patjetër, po bëjmë të gjithë inventarin e situatës dhe patjetër që do ndërhyjmë në të gjitha konviktet!

 Jam një studente për Drejtësi, invalide. E kam fakultetin e dytë. Unë tarifohem si studentët e tjerë për fakultet të dytë, që për mua është një pagesë e lartë, sepse jam vetë invalide dhe ashtu është dhe bashkëshorti im. Kemi një fëmijë dhe nuk mundem t’i përballoj të gjitha këto. Unë e kam bërë një hap, duke iu drejtuar Bordit të Universitetit. Kam marrë një përgjigje negative. Kam bërë edhe një takim dhe më është thëne e njëjta përgjigje, që nuk kemi hapësirë tek ligji. Do të doja t’u bashkëngjitem kërkesave të studentëve tek pika e tarifës, ose ndonjë reduktim.

Kryeministri Rama: Për studentët e verbër dhe invalidë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, tarifën do ta paguajë 100% qeveria. Është një tjetër element që nuk e kanë 8 pikat, por do ta përfshimë ne, falë faktit që e kemi marrë si shqetësim, e kemi dëgjuar dhe është shumë e arsyeshme që të bëhet kështu. Juve çfarë keni paguar ka ikur, por nuk do  të paguani më.

 Fjala juaj këtu është dialogu. Ju keni 8 pika, por këto 8 pika nuk mjaftojnë. Kështu që hajde dialogojmë, shuani protestën dhe pastaj të shohim se çfarë të bëhet. Unë këtë gjë si student nuk e pranoj. Arsyeja e parë, sepse është e drejta jonë dhe arsyeja e dytë se mua më fyeni inteligjencën. Edhe këto takime bëhen që t’i mbushësh mendjen popullit që nuk janë 8 pika, por janë akoma më shumë. Kjo është relative. Nuk mund të negociohet për gjëra bazë, jetike. Do të ishte shumë e qartë dëshira juaj për dialog, nëse të paktën 1 nga këto 8 pika ju do ta plotësonit.

Kryeministri Edi Rama: Përsa i përket çështjes së shuarjes së protestës, jo vetëm që nuk është ky qëllimi im, por as nuk më intereson fare kjo. Bile kam thënë të kundërtën. Sepse ka qeveri demokratike që thonë jeni çuar në protestë, keni 8 pika? Dakord, shkoni në mësim tani dhe pastaj hajde flasim për këto 8 pika. Ose të fusin ujin me presion, që të mos dish nga të shkosh. E bëjnë në Francë këtë gjë. Kam parë vetë me sytë e mi në Francë, universitetet që çohen dhe i fusin ujin me presion dhe i çojnë të lagur nëpër klasa, kur kërkojnë qiqra në hell. Por në këtë rast, unë nuk po them ndaloni protestën. Nuk e thashë fare, sepse që ta dish, unë kam një fakt, kam qenë protestues dhe kam protestuar me ata që mund të të merrnin jetën. Sepse është kollaj të çohesh këtu dhe të bësh karshillëkun me edukatën, kur Kryeministri të dëgjon dhe thjesht i vjen keq për ty, por as nuk mendon të hakmerret dhe as nuk mendon se si të nxihet jeta. Por kjo nuk është burrëri. Kjo është  burrëshkurtësi. Burrat e shkurtër shumë nga mendja dhe nga shpirti e bëjnë këtë gjë, që, kur ju jepet mundësia, të flasin si të barabartë, abuzojnë, me demek trima të mëdhenj.

Tani je i dehur nga protesta, apo nga fakti që nuk shkon në mësim, kjo është puna jote. Por unë po të them që ato pika do të plotësohen, me ty, ose pa ty. Do të plotësohen se unë besoj që ato pika janë të drejta.

Me këtë rast po bëj dhe rezymenë:

– Në janar ju nuk do të paguani më atë që do të paguanit në janar. Ti, në janar, me mesataren që ke, hyn tek ata që qeveria do paguajë 50%.

– E dyta, për transparencën e buxhetit të Ministrisë së Arsimit dhe të universiteteve, ne po punojmë tani që po flasim, që të ketë një faqe online që të jenë të gjitha shpenzimet dhe universitet do të përfshihen.

– Pika tjetër është 50% e votës së studentëve në zgjedhje. Këtë nuk e ka asnjë vend. Megjithatë unë pres që cilido nga ju që ka ndonjë shembull të ma sjellë.

-Për pikën 4 të titujve akademikë, ne po punojmë dhe tek publikimi i debatit do ta shkruajmë aty një version që ne kemi. Versioni ynë është shumë i thjeshtë. Të gjithë titujt akademikë duhet të depozitohen ligjërisht në Bibliotekën Kombëtare. Do t’u kërkohet që brenda një periudhe 6-mujore të bëjnë dixhitalizimin. Mbi bazën e kësaj, një software i posaçëm bën gjithë procesin e skanimit të doktoraturave, apo të dokumenteve shkencore. Dhe kur software thotë që këtu kemi probleme plagjiature, atëherë ato shkojnë në Komisionin e Vlerësimit. Dhe kjo po bëhet gati.

– Pikën e kartës jua shpjegova.

– Pika tjetër ajo e Bibliotekës së Universitetit është që ky proces ka nisur, pa filluar protesta dhe brenda marsit do të jetë operative në të gjithë sistemin dhe me atë telefonin që ke fituar nga ajo organizata, ose me kompjuter do të keni akses në bibliotekën dixhitale, siç kanë të gjithë studentët europianë

– Pika e fundit e performancës është që dhe aty kemi disa gjëra që po i rreshtojmë. Aty është sondazhi kombëtar i studentëve. Pyeten studentët për performancën e pedagogëve. Është një sistem i tërë online.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here