Kreu Aktualitet Merr rrugë një ekonomi e re rurale për zonën e Labërisë

Merr rrugë një ekonomi e re rurale për zonën e Labërisë

178
0

Dy kantieret e reja në Vlorë që përshkojnë mespërmes Labërinë, segmenti i tretë i rrugës së Lumit të Vlorë dhe aksi i ri malor Gusmar-Kuç, që do të lidhë Tepelenën me bregun e Himarës, do të nxjerrin në dritë një prej thesareve të natyrës shqiptare.

I pranishëm në nisjen e punimeve ishte Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë Anila Denaj, kreu i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Loti i parë i rrugës së Lumit të Vlorës ka përfunduar, ndërsa puna për lotin e dytë është drejt përfundimit. Loti i tretë, puna për të cilin nisi sot, do të bëjë edhe lidhjen përfundimtare të këtyre zonave me bregun e detit dhe fshatrat turistik të rivierës shqiptare. Segmenti i tretë zbret deri në Qeparo dhe lidhet me rrugën e Bregut.

“Segmenti i tretë ka gjatësi 24 kilometra dhe ka edhe një degëzim që e lidh me Kuçin dhe do të ketë edhe një degëzim tjetër, një rrugë e re që do të bëjë lidhjen e Tepelenës me rrugën e Lumit të Vlorës e pastaj me lidhjen e Bregut, pra, është rruga Kuç-Gusmar dhe Lekdush-Benç-Tepelenë. Të dyja janë investime që do t’i japin një zhvillim turizmit malor, por edhe lidhjes së turizmit bregdetar me atë malor,” – shpjegoi Agolli, investimin që po realizohet nga FSHZH-ja, duke theksuar se të dyja këto rrugë janë thuajse rrugë krejtësisht të reja, që nuk kanë ekzistuar më parë.

E gjithë kjo zonë njihet për produktet e saj  blegtorale dhe mjaltin, por që aktualisht hasin vështirësi për nxjerrien e produkteve në treg, ndaj rruga do të jetë edhe një aset i rëndësishëm ekonomik. Një zonë shumë e rëndësishme, jo vetëm për zhvillimin turistik, por edhe atë bujqësor, vlerësoi ministrja e Ekonomisë Anila Denaj dhe rruga do t’u japë fermerëve mundësinë për të nxjerrë më lehtë dhe shpejt produktet e tyre në zonën e Bregut. “Afërsia me detin do ta ndihmojë shumë të gjithë zonën”- theksoi ministrja Denaj.

Me përfundimin e këtyre dy kantiereve, zona e Labërisë do të lidhet me Bregun, çka do t’i japë një përmasë të re ofertës turistike të jugut, duke lidhur turizmin bregdetar me atë malor. Gjirokastra dhe Tepelena do të jenë shumë më afër me bregun jonian dhe sitet historike të tyre do të përfshihen në ofertën turistike bregdetare.

Gusmar – Kuç është një rrugë e projektuar rishtas. Kalimtarët e vetëm janë alpinistët apo turistët e natyrës që ecin nëpër shtigje. Rruga e re do ti sjellë fshatrave Nivicë dhe Kuç, pjesë të programit të 100 fshatrave, një zhvillim të ri ekonomik dhe turistik.  “Fshati Kuç është një fshat që është me shumë histori, por dhe me vështirësi për të nxjerrë produktet në treg  dhe kjo rrugë i sjell atë zhvillim që meriton përveç turizmit,”- tha ministrja Denaj.

Për kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, kjo është realizimi i ëndrrës së banorëve të Kurveleshit. ”Realizimi i kësaj rruge në një shtrat tërësisht të ri tregon një vëmendje dhe një koncept të ri të lidhjes së turizmit, të pjesës së  brendshme të territorit me pjesën bregdetare dhe është absolutisht një nga investimet më të rëndësishme në këtë periudhë”, – nënvizoi kryebashkiaku i Vlorës.

Koha e një ekonomi e re rurale, i konsideroi këto dy investime Kryeministri, ku natyra, historia, mikpritja tradicionale dhe prodhimet bio do të kthehen në motorët e zhvillimit të agorutizmit për zonën malore të jugut.

“Kjo është një zonë që përveç atyre që e banojnë, apo që janë nga kjo zonë, shqiptarët nuk e njohin fare, turistët jo e jo, se ose do shkosh në Tepelenë nga një anë, ose në Qeparo e Himarë nga ana tjetër, ppr që të kalosh malet për t’i parë të dyja në një kohë të shkurtër është diçka që s’ka qenë e mundur asnjëherë. Kjo do jetë një nga zonat më të zhvilluara të agroturizmit. Do jetë një nga zonat ku ndërtimi apo transformimi i shtëpive të vjetra në bujtina dhe ndërtimi i strukturave hoteliere rurale ka për të lulëzuar, sepse këtu, ndryshe nga zona e Bregut, vihet në të gjitha stinët”, – tha Kryeministri Rama.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.