Kreu Aktualitet Mesazh i Kryeministrit Rama pas vizitës në Berlin

Mesazh i Kryeministrit Rama pas vizitës në Berlin

297
0

Videomesazhi i kryeministrit Rama nga Berlini para nisjes për në Tiranë:

Përshëndetje!

Duke u kthyer nga Berlini, dua t’ju informoj se takimi me kancelaren ishte realisht pozitiv, jo sepse kjo fjalë duhet thënë në këtë rast, por sepse qoftë në temën që ishte edhe shtysa ime kryesore për t’i kërkuar kancelares këtë takim, pra, rindërtimi pas katastrofës së 26 nëntorit, qoftë në temën e integrimit europian, në funksion të çeljes së negociatave, që kancelarja e diskutoi gjerësisht me mua dhe qoftë në temën e saj të preferuar, bashkëpunimi dhe integrimi rajonal në kuadrin e përgjithshëm  të krijuar nga Procesi i Berlinit, takimi ishte shumë domethënës.

Atëherë, pse?

Së pari, sepse lidhur me rindërtimin, kancelarja u shpreh se Gjermania do të marrë  patjetër përsipër pjesën që i takon, qoftë për Konferencën e Donatorëve e qoftë për më tutje, sepse e dimë fare mirë se konferenca do të ndihmojë, por natyrisht që nuk do të përmbushë të tërë nevojën për të financuar rindërtimin, pasi kjo nuk është as objektivisht me thënë të drejtën e mundur, por jo vetëm kaq. Kancelarja u informua për  të gjitha kontaktet e mia me vendet e tjera, më dha disa këshilla shumë të vlefshme dhe u angazhua për të bërë edhe ajo të sajën që konferenca të jetë një sukses.

Nga ana tjetër, duke qenë një person shumë i dhënë, madje mund të themi si askush që unë kam njohur, ndaj statistikave dhe shifrave, kancelarja mori çdo detaj mbi planin tonë të financimit të brendshëm të rindërtimit dhe dëgjoi me shumë vëmendje idetë që ne po përpunojmë gjatë kësaj periudhe, për t’i lançuar si masa shtesë financimi pas Konferencës së Donatorëve, kur do të kemi dhe një pasqyrë të qartë. U shpreh pozitive për këto ide dhe na dha disa sugjerime shumë të dobishme, duke na ofruar edhe një ndihmë teknike për strukturimin e tyre.

Së dyti, lidhur me integrimit europian, kancelarja jo vetëm e rikonfirmoi pozicionin e saj të fundvitit të shkuar, por edhe më konfirmoi se Gjermania do të përpiqet për hapjen e negociatave në muajin mars, gjë që e dëgjuat, e tha dhe në konferencën për shtyp, qoftë me Shqipërinë, qoftë me Maqedoninë e Veriut natyrisht. Ajo shpjegoi qartë se kjo nuk është aspak e pamundur, por njëkohësisht nuk mund të  konsiderohet as diçka e lehtë, përderisa debati i brendshëm për metodologjinë e re nuk ka përfunduar ende dhe njëkohësisht duhet punuar deri ditën e fundit për të mos ulur ritmin e punës me reformat dhe për të vazhduar të japim rezultate domethënëse.

Për kancelaren, Reforma në Drejtësi, vijimi i pastrimit të drejtësisë nga të korruptuarit përmes vettingut dhe së fundi, edhe krijimi i SPAK-ut, janë rezultatet shumë kuptimplota që japin shpresë dhe siguri për të nesërmen e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Por po ashtu, ajo u shpreh shumë pozitivisht për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe amendamentet speciale anti KÇK, që do të hyjnë në fuqi në ditët e ardhshme, pas konsultimeve përfundimtare me ekspertët ndërkombëtarë.

Lidhur me temën e rajonit, kancelarja e përsëriti qëndrimin e saj  në mbështetje të nismës sonë për Shengenin rajonal dhe u interesua në detaje për ecurinë dhe për kundërshtitë ndaj kësaj nisme, duke iu referuar hapave më të fundit mes Beogradit dhe Prishtinës për linjën ajrore dhe atë hekurudhore. Ishim plotësisht të një mendjeje se të dyja këto rezultate duhet t’u shërbejnë të gjithëve, për të kuptuar se fryma e Procesit të Berlinit dhe hedhja e hapave konkretë në përkthimin e kësaj fryme në vendime të përbashkëta të të gjitha vendeve për lehtësimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në rajonin tonë, janë rruga e vetme dhe e duhur drejt të ardhmes europiane e rritjes së mëtejshme të mirëqenies në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian do ta mbështesin edhe konkretisht nga pikëpamja financiare këtë bashkëpunim rajonal, çka e dëgjuam dhe nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, para vetëm tre ditëve në Tiranë.

Dhe së fundi fare, duke qenë se shumë miq këtu në këtë faqe më kërkuan me insistim të ngre me kancelaren çështjen e njohjes së patentave të drejtimit të automjeteve në Gjermani, dua t’ju jap lajmin, besoj të mirë, që në shkurt vjen në Tiranë një ekip i ministrisë së Transporteve të Gjermanisë, për të bërë një raport për Berlinin zyrtar lidhur me pikërisht këtë proces dhe këtë kërkesë. Kjo është një kërkesë në fakt e kahershme dhe Shqipëria e ka bërë prej kohësh disa herë, por duke qenë se mikun në Berlin e kemi më të fortë se kurrë, unë kam besim që këtij halli të shqiptarëve në Gjermani po i vjen fundi.
Ju përshëndes që të gjithëve nga Berlini, para se të nisemi që të gjithë në Tiranë dhe kini besim që askush, asnjëherë nuk do të jetë vetëm me hallin e tij, duke nisur nga ata ndër ne që kanë sot për sot hallin më të madh, atë të kthimit në shtëpi pas tërmetit.

Mirupafshim!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.