Kreu Aktualitet Mikpritje me motive shqiptare në Bundestagun gjerman

Mikpritje me motive shqiptare në Bundestagun gjerman

189
0

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me një delegacion të përbërë nga deputetët socialistë Blerina Gjylameti dhe Ervin Bushati, si dhe zëvendësministrat Teuta Vodo dhe Julian Hodaj, zhvilluan një vizitë treditore në Gjermani ku patën një sërë takimesh të rëndësishme me përfaqësues të Qeverisë dhe të Bundestagut gjerman.

Temat kryesore të këtyre takimeve ishin ecuria e Reformës në Drejtësi dhe Vettingu i gjyqësorit, Reforma Zgjedhore, ku vetë qeveria gjermane është investuar, si dhe rezultatet e fundit konkrete të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe sigurisë publik.

Më konkretisht delegacioni shqiptar paraqiti ecurinë e implementimit të Reformës në Drejtësi, ecurinë e kënaqshme të Vetting-ut që paraprin ngritjen e institucioneve të reja KLGJ dhe KLP, si dhe të BKH e SPAK.

Fokus i takimeve ka qenë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe rendit publik, ku rezultatet e arritura deri më tani shprehin qartë angazhimin e institucioneve shqiptare në këtë betejë.

Një element tjetër i rëndësishëm, i cili u diskutua gjatë takimeve ishte gjetja e rrugëve për  forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Për këtë, u nda vlerësimi i përbashkët se është shumë e rëndësishme që deputetët gjermanë, të landeve të ndryshme, me grupe të vogla apo të mëdha sipërmarrësish, të vizitojnë Shqipërinë.

Nga diskutimet, delegacioni shqiptar mori mbështetjen e Qeverisë gjermane në përmbushjen e reformave, si mjeti i domosdoshëm në rrugën evropiane të Shqipërisë.

“Në tre ditë qëndrimi në Gjermani patëm mundësinë të diskutojmë qoftë me përfaqësues të lartë të qeverisë, sikurse ishin dy takimet në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme, ku tre çështjet bazë të cilat diskutuam ishin pikërisht bashkëpunimi shumë i rëndësishëm në nivelin më të lartë politik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë të konkretizuar gjatë vitit 2018 me një sërë vizitash të dyanshme qoftë në Shqipëri, qoftë këtu në Berlin.

Për ne është shumë e rëndësishme mbështetja e Gjermanisë; është vendi që në 27 vitet e tranzicionit ka asistuar ekonominë shqiptare në: ujësjellës, rrjet të transmetimit të energjisë elektrike dhe projekte të tjera.

Për të gjitha këto, ne i jemi shumë mirë mirënjohës qeverisë gjermane, po ashtu i jemi shumë mirënjohës dhe kancelares Merkel, e cila ka meritën e veçantë në krijimin e Procesit të rëndësishëm të Berlinit, i cili tashmë ka filluar të japë rezultate konkrete.

Po ashtu është shumë e rëndësishme t’ju informoj se pjesë e diskutimit ishte edhe ecuria e deritanishme e Reformës në Drejtësi. Jemi shumë krenar që i kemi qëndruar fjalë për fjalë angazhimit tonë, qoftë përpara shqiptarëve, por qoftë edhe para partnerëve tanë në Berlin apo në Bruksel e Uashington.

Për sa i përket ecurisë së reformës, Vettingu tashmë ka dhënë rezultatet e para. Si pasojë e këtij procesi të rëndësishëm të Vettingut jemi gati që në javët në vijim, janari besoj unë është momenti fundor, kur do fillojnë të marrin jetë KLGJ e KLP, si edhe shorti i ri për KED.

Të thëna të gjitha këto për sa i përket interesit madhor që kanë partnerët tanë sikurse është vijimi i implementimit të Reformës në Drejtësi, jemi në rrugën e duhur dhe të njëjtin vlerësim,  ndamë me kolegët qoftë në Bundestag, qoftë në qeverinë gjermane.

E treta, që të gjithë e dini, ka një rëndësi më së shumti për një pjesë të Bundestagut gjerman që janë kolegët e grupit të CDU/CSU, të cilët  ishin ata që shtynë përfshirjen e kësaj çështjeje, si një prej çështjeve të cilën ne duhet ta adresojmë sa më shpejt, që është pjesa e cila lidhet me Reformën Zgjedhore.

Me kolegët e CDU/CSU ramë dakord që drafti, i cili tashmë po merr formën finale, duhet të votohet sa më shpejt në Kuvendin e Shqipërisë.

Ka një praktikë të konsoliduar të OSBE/ODIHR që ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhen miratuar jo më vonë se gjashtë muaj nga dita e zgjedhjeve. 30 qershori është data e dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe si e tillë Partia Demokratike do të duhet të japë vlerësimet e veta  për sa i përket draftit, për të cilin gjej rastin të falenderoj dy fondacionet gjermane “Fridrich Ebert” dhe “Conrad Adenauer”, të cilat asistuan këtë proces nën kujdesin e veçantë të ambasadores gjermane në Tiranë.

Ky draft duhet votuar, sepse adreson në mënyrë të plotë dhe shteruese të gjitha rekomandimet e tre raporteve të fundit të OSBE/ODIHR.

Pjesa tjetër e bisedimeve, kryesisht ato në Ministrinë e Brendshme me Sekretarin e Shtetit, z. Stefan Mayer, ishin për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy policive, asaj shqiptare dhe asaj gjermane.

Janë më shumë se dhjetë hetime të përbashkëta të suksesshme të kryera me eficiencë nga Policia shqiptare  dhe Policia gjermane, po ashtu dhe asistenca e vyer e Gjermanisë në luftën kundër krimit të organizuar do të jetë edhe më e fortë për shkak të marrëveshjeve të reja që pritet të kemi mes dy vendeve tona në forcimin e goditjes së shtetit ligjor përkundrejt fenomeneve kriminale.

Një element tjetër i rëndësishëm, dhe që dua ta theksoj, është se si t’i transformojmë këto marrëdhënie të shkëlqyera politike në marrëdhënie po aq të shkëlqyera ekonomike. Për këtë me të gjithë bashkëbiseduesit kemi ndarë vlerësimin e përbashkët se është shumë e rëndësishme që deputetët gjermanë, të landeve të ndryshme, me grupe të vogla apo të mëdha sipërmarrësish, të vizitojnë Shqipërinë.

Shqipëria sot, jo vetëm në turizëm, por edhe në industrinë e lehtë është një destinacion i rëndësishëm dhe atraktiv, por edhe fitimprurës për sipërmarrësit gjermanë.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here