Kreu Aktualitet Ministrja Denaj në raportimin e parë në Komisionin e Ekonomisë

Ministrja Denaj në raportimin e parë në Komisionin e Ekonomisë

426
0

Fjala e plotë e ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë:

Të nderuar Deputetë

Përpara se të prezantoj objektivat kryesorë që mundëson ky Akt Normativ i buxhetit 2018 si dhe elementët specifik të tij, më lejoni të paraqes shkurtimisht zhvillimet kryesore makro-ekonomike gjatë vitit 2018.

Edhe gjatë këtij viti, ekonomia duket se ka vijuar të ndjekë trendin përshpejtues të ritmit të rritjes. Në nëntë muajt e parë të vitit 2018 ekonomia u rrit në terma real me rreth 4.4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Gjatë kësaj periudhe, po sidomos për tremujorin e tretë, kërkesa e brendshme është nxitur kryesisht nga kontributi i konsumit, po në një masë të konsiderueshme edhe nga ai i investimeve totale në ekonomi.

Konsumi final total, i cili përbën peshën më të madhe në ekonomi, u rrit me rreth 2.83% në terma real vjetorë përgjatë nëntë muajve të parë të 2018, ndërsa konsumi final i popullatës u rrit me rreth 3.41%.

Investimet totale u rritën me rreth 3.89% në terma real vjetorë përgjatë të njëjtës kohë. Ndërkohë vetëm për tremujorin e tretë të vitit 2018 norma e rritjes për investimet u zgjerua në 5.40%.

Rritja e Produktit të Brendshëm Bruto ishte përgjithësisht e diversifikuar në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Sektorët me kontributin më të lartë ishin ai i industrisë i ndjekur nga sektori i shërbimeve, ku spikat sektori i turizmit.  Gjithashtu edhe sektorët e bujqësisë dhe të ndërtimit patën një rritje dhe kontribut të qenësishëm pozitiv.

Presim që rritja për të gjithë vitin të jetë të paktën sa projeksioni fillestar i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për një rritje vjetore prej 4.2%.

Vlen për tu përmendur se, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, pas publikimit të rritjes ekonomike për tremujorin e tretë, ka rishikuar për herë të dytë në rritje projeksionin e saj për 2018-tën duke e çuar në nivelin 4.2%.

Perfomanca e mirë ekonomike ka sjelle zhvillime pozitive edhe në tregun e punës. Sipas statistikave të anketës së forcave të punës nga INSTAT, norma e papunësisë (për grup moshën 15-64 vjeç) ka vijuar trendin e saj rënës që prej T1-2014 ku regjistroi vlerën e saj më të lartë prej 18%, duke zbritur tashmë në nivelin 12.7% në T3-2018. Punësimi deri në tremujorin e tretë të vitit 2018 u rrit me 21.5 mijë të punësuar  krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Bazuar në statistikat e Bankës së Shqipërisë, bilanci i pagesave (BP) për periudhën janar-shtator të vitit 2018, shënoi përmirësim kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë duke arritur vlerën +97.6 milion euro.

Komponenti më i rëndësishëm pozitiv ishin flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte (IHD). Këto të fundit rezultuan me një rritje me rreth 11.6% kundrejt nëntë muajve të parë të 2017, një sinjal ky mjaft pozitiv për perceptimin e investitorëve të huaj mbi ekonominë tonë.

Ndërkohë inflacioni mesatar për vitin 2018 ka rezultuar në nivelin 1.8%, po aq sa edhe një vit më parë.

Performanca Fiskale

Sa i takon zhvillimeve kryesore në financat publike, sipas treguesve paraprak faktit të buxhetit 2018 rezulton se:

–        Të ardhurat totale në vitin 2018 patën një rritje prej 4.4% krahasuar me vitin 2017.

–        Ndërsa të ardhurat tatimore me gjithë efektet domethënëse negative që pati vlerësimi i kursit të këmbimit si dhe rimbursimi më i lartë i TVSH së një viti më parë, sërish rezultuan me një rritje prej 5.2% kundrejt 2017.

–        Shpenzimet, falë edhe dy rishikimeve të buxheteve që u realizuan gjatë 2018 (pra, dy akteve normative, përfshirë edhe këtë që po diskutojmë tani) patën gjithashtu një ekzekutim të mirë. Shpenzimet totale në 2018 ishin 3.1% më të lartë se sa një vit më parë, ndërsa vetëm shpenzimet kapitale ishin 14% më të larta se sa një vit më parë.

–        Sigurisht nga ana tjetër rezultuan kursime të konsiderueshme në zëra të ndryshëm të shpenzimeve korente.

–        Ndërkohë për sa i takon ekzekutimit të shpenzimeve kapitale, me gjithë rialokimet e bëra nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në dy rishikimet e buxhetit, sërish mbetet mjaft për të përmirësuar në ekzekutimin e tyre, veçanërisht prej ministrive kryesore shpenzuese.

–        Si rezultante e këtyre, dhe ajo çka është edhe më e rëndësishme për financat publike në vitin buxhetor 2018 rezultoi se:

o        Deficiti i përgjithshëm fiskal ishte 1.6% e Produktit të Brendshëm Bruto, i cili është deficiti më i ulët i regjistruar gjatë thuajse tre dekadave të fundit.

o        Balanca primare rezultoi sërish pozitive, pra me një suficit primar prej 0.6% e PBB.

o        Ndërkohë borxhi publik neto, i zhveshur nga mjetet likuide të qeverisë (kryesisht flukset nga Eurobondi) rezultoi në 63.9% PBB. Ndërsa borxhi publik bruto në fund të 2018 rezultoi në nivelin 67.2% të PBB me një reduktim prej thuajse 3 pikë përqindje kundrejt vitit 2017.

Për ta mbyllur me zhvillimet gjatë 2018 sigurisht duhet përmendur emetimi i Eurobondit 2018, jo thjesht vetëm për sigurimin e një financimi mjaft optimal të buxheteve dhe mbi të gjitha është reflektimi më i mirë dhe më objektiv për përmirësimet që kanë ndodhur në financat tona publike dhe në ekonominë shqiptare në tërësi gjatë viteve të fundit.

Tani po vijoj me përshkrimin e objektivave kryesore që synonte ky Akt Normativ.

Objektivi i parë ishte të sigurojë hapësirën financiare shtesë për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmes rritjes së tavanit të shpenzimeve tyre me 3.4 miliardë lekë. Kjo, në përputhje me ecurinë pozitive të mbledhjes së të ardhurave vendore, të cilat në fakt për të gjithë vitin 2018 rezultuan me një tejkalim prej rreth 3 miliard Lekë kundrejt Buxhetit Fillestar 2018. Performanca me e mirë ka qenë veçanërisht nga zëri i të ardhurave nga taksat lokale.

Tek pushteti vendor, zhvillim tjetër gjatë vitit 2018 dhe i reflektuar në ndryshimet e këtij Akti Normativ ka të bëjë me faktin se njësitë e vetëqeverisjes vendore gjatë 2018-ës kanë shlyer detyrime të prapambetura për një shumë prej rreth 2.1 miliardë lekë. Gjithashtu, disa nga njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë zbatuar projekte me financim të huaj, ku plani i tyre nuk ka qenë i parashikuar në buxhetin fillestar të vitit 2018. Njësitë e vetëqeverisje vendore kanë trashëguar fonde nga vitet e mëparshme duke krijuar nga viti në vit një stok që ka rritur presionin për të kryer shpenzime. Në këto kushte, ishte e domosdoshme edhe krijimi i hapësirës fiskale për mbulimin me plan buxhetor të shpenzimeve me financim të huaj për pushtetin vendor në vlerën prej 1.3 miliard Lekë.

Objektivat dhe elementët e tjerë që mundësoi ky Akt Normativ, ishin:

–        Të rrisë performancën e shpenzimeve kapitale, përmes rialokimit të fondeve mes projekteve të investimeve publike (me financim të brendshëm dhe të huaj

–        Të realizojë ‘pastrimin’ e detyrimeve të prapambetura në sektorin e infrastrukturës, në përputhje me angazhimin e marrë edhe kundrejt FMN-së, përmes akordimit të fondeve të nevojshme për shlyerjen e rreth 2.2 miliardë lekë fatura të projekteve në vazhdim.

–        Të garantonte mbulimin me fonde buxhetore për disa çështje parësore, dhe konkretisht:

o        Financimi i konvikteve të studentëve në Bashkinë Tiranë, në masën 300 milionë lekë (MAS);

o        Financimi i Stadiumit të Kukësit, përmes grantit të sportit në MASR, në masën 200 milionë lekë;

o        Financimi i investimit për Kampusin Universitar Durrës, në masën 150 milionë lekë (MAS);

o        Financimi i projektit të rikonstruksionit të Teatrit të Operës dhe Baletit, në masën 210 milionë lekë (Ministria e Kulturës);

o        Mbështetje AKSHI 650 milionë;

o        Financimi i investimit të nevojshëm shtesë për Spitalin e Traumës, në masën  470 milionë lekë;

o        Financimi i projektit të Bankës Botërore “Përmirësimi i sistemit të shëndetësisë”, në masën 500 milionë lekë.

o        Shlyerja e detyrimeve të prapambetura të disa institucioneve buxhetore, për vendime gjyqësore, përkatësisht për:

       (i) MIE 150 milionë lekë;

       (ii) MPB  83 milionë lekë (33 mln lekë Policia e Shtetit dhe 50 mln lekë INUK);

       (iii) MFE 200 mln lekë. Ndërkohë që, është garantuar disponueshmëria e fondeve për shlyerjen një vendimi gjyqësor prej 190 mln lekë për MBZHR.

o        Rritja e mbështetjes buxhetore me burime të huaja për energjinë në masën 1.2 miliard lekë, përmes alokimit të këtij fondi në programin “Mbështetje për Energjinë”.

Në vijim objektivat e Aktit Normativ ishin

–        Të mbulonte me financim, detyrimet për disa objekte të rëndësishme investimesh publike, të tilla si:

o        Ndërtimi i Unazës  së Jashtme të Tiranës, Loti III, me vlerë 300 milionë lekë;

o        Pjesa e mbetur e punimeve në segmentin Lin-Pogradec (km 4-24), në masën 100 milionë lekë;

o        Loti III i aksit Librazhd-Qafë Studë, me vlerë 221 milionë lekë;

o        Ndërtimi i aksit rrugor Skrapar-Përmet, Loti I, në masën 60 milionë lekë.

o        Shlyerje e vendimeve gjyqësore për shpronësime, në sektorin rrugor, në masën 150 milionë lekë

o        Shlyerje e detyrimeve për TVSH & Kosto Lokale në programet “Transporti Rrugor” dhe “Infrastruktura e Ujitjes dhe Kullimit”, në vlerën 542 milionë lekë si më poshtë:

       280 milionë lekë për projektin e Mirëmbajtjes dhe Sigurisë Rrugore

       202 milionë lekë për projektin Qukës-Qafë Plloçë

       60 milionë lekë për projektin e Burimeve Ujore dhe Ujitjes, me Bankën Botërore.

Në fund të fjalës sime të parë në këtë Komision të nderuar parlamentar, dua të theksoj angazhimin tim maksimal për të shtyrë përpara reformat e kësaj mazhorance si udhërrëfyesin më të mirë dhe të vetëm të vërtetë të rrugës së zhvillimit të vendit tonë.

Ne do të vazhdojmë të jemi në krye të punës për të lehtësuar dhe shpejtuar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe transparente në drejtim të secilit tatimpagues.

Do të sigurohemi gjithashtu në çdo hap dhe çdo fazë për intensifikimin e punës kundër informalitetit dhe padrejtësisë në treg pasi besoj se është një ndër shtyllat kryesore të konsolidimit ekonomik dhe promovimit të konkurrencës në treg, të një shoqërie që po tenton të lërë pas periudhën e tranzicionit dhe të ecë në terren të frytshëm.

Do të intensifikojmë komunikimin me sipërmarrjen vendase dhe të huaj për të adresuar kërkesat e tyre në legjislacion dhe paketat e ardhshme fiskale me qëllim ofrimin e ambientit të rregulluar dhe klimës optimale të biznesit.

Sigurisht të gjitha këto dhe politikat e tjera publike nuk do të cenojnë në asnjë moment, përkundrazi, do të stabilizojnë më tej, treguesit kryesor makro-ekonomik të Shqipërisë si rritje ekonomike e qëndrueshme, deficiti buxhetor më se i përmbajtur dhe borxhi publik i ulët si tregues besimi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.