Kreu Sociale Mirënjohje për inxhinierin e pyjeve, Dhimitër Koçi

Mirënjohje për inxhinierin e pyjeve, Dhimitër Koçi

213
0

-Inxhinieri Dhimitër (Miço) Koçi që la emër në Pylltarinë Shqiptare-

Sapo del në Qafë Gjashë të Sarandës, përballë të shfaqet një sistem kodrash, rrethuar me fusha të parceluara bukur. Në kurrizin e tyre janë vendosur fshati Vrion, Caush dhe Aliko, të cilat lidhen me një rrugë. Fshati Aliko është vendlindja e Dhimitër Kocit. Në një ditë të bukur vjeshte, më 8 nëntor të vitit 1935 lindi djali i parë i çiftit të porsamartuar Vasilit dhe Vasilikës, e ardhur nga fshati Quka. Dhimitri i parë (gjyshi i Miços, se gjithmonë kështu e kemi thirrur) ka punuar për një kohë të gjatë në Stamboll si prodhues artizanal i pijeve, të cilat i tregtonte me lehtësi. Edhe djalin e tij Vasilin, babai i Miços e dërgoi të punonte për disa vite në Kajro të Egjiptit si bukëpjekës. Në vitin 1934, mbasi ndërtojnë në fshat shtëpitë e reja, tentoi të shkonte përsëri në Kajro, por nuk mundi. – Për fatin tim – më tha Miçua, me qenë se nuk iku, u martua dhe më sollën në jetë mua, tre vellezër dhe një motër; mua më vunë emrin e gjyshit. Daut Kroi, specialist pyjesh me përvojë, drejtues për shumë vjet në sektorin pyjor dhe atë të gjelbërimit, përveç një libri për vendlindjen, ka shkruar dhe librin “Mirënjohje për pylltarët” në 2015, ku përshkruan me mjaft dashuri dhe pasion jetën dhe veprimtarinë profesionale të specialistëve më të shquar të pyjeve gjatë kohëve. Për këtë, Dauti meriton mirënjohje dhe respekt të veçantë.
Pra, Miçua u rrit dhe u edukua nga një familje që kishin emigruar dhe punuar në Stamboll dhe Kajro, qendra të zhvillimit dhe qytetërimit, ku ndërthuren shumë kultura botërore. Ai, fëmijërinë dhe arsimin fillor e shtatëvjeçar i ka përjetuar në fshatin e vendlindjes, Aliko, ku u dallua zgjuarësia dhe dëshira për të mësuar.
Duke u nisur nga familja me emër dhe dëshirën e madhe për t’u shkolluar të Miços, organet e vendim-marrjes të kohës të fshatit dhe të rrethit i dhanë mundësinë të vazhdonte shkollën e mesme në Teknikumin Bujqësor Kamëz, në degën pyjore, të cilën e përfundoi në vitin 1955 me rezultate shumë të mira. Kjo bëri që drejtoria e shkollës ta propozojë Miçon për të vazhduar shkollën e lartë jashtë shtetit në Rumani, për inxhinier pyjesh. Ai kujton me shumë respekt e mirënjohje ata që e pajisën me dije dhe e ushqyen me dashurinë e madhe për pyjet, si inxhinierin e pyjeve Jorgji Llavda, pedagog i përsosur, serioz e dashamirës, si dhe Vasil Shqahun, dy nga inxhinierët më të parë që kishin mbaruar studimet në Universitetin e Firences. Në vitin 1960 përfundon studimet me notë mesatare mbi 9, duke u diplomuar si inxhinier pyjesh në profilin e përgjithshëm, duke marrë pjesë në shumë tema shkencore të Fakultetit nëpërmjet katedrave përkatëse. Me t’u kthyer në Atdhe, në gusht të po atij viti, fillon menjëherë punë në Sarandë, si përgjegjës i Zyrës Pyjore, që ishte në varësi të Drejtorisë së Pyjeve Vlorë, duke dhënë një kontribut cilësor për zhvillimin dhe mbrojtjen e ekonomisë pyjore dhe kullosore të rrethit.
Nga vitet e fillesës në punë, Miçua kujton: – M’u desh që të përleshesha me shumë kuadro me peshë në rreth, si drejtorë fermash dhe kryetarë kooperativash, deri sa theva konceptin e moszbatimit të ligjit për mbrojtjen e pyjeve, që në ato vite ishte me 17 nene. Pyllëzimin e kodrave të Delvinës për herë të parë me gështenja e pishë të egër, me projekte e preventiva, ku kishte parashikuar dhe përqindjen e zënieve të fidanëve të mbjellë. Nuk harroj kontrollin që më bënë për përqindjen e zënieve të objektit Ilia Nako dhe Zoi Toska, në vitin 1961. Ata më përgëzuan, se përqindjen e zënieve e nxuarën 2% më shumë se unë. Nuk do të harroj punën e mirë te teknikut Stavri Dashi dhe teknikut Stavri Kaishi, që trajtonte fidanishten me pasion të veçantë. Mbresa më ka lënë dhe tekniku i vjetër Çobo Mehmeti, përgjegjës i zyrës pyjore Vlorë dhe inxhinieri Vlash Milaj, si dhe drejtori i pyjores Vlorë Kamber Aliko.
Më tej, dua të evidentoj punën dhe rezultatet e inxhinierit Prokop Qirjaqi, sidomos në drejtim të trajtimit të kullotave. Në Sarandë, Miçua ndenji pak, por bëri shumë për pyjet, duke lënë gjurmë ndryshimin dhe cilësitë e aftësitë e një specialisti të vërtetë, kompetent, me iniciativë dhe me dashuri të sinqertë për njerëzit dhe pyjet.
Në vitin 1962, ai angazhohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve, në grupin e mbarështrimit të pyjeve, deri në vitin 1964, kur përfshihet në organikën e Drejtorisë, për projektet e mbarështrimit deri në verën e vitit 1966. Gjatë kësaj periudhe, ai mbarështroi 65,000 ha pyje të lartë, me projekte cilësorë, për ekonomitë pyjore Zadrimë dhe lugina e Valbonës, së bashku me Çaush Elezin, si dhe ekonominë pyjore Kaçinar dhe Qarrishtë të Librazhdit. Në kushte të vështira, me çadra midis pyjeve. Vetëm ata që kanë mbarështruar në ato vite e dinë dhe mund të vlerësojnë punën e tyre, vërtet heroike. Brezi i tanishëm as që mund ta imagjinojë atë periudhë plot me sakrifica. Gjatë kohës së punës në grupe, Miçua ka dhënë një ndihmesë të çmuar akademike, në përsosjen e teknikës dhe të organizimit të projekteve të mbarështrimit të pyjeve, në rritjen e cilësisë dhe vëllimit të punës.
Me riorganizimin e Drejtorisë së Pyjeve në Ministrinë e Bujqësisë, në shtator të vitit 1966, Miço Koçin e gjejmë si specialist të rregullt të saj deri në qershor të vitit 1975, duke mbuluar shumë sektorë, por në mënyrë të veçantë ka drejtuar fidanishtet pyjore dhe pyllëzimet e reja të vendit, ku u bë një hap cilësor, duke shënuar arritje të dukshme. Gjatë kësaj periudhe, në vitet 1973-1974, specializohet 5 muaj në disa institute prestigjioze në Itali për llojet pyjore me rritje të shpejtë. Në ministri, ai spikati cilësitë e veçanta të tij si administrator i përsosur, në saktësimin e dokumentacionit teknik dhe financiar për punimet pyjore. Nuk kishte udhëzim, rregullore, instruksion e dokumentacion ku të mos ish mendimi dhe firma e tij. Gjithashtu, u dallua në ndihmesën e papërtuar për organizimin dhe kompletimin e ndërmarrjeve pyjore në çdo rreth. Ai, në çdo moment ndihmonte dhe kontrollonte bazën dhe u jepte zgjidhje të menjëhershme problemeve. Jo më kot, Thoma Dine, drejtori i përgjithshëm për Miçon, m’u shpreh : – Ai ishte zemra dhe shpirti i drejtorisë, ai vinte me kompetencë, në lëvizje çdo gjë, ai ishte korrekt dhe praktik, i kopsiste problemet deri në detaje.
Gjatë kësaj periudhe, që Miçua punoi në ministri, unë pata fatin e mirë të isha në kontakte të vazhdueshme me të, duke qenë në pozicionin e kryeinxhinierit dhe drejtor ndërmarrjeje. Mësova shumë nga ai. Ishte një intelektual i mirëfilltë, i saktë, korrekt, dashamir, i thjeshtë, i prerë pa mëdyshje, i sinqertë dhe i besueshëm. Në tavolinë ishte i këndshëm, rakinë e pinte me lezet, shakaxhi, i barabartë dhe tepër i respektueshëm.
Në Janar të vitit 1971, në kuadër të ndihmës për bazën, ai caktohet nga udhëheqja e ministrisë si dublant, pranë shefit të seksionit të bujqësisë në Pukë për një vit, ku ai spikati aftësitë e tij prej intelektuali të kompletuar me cilësi virtuoze, me të cilat nderoi veten dhe pylltarinë. Për periudhën 10 vjeçare në ministri, ai kujton me shumë respekt kolegët me të cilët punoi dhe luftoi, si Josif Kotomelon, Mevlan Jaupin dhe veçanërisht Ibrahim Kubatin, një nga inxhinierët më të përgatitur. Ai ishte njeri dhe pylltar shumë i mirë, i zinte fjala vend kurdoherë. Ai ishte diplomuar në Bullgari, për sistemimet malore. Të gjitha projektet e baseneve ujëmbledhës, që kërkonin investime shumë të mëdha, i udhëhiqte dhe i firmoste ai me kompetencë.
Më tej, Dhimitri jep konsiderata edhe për ish drejtorin Thoma Dine: – Drejtues me energji e vizion, dëgjonte kolegët, vendoste dhe udhëhiqte ekonominë pyjore gjithmonë me vendimin e shumicës. Ai i njihte pyjet, ishte silvikultor i kompletuar. Për mua, periudha 20 vjeçare 1966-1986, është periudha e artë e pyjeve, sepse u kryen investime të shumta, ku punonin mbi 19,000 punëtorë të përhershëm në ndërmarrjet pyjore.
Në frymën e qarkullimit të kuadrove, Miçua në Korrik të vitit 1975 transferohet në Ndërmarrjen Pyjore Lezhë, me detyrë kryetar i degës teknike, për të dhënë eksperiencën e punës së tij të dikasterit në bazë, deri në fund të vitit 1979. Gjatë kësaj periudhe, ai i ngriti në një nivel tjetër punimet pyjore. Më kujtohet se në ato vite u organizua një seminar shëmbullor, ku dukej mendja dhe dora e tij. Personeli pyjor i Lezhës, në ato vite, mësoi shumë nga Miçua në çdo drejtim, duke ngritur nivelin tekniko-shkencor. Ai, me pasionin e përkushtimin e tij, me njohuritë shkencore dhe me një laps financieri e planoviku të mirëfilltë, bëri që kjo ndërmarrje të dallohej midis shoqeve, duke fituar jo vetëm respektin dhe mirënjohjen e lezhjanëve, por më gjerë. Ai, në ato pesë vjet kujton me shumë respekt pylltarët dhe punëtorët lezhjanë. Kujton drejtorin Sami të urtë, të pjekur, të thjeshtë dhe dashamirës për të gjithë, si dhe kryeinxhinierin Gjek Gjela, Gani Shehu, Mark Hila, Shtjefën Zeka, Lush Gega, Rok Lila e shumë të tjerë. Na bëri përshtypje konsiderata që kishte për teknikun e pyjeve Pjetër Trashaj që drejtonte aq mirë pyllëzimet dhe fidanishtet pyjore, për racionalitetin dhe dokumentacionin e saktë që mbante.
– Po, i thashë, ke shumë të drejtë. Në periudhën që punova në ndërmarrjen e gjelbërimit Tiranë 1997-2001, dhe më pas, ma deshi puna që të lidhem me Pjetrin, duke vajtur tek fidanishtja e tij private. Më ka befasuar puna e tij së bashku me familjen. Ai ishte një mjeshtër i vërtetë, ua kalonte shumë inxhinierëve. E kam përgëzuar me gjithë shpirt, për guximin, shumëllojshmërinë dhe cilësinë e fidanëve që prodhon. Ajo fidanishte është model dhe duhet të shërbejë si fidanishte didaktike për brezin e ri të pylltarëve dhe shëmbull pozitiv për ata që duan punën e që dashurojnë profesionin. Sa herë që shkoj për në Shkodër, kujtoj Samiun dhe Gjekën dhe shikoj me kureshtje e respekt nga fidanishtja e Pjetrit.
Fillimi i vitit 1980, Miçon e gjen në ndërmarrjen Pyjore Durrës, fillimisht si specialist që mbulonte eksportet e shumë detyra të tjera; më pas si kryetar i degës teknike deri sa në vitet e tranzicionit 1993-1996 emërohet drejtor i ndërmarrjes së eterovajoreve, e destinuar vetëm për eksport, deri sa doli në pension. Edhe në Durrës, ai ndryshoi për mirë situatën, sidomos për prodhimet për eksport, me dafinën, bimët dhe esencat eterovajore, e sidomos fazaneritë.
-Arritëm të eksportonim deri në 80 ton gjethe dafine dhe 40,000 krerë fazanë, përveç esencave të tjera medicinale – më kujtoi nga memoria e tij, duke psherëtirë thellë, vërtet në ato vite punohej shumë, o kolegu im. Duke tundur kokën, miratova me një ndjenjë nostalgjie mendimin e tij. Gjatë periudhës 20 vjeçare që punoi me shumë devotshmëri në Lezhë e Durrës, ai vazhdimisht është aktivizuar nga ministria për studime të veçanta me vlerë për zhvillimin e ekonomisë pyjore në shkallë vendi, krahas hartimit të shumë projekteve për mbarështrimin e mbi 2,000 ha pyjeve dhe projektet për pyllëzimin e objekteve të ndryshme. Gjithashtu, ka qenë bashkautor projektesh të mbarështrimit për faunën e egër dhe gjuetinë sportive, i studimeve dhe projektimeve për rritjen e prodhimit të bimëve mjekësore dhe eterovajore për eksport.
Edhe projektet për përhapjen e pishës radiata në Durrës, projektin e rezervatit të Rrushkullit në Durrës, Bardhore, Kavajë etj, mbajnë bashkautorësinë e tij. –Nuk do të më harrohet puna që bëmë në grup, për hartimin e projektit për gjelbërimin e Malit të Gjerë në Gjirokastër. Kam ndenjur pesë muaj rresht me Stefan Bukën dhe topografin për marrjen e të dhënave në terren. Kam ndjerë vetëm lodhje dhe përgjegjësi. Përveç arritjeve të shumta, kemi lejuar edhe gabime në punën tonë, si shtrirja e pyllëzimeve, në disa raste, vend e pa vend, afër fshatrave që dëmtoheshin nga kullotja, si dhe në disa masive ku ishte siguruar filizeria, kemi lënë pa hequr, pa shfrytëzuar, shumë drurë; nuk aplikuam fazën përfundimtare të prerjes së drurëve në kohë.
Për 18 vjet rresht, 1978-1995, ai ka kontribuar me mendime të vyera, duke qenë anëtar i Këshillit Teknik dhe atij Shkencor të Drejtorisë së Pyjeve në Ministri, anëtar i Stacionit Kërkimor Shkencor të Pyjeve, si dhe anëtar i punës shkencore në Akademinë e Shkencave. Gjithashtu, ai ka dhënë kontributin e tij në dy inventarizimet e pyjeve të viteve 1968 dhe 1985, duke qenë pjesëmarrës në grupin drejtues të tyre dhe së bashku me anëtarët e grupit, nën drejtimin e profesor Llazarit, hartuan bilancin e lëndës drusore dhe masat për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë pyjore. Gjithashtu, duke qenë anëtar i grupit drejtues për inventarizimin e bimëve mjekësore dhe eterovajore, dha kontributin e tij në përcaktimin e prodhimtarisë së tyre dhe të ardhurat me leverdi ekonomike për vendin. Mbas 36 vjet pune, studime, projekte, udhëzime, rregullore, planifikime, organizime, realizime, i papërtuar, i kudo ndodhur për mendime shkencore të vyera për ekonominë pyjore, ai në qershor të vitit 1996, del në pension, pa zhurmë e pa bujë, pa titull shkencor, por duke lënë pas një mal me projekte, një det me vepra e punë të mira, duke lënë një emër të madh në pylltarinë Shqiptare.
Duke shkruar për të, më ka munduar mendimi: ky inxhinier kaq i zoti, me këtë prodhimtari intelektuale, me këto cilësi e virtyte, si nuk ka mundur të bëjë karrierë, por ka ndenjur “nën hije” si një lis i nënshtruar, por me një sistem rrënjësor ngulur thellë në tokë dhe me kurorë ngjeshur krah drurëve të tjerë??. Përgjigjen e mora nga Fadil Llubani, i cili u shpreh: – Miço Koci mbetet një nga specialistët më të mirë e më të spikatur, që ka kontribuar shumë duke punuar pa eufori, i thjeshtë dhe modest; ai asnjëherë s’ka punuar për karrierë por vetëm për pyllin, ai i meriton të gjithë titujt. Miço Koçi nuk është vetëm një inxhinier i spikatur, por dhe një prind shëmbullor, një familjar i rregullt. Ai krijoi familjen në vitin 1969 në një moshë të pjekur, me Poliksenin, me të cilën lindi tre fëmijë: Etlevën, Eguentin dhe Evisën, që tashmë janë rritur dhe punojnë në Bari të Italisë. –Shkoj atje, tek ata, por s’më rrihet, kthehem përsëri.
Miçua ka qenë gjithnjë i rrethuar me respekt dhe mirënjohje nga të afërmit, kolegët dhe durrsakët. Nuk mund të rrinja pa marrë një opinion nga shoku im i Fakultetit, Vangjel Anastasiadhi, që ishte student model në sjellje, në veshje, në rregullsinë e tij, që punoi një jetë të tërë në ndërmarrjen pyjore të Durrësit. Mbasi më solli në kujtesë personelin me të cilët kishte punuar, ai veçoi Miço Koçin: – Inxhinier i kompletuar, punëtor i palodhur, me guxim dhe entusiazëm i futej çdo pune. Lapsin gjithmonë e mbante të mprehtë, planovik dhe financier tepër i saktë dhe kompetent. Duke qenë i aftë profesionalisht, atë që bënte e mbronte me argumenta teknike para çdo instance teknike, partie dhe juridike. Për mendimin tim, Miçua ka qenë dhe mbetet si model i një njeriu, i një specialisti, i një drejtuesi dhe organizatori të mençur. Kur organizoheshin tavolina, për raste gëzimi, Miçua ishte lezeti i tavolinës. Ai meriton më të mirat fjalë, sa deti ka valë. Me këto fjalë e përfundoi vlerësimin e tij Vangjeli. Sa mirë është kur dëgjon fjalë të mira për kolegët, shokët e punës. Sa i ëmbël ke qenë, o Miço. Embëlsira më e mirë është fjala e muhabeti. Mirënjohje Dhimitër Koçit.

DAUT KROI

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here