Kreu Aktualitet Moses-Ones: Shqipëria ka zgjedhur vlerat perëndimore

Moses-Ones: Shqipëria ka zgjedhur vlerat perëndimore

126
0

“Duam që ju të jeni të lirë dhe të barabartë. Është e vërtetë që rruga që ofrojmë është e vështirë me standarde e pritshmëri, por që çon në një Ballkan Perëndimor të lulëzuar, njerëzit e të cilit janë krenarë për atë që përfaqësojnë”, deklaroi e ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses Ones në Konferencën “Politika Amerikane në Ballkanin Perëndimor”.

Duke folur për mbledhjen e Këshillit Europian dhe shtyrjen e hapjes së negociatave, Moses Ones, tha se, “Vendimi i 18 tetorit të KE për zgjerimin është komentuar gjatë. Shqipëria është një vend kandidat, kjo nuk ka ndryshuar. Puna që duhet të bëhet nuk ka ndryshuar. Shqipëria do të fitojë një vend në radhët e BE-së duke dyfishuar përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Shqipëria jo vetëm që po punon shumë për reformën në drejtësi, por reforma zgjedhore është bërë projekt kombëtar. Drejtuesit e Shqipërisë kanë zgjedhur të bëjnë kompromis për hir të së mirës së përbashkët”.

Sa i takon angazhimit të Shqipërisë në NATO, Moses-Ones u shpreh se, “Shqipëria ka përmbushur angazhimin e saj, kontribuon më shumë trupa për frymë se pothuaj të gjitha vendet e tjera europiane. Shqiptarët kanë dhënë jetën e tyre për mbrojtjen e përbashkët”.

Moses –Ones foli edhe për aktorët e tjerë të interesuar për të influencuar në Ballkanin Perëndimor.

“Ekzistojnë vende të tjera që kërkojnë rrugë më të lehta përpara. Shqyrtojini ofertat e tyre përpara së t’i pranoni ato. Për Rusinë, Kinën e Iranin, Ballkani Perëndimor është një mjet për një qëllim, një burim nga i cili mund të shfrytëzohet e më pas të flaket tej. Nuk ka asgjë jashtë kësaj liste në qëllimet e tyre. Ata kërkojnë të minojnë modelin perëndimor të vetëqeverisjes që çmon lirinë dhe zgjedhjen, me oligarkitë e korruptuara”.

“Shqipëria ia ka bërë të qartë Kinës, se disa gjëra nuk janë për shitje, ka refuzuar makinacionet ruse dhe ka treguar që nuk do tolerojë terroristë iranianë në tokën e saj. Shqipëria ka zgjedhur të mbajë qëndrime parimore”, tha Moses-Ones.

E ngarkuara me Punë e SHBA foli edhe për kryesimin e OSBE nga Shqipëria në vitin 2020.

“Vitin tjetër Shqipëria do të udhëheqë kryesimin e OSBE, një organizatë që gjithashtu mban qëndrime parimore. Do vijojmë mbështetjen tonë besnike ndaj Shqipërisë teksa përdor vlerat frymëzuese. SHBA mirëpret prioritetet e përcaktuara nga Shqipëria, përfshirë luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Presim të punojmë me Shqipërinë gjatë kryesimit të OSBE në vitin 2020″, tha ajo.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.