Kreu Aktualitet Ndalimi basteve dhe kazinove, 700 milionë euro për konsum të shëndetshëm familjar

Ndalimi basteve dhe kazinove, 700 milionë euro për konsum të shëndetshëm familjar

296
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë:
Me mirëkuptimin e drejtuesit të seancës dhe të të gjithëve ju do të dal nga tema e seancës, për t’i kushtuar disa minuta temës së ditës, lojërave të fatit.
Jam shumë i keqardhur që një pjesë e deputetëve dhe posaçërisht, deputetët e Komisionit të Financave dhe të Ekonomisë janë kthyer në shënjestër e një sulmi vulgar mesazhesh të orkestruara nga burgu “313”. Nga ana tjetër jam shumë i sigurt se ky grup parlamentar do t’u japë në radhë të parë, prindërve të këtij vendi, nënave, grave, vajzave dhe patjetër edhe atyre që janë aktualisht të sëmurë nga marrëdhënia me fatin, një dhuratë të shumëpritur të parëve dhe terapeutikisht të domosdoshme të dytëve, me rastin e vitit të ri, mbylljen e kazinove elektronike, e basteve sportive, që nga ndeshjet e futbollit, deri te garat e çdo lloj katërkëmbëshi të faunës botërore dhe të basteve online. Me mirëkuptimin që përsa i përket online-t, që është një drejtim shumë kompleks, siç tregojnë dhe eksperiencat e vendeve të tjera, do të arrijmë në një konkluzion të studiuar dhe mbi bazën e të cilit do të mund të kemi një diskutim të mëvonshëm, në një kohë tjetër.
Ka propozime të ndryshme edhe përsa i përket idesë së një monopoli shtetëror të lojërave të fatit, basteve sportive, por që sot, unë personalisht jam kundër. Megjithatë janë të gjitha të hapura për diskutim.
Në 1 janar të vitit të ardhshëm, ne do ta sanksionojmë këtu, në këtë Parlament, nuk ka më asnjë lloj basti, nuk ka më asnjë lloj kazinoje elektronike në asnjë zonë të banuar.
Ka dhe një aspekt tjetër që është i rëndësishëm të theksohet, sepse janë bërë spekulime edhe me çështjen e kazinove elektronike, edhe me spostimin, medemek në periferi, nuk ka asnjë spostim në periferi. Kazinotë do të jenë të mundura vetëm për hotelet apo resortet me 5 yje në zonat e definuara me vendim të qeverisë dhe të të gjithë autoriteteve përkatëse të planifikimit të territorit, si zona turistike. Asnjë lëshim në asnjë hapësirë tjetër!
Nga ana tjetër, është fatkeqësi, por është realitet, që ata që sot mungojnë këtu janë në krahun e atyre që po luftojnë online dhe që po agresojnë një pjesë të deputetëve të kësaj shumice me mesazhe. Personalisht lideri legjendar i Partisë Demokratike ka marrë anën e basteve, duke e vënë tabelën e tij të fletërrufeve digjitale në dispozicion të shpifësve dhe në dispozicion të të gjithë kësaj fushate shpifjesh që organizohet nga krimi i organizuar, që financon një pjesë të madhe të kësaj veprimtarie, një veprimtari për të cilën Universiteti i Tiranës, në vitin 2016, kur ne kemi qenë në kulmin e këtij debati, ka bërë një studim.
Gjetjet e këtij studimi janë rrëqethëse, ashtu sikundër janë rrëqethëse rezultatet e të gjithë analizës së bërë nga grupi ynë i punës, prej muajsh, sepse, qysh se nisëm ndarjen nga tepsia, kemi nisur dhe punën për t’i dhënë fund kësaj beteje, e cila ka qenë e vështirë dhe përgjatë të cilës kemi pasur dhe ne dështimin tonë kur nuk arritëm dot në këtë sallë t’i japim fund kazinove elektronike, por arritëm vetëm t’i shtyjmë afatet për mbylljen e tyre për fundin e këtij viti.
Megjithatë, “jo të gjitha këqijat vijnë për keq”, – thoshte e ndjera dhe e mrekullueshmja gjyshja ime. Kështu që tani, një rrugë dhe të gjitha punët bashkë, bashkë me kazinotë, edhe bastet. Bastet e të gjitha llojeve. Ata që kanë ngritur të gjithë llumin, duke shpresuar se do të na zmbrapsin përmes një shpifjeje, si ajo e një monopoli online, etj., thjesht dhe vetëm le ta mbajnë për vete turpin e përfaqësimit të këtij llumi.

Ne dimë më tepër se kaq për këtë ofensivë. Ne dimë më tepër se kaq për lidhjet e atyre që shkojnë banak më banak për të kundërshtuar në mënyrë hipokrite dhe në mënyrë hileqare këtë masë, duke e fokusuar sulmin tek, medemek, një monopol online, por që në fakt janë të lidhur drejtpërdrejtë me interesat që kulmojnë në qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Tiranë.
68% e lojtarëve aktivë të basteve kanë nisur aktivitetin në moshën 10 vjeç deri në 15 vjeç. Kjo është koha kur fillon formimi i këtyre lojtarëve, 10-15 vjeç. Kjo është arsyeja pse Franca ka ndaluar me ligj çdo sallon bastesh në rrugë. Hapja e një salloni bastesh të çon në Francë në burg 3 vjet.
Kjo është një nga arsyet pse Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka sanksionuar me vendimin e vet, që qeveritë kombëtare lejohen ta kufizojnë tregun e lojërave të fatit për arsye të interesit publik dhe për mbrojtjen e konsumatorit, një vendim i paprecedentë i Gjykatës Europiane në raport me tregun, pra, e drejta për ta kufizuar deri në mbyllje tregun për interesin publik dhe kërcënim të vetë sigurisë kombëtare, kur vjen puna që këtë aktivitet e merr në dorë krimi i organizuar.
Vetëm 18% e lojtarëve aktivë, apo e atyre që molepsen me këtë ves e nisin aktivitetin në moshën 16 deri në 20 vjeç. Ata që përbëjnë të gjithë këtë grup viktimash të kësaj sëmundjeje, faktikisht në 73% të tyre pranojnë përjetimin e një stresi dhe e problemeve nervore.
Si rrjedhojë e këtij stresi dhe problemeve nervore, 1 në 4 lojtarë pranojnë se ju ka shkuar në mend të paktën 1 herë të vrasin veten. Është studim i Universiteti të Tiranës dhe janë të dhëna që, fatmirësisht dhe fatkeqësisht, përkojnë me të dhënat e disponueshme nga vende të tjera dhe nga kërkime të tjera sociologjike, psikologjike, shkencore, që janë bërë në vendet ku pastaj janë marrë vendime drastike për të shkuar deri në mbylljen e kësaj mortjeje.
Efektet në familje të kësaj sëmundjeje shkojnë deri në konflikte të rënda që përfundojnë me divorce pas implementimit, apo instalimit të dhunës brenda për brenda familjes. 43% e lojtarëve e pranojnë vetë që, pasi janë futur në këtë rrugë, kanë një raport tërësisht të deformuar me familjen dhe jetojnë duke fshehur lekët, duke vjedhur lekë në shtëpi e duke premtuar çdo natë që është hera e fundit e duke e gdhirë të nesërmen me fshehjen e radhës të skedinave.
Vendimi nuk është një vendim unik për Shqipërinë dhe vendimi nuk vjen si një rrufe në qiell të pastër vetëm në Shqipëri. Franca ka formuar një entitet shtetëror vetëm për bastet online, me një kontroll absolutisht policor mbi bastet online, gjë që neve na mungon sot. E për këtë arsye, ne do ta fillojmë nga studimi dhe ndërtimi i një sistemi të tërë, në rast se më vonë, po ky Parlament do të vendosë që të hapë një dritë për online, duke pasur parasysh dhe një gjë tjetër, shpifësit kanë mbushur dynjanë duke thënë që në çdo kafe, në çdo klub, në çdo bar, në çdo bulmet, do ketë mundësi të luhet online. Nuk funksionon kështu. Online luhet dhe në telefon, por duhet të kesh kartë identiteti bankar dhe nuk mund të bëhen dot transaksione as nga krimi, as nga paratë që janë jashtë sistemit bankar dhe as evazion.
Sidoqoftë, kjo është temë që nuk është e aktualitetit, sepse ky Parlament dhe unë jam këtu për t’i kërkuar kryetarit të grupit, kryetarit të Kuvendit që ta përshpejtojnë procedurën, që sa më shpejt të mbyllet ky film me gjithfarë aktorësh të dukshëm dhe të padukshëm dhe sa më shpejt në shtëpitë e shqiptareve të shkoje mesazhi që ky film u mbyll dhe ndërkohë t’i japi mundësi, sa më shpejt, atyre që i kanë pikat e basteve t’i adoptohen një tregu të ri. Një tregu që llogaritet në diku më shumë, diku më pak, sepse është në një pjesë vetëm informal, 700 milionë euro qarkullim vjetor që i shkon lumit dhe llumit, ndërkohë që do t’i kthehet arkës së çdo familjeje, do t’i shkojë konsumit të shëndetshëm familjar.
Ashtu sikundër, kjo industri që nuk është absolutisht diçka e panjohur, – në Britaninë e Madhe kur u ligjëruan sallonet e basteve në vitin 1961, hapeshin 100 sallone në ditë, epidemi, – por gjëja që ne na intereson është se kanë ngritur në mënyrë disproporcionale çmimet.
Kanë bllokuar në mënyrë të qartë të gjithë tregun e hapësirave imobilare në dispozicion për të bërë qindra lloje biznesesh të tjera, sepse janë të plotfuqishëm, sepse disponojnë një sasi marramendëse paraje të zezë, sepse – e përsëris, – mbështeten nga krimi i organizuar, mbështeten me armë, mbështeten me kërcënime, mbështeten me gjoba, mbështeten me para me fajde dhe fito para këtej, jep me fajde andej, shko pastaj vëri revolen në kokë, apo hiqi qafe fare ata që bien pre e kësaj maskarade.
Nga ana tjetër, vendet e punës, po, është një problem. Nuk do të jetë e lehtë për ata që janë të punësuar, por do të jetë plotësisht e mundur, – nuk ka asgjë të lehtë, megjithatë do jetë i mundur – transformimi këtyre hapësirave në biznese të shëndetshme.
5% tatim-fitimi deri në 140 milionë xhiro është një masë që do të hyjë në fuqi nga ky Parlament përpara vitit të ri dhe që do t’u japë të gjithë atyre që bëjnë biznes të vogël, ose që kanë një biznes sot që quhet i madh deri në 140 milionë, një mundësi që nuk e ka asnjë vend tjetër.
Sot, me një taksë fitimi 5% është një nxitje shumë e fortë për këdo që do të hapi një biznes, të vetëpunësohet, të punësojë. Kur shkojmë tek 140 milionëshi, shohim se janë 93% e atyre që bëjnë biznes në Shqipëri. 93% e atyre që bëjnë sot biznes në Shqipëri do të paguajnë vetëm 5% taksë dhe asgjë tjetër, – sigurimet, kuptohet, patjetër – që do të thotë që kjo është një mundësi për ata që kanë pika. Për ata që kanë investuar në pika, që të mos rrinë të ankohen, që të mos i bashkohen llumi, që të mos marrin pjesë nëpër fushata shpifjesh online, por që të mendojnë transformimin e pikës së tyre në një biznes të shëndetshëm dhe fitimprurës, me taksën vetëm 5%.
Ashtu sikundër do të jetë absolutisht prioritet ndihma për të gjithë ata që do të dalin të papunë nga këta që janë punonjës dhe që duan të punojnë, – se kjo shprehja “hap vende pune, plako”, “o plako nuk ka vende pune” është një moto online e atyre që rrinë në kafe dhe që e presin punën t’i zgjojë në mëngjes, por mundësisht pas orës 9.
“Nuk jetohet me 240 mijë lekë, plako”. E di vëllai, por 240 mijë lekëshi është paga më e ulët për ata që nuk kanë asgjë tjetër, përveç krahut të punës dhe dëshirës për punë. Ndërkohë që shumë të tjerë e fillojnë me 240 mijë, shkojnë 300, shkojnë 400, shkojnë 600 dhe nuk është absolutisht e rastit që edhe një ulje tjetër që bëhet në paketën fiskale për ata që kanë rrogën nga 1.2 deri në 1.5 milionë lehtëson 16 mijë njerëz. Janë 16 mijë njerëz sot të punësuar në Shqipëri që kanë këtë rrogë dhe shumica në sektorin privat.
Kështu që nuk ka gabuar Blendi Klosi atëherë, por thjesht sportiviteti i tij e ktheu në një fakt disi, le të themi, përkëdhelës për humorin popullor kur tha “ka punë, por nuk ka specialistë”. E thënë ndryshe, çdo biznes i madh sot në Shqipëri, i atij 7% dhe unë sfidoj këdo që ta provojë, – e kam bërë këtë sfidë vazhdimisht në këtë foltore e nuk kam parë as ndonjë media, nuk kam parë as ndonjë politikan që është kundër kësaj që të ma provojë në një derë të vetme të një kompanie, të shkojë të trokasë e të dali pronari e të thotë nuk kam vend pune të lirë.
Por, natyrisht, problemi nuk mbaron kur ai thotë unë kam vend pune të lirë. Problemi fillon kur ai thotë mua më duhet axhustator, nuk më duhet një njeri që vë skedina, mua më duhet një njeri që njeh llamarinat, jo dikush që di “X” në derbin e Kajros. Domethënë kërkohen zanate.
Në këtë aspekt është një sfidë tjetër më vete, por unë nuk do zgjatem më.
Faleminderit për mundësinë që të dal nga diskutimi i rendit të ditës për një diskutim që është në rendin e ditës në çdo familje. Edhe një herë do ju lutesha që në mënyrë sa më të shpejtë, të vijë në seancë ky projekt i qeverise dhe të kalojë me votën e të vetmes forcë politike që mendon për njerëzit. Të tjerët thonë se mendojnë për njerëzit, por në fakt mendojnë vetëm për vete.
Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here