Kreu Ditar Në 75 vjetorin e rënies

Në 75 vjetorin e rënies

239
0

-Jeta dhe veprimtaria e Heroit të Popullit Kozma Nushi dhe Dëshmorit te Atdheut, Dhimitër Thomai-

Kozma Nushi ishte biri i atdhetarit të shquar  vunjotas Sokrat Nushi, shtëpia e të cilit në Francë ishte bazë e rëndësishme jo vetëm ku gjetën strehën e tyre shumë luftëtarë të shquar të Luftës nacionalçlirimtare, por edhe ku u botuan gazetat “SAZANI” dhe “POPULLI”. Nga kjo shtëpi u nisën shumë luftëtarë për në Luftën e Spanjës. Familja Nushi ka jetuar një kohë të gjatë në Francë, nga ku tre vëllezërit Nushi, u mbrujtën me pikëpamjet përparimtare të kohës. Në  pranverën e vitit 1926, pasi përfundoi shkollën e mesme në Nicë, Kozmai kthehet në Vuno. Në vitet 30-të Kozmai ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Biokimisë në Zvicër, të cilat për arsye financiare nuk I përfundoi. Sipas dokumentave të kohës në vitet 34-38, Kozmai bashkë me vëllain e tij, Gogon dhe revolucionarë të tjerë Halim Xhelo, Ali Kelmendi e Kahreman Ylli u përfshinë në lëvizjen antifashiste në Francë, e cila u bë edhe një shkollë frymëzuese, idetë e të cilës ata I sollën edhe në Atdhe. “Baraka e Nushajve” në Tiranë u bë një nga vatrat e zjarrta të lëvizjes antifashiste, ku hynin e dilnin Qemal Stafa, Ymer Dishnica, Vojo Kushi,  Misto Mame, Shefqet Musarai e shumë vunjotas të tjerë. Kozmai ishte pjesëmarrës në Konferencën e Labinotit, ku u caktua Sekretar Politik I Qarkorit të Durrësit. Në vjeshtën e vitit 1943 gestapoja e arrestoi Kozmain sëbashku me disa antifashistë të tjerë dhe pas torturave çnjerëzore i internuan në kampin e përqëndrimit të Zemunit pranë Beogradit. Në shtator 1944 Kozmain e mbyllin në kampin çfarosës në Mat-hauzen, ku më 23 janar 1945 e djegin në krematorium. Lajmin për vdekjen e solli në Shqipëri e fejuara e tij franceze në mars 1945, kurse për këtë ngjarje shkroi shoku i tij Ymer Dishnica.

Dhimitër Mihal Thomai u lind në Dhërmi të Vlorës në tetor të vitit 1914. Ai është babai I një figure të njohur në Vlorë, ish futbollistit dhe trainerit të Flamurtarit në vitet e shkëlqimit të këtij ekipi, Niqifor Thomai. Veprimtaria revolucionare e këtij dëshmori ka filluar qysh në lëvizjet antizogiste në vitet 34-38 sëbashku me vëllain e tij të madh, Janin. Në shtëpinë e tij në Dhërmi partizanët e zonës kishin bazën e tyre, ku priteshin dhe përcilleshin me dashuri e besnikëri nga babai I tij, Mihali dhe nga bashkëshortja, Maria. I përfshirë në kontaktet me revolucionarë antifashistë të kohës si Hysni Kapo, Vasil Konomi, Koço Kolek, Kiço Gjikopulli, etj. ai largohet nga Dhërmiu dhe vazhdoi veprimtarinë e tij në Vlorë. Luftëtari I shquar I luftës nacionalçlirimtare, Vasil Konomi  kujtonte me mirënjohje të thellë aktin vetmohues të Dhimitrit kur e kishte shoqëruar atë me not për tu arratisur, sepse xhandarmërie e kërkonin për ta vrarë. Duke dështuar në kapjen e tij (të Vasil Konomit), xhanadarët kapin dhe tortrurojnë Dhimitrin se dyshonin që ky e kishte ndihmuar për tu arratisur. Në dhjetor të vitit 1943, Dhimitri shkon në Tiranë për të qënë afër të vëllait që e kishin arrestuar si antifashist dhe për ta vazhduar atje veprimtarinë e tij revolucionare. Në 4 shkurt të vitit 1944 xhelatët e Xhafer Devës dhe Kadri Cakranit e arrestojnë dhe e pushkatojnë bashkë me 83 djemë të tjerë të Tiranës aty, ku sot është korpusi I Universitetit. Varri dhe eshtrat e tyre nuk u gjetën sepse baskëpunëtorët kriminelë të fashistëve, I zhdukën. Varri simbolik I Dhimitër Thomait gjendet ne Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.

SKËNDER SPAHIU

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.